Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

DHUNË E FUNDOSUR

Në një panel sot në Festivalin e Librit dhe të Arteve, kushtuar letërsisë së angazhuar nga gruaja dhe për gruan, nuk pata kohë të shkoj më tej, sesa të përmendja nevojën për një rrëfimtari të gjinisë femërore, në kuptimin që bota t’i përcillet lexuesit përmes vështrimit të një autori femër; dhe të vëreja se kjo letërsi, al femminile, e ka ende një potencial të fortë subversiv, brenda një kulture patriarkale si jona.

Isha përgatitur të sillja një shembull, si pièce de résistance – romanin Piccola guerra perfetta (Luftë e vogël e përkorë), të Elvira Donesit, botuar më parë në italisht dhe tani edhe në shqip (nga Dudaj, me përkthim të Adrian Beshajt); por nuk arrita dot, meqë ndërkohë në sallë po hynin të ftuarit për “eventin” pasues, prandaj s’më mbeti veçse t’ua rekomandoj librin të pranishmëve, si vazhdim të argumentit tim, kushedi edhe kurorëzim.

Donesi ndërton në roman një mozaik jetësh gjatë ditëve të Luftës së NATO-s për Kosovën, në sfondin e bombardimeve piroteknike, raprezaljeve të serbëve ndaj shqiptarëve, largimit masiv të kosovarëve nga shtëpitë e tyre drejt vendeve fqinjë, ankthit, familjeve të shpërbëra dhe në shpërbërje e sipër; dhe e bën këtë – çfarë më duhet ta theksoj – nga këndvështrimi i gruas; në kuptimin që syri në okularin e kamerës i përket gjinisë femërore dhe ashtu e vështron botën.

Ideologjia kombëtariste dhe strukturat patriarkale të mendimit na kanë mësuar ta lexojmë historinë e vonë të Kosovës sipas çelësit heroik: qëndresa shqiptare, UÇK-ja, çlirimi nga zgjedha serbe, të rënët dhe ritualet pedagogjike të kujtimit të tyre. Asgjë të re në këtë mes; kështu na kanë mësuar ta lexojmë krejt historinë e kombit, si një vargëzim a hallkëzim përplasjesh, betejash dhe gjestesh heroike, që sot materializohet, mes të tjerash, në emrat e rrugëve e të shesheve dhe në statujat e përmendoret që pikësojnë hapësirën publike.

Donesi i jep luftës për Kosovën – këtë gjë “të vogël” dhe “të përkorë”, një lexim tjetër; duke e mbajtur kamerën të fokusuar në dramën e heshtur të viktimave: burra dhe gra të vrarë dhe të keqtrajtuar prej paraushtarakëve serbë, në mes të kolapsit të njerëzillëkut dhe të qytetërimit në rrethanat e konfliktit dhe të spastrimit etnik; dhe sidomos akt-torturën e parrëfyer dhe të parrëfyeshme të përdhunimit të femrës, si anë të fshehtë dhe të varrosur nëmos si kundërimazhin e heroizmit mashkullor.

Në shumë kapituj të librit, teksa dëshpërimi i serbëve për humbjen e Kosovës vjen e merr përmasa mitologjike, edhe distanca ose kufiri midis dhunimit dhe përdhunimit fillon të zhduket në mënyrë alarmante; në kuptimin që çdo personazh grua – dhe ka disa të tilla – e ndien veten të kapur peng nga trupi i vet, pa çka se përdhunimi, kjo armë e përdorur deri në përsosmëri nga paraushtarakët serbë ose burracakët më të mëdhenj të Ballkanit, synon më shumë gjunjëzimin e shpirtit, ose sakatimin e dinjitetit të një kombi që nderin ua lë burrave t’ia mbrojnë, pa çka se mbijetesën ia garanton gruaja.

Piccola guerra perfetta është lexim i vështirë; meqë ngjarjet rrëfehen në mënyrë aq të ankthshme, sa të kërcënojnë edhe vetë qetësinë tënde si lexues. Reflekset e leximeve të vjetra për luftën dhe përndjekjet, në kujtesën time, më përgatitnin për një shpëtim të viktimave, ose një rescue, që nuk arrinte kurrë (aq më pak nga UÇK-ja, gjë që e vëren edhe Roberto Saviano në parathënien që ia ka bërë romanit); kreshnikët e këngëve dhe të tablove që sot varen në sallat institucionale nuk dalin gjëkundi, ose janë të parët që e paguajnë ekzistencën e tyre me kokë; dilema e dhunës së pashpresë ka thjesht të bëjë me faktin nëse kjo dhunë do të konsumohet pikërisht tani nën sytë e tu prej dëshmitari të përtejmë dhe të pafuqishëm, apo pak më vonë, duke të dhënë ty kohë që ta kthesh kokën nga ana tjetër dhe të fillosh të harrosh. Epopeja e çlirimit të Kosovës numëroi trembëdhjetë mijë civilë shqiptarë të vrarë: le ta përfytyrojmë vdekjen e secilit prej nesh, si individë, trembëdhjetë mijë herë, për ta kuptuar këtë statistikë: tonën dhe të grave, vëllezërve, motrave, të dashurve, fëmijëve, fqinjëve, kolegëve. Një lagje e madhe qyteti me të vrarë.

Edhe kështu mund të bëhet kronika e një lufte, natyrisht. Në sfond të romanit qëndron gozhduar, si përkujtesë ironike, lajmi i hareshëm se asnjë ushtar i NATO-s nuk u vra gjatë kremtimit paraprak me anti-fishekzjarret e bombardimeve nga ajri; kushedi i shoqëruar me përshtypjen se avionët e aleancës së madhe kundër padrejtësisë, spastrimit etnik dhe nacionalizmit arkaik të serbëve nuk iu afruan kurrë aq shumë dheut, sa për të parë çfarë ndodhte me karvanët e refugjatëve, shtëpitë e djegura në fshatrat, lagjet e braktisura, rutinat e ndërprera – puna, shkolla, amësitë, planet, dashuritë; ose krejt atë çmenduri të përgjithshme, të cilën shumëkush më pas ka dashur ta varrosë: humbësit për shkak të humbjes, fitimtarët për shkak të fitores.

Lufta në Kosovë, lufta për Kosovën e rrëfyer me syrin e një gruaje – me këtë vepër Elvira Donesi bëri për mua çfarë qindra, në mos mijëra faqe me rrahje gjoksesh epike dhe përdëllime kuqezi rapsodike nuk e kanë bërë dot. Vetëm pak ditë më parë, në një bisedë mes kolegësh për keqkuptimet dhe ndërprerjet e sinjalit në komunikimin Shqipëri-Kosovë, u pata thënë miqve të mi nga Prishtina se ne, që e kemi përjetuar Kosovën nga jashtë, kemi nevojë të ngutshme për ta përjetuar atë edhe nga brenda, dhe këtë nuk mund ta bëjë veçse arti: letërsia, teatri, televizioni, filmi; sikurse kemi nevojë jo që dikush tjetër, i hipur në tribunë, të na thotë se çfarë të ndiejmë dhe si, por të na ndihmojë që ta jetojmë realitetin e atëhershëm të përcjellë përmes fjalës dhe imazhit dhe tingullit.

Asnjë ceremoni, uniformë, bandë ushtarake, flamur valëvitës, statujë me mbishkrimin lapidar, valle shpatash, vjershë e recituar me muzikë funerale dhe/ose bombastike në sfond, nuk mund ta mbushë boshllëkun e mos-rrëfimit. Dhe nëse liria që fitoi Kosova kërkon të kremtohet, drama e dhunës serbe, kundër kosovarëve dhe kosovareve të mbetura në më të shumtën pa emra, kërkon jo aq të kremtohet, madje as të dëshmohet në gjyqet e historiografisë, sesa thjesht të rrëfehet.

Jemi kulturë thelbësisht patriarkale, madje edhe shpërthimet sporadike feministe (të tipit “ju burrat”), të nivelit elitar ose folklorik qofshin, ia referojmë gjithnjë gramatikës bazë të patriarkalizmit; prandaj edhe për disa aspekte të luftës e kemi të vështirë të flasim. Më kollaj e kemi t’i këndojmë heroizmit, sesa t’i kushtojmë një moment dhimbjeje, ose qoftë edhe një pikë loti, dikujt që është vrarë anës rrugës, si qen – dhe e përdor me vetëdije këtë fjalë – pa pasur kohë as t’i pështyjë vrasësit e vet. Ashtu harrojmë se edhe kujt nuk arriti të ishte hero, ose edhe nuk mundi, i dhimbset jeta po aq sa edhe atij tjetrit, që ia vuri gjoksin topit, si Mic Sokoli; në mos edhe më tepër.

Të shkruash për viktimat e një lufte që tani të gjithë po rendin ta derdhin në kallëpet e rapsodive dhe të bronzit të statujave – ose për ato rrethana, më të rëndomta se të tjerat, ku heroizmi nuk arrin dot të manifestohet si gjest, por mbetet në nivelin e përballimit të brendshëm të dhimbjes dhe të shkëlqimit prej diamanti të asaj çfarë dhuna, cilado dhunë, nuk e arrin dot kurrë në shpirtin e të dhunuarve; të shkruash, pra, për të gjitha këto, është gjithashtu një lloj heroizmi,dhe jo vetëm al femminile.

Me këtë roman të fundit, Donesi fut në krizë rregullsitë tradicionale të narrativës historike/heroike, brenda kulturës sonë patriarkale; meqë nuk e kremton luftën, madje as heroizmin; por më shumë rrëfen se çfarë i ndodh njeriut, të kapur në mes të mokrave të historisë. Të gjitha personazhet e saj bartin diçka të çmuar me vete, të shkëlqyer dhe të papërsëritshme; diçka që ka ardhur në botë vetëm një herë dhe që nuk do të vijë dot më; dhe që lidhet drejtpërdrejt me çfarë na bën njerëz, të gjithëve ne, përballë çnjerëzores. Një femër që shtrëngon dhëmbët, dhe muskujt e krahëve, dhe kapakët e syve, teksa po e përdhunojnë në emër të nuk di ç’logjike të mllefit historik ose të shpagimit për padrejtësi të llojit epik ose mitologjik, ndoshta nuk sillet dot si shembull dhe flamur i heroizmit – të popullit tonë në shekuj – por është edhe një imazh për të cilin kultura jonë ka aq urgjentisht nevojë, tani që po dalim qoftë edhe duke u zvarritur nga ëndrrat e këqija të mbijetesës.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin