Gjatë një konkursi me pyetje për fëmijë të transmetuar në TV para pak ditësh, drejtuesi i emisionit e pyeti njërin prej pjesëmarrësve të vegjël se nga ishte. “Jam tiranas,” u përgjigj djali. “Epo thuaj atëherë që je tirons, jo tiranas,” e ngacmoi drejtuesi. “Unë fola me drejtshkrim,” ia ktheu fëmija.
Fola me drejtshkrim: Ja një shprehje që nuk e kalon dot lehtë, dhe jo thjesht për kontradiktën që përcjell. Me drejtshkrim këtu nënkuptohet standardi, forma librore ose e kënduar e shqipes, e cila i kundërvihet dialektit; dhe ai djali i vogël, që aq serbes tregoi se ish në gjendje të bënte dallim midis regjistrave të shqipes, me siguri nuk do të ish përgjigjur ashtu, po ta kishin pyetur moshatarët e vet në rrugë; i vetëdijshëm, sado turbullt, për efektin shibboleth të shqiptimit.
Që tha tiranas dhe jo tirons, këtë ia diktoi konteksti ku po zhvillohej dialogu; dhe me të drejtë e lidhi shqipen standard, ose “drejtshkrimin,” siç e quajti ai, me televizionin – një forum publik.
I mençur, djali i vogël. Në një kohë që shkolla, për vite me radhë, nuk do të bëjë gjë tjetër, përveçse t’i mësojë që tiranas është forma “e drejtë”, ndërsa tirons është gabim; duke futur në konflikt dy trajta të cilat, përndryshe, e çojnë jetën në ekologji të ndryshme.
Por jo vetëm kaq. Ky koncepti, në dukje absurd, i “të folurit me drejtshkrim,” i ka rrënjët më të thella se te një keqinterpretim prej fëmijësh; dhe jo vetëm në gabimin që bëjmë pothuajse të gjithë, kur e konsiderojmë aq miopisht shqipen standard si çështje “drejtshkrimi”, duke lënë mënjanë nivelet më të larta, më të holla e më të sofistikuara të gjuhës, ose pikërisht ato që kanë nevojë për vëmendjen tonë.
Kush flet “me drejtshkrim”, në fakt, i shqipton fjalët ashtu siç shkruhen; ose e përdor trajtën e shkruar si bazë ose referencë për shqiptimin letrar ose drejtshqiptimin.
Çuditërisht, kjo është pasojë – jo dhe aq e papritur – e vendosjes së parimit fonetik në themel jo vetëm të shkrimit shqip por edhe të standardit të shkruar.
Fjalët do të shkruhen ashtu siç shqiptohen, përcakton ky parim; dhe që këtej, nuk ka gjë më të lehtë se përmbysja: fjalët do të shqiptohen ashtu siç shkruhen.
Dhe në atë masë që tekstet e shkruara kanë gjithnjë një stabilitet që ligjërimit të folur i mungon, atëherë prirja mbisunduese nuk është që fjalët të shkruhen ashtu siç shqiptohen – meqë, për shkak të shkollës, të traditës dhe të normës, fjalët shkruhen ashtu siç janë shkruar; por që fjalët të shqiptohen ashtu siç shkruhen.
Fjala e shkruar shërben si orientim për të sheshuar dhe normalizuar shqiptimet nën-standard, në regjistrin më formal të ligjërimit.
Madje mësuesit sot e kësaj dite e përdorin fjalën e shkruar si udhëzues, për t’ua mësuar nxënësve shqiptimin “standard”, duke i detyruar të bëjnë gjithfarë akrobacish artikulatore për të shqiptuar ë-të aty ku ato nuk shqiptohen kurrë (cili vallë prej nesh thotë lojëra? Po anëtar?).
Kjo do të ishte “të flasësh me drejtshkrim”; ose të flasësh ashtu siç shkruan – një rekomandim përndryshe kundërprodhues, meqë ligjërimi i folur dhe ai i shkruar janë dy sisteme të ndryshme, që funksionojnë sipas rregullsish të ndryshme.
Në kuptimin edhe që variacioni në shqiptim – për arsye gjeografike dhe sociale – do të kompensohet nga stabiliteti në shkrim; dhe kjo do ta bënte gjuhën të shëndetshme.
Fëmija që shpjegoi se “po fliste me drejtshkrim,” e kish kapur mirë nevojën për t’u shprehur në mënyrë të diferencuar, ose parimin sipas vendit edhe kuvendi. Për fat të keq, shkolla ia kish deformuar intuitën, duke i vënë në dispozicion një koncept, drejtshkrimin, i cili nuk ka pse të ngatërrohet as me normën e shqipes së folur letrare, as me konceptin e standardit, dhe më në fund, as me shqiptimin në regjistrin formal të shqipes.
Rregullat janë të nevojshme, pra; shpesh të domosdoshme, në një shoqëri kaq të mediatizuar si kjo ku jetojmë; por rregullat nuk mund, madje nuk na lejohet t’i përfytyrojmë si uniforma ushtarake.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
Tema është shumë interesante, madje nuk di të jetë trajtuar ndonjëherë më parë në këtë format eseje. Por duket se në gjë e tillë nuk tërhoqi fort vëmendjen e komentuesve sepse gabimisht do të jetë asimiluar me problemin e debatuar deri në mërzitje të binarit standard-jostandard.
Në fakt është gjë krejt tjetër: pavarësia e zhvillimit (dhe e së drejtës për të jetuar) të normës së shkruar dhe “jonormës” së të folurit. Moskuptimi i një problematike të tillë, mosdallimi i regjistrave, më sjell ndërmend viktimat e shumta që kjo ka bërë në viset e Kosovës. Dëshira për t’iu përshtatur gërmëpërgërmë standardit edhe në të folur dha rezultate të habitshme e të papritura (madje ndonjëherë edhe jo fort të këndshme) të shqiptimin të shqipes në ato troje, të paktën me sa kuptonim nga mënyrë se si komunikonin folësit e televizioneve dhe radiove.
Çdo tendencë për të toleruar një ndryshim në të folurit e skajeve të ndryshme të vendit thuaj se ishte shpallur herezi dhe shtypej më vendosmëri akademike.
Rasti i sjellë në krye të esesë ndryshon në formë sepse djali në fjalë është i vetëdijshëm për atë që bën. Pra, jashtë kontekstit ku ndodhet, ai fare natyrshëm do të ruajë “ligjërimin e e tij prej “tironsi”. Duket, nëse e kam kuptuar mirë, se një gjë e tillë ka edhe vlershmin pozitiv të autorit.
E vetmja mëdyshjeqë kam përmblidhet në këtë frazë të esesë: “…Për fat të keq, shkolla ia kish deformuar intuitën, duke i vënë në dispozicion një koncept, drejtshkrimin, i cili nuk ka pse të ngatërrohet as me normën e shqipes së folur letrare, as me konceptin e standardit, dhe më në fund, as me shqiptimin në regjistrin formal të shqipes…”
Shkurt mëdyshjaka të bëjë me rrezikun e shfaqjes në një të ardhme të largët (por jo shumë) të nevojës për një shkrimi “historik” të standardit. Se duke ruajtur pavarësinë e karakteristikave të të folmeve krahinore, si një pasuri dhe e drejtë, rreziku midis dy të themi “ekosistemeve” rrezikon të vijë duke u thelluar. Tironçja ( e te gjitha te folmet si ajo), kane edhe ato te drejten e evoluimit, qe sot eshte veshtirete parashikohet çfare drejtimi do te marrin.
Në mos duhet pranuar (gjë që është e vështirë) se ka zona (kryesisht një pjesë e Jugut) e cila do të shihet si tempull ku është depozituar standardi (shkrim e gojë bashkë) dhe ka të tjera, të cilat do te bejne jeten e tyre, por se dikur do te dale nevoja qe edhe ato duhet të kthehen e të “flasin me drejtshkrim”.
[Shënim: për arsye teknike, komentin e Lyss e publikova unë – që këtej, edhe imazhi në krye, të cilin nuk e hoqa dot qafe.2Xh]