Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Diaspora / Sociologji

KRIZA PREK TË HUAJT

Instituti italian i statistikës (Istat) ka botuar së fundi raportin vjetor për situatën në vend. Kuadri që del për të huajt është vërtet alarmant. Për faj të krizës ekonomike, situata e punonjësve imigrantë po rëndohet dita ditës. Nga të dhënat e institutit del qartë se përqindja e punësimit është ulur, kurse ajo e papunësisë është rritur. Çka na detyron të reflektojmë është fakti se shifrat janë më të theksuara për imigrantët, në krahasim me vendasit. Me pak fjalë, papunësia ka goditur më keq punonjësit e huaj.

Nga viti 2008 deri më 2013, punësimi i imigrantëve ka pasuar ulje me 9% duke kapur shifrën 58,1% vitin e kaluar, ndërkohë që shifra e përgjithshme, ku futen edhe italianët nuk ishte kaq shqetësuese. Fenomeni duket se ka prekur një sërë vendesh europiane. Megjithatë, karakteristika e Italisë është se gjatë pesë viteve të fundit (2008-2013) punonjësit e huaj janë shtuar me 246 mijë meshkuj e me 359 mijë femra, pavarësisht se përqindja e punësimit të të huajve shënon ulje gjatë viteve të krizës.

Femrat arrijnë të kapin shifra pjesërisht pozitive falë punës së tyre në sektorin e shërbimit ndaj familjeve, i vetmi sektor që ka regjistruar rritje kohët e fundit. Në Itali të rinjtë nuk gjejnë dot punë, ndërkohë që ka rënë kryesisht puna që bëjnë meshkujt. Pesë vitet e studiuara ulja e punësimit për meshkujt ka qenë shumë më e lartë se sa për femrat (14% për meshkujt e 3,4% për femrat).

Në kategorinë e burrave, ata që kanë pësuar ulje më të lartë të përqindjes së punësimit kanë qenë marokenët e shqiptarët (rreth 19% më pak); të parët kapin shifrën 60,5%, të dytët (shqiptarët) shkojnë dreri 65%. Kjo për arsye se kriza ekonomike ka lënduar disa sektorë të veçantë ku punonin shumë shqiptarë (sektori i ndërtimit, në radhë të parë). Vitin e fundit ritmi i rritjes së punonjësve të huaj është ngadalësuar shumë (22 mijë vetë më shumë vitin e fundit, porse kryesisht femra).

Për gratë shqiptare nuk vihet re ulja e punësimit. Megjithatë situata e femrave në tregun e punës nuk është aq e mirë. Ka plot femra që janë pa punë e që nuk mund të punojnë. Këtu bëjnë pjesë jo vetëm gra të reja me fëmijë të vegjël që banojnë kryesisht në jug, por edhe nëna imigrante (veçanërisht marokene e shqiptare) që jetojnë në veri.

Në përgjithësi, përballë rritjes së femrave të huaja të punësuara në Itali (38,4% më shumë në krahasim me vitin 2008), regjistrohet ulje e punësimit (nga 51,4% më 2008 në 47,1% më 2013). Gjithsesi, varet edhe nga origjina e punonjëseve. Femrat shqiptare shënojnë një përqindje punësimi prej 34,5%, kurse marokenet dhe indianet shkojnë deri 21,0%. Edhe pse në rënie, vetëm filipinaset arrijnë në përqindjen 75,6 . Duhet thënë se kur kanë fëmijë, situata e femrave paraqitet tejet kritike.

Të rinjtë përbëjnë grupin social më të prekur nga kriza ekonomike. Nga viti 2008 e deri më sot, ata që janë nën moshën 35 vjeç kanë pasur një ulje prej 10% në kuadrin e punësimit e njëkohësisht një rritje të papunësisë.

Pavarësisht nga këto të dhëna shqetësuese, të shkaktuara nga kriza ekonomike, Italia vazhdon të tërheqë imigrantë. Ndonëse në ulje si numër në krahasim me vitet e kaluara, imigrantët vijojnë ta konsiderojnë Italinë si vend për të jetuar. Për nga ardhjet e reja (2012) shqiptarët zënë vendin e katërt, pas rumunëve, kinezëve dhe marokenëve. Ndërkohë po vihet re një dukuri tjetër: është rritur numri i të huajve që vendosin të ikin nga Italia, si drejt vendlindjes, ashtu edhe drejt vendeve të tjera.

Ndokush mund të mendojë se të dhënat dhe analizat e mësipërme nuk kanë ndonjë vlerë të madhe për Shqipërinë. Mjafton t’u hedhë një sy lajmeve të botuara së fundi për uljen drastike të dërgesave monetare të emigrantëve shqiptarë dhe do ta bëjë lidhjen e duhur midis dy dukurive. Problemi ynë është se shpesh i shikojmë gjërat e ndara nga kontekti rajonal e/o global. Kriza ekonomike që ka mbërthyer vendet fqinjë, Greqinë dhe Italinë, nuk mund të mos e prekë ekonominë shqiptare. Kjo do të ndodhte edhe sikur të mos kishim në ato vende përqendrimin më të madh të emigrantëve, prania e të cilëve vetëm sa e ndërlikon gjendjen aktuale, ngaqë problemet ekonomike janë ngushtësisht të lidhura me ato sociale. Nga këndvështrimi i institucioneve shqiptare, të dhënat e mësipërme nuk duhet të jenë aspak të mërzitshme, sepse janë sinjale paralajmëruese për problemet e nesërme. Shpresojmë që institucionet shqiptare ta kenë ndezur radarin për t’i kapur qartë e për të marrë masat e duhura.

Pasojat e krizës ekonomike po dallohen gjithnjë e më qartë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin