nga Arjan Shahini
Në një koment mbi arsimin parauniversitar, eksponentë të Partisë Socialiste vërejtën se qeveria e mëparshme kishte dështuar në politikat e saj të arsimit. Por një analizë krahasimore ndër vite dhe në shumë nivele (multilevel analysis) tregon tjetër histori.
Së pari, sikur edhe në literaturë, është e vështirë që këto t’u atribuohen politikave institucionale të ndjekura nga qeveria vendore dhe qendrore, apo mënyrës së qeverisjes së shkollës (klima kulturore e shkollës). Së dyti, përbërja e shkollës, mjedisi që krijohet nga statusi social dhe etika e punës së studenteve janë faktorë të rëndësishëm që ndikojnë mbi rezultatet e nxënësve. Së treti, është e vështirë të matet se çfarë ndodh në klasë me një mësues të papërgatitur ose shumë të përgatitur. Nëse qeveria mendon se shkaku janë mësuesit jashtë profilit, duhet ta mbështesë këtë jo thjesht me të dhënat e mësuesve, por në rezultatet e tyre me nxënësit.
P.sh. PISA 2012 dëshmoi progres të Shqipërisë në lexim dhe matematikë. Por ndryshimet pozitive mund të kenë ndodhur për shumë arsye dhe nivele (stabilizimi politik e makro-ekonomik; ose si rezultat i ndërhyrjeve të qeverisë Berisha: rritja e konsiderueshme e pagës së mësuesve në 2006, vendosja e provimit të maturës ose ndryshime në kurrikul). Meqë është e vështirë të izolohet ndikimi i secilit prej këtyre faktorëve, atëherë mendohet se është kombinimi i tyre.
Në PISA 2000 rreth 43% e dallimeve ndërmjet vendeve shpjegoheshin nëpërmjet ndryshimeve në Prodhimit të Brendshëm Bruto për banor. Në 2000 nxënësit shqiptarë të klasave 9 deri në 11-të kishin rezultate skandaloze në lexim. Rreth 20% ishin nën nivelin e parë, 23-27% në nivelin e parë, 20% në nivelin e dytë, 8% në nivelin e tretë dhe 1% në nivelin e katërt, asnjë në nivelin e pestë. Për krahasim Maqedonia kishte 35% nën nivelin e parë dhe 2% në nivelin e katërt; Bullgaria 18% nën nivelin e parë dhe 9% e 2% në nivelin katërt dhe të pestë.
Efekti i shkollës për Shqipërinë ishte rreth 28%, që shpjegonte variancën ndërmjet rezultateve të nxënësve. Dallimet ndërmjet shkollave janë pra të konsiderueshme. PISA 2000 tregonte se shkolla kishte dështuar në edukimin e meshkujve. Femrat në vitin 2000 kishin rezultate që varionin edhe mbi një vit shkollimi më shumë se meshkujt. Në PISA 2000 femrat ja u kalonin meshkujve në lexim, matematikë dhe shkencë. Shkollat publike ishin faktor negativ në rezultatet e leximit (-123 pikë) dhe në matematikë (-120 pikë).
Ndryshime të konsiderueshme pozitive rezultuan në PISA 2012, me një ndryshim vjetor prej 5.6 pikësh në vit për matematikën dhe 4.1 për leximin. Në 2012 femrat janë sërish në pararojë, por distancat janë reduktuar ndjeshëm. Gjinia, në favor të femrave, është ende një faktor sinjifikant statistikisht (në matematikë: 13 pikë në vitin 2000 dhe 0.32 në 2012). Por dallimet ndërmjet shkollave janë shumë të vogla (icc= 0.05) dhe shkollat private nuk kanë dallime sinjifikante me ato private. Karakteristikat e studentëve, si pasuria, etika e punës me matematikën, zotërimet personale etj. nuk figurojnë statistikisht sinjifikante.
Për provimin e maturës 2010 (n= 36,186), mesatarja në matematikë ishte afërsisht 5.8, duke marrë parasysh dallimet ndërmjet tre niveleve (qytet, shkollë, individ). Dallimet nga shkolla në shkollë ishin më të vogla se ato brenda shkollës. Rrethi shpjegonte rreth 20% të variancës, ndërsa shkolla rreth 18%. Kjo do të thotë se dallimet e rezultateve të maturës janë të konsiderueshme ndër qytetet dhe shkollat brenda rretheve. Dallimet e mesatareve të letërsisë dhe matematikës në maturën 2010 për shkollat publike dhe private ishin sinjifikante, plus një notë për privatet. Në provimin e maturës të vitit 2014 (n=42,397), nota mesatare e matematikës ishte 5.02. Dallimet ndërmjet qyteteve shpjegojnë rreth 10% të variancës, ndërsa shkolla rreth 28%. Pra diferencat ndërmjet qyteteve dhe shkollave shpjegojnë një pjesë të mirë të dallimeve në rezultatet e nxënësve. Kështu që për studiuesit ja vlen të shihen përveç politikave të shkollës, edhe faktorët socialë dhe ekonomikë në nivelin e qytetit dhe të shkollës.
Unë u hodha një sy shpenzimeve për frymë në nivelin e bashkive kryesore. Këto të dhëna janë paraqitur rrëmujshëm në dokumentin e qeverisë për strategjinë e reformës administrative 2014 (aneksi i gjendjes financiare). I vendosa në një model statistikor për të parë pjesën e variancës që shpjegojnë diferencat në shpenzime mbi rezultatet e maturës të vitit 2014 në nivel bashkie. Model shumë i thjeshtë se nuk llogarit dallimet ndërmjet fshatit dhe qytetit. Në shumë komuna shpenzimet për frymë ishin 50% më pak se ato në nivel qarku. Përqindjet në raport me shpenzimet për frymë në shkallë vendi nuk korrespondonin gjithmonë me shifrat absolute. Gjithsesi, nga modeli rezulton se efekti i shpenzimeve për frymë në nivel bashkie është thuajse zero dhe jo sinjifikant mbi rezultatet e maturës. Kjo do të thotë se ka faktorë të tjerë që shpjegojnë atë 10% e qarkut.
Në gazeta qeveria i shpjegoi rezultatet e dobëta të vitit 2014 me rigorozitetin e organizimit të provimit. Nga krahasimi ndërmjet qyteteve figuron që pretendimi të jetë i vërtetë. Qytete si Gjirokastra, Peqini dhe Përmeti kanë diferenca të mëdha nga 2013 në 2014 në provimin e matematikës. Ndërsa Tirana ka afërsisht të njëjtën mesatare për 2010 (6.16), 2013 (6.57) dhe 2014 (6.53), me një rritje të vogël prej 2010, statistikisht sinjifikante. Me studimin e PISA 2012 mund të evidentohen rezultate pozitive, por me provimet standarde të maturës është e vështirë të perceptohet ndonjë ndryshim thelbësor që mund ti atribuohet bindshëm ndërhyrjeve të qeverisë. Ndryshimet më së shumti nxjerrin në pah problemet me organinizimin e provimeve standarde në Shqipëri.
Në Shqipëri ende nuk ka vlerësime statistikore të besueshmërisë e vlefshmërisë (reliabilitetit dhe validitetit) të provimit të shtetit, maturës shtetërore dhe provimeve të lirimit në shkollat 9-vjeçare. Megjithatë, të gjitha këto provime janë faktorë për ecurinë apo demotivimin e karrierave profesionale të brezave të ardhshëm. Ato ndikojnë politikat e qeverisë, kuadrin rregullator të ushtrimit të profesioneve, kurrikulat etj.
Të dhënat aktuale lejojnë një vështrim të përgjithshëm mbi ndikimin e politikave vendore dhe mjedisit shkollor mbi rezultatet e nxënësve, por ne ende nuk dimë se çfarë ndodh në klasë. Të dhënat në nivel klase mungojnë tërësisht, p.sh. lidhja e rezultateve të provimit të kualifikimit të mësuesve me rezultatet e nxënësve në provimin e lirimit apo maturës. Kryesisht kjo vjen për shkak të mungesës së transparencës që i ka karakterizuar qeveritë e radhës në lidhje me këto provime, por mbi të gjitha për shkak të mungesës së kureshtjes të hulumtuesve në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës.
raporti i PISA 2012 ne shqip, i fshehur diku neper link http://www.worldbank.org/content/dam/Worldbank/document/eca/Albania/al-pisa-report-al.pdf