Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Media / Sociologji

OBORRI I MREKULLIVE

Nëse vërejmë me kujdes këtë kapje ekrani këtu më poshtë, i cili ishte aktiv dje në sitin e një gazete në linjë  (Shqiptarja.com) të duket se gjithçka është parashikuar, që pasi Presidenti i Republikës t’i tregojë shkurtazi por kuptueshëm znj. Kelmendi arsyen pse e ka thirrur në zyrë,  ai të ngrihet në këmbë, të zgjasë   duart lart,  të kapë me kujdesin dhe respektin e duhur ceremonial seksin e znj. N. Minaj (ku lihet të kuptohet se është fshehur medalja Nderi i Kombit) dhe pastaj, me një pineskë të artë ta fiksojë atë në gjoksin e shqiptares sonë të shquar. Kaq.

Shqiptarja.com  (20 nendor)Se mënyra se si e paraqesim, vendi që i gjejmë gjatë faqosjes dhe afërsia me tematikat bashkëngjitur, luan një rol thelbësor në vënien në pah të vlerave apo në përqeshjen dhe madje, poshtërimin e nënvleftësimin e vetëdijshëm që i bëjmë një personaliteti apo informacioni të caktuar. Siti që përmenda më sipër nuk di të jetë i njohur  për respektin ndaj institucionit të presidentit. Punë e tyre. Nëse është e vështirë që një gjë e tillë të përbëjë një model sjelljeje në shoqërinë e sotme shqiptare, unë, megjithatë e përgëzoj këtë gazetë, që pa shtuar asnjë fjalë më shumë se komunikata  zyrtare, ka gjetur një mënyrë të hollë të përqeshë sportisten në fjalë dhe të poshtërojë presidentin e vendit, duke i qëndruar  besnike linjës së vet redaksionale (nëse vërtet ka një të tillë).

Pra, e marr si diçka të vetëdijshme, që është realizuar nga njerëz me profesionalitet të lartë, që në çdo rast, vetëm nëpërmjet faqosjes, pa luajtur asnjë rresht, gjejnë mënyrën të vënë në pozicion qesharak personalitetet që nuk  u pëlqejnë, politikë a të shoqërisë civile.

Theksoj se nuk e ndaj me ta një opinion të tillë (fushata ka mbaruar prej kohësh dhe jam i mendimit se respektojmë veten kur respektojmë institucionet e zgjedhura),  por më fort dëshiroj të jetë kështu se sa të qe fjala për  një praktikë të radhës së medieve shqiptare, që kërkojnë të rrisin numurin e klikimeve, duke u shkelur syrin dhe  tërhequr edhe  vizitorët e lumtur të siteve pornografike, duke u lënë të kuptojnë se nuk do të mbesin të zhgënjyer kur të hyjnë në faqet e tyre. Dhe duket se po e mban fjalën, edhe pse me kohë administratorë të tillë marrin tipare vuajëristësh, si puna e atyre infermiereve që dikur ndeshin në trupin e tyre viruset e sëmundjeve që kanë mjekuar.

Më tej , është mjaft dëshpëruese kur në një tematikë të ndjekur edhe nga portale të tjera të huaj, ti ndeshesh me një portal të vendit tënd që nuk ka asnjë individualitet, që është i zhveshur nga çdo kriter estetik e moral, që nuk ndalet para asnjë lloj babëzie për të shtuar fitimet e veta. Për këtë mjafton të krahasosh portalin shqiptar Ballkanweb me portalin frëng Courrier des Balkans dhe Osservatorio dei Balcani. Që të tre janë të fokusuar në interesin e tyre  në një  zonë  të caktuar gjeopolitike, por gjithçka fillon dhe mbaron këtu. Portali shqiptar nuk ka asgjë të përbashkët me finesën dhe objektivitetin e nivelin e lartë të analizave të këtyre dy siteve të tjera, me paraqitjen e tyre të thjeshtë e dinitoze. Janë portale  që po kthehen  në një referencë botërore për të gjithë ata që duan të kuptojnë këtë anë ngatërruar të botës.

Megjithatë nuk është ky qëllimi i këtij mesazhi.

Në Ballkanweb  të tërheq vëmendjen mungesa  e një plani dhe koncepti  e një plani  faqosjeje që vë në pah vlera, në të bie në sy mungesa e përpjekjes që tërheqë vëmendjen e vizitorëve me gjësendi që të ndikojë  në shijet e tyre dhe ta ndihmonjë atë në perceptimin e së bukurës.

Mënyra se si mblidhet materiali dhe se si pastaj pa asnjë kriter lëshohet në publik, jo më me shumë kujdes se sa tregohet për një kosh plehrash, kjo përbën një dhunë të përditëshme, të cilës duhet t’u bëjnë ballë vizitorët e shumtë që përplasen aty pareshtur.

Le të shohim një kapje tjetër ekrani, krejt të rëndomtë për Ballkanweb-in.

Kallashi perfundimtarKëtu e shoh të tepër çdo koment.Të pasmet e kësaj gruaje që ky portal i ka kthyer në një objekt fetish e proverbial të botës mbarëshqiptare, nuk duken aspak të bezdisura nga një informacion mbi Nënë Terezën, mu ngjitur me të. Por nuk e di nëse mund të thuhet edhe e kundërta. Ballkanweb i vë ato në të njëjtin nivel dhe ajo që ngjan si e tepërt dhe e huaj aty është Nënë Tereza. Duket sikur ka humbur rrugën dhe si e hutuar është ulur diku, në shkallët e një shtëpiepublike. Ajo nuk e di se vendi i nderit është rezervuar për një  prapanicë (për të Ballkaweb ka krijuar edhe termin namuzqar,  fundshpinë). Është  ajo simboli dhe përfaqësuesja e sotme eminente e elitave kulturore shqiptare alla BW. Lumturimi i Nënë Terzës nëse mund të gjejë ca vend në Ballkanweb, ai nuk mund të jetë veçse nën hijen e prapanicës së  një gruaje të re me emrin Kallash. Më kujtohet se vonë BW na njohu me betejën e saj epike me K. Kardashian, për mbrojtjen e ngjyrave të së pasmeve  kombëtare. Natyrisht ideja e hollë qe deshte të përcillte siti ynë ishte se vërtet nuk kemi shkencëtarë, filozofë apo politikanë të shquar, por në nivel bythe konkurojme denjësisht me Amerikën

Mungesa e një linje logjike dhe koncepti orientues, ku vizitori të gjejë tematikën e tij pa qenë i detyruar të kalojë një test paraprak vuajërizmi për të gjetur nëse kjo apo ajo artiste ka veshur mbathje apo jo, bën që portali ynë aq i vizituar t’i ngjajë një oborri mrekullish, si në mesjetë. Në një çast të caktuar aty gjithçka merr një formë të pa  imagjinueshme për mendjet normale.Keshilla

E megjithatë, nuk është se nuk kam dyshimet e mia kur flas kështu. Sot në mëngjes pata përshtypjen se gjithsesi ekziston një ndarje tematike. Një tematikë këshillash, p.sh. Dhe kjo më shtyu të bëj kapjen këtu anash. Siç shihet, është fjala për një këshillë që z. Adem Demaçi u jep politikanëve  të Kosovë, me dëshirën që qeveria të funksionojë si modeli gjerman. Nuk është keq.  Mu ngjitur me të kemi këshillat e një pornostareje (secili sipas kompetencave të veta) e cila u tregon meshkujve ca marifete për të ngritur temperaturën e çifteve nën çarçafë.

Ballkanweb ruan raporte interesante dhe të fqinjësisë së mirë edhe me përfaqësues të shquar të shoqërisë civile ndërkombëtare, madje edhe me fitues të çmimit Nobël. Një prej tyre ështe edhe Malalaja e mrrekullueshme, ai simbol botëror e i dhimbshëm i dëshirës së miliona fëmijëve për t’u shkolluar.Nora Istrefi

Veçse problemi është se në rastin shqiptar, ajo do të ketë të bëjë me “talebanët” e Ballkanweb-it, thënë ndryshe me problemin e vogël që ka me mbathjet e saj një grua me emrin Nora Istrefi, siç shoh të jetë shkruar në të njëjtën kolonë dhe fare ngjitur me  foton e Malalasë, të cilës pak kohë më parë talebanët i zbrazën një plumb në kokë sepse shkonte në shkollë.

Në vazhdim të marrdhënieve të mira ndërkombëtare, BW nuk mund të mos i lërë ca vend edhe mikeshës sonë të madhe, Gjermanisë.  Veçanërisht, ajo e di mirë se lexuesi shqiptar është i interesuar për përvojën gjermane. Dhe çfarë mund të na vlejë më shumë se përvoja ne fushën e kursimit të energjisë elektrike?  Nga atdheu i mama Merkelit na bëjnë me dije se një mënyrë mjaft e efektëshme kursimi është ajo që të bëjmë seks me drita të fikura. Jam i sigurtë se shumë shqiptarë kanë mbajtur shënim një këshillë të tillë edhe pse ka nga ata që mund të pyesin pse mos ta bëjmë një gjë të tillë ende pa rënë nata?

Kursimi i energjise

Veçse edhe në këtë rast na del një problem i vogël. Duke qenë se as që u shkon në mendja se vendndodhja e një mesazhi dhe paraqitja grafike ka efektin e një  mine të vërtetë, administratorët e Ballkanweb-it e vendosin një informacion të tillë në një kontekst krejt të kundërt. Prioriteti i ditës për shqiptarët është përballja jo me mungesën e ujit, por me fuqinë e tij shkatërruese dhe fatkeqësitë e panumërta që ka shkaktuar, madje flitet edhe për  të vdekur. Dhe këtë humor tipik gjerman, e gjejmë pikërisht midis dy fatkeqësive shqiptare.

Duam apo nuk duam, duhet pranuar se kjo lloj fyerje e përditëshme e publikut, ky nivel bodrumesh i zgjedhjes estetike të një portali kombëtar, nuk mund të egzistonte vetëm si pasojë e orjentimeve dhe e shijes së shefave të Ballkanweb-it dhe GSH. Ajo ekziston sepse në një farë mënyrë rrogëtarët e këtyre siteve e dinë se çfarë kërkon vetë publiku shqiptar. Ata ndihen si zëdhënës së frustracioneve seksualë dhe instinkteve të  përzëna e ndrydhura.

Sot ka teori të shkëlqyera dhe ekziston një estetikë e tërë e paraqitjes grafike të një portali. Më e zakonshme është ajo që i përmbahet rregullit të prerjes së artë, pra raporteve harmonikë (3/4) të  kornizimit të rubrikave, që nënkupton edhe harmonizimin e përmbajtjes. Kurrë nuk kam mundur të gjej qoftë edhe ndonjë fillim përpjekje të tillë në sitet në gjuhën shqipe. E vetmja gjë që vërej të Ballkanweb, është një konstatim i vjetër i viteve ’30  i menaxherëve amerikanë të marketingut. Një konstatim i thjeshtë. Ata vërejtën të parët se kur një klient hynte në një dyqan ai kishte për tendencë të shihte djathtas. Që prej asaj kohe vendosja e mallrave nëpër rafte bëhet  në mënyrë të tillë që në të djathtë të hyrjes së dyqanit, administruesit të vendosin mallrat që donin të shisnin më shpejt e më shtrenjtë. Më tej, ky konstatim mori vlerën e një  rregulli  frytdhënës edhe në portalet e internetit.

Duhet thënë se Ballkanweb e ka kuptuar mirë një gjë të tillë. Vetëm sot  në krahun e djathtë të këtij portali (ekrani) munda të numëroj trembëdhjetë reklama në trajtë banierash apo spotesh, ndërkohë që kishte edhe nja pesë a gjashtë të tjera në krahun e majtë (në të majtë të ekranit, pra). Është shumë, jashtëzakonisht shumë. Nëse dikush do të mund të gjejë një dendësi dhe agresivitet të tillë reklamesh në një sit tjetër në botë, do të desha shumë ta njoh. Flas për portale kombëtarë informacioni.

Një dendësi e tillë unike reklamesh flet shumë. Dhe jo vetëm që  hedh një dyshim të madh edhe mbi ndershmërinë e atyre firmave që pranojnë të trajtohen në një mënyrë të tillë, pa asnjë vizibilitet, por  flet për  mungesë respekti dhe  trajtimi të dhunshëm e arrogant që u  bëhet vizitorëve të portalit, i cilëson ata  si dele të vërteta, që gëlltisin gjithçka

Dhe së fundi, një gjë e tillë shërben për të kuptuar një të vërtetë të pashprehur: duket se gjithçka bëhet jo për të informuar drejt, me objektivitet e duke respektuar dinjitetin e lexuesit, aty kupton se nuk është informacioni përparësia e vërtetë e portaleve të tilla. Gjithçka bëhet  për të tërhequr me çdo kusht sa më shumë vizitorë, klikimi i të cilëve është më i rëndësishëm se opinioni i tyre.

Pa Komente

  1. Asgje per t’u habitur me nje tallava mediatike sic eshte BallkanWeb-i. Ne fakt vetem emri tregon shume: Ballkan(shqip)Web(anglisht). I njejti grup mediatik i qe i ka dhene nje emer po aq te perbindshem nje televizioni; News24. Ky nuk lexohet ashtu sic duhet Njuz Tuentifour por Njuz Njezetekater. Kjo sipas te njejtes llogjike tallavaje ku cdo gje eshte e mundur per nje grusht dollare me shume. Edhe martesa e shemtuar e nje fjale shqip me ate angleze. Nje bicim Katunar Airport ku hyne e dalin pa teklif te “integruarit” e sotem ne Shqiperi.

  2. I ke rënë pikës, Lyss.

    Dukuria nuk kufizohet vetëm në BW – e gjen, në përmasa të ngjashme, edhe te Tema, Lapsi.al, Shqiptarja.com, Panorama dhe faqe të tjera online (lista do të dilte e gjatë).

    Përshtypja ime është se këta që i konceptojnë këto faqe janë njerëz shumë të vrazhdë, të cilët duan të tërheqin vëmëndjen e njerëzve të tjerë po aq të vrazhdë, dhe të nxjerrin ndonjë lek në këtë proces.

    Përndryshe nuk e shpjegoj dot këtë fiksim me b*thët e femrave të shëndetshme, të cilat pastaj e futin krejt materialin e faqes në kontekst, siç e ke vënë re edhe ti; duke i dhënë mjedisit pamjen dhe atmosferën e një nevojtoreje publike në autostradë.

    Një psikanalist këtu do të kish bërë namin, por po u qëndroj larg interpretimeve ekskrementale dhe homoerotike.

    Sa herë që i shoh këto imazhe, më shkon mendja t’u them autorëve dhe konsumatorëve përkatës se femrat e ekspozuara dhe të përdorura aty – gjithfarë këngëtaresh dhe celebritetesh të tjera – janë rojtaret dhe garantet par excellence të nderit të nënave dhe të motrave të tyre, siç e kërkon edhe patriarkalizmi i shekullit XXI.

    Media shqip online është në gjendje jashtëzakonisht të mjeruar – për shkak të mungesës së parave, të vullnetit të mirë dhe të profesionalizmit të mangët të atyre që kujdesen për të.

    Përgjegjësi për këtë mbajnë edhe ato institucione dhe OJQ, në Shqipëri, që kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin fonde të majme nga Europa dhe bota për trajnimin e punonjësve të medias.

    Ma merr mendja se gazetarët vetë duhet ta marrin dorë këtë punë dhe t’i japin vendin e duhur trash-it në faqet e mediave online – duke mos e lejuar të kryq-polenizojë informacionin që ka përbri.

    Për këtë, duhet të ndihmohen edhe nga një ligj, i cili të kufizojë dhe të përcaktojë përdorimin e imazheve soft-porn nga ana e mediave online. Nëse mediat vetë nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, atëherë duhen trajtuar si fëmijë dhe fëmijët kanë nevojë për pak disiplinim.

  3. une kam gjetur nje add on te firefox per te mos paraqitur mesazhet, se lash nam njeher ne biblioteke, u duk sikur hapa faqe pornografike, edhe ne gjuhe te huaj.

    Problemi eshte se permbatja eshte automatike, vendosen ato informacione qe jane klikuar me shume dhe faqosjen, dmth. faqosja eshte interaktive. Megjithese mjafton nje nderhyrje qe te mos perzihen fushat.

    1. Per te thene gjithçka, me duhet te pranoj se ideja e nje shkrimi te tille me erdhi ne nje rrethate thuajse identike me tenden. Gjate nje pause kafeje, desha t’i tregoj disa kolegeve te zyres foton qe kisha pare ne mengjes te ne siti arkeologjik shqiptar. Hapa Bw dhe ekrani u mbush me “fundshpinen” e Kallashit. Ata qe kisha rrotull u ngriten e iken…

    2. Arsimtar, ne shkrimin e Lyssit behet fjale per informacione qe vendosen me vetedije nga faqosesit, gazetaret dhe autoret e faqeve dhe jo por adds qe te futen ne faqe automatikisht.

      1. sikur edhe te blogjet faqet jane modulare, nuk jane holistike si dikur me html .. dmth. ti vendos se faqja mund te jete me disa korniza, ku ne to paraqiten informacioni qe ti deshiron.. ne kornizat anash e majtas p.sh. fotot me te klikuarat.. ne tjetren lidhjet apo informacione nga nje rss.. dmth. sot vendos vemendja e turmes se cili informacion eshte me i rendesishem.. sa here p.sh. ne shume gazeta nuk gjendet lidhjet apo faqet qe ke lexuar me pare.. cdo gje eshte fluide e zhdukshme .. harroje biblioteken me raftin e rende..

  4. ti meshoj edhe njehere fajit te teknologjise.. p.sh. tek adem demaci dhe keshillat e pornostares ka nje te perbashket: fjala keshille. Ne baze te kesaj te perbashke renditen edhe lajmet automatikisht (ose kur klikon “te ngjashme”). Tek Peizazhe renditja behet ne saj te “tags”.

    Ketej dalin tekste te cuditshme, por dadaizmi nuk ishte me larg – faqja ofron nje kontekst te perbashket, qe ne kete rast nuk eshte i mvetesuar, por qe perbehen nga vemendja e publikut – jane te lidhura keshillat e pornostares me ato te adem demacit se gjenden se paralelisht ne momentin qe i lexojme ne – kete na e mundeson teknologjia. Dikur keto dy lajme qe i perkasin konteksteve te ndryshme do te lexoheshin ne menyre sekuenciale, pervec ndonje mendje te semure ose kureshtare qe qellimisht do te kerkonte te perbashketat (edhe pse Italia ka pasur nje pornostare ne parlament dhe nje aspirant per deputet).

    I vetmi problem eshte se kualifikimi i robve qe merren me kete mbi “text mining” (https://en.wikipedia.org/wiki/Text_mining) nuk eshte i duhuri (besoj se ne shqiperi nuk ka te tille fare pasi zakonisht jane linguistet ata qe mund ta bejne kete pune). Se keto metoda perdorin edhe faqet e tjera te internetit, por ka koka qe merren me kompjuter-linguistike e inteligjence artificiale, matemaciene per formulat etj. Perndryshe, ka aq shume informacion e perditesime ne sekonda te faqeve sa eshte e pamundur te mos perdoret kompjuteri per ti renditur. Do ti plaste koka gazetarit te rendiste lumin e informaciont, perditesimet etj.

    1. Arsimtar, shpjegimi juaj eshte interesant dhe mjaft i qarte. Por problemi qendron sot e gjithe diten, sepse ajo qe ndodh ne sitet per te cilat po flasim, nuk ndodh me sitet te tjera informative, qe ruajne dinjitetin e emrit te tyre, edhe pse ata perdorin te njejten teknologji. Kete çast po shoh se mu ne mes te faqes se bw eshte nje lajm i tille: 13-vjeçarja: Kam kryer marrëdhënie me më shumë se 50 persona. Kujt i duhet nje gje e tille (ne formen e dhene si nje rekord Guinness dhe jo si problem social), ne morine e infove te sotme? Nese sipas shpjegimit tuaj kjo ndodh (pra lajmi qendron ne faqe) sepse eshte ai qe klikohet me shume, atehere duhet te pranojme se jemi nje komb perversesh!
      Megjithate, nuk duhet humbur shpresa. Publiku nuk do ta zbulonte kete ane te natyres se tij, po qe se ne origjine nuk do te ishte kurthi i menyse selektive te propozuar nga bw. Ata e dine mire ne se trajten e dhene, informacioni terheq me shume klikime se sa ne formen e perfundimeve, fvj., te UNICEF-it mbi prostituimin e femijeve ne bote. Pra, perversi i vertete shpresoj te jete perzgjedhesi i bw-se dhe jo vizitori naiv qe bie ne nje kurth te tille, si mizat ne musht, tha.

  5. patjeter qe qendron edhe nje mendje perverse pas formulimit te lajmit .. duke perdorur edhe fjale te caktuara per te terhequr vemendjen e publikut dhe te makinave te kerkimit.. p.sh. duke mos harruar te futen ne meta-tags apo teks fjale si seks, marredhenie seksuale, perdhunim, mundesisht permendje organesh seksuale dhe mosha (per te shfajesuar kureshtjen) etj. ..

    tek lajmi qe permend pash sesi e kishin kategorizuar lajmin mbi dhunimin e 13 vjecares, dhe per ta ishte pjese e thashethemeve ne rubriken Metropol dhe ne kategorine “te gjitha” dhe “prositucion”. pa folur per gjuhen aspak te ndjeshme qe kishte teksti.

    !class=”post-3747 post type-post status-publish format-standard has-post-thumbnail hentry category-metropol category-te-gjitha tag-prostitucion

    shih p.sh. meta-tags te shqiptarja.com (se keto jane per studime doktorature, si percillet identiteti i medias nepermjet web semantics) – ka nga te gjitha ne keto pershkrime, keshtu identifikohen ne rrjet keto mediat tona.. .

    meta name = keywords content –> “Shqip�ria, shqiptaret, shqiptarja, shqiptarja.com, gazeta shqiptarja, gazeta shqiptarja.com, periferi, nje kafe me, rilindasi, suplementi rilindasi, anila basha, alba malltezi, admirina peci, arben rozhani, genc kondi, poli hoxha, thashetheme, vip shqiptare, sondazh, video, foto, raportoni, raportoni ju, raportoniju.com, Balkans, Ballkan, Ballkani, Balkan, balkans, ballkan, ballkani, balkan, rajoni, rajon, lajm, lajme, lajmi, lajmet e sotme, lajmet e fundit, lajme nga vendi, lajmi i fundit, artikuj, artikull, artikulli, lajmerime, lajmerim, lajmerimi, Albania, exchange, gazetat online, lajmet sot, lajme me ore, gazeta, shqiptare, newspaper, weather, horoscope, tension, travell, news, investments, tenders, documents, notizie dall�albania, notizie albanesi, Albania, tirane, Tirana, durazzo, durres, vlora, Valona, Shkoder, shkodra, scutari, sarande, Kosova, Kosov�, Grecia, giornale indipendnete Albanese, quotidiano indipendente Albanese, organizations, internet, news and press, poll, news of Kosovo, news of Balkans, news of Albania, sport, Kosovo, Macedonia, Romania, Yugoslavia, Serbia, Bulgaria, Croatia, Greece, Hungary, Montenegro, Bosnia-Herzegovina, lajme nga rajoni, rajoni i shqiperise, rajoni i kosoves, rajoni i maqedonise, rajoni i greqise, international news, daily newspaper, national, politics, business, breaking news, sociale, ekonomi, rajon, bota, blog, blog shqiptare, horoskop, analiza, sali berisha, edi rama, forum, parashikimi i motit, investigime, gazetaria investigative, culture, kultura, arkivi, historia komb�tare sqhiptare”

    shih p.sh. Gazeta Panorama

    meta name=”keywords” content==> hVlKIiCQaXTyEr4-TvOwyMvYvXg, balkans, lajmiifundit, aktualitet, opinion, argument, tipike, video, unegruaja, panoramaplus, showbiz, botarajoni, sport, speciale, sondazhe, pdf, politike, kronike, ekonomi, sociale, albania, moti, lojra, loje, exchange, faqja, gazeta, panorama, online, newspaper, albanian newspapers, gazeta shqiptare, newspaper albania, weather, sms, horoscope, tension, news, documents, internet, press, poll, kosovo, culture, rss, communication”

  6. (Zh)veshja e kengetares Bleona Qerreti ne nje aktivitet ne SHBA sot eshte percjelle nga te gjitha mediat shqiptare – kete here si nje lajm i mirefillte dhe krahas “artikullit” per te pasmet e Bleones shfaqej fotoja e ishkryeministrit Sali Berisha. Nje gafe nga pakujdesia por mbushur me ironi. Dikur Bleonat shfaqeshin krahas artikujve serioze personalitetesh si presidente e kryeministra. Sot keta i rikthejne nderin.

    http://www.lapsi.al/lajme/2014/11/24/gafa-e-respublica-ngat%C3%ABrron-berish%C3%ABn-me-lakuriq%C3%ABsin%C3%AB-e-bleon%C3%ABs

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin