Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Ekonomi / Politikë

SI TË SHKATËRROSH NJË INSTITUCION

nga Gjilpëra

Intensiteti i lartë i ngjarjeve pas skandalit të vjedhjes në degën e Thesarit të Bankës së Shqipërisë, kakofonia mediatike, inkompetenca e shtypit dhe e televizioneve, drama personale e Adrian Fullanit mbuluan, fatkeqësisht, skandalin e vërtetë në këtë histori, atë të goditjes dhe të shkatërrimit të pavarësisë institucionale të Bankës së Shqipërisë.

Një skandal, në të cilin u përfshin politikanë të shumë ngjyrave, bankierë VIP, prokurorë, gjykatës, gazetarë, dhe një opinion publik gjithnjë e më histerik. Një skandal ku pa dyshim, kanë luajtur pjesën e vet, si guvernatori Fullani bashkë me Këshillin Mbikqyrës të Bankës, ashtu dhe krerët e Financave shqiptare të viteve të fundit dhe, në rolin e Kryetarit të Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Parlamentin e Shqipërisë, Erion Braçe.

Fullani i arrestuar

Pavarësia institucionale e Bankës Qëndrore nuk është një qëllim në vetvete, as është ajo e pakufizuar, as është kjo pavarësi një shpikje shqiptare. Ajo është një pavarësi në funksion të misionit kryesor të BSH, atë të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe më tej, atë të stabilitetit të sistemit financiar të vendit. Ajo është një pavarësi që i jipet BSH nga Kuvendi i Republikës së SHqipërisë dhe që kontrollohet prej këtij. Modeli perëndimor i bankave qëndrore të pavaruara që me rekomandimin dhe nën asistencën e organizmave ndërkombëtare u kopjua edhe në ngritjen e Bankës së Shqipërisë, është një model i ndërtuar pas përvojave negative të politikave monetare në shërbim dhe në dorë të qeverive dhe të partive në pushtet, gjatë dekadave të mëparshme. Pasojat shpesh katastrofale të këtyre politikave mbi ekonomitë e shumë vendeve, çuan drejt modelit të bankave qëndrore të pavarura, me një mision kryesor, përkundër modelit të mëparshëm, kur bankat qëndrore ishin një departament, mes shumë të tjerëve, në Ministrinë e Financave, dhe kur drejtori i saj ishte thjesht një nëpunës shteti, i varur nga ministri.

Një mision që BSH, si një nga aktorët kryesor të sistemit financiar në vend, e ka realizuar, në një masë të konsiderueshme, me sukses në kohën e pas 1997 (dhe meqë jemi tek ky “vit i mbrapshtë” – pikënisja e katastrofës së 1997 ishte pikërisht një krizë financiare, në formën e firmave piramidale, aksidentit më të keq të mundshëm në botën e financës, krizë që çoi pastaj në kolapsin e plotë jo vetëm të sistemit finaciar, por dhe të strukturave shtetërore në Shqipëri).

Dyshimet e para mbi pavarësinë e BSH nga qeveria e djathtë në pushtet, dhe pikëpyetjet e para mbi politikat e saj monetare filluan në vitin 2010, kur nis dhe konflikti midis Bankës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga guvernatori, dhe Partisë Socialiste, atëhere ende në opozitë. Në Maj të vitit 2010 Erion Braçe dhe Shkëlqim Cani akuzojnë Ardian Fullanin për shkelje flagrante të ligjit të Bankës së Shqipërisë, në lidhje me blerjen e Hotel Dajtit prej Bankës së Shqipërisë për 30 milion Euro, nga qeveria Berisha. Opozita e majtë e akuzoi Fullanin, dhe ministrin e atëhershëm të Financave Bode, që e përdorën shitblerjen e Hotelit si një formë të kamufluar të financimit të drejtpërdrejtë dhë te parevokueshem të qeverisë nga Banka Qendrore, çfarë ishte, sipas tyre, dhe një cënim direkt i pavarësisë së këtij institucioni. Si Këshilli i Ministrave ashtu dhe BSH deklarojnë që shitblerja u bë në përputhje të plotë të rregullave dhë të ligjeve në fuqi, por refuzojnë apo injorojnë transparencën e kërkuar me të drejtë nga opozita e atëhershme dhe nga publiku në lidhje me këtë proces.

Pas këtij momenti marrëdheniet midis opozitës dhe BSH nuk normalizohen më. Përkundrazi, opozita e rriti dozën e dyshimeve dhe të akuzave ndaj Fullanit, si i lidhur me klanin Berisha-Bode dhe që, si i tillë, e kishte vënë Bankën e Shqipërisë në shërbim të partisë në pushtet.

Akuzave për kreditime të drejtpërdrejta ose të mbuluara të qeverisë së shkuar i shtohen, në vitet që vijnë, akuzat për nepotizëm, për favore të Fullanit ndaj politikanëve të pushtetshëm, të djathtë dhe të majtë; akuza për kthimin e Bankës në një lloj “biotopi” në mes të Tiranës, ku klasa politike shqiptare strehonte pinjollët dhe të dashurit e vet në vende “pëllumbash” brenda Bankës së Shqipërisë. Lista në qarkullim e mbimrave të të punësurave në BSH duket si lista e “who’s who” në qarqet politiko-mediatike shqiptare. Numri i personelit të BSH dyfishohet brenda 10 viteve të fundit, duke arritur shifrën “krenare” të 504 punonjësvë në 2013. Shpenzimet për personelin, në total, pothuajse trefishohen[1].

Me fitoren në zgjedhjet e Qershorit dhe me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste në Shtator 2013, konflikti shpërthen hapur. Si ministri i ri i Financave Cani, ashtu the Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonominë Braçe, nuk e fshehin antipatinë dhe mospëlqimin tyre ndaj Fullanit në postin e guvernatorit, me të cilin ata tani janë të detyruar të bashkëpunojnë në nivel institucional. Përpjekjet nga ana e Fullanit për të shtensionuar marrëdhëniet me qeverinë e re dështojnë. Pesë ulje të normës bazë të interesit brenda një viti nga ardhja e socialistëve në pushtet – një bekim për Ministrin e ri të Financës, që gjeti përpara një borxh publik jashtë çdo limiti – nuk mjaftojnë për të shkrirë akullin mes aktorëve kryesore të politikave finaciare shqiptare, pas Qershorit 2013.

Përplasja tashmë bëhet haptazi dhe publikisht. Rruga konstitucionale e komunikimit në një nivel institucional – në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financës dhe para Parlamentit – ia le vëndin përplasjes publike dhe një konflikti gjithnjë e më personal, midis Braçes në njërën anë, dhe Fullanit dhe antarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës, në anën tjetër. Fotografitë private të djalit të Fullanit gjejnë rrugën nga Facebook-u, në faqet e gazetave dhe në emisionet e lajmeve në TV. Me gjuhë militanti dhe zell inkuizitori, Braçe “demaskon” publikisht rrogën, shpërblimet vjetore dhe jetën luksoze të Fullanit dhe të familjes së tij, që bëhen tashmë fronti i ri i betejës. Fullani mbrohet, duke nxjerrë përpara autonominë e BSH në përcaktimin e shpenzimeve dhe të politikës së personelit. Një diskutim racional dhe transparent bëhet i pamundur. Rroga e Fullanit krahasohet me atë të deputetëve të parlamentit, të Kryeministrit, të Presidentit të Shqiperisë madje dhe të presidentit Putin apo atij kinez, por nuk krahasohet, çuditërisht, me rrogat e drejtuësve të bankave të tjera (private) në Shqipëri, me të cilat BSH konkurron për rekrutimin e personelit të kualifikuar. Sulmohet dhe demaskohet mentatiliteti i vetëshërbimit i guvernatorit dhe antarëve të KM, por askush nuk ndërmerr iniciativa ligjore për rritjen e kontrollit nga Parlamenti mbi BSH, për t’i dhënë fund këtyre abuzimeve, të vërteta apo të supozuara qofshin ato (iniciativa si vendosja e limiteve “tavan” për rrogat e personelit të Bankës apo për të kufizuar kohën e një guvernatori në krye të BSH në një mandat të vetëm 7-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje).

Zbulimi i një vjedhjeje ordinere në degën e Thesarit të Bankës në Korrik të këtij viti, ç’ka nxorri në dritë dhe një dështim flagrant të strukturave organizative dhe atyre të auditit të Bankës, shkatërron dhe urën e fundit të komunikimit mes Braçes dhe Fullanit dhe fundos përfundimisht, si autoritetin e BSH si institucion i pavaruar, ashtu dhe besimin e mbetur të publikut te Fullani dhe tek Këshilli Mbikëqyres i Bankës. Thirrjet për dorëheqjen e Fullanit bëhen hapur, si nga politikanët në pushtet ashtu dhe nga një publik gjithnjë e më histerik. Në rrugët e Shqipërisë njerëzit nënshkruajnë peticione për shkarkimin e guvernatorit, mediat kërkojnë “kokën” e Fullanit. Një kërkesë për shkarkimin e guvernatorit në Keshillin Mbikqyrës, sjellë aty nga socialistja Meksi, dështon në refuzimin e antarëve të tjerë të Këshillit.

Në kulmin e kësaj situate të acaruar, Prokuroria shqiptare në një hap sa të papritur, aq dhe radikal, kërkon arrestimin e Fullanit, bazuar mbi akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me vjedhjen në degën e Thesarit të Bankës. Një akuzë kjo sa e përgjithshme, aq dhe e pakuptimtë, nisur nga stadi aktual i hetimeve. Që kur mund të arrestohet drejtuesi i një institucioni, për shkak të një vjedhje ordinere të një apo disa nëpunësish të shkallëve të ulta të hierarkisë së institucionit, me të cilët ai nuk ka asnjë lidhje direkte? Që kur kapërcen përgjegjësia institucionale dhe ligjore të gjitha hallkat e zinxhirit hierarkik, nga shkalla më e ulët, direkt tek numri Një i institucionit, pa përfunduar më parë hetimet dhe, për më tepër, kur guvernatori nuk pyetet asnjëherë të vetme lidhur me vjedhjen e Thesarit, para arrestimit? Që kur, bie fjala, mund të çojë vjedhja e një apo disa doganierëve në një doganë të vendit, në arrestimin e Ministrit të Financave, për “shpërdorim të detyrës”? (me një standart të tillë, do të kishim pas hekurave “ekipin” e plotë të ministrave të financës të këtyre 20 viteve të fundit!) Dhe, meqë na pëlqen që për çdo gje t’iu referohemi përvojave nga “përjashta”, ku në Perëndim ka ndodhur që të arrestohet presidenti apo guvernatori i Bankës Qëndrore për vjedhje ordinere në filialet dhe degët e këtyre bankave, ngjarje që dhe aty ndodhin dhe që tërheqin padyshim, përveç Prokurorisë, dhe vëmendjen e mediave dhe të publikut? (një kërkim i shpejtë në Google mjafton për të nxjerrë një tufë lajmesh të tilla të viteve të fundit, në Gjermani, Angli apo në SHBA).

Për të mos u keqkuptuar, hetimi deri në fund i vjedhjes dhe nxjerrja e fajtorëve para ligjit është i domosdoshëm dhe duhet të jete i vetëkuptueshëm; po ashtu dhe nxjerrja e përgjegjësive të brendshme të Bankës, marrja e masave disiplinare, organizative dhe, nëse plotësohen kriteret e krimit, edhe ushtrimi i masave ligjore penale ndaj përgjegjësve të Bankës. E njëjta gjë vlen dhe për  hetimin e aferave të tjera korruptive, të përfolura brenda BSH, por arrestimet qëndrojnë në fund këtyre hetimeve, kur gjenden dhe vetëm nëse gjenden prova, jo në fillim.

Arrestimi i Fullanit dhe kërkesa për shkarkim te tij disa orë më vonë nga i njëjti Këshill Mbikqyrës, i cili kishte refuzuar shkarkimin e guvernatorit vetëm disa ditë më parë, hedhin një hije të rëndë mbi mënyrën e (mos)funksionimit të institucioneve të pavarura në Shqipëri, por dhe mbi shtetin e së Drejtës, që pretendojmë se duam të ndërtojmë. Për më tepër, poshtërimi publik që iu bë guvernatorit, me pranga në duar dhe pas hekurave të kafazit në sallën e gjykatës, të sjell ndërmend trajtimin dhe denigrimin që u bëhej “armiqve të popullit” në Shqipërinë e një kohe tjetër, e një kohe që shpresonim se e kishim lënë mbrapa.

Pa përmendur pastaj dobësimin që iu bë sistemit financiar në Shqipëri, i cili aktualisht është lënë “zbuluar”, me një bankë qëndrore pa guvernator, me një Këshill Mbikqyrës inekzistent, me një personel të trembur dhe të tulatur nën presionin e politikanëve dhe të prokurorëve. Kjo situatë, së bashku me goditjet e tjera që ky sistem ka marrë në muajt dhe në vitet e fundit – stagnacioni ekonomik, defiçiti i frikshëm i llogarisë rrjedhëse të vendit, 25% i kredive të këqija nëpër banka, borxhi publik përtej çdo limiti, nxjerrja e kapitaleve jashtë vendit, vrasja e Santos etj – ekspozojnë sistemin finaciar në Shqipëri ndaj risqeve të papritura dhe potencialisht të rrezikshme për ekonominë dhe për paratë e shqiptarëve.

Ditët dhe javët në vazhdim, pas përfundimit të hetimeve të vjedhjes në Bankë dhe me procesin gjyqësor në pritje kundër ish-guvernatorit Fullani, si dhe procesi i përzgjedhjes së guvernatorit të ri dhe i anëtarëve të rinj të Këshillit Mbikqyrës të BSH, do të tregojnë, nëse arrestimi dhe shkarkimi i Fullanit u kryen mbi baza ligjore dhe kushtetuese, apo nëse gjithë kjo ështe një çorbë alla-shqiptare, një çartisje e Prokurorisë apo më keq akoma, një puç institucional për largimin e një guvernatori të padëshiruar dhe për zëvendësimin e tij me një guvernator kukull të partisë në pushtet.

[1] http://open.data.al/sq/lajme/lajm/lang/sq/id/1093/Banka-e-Shqiperise.-Te-punesuar-dhe-shpenzime-per-personelin-2000—2013

Pa Komente

  1. Se pari pas skandalit te vjedhjes ne BSh, nuk pati seri ngjarjesh. Madje nuk pati ngjarje fare dhe kjo ishte ne thelb ngjarja. Se dyti nuk mund te flitet per inkompetence te medias, sa kohe qe per kete skandal dhe per aspektin me te mprehte te tij, kerkesen per doreheqje te Ardian Fullanit, shkruante vetem Mero Baze dhe ndonje media online. Kjo eshte kaq e vertete, saqe per heshtjen e dakordesuar te medias u deklarua edhe nga drejtues mediash ne debat televiziv. Se treti, pavaresia institucionale e BSh-se nuk ka sesi te jete cenuar, sa kohe qe shkarkimi i Fullanit u krye ne baze te procedurave dhe me tej akoma, arrestimi i tij, u krye ne baze te kerkeses se organit te akuzes. Edhe nese masa e sigurise nuk qendron, e drejta e ankimimit te Guvernatorit u zbatua ne Apel. Se katerti procedura per emerimin e zevendesuesit te tij, qofte edhe ad hoc, u vu ne funksionim menjehere.
    Shkruan:
    “Për më tepër, poshtërimi publik që iu bë guvernatorit, me pranga në duar dhe pas hekurave të kafazit në sallën e gjykatës, të sjell ndërmend trajtimin dhe denigrimin që u bëhej “armiqve të popullit” në Shqipërinë e një kohe tjetër, e një kohe që shpresonim se e kishim lënë mbrapa”.
    Nje pyetje: Cili eshte dinjiteti i ketij njeriu, ne institucionin e te cilit thuhet permes vetedeklarimit se vjedhja ka vijuar qe nga viti 2010?
    Me tej akoma shkruan:
    “Një kërkesë për shkarkimin e guvernatorit në Keshillin Mbikqyrës, sjellë aty nga socialistja Meksi, dështon në refuzimin e antarëve të tjerë të Këshillit”.
    Me kete kriter, une po vijoj se socialistja Meksi kerkoi largimin e nanoistit Fullani, meqe ishte ky qe e propozoi.
    Do te duhet te bejme pyetjen: A ishte e pavarur BSH-ja, ne planin institucional dhe a ishin veprimet e BSh-se te tilla? Te gjithe e mbajme mend privatizimin e Djatit dhe ky per hir te Zotit, se ate e kemi xhan me shume se sa te verteten keto kohe, kjo eshte vetem ajo qe duket.
    Me kete rast shkruan: “Rroga e Fullanit krahasohet me atë të deputetëve të parlamentit, të Kryeministrit, të Presidentit të Shqiperisë madje dhe të presidentit Putin apo atij kinez, por nuk krahasohet, çuditërisht, me rrogat e drejtuësve të bankave të tjera (private) në Shqipëri, me të cilat BSH konkurron për rekrutimin e personelit të kualifikuar. Sulmohet dhe demaskohet mentatiliteti i vetëshërbimit i guvernatorit dhe antarëve të KM, por askush nuk ndërmerr iniciativa ligjore për rritjen e kontrollit nga Parlamenti mbi BSH, për t’i dhënë fund këtyre abuzimeve, të vërteta apo të supozuara qofshin ato (iniciativa si vendosja e limiteve “tavan” për rrogat e personelit të Bankës apo për të kufizuar kohën e një guvernatori në krye të BSH në një mandat të vetëm 7-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje). Pyes: Po he xhanem pse e kane lene keta kaq te pavarur kete, qe te livadhise? Apo jane tuhafe per nga natyra keta?
    Pastaj e perfundon se procesi do vertetoje se sa baze ka arrestimi. Tani, kur prokuroria e arreston, menjehere ngreme dyshime per parapskene politike. Ndersa neser kur gjykata te jape vendimin, me siguri qe do te themi, ja, triumfoi e verteta.
    Une po jap mendimin tim. Fullani me siguri qe do lirohet. E ce duan brenda? A ishte ai i fajshem per shperdorim detyre? Po ca rendesie ka kjo? A do te shkoje hetimi deri ne fund? Kurren e kurres. Sepse po te behet vertet, nuk dihet me se ca do behet ne kete vend. Nje ilustrim: ministri i Brendshem u pyet dje per vrasjen e Santos. Pergjigja: “Eshte ceshtje teper e veshtire”. Pa dhene sqarime, se deri ku dhe cilat pista po ndiqen. Thate: Ceshtje teper e veshtire. Edhe pse po ky minister, e dinte fare mire kur deklaronte para disa muajsh ne Komisionin e Sigurise, se “ata qe e vrane, kane dashur te dergojne nje mesazh dhe te krijojne trubullire”. Cilin mesazh? Apo ben analistin ky?
    Ne nje status te vetin, Jemin Gjana(ish-deputet), thoshte se po degjoj thashetheme qe Santo me Fullanin jane dy ceshtje qe lidhen me njera-tjetren. Dhe ndjehej shume i alarmuar per sigurine. Cila mund te jete lidhja valle? “Credins” ishte banke shqiptare, thone gojet e liga, qe jepte kredi edhe pa kolateral, ne shuma miliona euro. Per ata qe Ylli Rakipi i quan “kredimene”, se sipas tij nuk jane “biznesmene”. Po mbi cilen garanci? Po keshtu kryeministri akuzoi nje nga keta kredimene, botuesin e “Panorama” se me shkrimet e tij, po kerkon te vere gjoba, ose te fshije ndonje gjobe. Reagimi? Zero. Ndoshta keta kredimenet po percellohen nga keto zullume qe i rane ne dore si nga qielli rilindasit, i cili tani ndoshta, po ndoshta, po disponon prova per t’i vene ne rresht sic i vinte Saliu, pikerisht permes “kredimenizmit”. Dhe te kredite ne e dime, keshtu aq sa dime, se ka rol edhe Banka Qendrore. Do te duhet te kete te pakten. Dhe nese kredimenet nderrojne krah te detyruar, atehere mund t’i japim te drejte njerit qe bertet prej 23 vjetesh(dhe qe pas arrestimit ka fshire te gjitha ca ka shkruajtur ne profilin e tij ne Facebook).
    Kjo ishte e bukur fare: “Që kur kapërcen përgjegjësia institucionale dhe ligjore të gjitha hallkat e zinxhirit hierarkik, nga shkalla më e ulët, direkt tek numri Një i institucionit, pa përfunduar më parë hetimet dhe, për më tepër, kur guvernatori nuk pyetet asnjëherë të vetme lidhur me vjedhjen e Thesarit, para arrestimit?”
    Po u provua ne rastin e thesarit te shtetit, qe u arrestua nje fshatar me gomar dhe prape nuk siguruam gje.
    Te lutem vetem te pavarur mos na e bej Fullanin, se ne kete vend, i fusin mik edhe Zotit.

  2. pa dyshim qe gjithe kjo zallamahi jane skema per te larguar Fullanin – i kane thene ik, nuk ka dashur dhe ja tani c’i mbeti. dhe per te gjetur gjynahe ka tek cdo njeri – por qe e perdoren dhe e la veten ta perdorin, nuk ka dyshim – gjithsecili e ka nje cmim, dhe Fullanit i ra vlera e aksioneve e eshte investim i keq

  3. Nuk e kuptoj pse insistoni disa here qe vjedhja ne Banken e Shqiperise ishte nje vjedhje ordinere? Si mund te jete nje vjedhje milionash qe zgjat ne kohe ordinere dhe e vecuar nga disa hallka te bankes? Nderkohe qe ne mbulimin e saj perfshihen disa hallka dhe nje numer i konsiderueshem punonjesish e rrjedhimisht shefash. Nje shembull per te ilustruar kete. Eshte thene se jane vjedhur kartmonedhat e dala nga perdorimi dhe me destinacion zhdukjen. Mirepo kartmonedha ka nje veti. Ajo ben xhirron e qarkullimit dhe kthehet perseri ne sportelet e Bankes se Shqiperise, e cila sinjalizohet menjehere. Tani lind pyetja. Vjedhja paska vazhduar me vite e jane vjedhur me qindra-mijra kartmonedha. Si nuk qenkan sinjalizuar keto? Nese jane si ndodhi qe nuk u ndie askush? A thua te mos e kete sinjalizuar njeri Fullanian valle gjithe keto vite?

    Dhe po, loja me arrestimin e Fullanit eshte nje spektakel i shemtuar. Mirepo Fullani e nisi vete aktrimin shemtuar ne kete fare spektakli sepse edhe nese ai nuk ka pergjegjesi ligjore sepaku pergjegjesi morale ka dhe doreheqjen duhet ta jepte. Pra Fullani nuk eshte viktima e pafajshme por thjesht nje aktor i shemtuar ne nje spektakel po aq te shemtuar.

    1. trekendeshi,

      fjalën “ordinere” nuk e kam përdorur për të vlerësuar “peshën” e vjedhjes vet, por të vlerësuar faktin se si një vjedhje e ndodhur në sektorin operacional të bankës (aty ku dhe ndodhin këto vjedhje, te kasaforta, te sporteli apo te kasa), me të cilin posti guvernatori i bankës nuk ka asnjë lidhje direkte, të mund të bëhet shkak për të arrestuar guvernatorin, për shpërdorim detyre. Besoj se kjo del qartë në vazhdim të shkrimit. Vjedhja vet, në vlerësimin juridik të krimit, mendoj se hyn, padyshim, në kategorinë e vjedhjeve të rënda. Por unë nuk jam marrë me vjedhjen dhe detajet e saj, pasi nuk ishte kjo qëllimi i shkrimit.

      Pyet: “A thua te mos e kete sinjalizuar njeri Fullanian valle gjithe keto vite?”

      Ky është spekullim, madje i “guximshëm”. Nëse do të ishte kështu, atëhere nuk do të kishte nevojë fare, që të diskutonte njeri as për Fullanin, as për bazën ligjore të arrestimit të tij nga Prokuroria. Kjo do të përmbushte kriterin e bashkëpunimit, mbulimit apo fshehjes së krimit, dhe për këtë dënohesh penalisht, pa një, pa dy. Por ti vërtet mendon, se Fullani mund të ketë ditur për vjedhjen në degën e Thesarit dhe të mos e ketë denoncuar, që ta ketë mbuluar apo fshehur atë? Dhe të riskonte jo vetëm postin, karrierën, statusin e tij dhe të familjes, por dhe lirinë personale? Përse ta bënte këte?

      Për marrjen përsipër të përgjegjësisë morale dhe dorëheqjes, kjo dihet, varet gjithmonë nga personi, nga standartet morale-profesionale që i ve çdokush vetes dhe interpretimi që secili i bën ngjarjeve. Po a mund të bëjmë njeri fajtor për këtë?

      1. “Por ti vërtet mendon, se Fullani mund të ketë ditur për vjedhjen në degën e Thesarit dhe të mos e ketë denoncuar, që ta ketë mbuluar apo fshehur atë? Dhe të riskonte jo vetëm postin, karrierën, statusin e tij dhe të familjes, por dhe lirinë personale? Përse ta bënte këte?-Gjilpera

        Une mendoj qe po. Jo vetem vjedhja por edhe fshehja mendoj se jane bere me dijenine dhe bekimin e me te larteve. Po fundja-fundit une popull jam. Qeveria e di me mire. Ndersa per arsyet besoj se ekonomistet na kane mesuar se rrezik i larte- fitim i larte, qe keta “ekonomistet” VIP ne Shqiperi e perkthejne kunderligjshmeri e larte-fitim i larte.

  4. Institucioni i Bankes se Shqiperise, per fat te keq tonin, nuk eshte se e shkateruan tani. Jo, per mendimin tim, ai ishte i shkateruar nga keqmenaxhimi pothuaj 10 vjecar i kryer nga bordi mbikeqyres me ne krye kryetarin e tij te pandryshuar dhe njekohesisht drejtuesin administrativ z. Fullani. Nga ana tjeter, ishte nje fat i madh per vendin, qe per aresye akoma te paditura, u vetedenoncua te pakten njeri nga vjedhesit e brendshem te parave ne magazinen qendrore te bankes (thesari), dhe qe i dha shkas nje hetimi te thelluar te aktivitetit te ketij institucioni te “pavarur”.
    Eshte e vertete se me letra, pra me kuadrin ligjor ekzistues dhe te hartuar e miratuar mbas trazirave katastrofike te 97-tes, banka qendrore eshte nje institucion lakmushem i pavarur. Por, de facto a ishte i tille? Une them jo, biles insistoje se ishte institucion i kapur nga qeveria Berisha dhe qe per 8 vitet e qeverisjes se saj, thjesht i sherbeu si te ishte maxhordomi i shtepise. Pikerisht per kete do te duhej te akuzohej sot zoti Fullani, se shiti pavaresine e institucionit per ti sherbyer ne menyre jo ligjore dhe zgjatur jeten qeverise se keqmenaxhuar te kryeministrit Berisha.

  5. Banka e Shqiperise nuk eshte e pavarur, kjo do te ishte me te vertete e tmerrshme, pasi i bie qe te printonte lek dhe t’i fuste ne xhep sa here te donte, ajo eshte autonome qe nuk eshte e njejta gje.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin