Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

TOPOGRAFIA E LUKTHIT

Siç e ceka edhe në shkrimin Nga kasapi te kirurgu, gjuha – çdo gjuhë – mbështetet mbi një topografi, ose mapim të trupit të njeriut që zakonisht kufizohet me qasjen nga jashtë, ose me çfarë i shikojmë, i prekim dhe i dëgjojmë trupit.

Përndryshe, ndjesitë që na vijnë nga brenda – të tilla si dhimbjet, mpirjet, ngërçet, peristaltika, dridhjet, etj. – nuk e kanë shumë të përcaktuar burimin; prandaj edhe zakonisht u bashkëlidhen pikave të jashtme të trupit ose ankorohen atje.

Në një kuptim, topografia e brendshme e trupit projektohet mbi lëkurë, ose në sipërfaqen e jashtme.

Një krahasim me astronominë ndoshta do të ndihmonte: njerëzit gjithnjë e kanë parë qiellin dhe kanë identifikuar aty yjet dhe planetët; dhe sidomos yjet i kanë organizuar në yllësi (konstelacione), të cilave pastaj u kanë vënë emra – p.sh. Arusha e Madhe, Plejada, Mjellma, Lira, Orioni, Shqiponja, Qeni i Madh, Binjakët, Demi etj. E megjithatë, yjet që formojnë një yllësi nuk kanë gjë të përbashkët mes tyre objektivisht – mund të qëllojë që njëri të jetë fare afër sistemit diellor, ndërsa tjetri në anën tjetër të galaktikës. Kështu, Plejada, që bën pjesë në konstelacionin e Demit, është një grumbull yjor që gjendet rreth 420 vite dritë larg sistemit diellor, ndërsa vetë ylli kryesor i Demit, Aldebarani, është vetëm 65 vjet dritë larg nesh.

Astronomët, nga ana e tyre, e përdorin sistemin e yllësive për të mapuar qiellin, por vetëm duke e marrë si një lloj ndarjeje arbitrare të sferës qiellore; meqë përndryshe i konsiderojnë yjet si të organizuar në galaktika, etj. – jo në yllësi.

Dua të them – yllësitë i përkasin një sistemi vrojtimi empirik, jo-objektiv; ndërsa galaktikat një sistemi që synon të jetë objektiv.

Kështu, kur na thonë se qendra e galaktikës sonë gjendet në Yllësinë e Shigjetarit, kjo nuk do të thotë se po të shkonim në ndonjë farë mënyre në qendër të galaktikës sonë do të ishim të rrethuar nga yllësia e Shigjetarit; por vetëm se, në hartën e qiellit, qendra e galaktikës përkon me një zonë e cila përfshihet në zonën e mbuluar tradicionalisht nga Shigjetari.

Të kthehemi tani tek trupi – i cili njëlloj mund të vrojtohet nga jashtë dhe “nga brenda” – ky vrojtim i fundit karakteristik deri vonë për kirurgët dhe anatomo-patologët, por tashmë, falë teknologjive të imazhimit (rrezet X, ultratingujt, MRI, CAT scan, etj.), i përgjithësuar.

Vizioni ose harta e trupit së brendshmi, me të cilën operojnë mjekët, ka depërtuar ndërkohë edhe në kulturën profane dhe në gjuhën jo-teknike; në kuptimin që ne e dimë sot se melatoninën e prodhon gjëndra pineale, pa çka se askush prej nesh nuk ka parë ndonjëherë gjëndër pineale (me përjashtim të ndonjë kirurgu, besoj).

Dhe, natyrisht, gjuha nuk ka një fjalë të vetën, popullore, për gjëndrën pineale – sepse ajo nuk duket nga jashtë; sikurse nuk ka një fjalë për prostatën, edhe pse ka fjalë për testet – meqë testet varen përjashta, janë të dukshme dhe të prekshme, ndërsa prostata jo.

Sikur njeriu të kish rrjedhur prej elefantit dhe t’i kish ruajtur testet brenda trupit, siç i ka elefanti, me siguri nuk do të kishim fjalë popullore për këto gjëndra; dhe gjuha do të kish humbur shumë, sidomos ajo e politikanëve.

Tani, organet e brendshme të trupit komunikojnë me ne në mënyra të ndryshme – mes të cilave dhimbja është më e njohura, ose edhe forma të tjera sinjalizimi të stresit, si të kruarat, rëndimi, të therurat (“thika”), spazma etj. Shkojmë te mjeku dhe kur ky na pyet se çfarë na shqetëson, i themi se “më dhemb barku”, “më dhemb stomaku”, “më dhemb shpina”, etj. Gjuha funksionon në mënyrë të tillë që, kur themi “më dhemb barku”, barkun e përdorim si kryefjalë (subjekt) të foljes dhemb dhe duket sikur barku po “bën” diçka – dhemb; edhe pse në fakt çfarë duam të komunikojmë është se po përjetojmë një dhimbje, e cila duket sikur e ka origjinën në zonën (topografike) të barkut.

Këtë duket sikur e mbështet edhe fakti që, në vend që të themi më dhemb barku, mund të themi më dhemb këtu; dhe asnjëherë nuk themi dot më dhemb ky – për barkun ose stomakun, pavarësisht nga iluzioni i agjencisë, që i jep roli prej kryefjale në fjali. Vëreni se rolin e përemrit, në këtë shprehje, e luan një ndajfolje vendi, këtu – zakonisht e shoqëruar edhe me një shenjë me gisht, për të treguar pozicionin e saktë të dhimbjes – të cilën ne profanët e identifikojmë, si rregull, sipas vendit nga e ka burimin, jo organit që e “prodhon”.

Tani, kur mësojmë në shkollë diçka për topografinë e brendshme të trupit dhe e kemi një ide se ku është mëlçia, ku janë veshkat, etj.; dhe kur mjeku na ka sqaruar se kemi një problem në mëlçi, ose në veshka, etj. – mund të themi “më dhemb mëlçia”, njëlloj siç themi “më dhemb koka”; por një shprehje si “më dhemb mëlçia” gjithnjë mund të zëvendësohet nga një “më dhemb këtu”, ndërsa “më dhemb koka” më rrallë.

Edhe shprehje të tjera të ngjashme, ku duket sikur u japim një agjenci organeve duke ua njohur, tërthorazi, statusin prej organesh – si “më është fryrë stomaku” ose “më gërryejnë zorrët”, sërish varen nga një perceptim shqisor i jashtëm, i themeluar mbi një topos, ose një zonë të trupit.

Këtu bën përjashtim ndoshta zemra, ngaqë zemra rreh, ose na e lajmëron vazhdimisht praninë e saj nëpërmjet një akti; dhe nuk është rastësi që, nga emrat e organeve, zemra është edhe më i qëndrueshmi.

Përndryshe, kur nuk i projektojmë dot lehtë organet në sipërfaqen e trupit; ose kur nuk i njohim mirë, e kemi të vështirë t’i përdorim emrat e tyre si kryefjalë – kështu, nuk themi dot më dhemb shpretka, ose më dhemb pankreasi, ose më dhemb hipofiza ose edhe më dhemb fshikëza e urinës – meqë në të gjitha këto raste, e kemi më të lehtë të themi më dhemb këtu, dhe të tregojmë një pikë ose zonë në hartën e trupit, e cila i korrespondon brendësisë së trupit nga ku kujtojmë se po na vjen dhimbja.

Gjesti tregues me gisht, ose këtu-ja që i themi mjekut, janë pjesë, pra, e një sistemi komunikimi që lejon identifikimin e dhimbjes dhe të organit që e shkakton nëpërmjet projeksionit të tyre në hartën e sipërfaqes së trupit nga jashtë; njëlloj siç veprojmë kur themi se ylli Deneb gjendet në yllësinë e Mjellmës – çfarë i referohet hartës yjore, jo pozicionit real të yllit, në raport me yjet e tjera të asaj yllësie.

Për t’u kthyer tani te lukthi, unë jam pothuajse i sigurt se kjo fjalë, me kuptimin “stomak”, burimisht i referohet stomakut, si organ, nëpërmjet pozicionit që mendohet se ka stomaku në trup; edhe pse vendi që tregojmë me gisht, kur flasim për lukthin, nuk përkon me pozicionin e stomakut, por më shumë me pozicionin e kokës së stomakut. Përkundrazi, huazimi stomak i është referuar, fillimisht organit (si huazim libror); dhe vetëm më pas, nëpërmjet një metonimie, ka shënuar edhe zonën e projeksionit përkatës, e cila në disa raste – që u cituan nga kolegët më lart – përkon më shumë me barkun (abdomen). Kjo do të ketë ndodhur, besoj, sepse në ato raste vendin që duhej të kish zënë stomaku, në hartën e trupit, e kish zënë ndërkohë lukthi – që këtej edhe shift-i leksikor.

Përndryshe, nuk ka dyshim, besoj, se kur Kadareja thotë se “ gjenerali ndjente një zbrazëtirë në LUKTH” i referohet lukthit jo si organ, por si zonë të trupit nga ku e ka burimin ndjesia e zbrazëtirës; dhe kur Arapi thotë “ndjeva një uri të madhe në LUKTH” sërish është duke folur për zonën nga ku duket sikur e ka origjinën uria; dhe kur Kongoli thotë “lëmshi që kisha në LUKTH” sërish ka parasysh vendin imagjinar ku është mbledhur lëmshi; dhe asnjëri prej tyre nuk po flet për stomakun si organ. Për të njëjtën arsye, kur themi më është mbledhur një lëmsh në fyt, për të përshkruar një ndjesi të ankthit, jemi duke treguar se nga ku po duket sikur vjen ndjesia përkatëse, jo fytin si tub ku kalon ushqimi ose ajri; si edhe në shembujt e lukthit më sipër, jemi duke përdorur emra pjesësh të trupit ose organesh për t’u orientuar në hartën topografike të trupit – përndryshe, si në lukth ashtu edhe në fyt nuk ka objektivisht asnjë zbrazëtirë ose lëmsh. Për këtë arsye edhe nuk ka kuptim të themi ndjeva një gur të më lëvizte në tëmth, sepse në raste të tilla, gjithçka mund të themi është më kaloi një e therur poshtë brinjës ose në ijë.

Pa Komente

  1. U gjet zgjidhja me duket, stomak si fjale teknike e parivalte, lukth si fjale e toleruar, hem popullore e hem letrare.
    Ndeshje e forte, 2 me 1 per stomakun.

    1. Dies Irae, ky diskutim mua më tërheq ngaqë fton edhe për një sfidë intelektuale, dhe jo thjesht për të gjetur një zgjidhje praktike leksikografike (për të cilën, e pranoj, nuk është se më del gjë gjumi natën). Natyrisht do ta mbroj mendimin tim sepse nuk jam tallur me lexuesin kur ia kam përcjellë në krye, por më shumë më ngacmon fenomeni vetë, ose si reagon gjuha ndaj të panjohurës, si i ndërton hartat për territoret e pashkelura – dhe kjo më mban edhe të lidhur me temën. Po të ishte puna për të gjetur një zgjidhje praktike vetëm, do ta kisha humbur interesin ndërkohë. Ajo që ty të duket si ndeshje, ose dyluftim, mund të jetë, pra, edhe aventurë e mendimit. Para teje një budalla – të cilit ia fshiva komentin – më qesëndiste se pse isha marrë me këtë temë të kotë dhe për shembujt që kisha sjellë nga astronomia, etj.; dhe unë vërtet shqetësohem tani se çfarë takëmi makakosh kam tërhequr në blog dhe si t’ia bëj që t’i largoj pa më çuar kush në Gjykatën e Hagës (një zgjidhje do të ishte që të shkruaja ekskluzivisht për shahun, por edhe ashtu do të dilte ndonjë që të më kërkonte llogari se pse i kam thënë Kasparovit megaloman); por prej teje kam të drejtë të kërkoj, megjithatë, që të mos i hedhësh benzinë zjarrit, se je i vjetër këtu; edhe pse ende nuk e kam marrë vesh me siguri nëse të sjell e keqja apo e mira.

  2. Pse zgjedhin pikerisht organin e lukthit Kadareja. Kongoli e Arapi? Pse thote Arapi “uri ne lukth”, e jo ne zorre p.sh. sic do thoshin disa kur i merr uria (“po me kendojne zorret”)? Po thu qe zgjedhja e fjales ‘lukth’ ketu nuk lidhet fare me organin e lukthit? Na sqaro pak ma mire. Apo thejsht po thu se ‘lukthi’ ketu perdoret metaforikisht. Edeh Arapi, qe “ndjen uri ne lukth”?

    1. Ke bërë pak si shumë pyetje. Prezantohu një herë, të lutem, pastaj flasim.

  3. Përndryshe, kur nuk i projektojmë dot lehtë organet në sipërfaqen e trupit; ose kur nuk i njohim mirë, e kemi të vështirë t’i përdorim emrat e tyre si kryefjalë – kështu, nuk themi dot më dhemb shpretka, ose më dhemb pankreasi, ose më dhemb hipofiza ose edhe më dhemb fshikëza e urinës – meqë në të gjitha këto raste, e kemi më të lehtë të themi më dhemb këtu, dhe të tregojmë një pikë ose zonë në hartën e trupit, e cila i korrespondon brendësisë së trupit nga ku kujtojmë se po na vjen dhimbja.

    Përndryshe, nuk ka dyshim, besoj, se kur Kadareja thotë se “ gjenerali ndjente një zbrazëtirë në LUKTH” i referohet lukthit jo si organ, por si zonë të trupit nga ku e ka burimin ndjesia e zbrazëtirës; dhe kur Arapi thotë “ndjeva një uri të madhe në LUKTH” sërish është duke folur për zonën nga ku duket sikur e ka origjinën uria; dhe kur Kongoli thotë “lëmshi që kisha në LUKTH” sërish ka parasysh vendin imagjinar ku është mbledhur lëmshi; dhe asnjëri prej tyre nuk po flet për stomakun si organ.

    “Argumenti” që po përdor në këtë rast nuk qëndron. Është e vërtetë se pacientët rrallë thonë se u dhemb një organ i caktuar, por kjo nuk vjen aq nga padija rreth anatomisë, por kryesisht vjen nga mënyra se si perceptohet dhimbja, nga fiziologjia nervore e dhimbjes dhe më specifikisht se si perceptohet dhimbja me origjinë nga organet e brendshme (të përbrendshme).

    Dhimbja e shkaktuar nga një stimul algogjen mbi sipërfaqen e një gishti perceptohet në një mënryë të ndryshme nga sa perceptohet po i njëti stimul algogjen në shpinë, llafi bie. Ky perceptim i ndryshëm vjen si pasojë e anatomisë dhe fiziologjisë së ndryshme që kanë këto dy rajone sipërfaqësore në inervimin e tyre.
    Gishtat dhe më gjerë duart apo organe të tjera që kanë një rol të rëndësishëm në prekje dhe në perceptimin e botës së jashtme (që shërbejnë si krijues të ndërfaqes) kanë një invervim më të dendur. Nuk është e njëta gjë me kurrizin, lëkurën e tij, meqë ky në terma evolutivë nuk ka luajtur ndonjë funksion të rëndësishëm në sondimin/hetimin e botës së jashtme.

    Që do të thotë, se dy “majat” e një kompasi dallohen, perceptohen më me saktësi, pra të ndara nga njëra-tjetra, në lëkurën e gishtave apo të dorës (buzës, fytyrës etj), sesa në lëkurën e shpinës apo pjesëve të tjera të trupit… – në kurriz mund të ndodh që dy “majat” e kompasit të mos jenë të dallueshme nga njëra tjetra edhe në një distancë prej disa centimetrash.
    (Kjo vërtetohet fare lehtë edhe duke parë homunkulusin somatosensorial. Pra, se sa hapësirë zënë në terma sasiorë dhe cilësorë, në tru apo sistemin nervor qëndror, dekodifikimi i stimujve që vijnë nga lëkura e dorës, ajo e shpinës e se sa hapërisë trunore zënë neuronet që merren me dekodifikimin e stimujve që vijnë nga të përbrendshmet…- lexo më poshtë.)

    Çështja ndërlikohet edhe më kur flasim për organet e përbrendshme. Ndokush, pa patur as dijeninë më minimale nga mjekësia, mund të mos e kuptojë diferencën – megjithatë mendoj se për të kapur thelpin mjafton pak imagjinatë.

    Xhaxhai përpiqet të japi një argument, por nuk na thotë se përse dhimbja nga organet e brendshme projektohet mbi sipërfaqen lëkurore… dhe përse nuk ndodh ajo që, duke u treguar pak pinjollë mund ta quanim si, mëvetësi e perceptimit të dhimbjes së organeve të përbrendshme…(?)
    Kjo ndodh sepse në terma të anatomisë, nervat ndijorë të org. të brendshme dhe nervat ndinjorë të lëkurës konvergojnë në ato që quhen metamerë të palcës kurrizore apo (në të njëjtat qëndra në rastet kur flasim për nervat që e futen në SNQ pa kaluar nga palca kurrizore.)
    Kështu nervat ndijorë që vijnë nga zemra, duke marrë parasysh ndryshueshmërinë individuale, herë konvergojnë me nerva që transmetojnë stimujt alogogjen nga nofulla e majtë, herë me ata që transmetojnë stimuj ndijorë/algogjen nga krahu i majtë, herë të tjera me nervat ndijorë sipërfaqësorë që transmetojnë stimujt nga zona e ashtuquajtur prekordiale që mbivendoset gjerësisht me zonën kur perceptojmë “dhimbjet”/stimujt nga lukthi/stomaku, apo edhe organe të tjera të përbrendshme. (Herë të tjera të gjitha këto bashkë.)
    Këtë fakt/kuriozitet mjekësorfiziologjik mendoj se e dinë edhe ata që për fatkeqësi kanë patur ndonjë familjar që ka pësuar një goditje në zemër (infarkt).

    Kjo është edhe arsyeja se përse shpesh ataku kardiak mund të ngatërrohet me një ndjesi djegieje në kraharor, që individi nuk është aspak në gjendje ta përdallojë nga ndjesia e zakonshme që ka pas të ngrënit të një vakti të bollshëm. Kjo është edhe arsyeja se përse shpesh ataku kardiak (infarkti) mund të shfaqet si një dhimbje në nofullën e poshtëme e cila dhimbje, në mungesë të të dhënave të tjera, mund të ngatërrohet dhe merret si me origjinë odontoiatrike.

    Semeiotika e dhimbjes

    Në rastin e lukthit, dhimbja apo stimujt ndijorë që vijnë prej këtij, kalojnë edhe këta në nerva specifikë që lindin nga muri i tij, e mëpastaj kur përgatiten të futen në palcën kurrizore konvergojnë me nervat ndijorë nga zona lëkurore që në sipërfaqe i përket pak a shumë epigastriumit. Andaj edhe pacienti, me njëfarë ndjenje truizmi (apo dije popullore), thotë: më dhemb lukthi, stomaku, apo barku.
    Por këtë nuk e thotë (vetëm) ngase nuk i di vendndodhjen lukthit/stomakut por sepse dhimbja dhe stimujt algogjen të natyrës patologjike perceptohen në mënyrë të vagullt.

    Kjo implikon, siç edhe e përmenda më sipër, që edhe dhimbja e një atak kardiak mund të perceptohet në epigastrium. Por kjo nuk implikon se zemra ngatërrohet me lukthin/stomakun apo e anasjellta.

    (Tjetër shembull: dhimbja (le të themi, kronike) nga gurët në fshikëzën e tëmblit shpesh perceptohet nga pacienti në zonën e shpatullës së majtë. Dhimbja nga gurët në veshka, sado që këta mund të jenë të lokalizuar në kupshoren e veshkës apo në ureter, perceptohet jo në rajonin sipërfaqësor të projektimit të kësaj por në një zonë më të gjerë… që shkon deri edhe në rrëzë zë koshës, e që në varësi të seksit, perceptohet edhe si dhimbje që vjen nga lëkura e organeve gjenitale. Etj etj.)

    Në të gjitha këto raste të përshkruara më sipër, nëse do të aplikohej e njëjta linjë mendimi që aplikon Xhaxhai në gjykimin e përdorimit të fjalës lukth/stomak nga Autorët, do të dilte diçka tepër qesharake.
    Aq më tepër që kushdo që vuan në mënyrë kronike nga gurët në veshka mëson me kalimin e kohës që dhimbjen e shkaktuar/percpetuar nga problemi ta diferenciojë nga dhimbja e shpinës apo e rajoneve të afërta me të… Kështu ndodh edhe me përdorimin e fjalëve në rastin tonë. Autorët janë përfaqësues të dijes popullore dhe paraqesin aty një mesatare.

    Për më tepër, si kuriozitet po e them, organet e përbrendshme i perceptojmë vetëm në raste të jashtëzakonshme, pra kemi dijeni direkte për to – edhe pse jemi të paaftë ta përdallojmë mirë dhe me specificitet origjinën – vetëm në raste të jashtëzakonshme apo patologjike. (Zemra nuk bën përjashtim, edhe pse zakonisht kësaj me pak dekuktim, duke i perceptuar të rrahurat dhe goditjen që jep në zgavrën e kraharorit, i perceptojmë edhe ekzistencën.)

    1. Thua:

      Xhaxhai përpiqet të japi një argument, por nuk na thotë se përse dhimbja nga organet e brendshme projektohet mbi sipërfaqen lëkurore […]

      Natyrisht që nuk e them, sepse argumenti im është semantik-kognitiv, jo mjekësor. Kam frikë se po ta thoja, do të më qortoje se pse po merrem me gjëra që nuk janë të specialitetit tim.

      Edhe një saktësim: kam folur kryesisht për hartën e organeve të brendshme, si projeksion 2D që bëjmë mbi sipërfaqen e trupit.

      Dhimbjen dikush mund ta ndiejë “nga brenda” – por kur e pyet mjeku se “ku të dhemb”, doemos do të tregojë me gisht një pikë në sipërfaqen e trupit, sepse nuk ka si të lokalizojë një pikë brenda trupit.

      Kështu, duket e vështirë, në mos e pamundur, t’i thuash mjekut se “nuk më dhemb stomaku, por mbrapa stomakut”; po aq e vështirë sa t’i thuash “më dhemb vertrebra e gjashtë.”

      P.S. Shtoj edhe unë, kështu për kuriozitet, se komenti yt përmban informacion të pasur dhe të nevojshëm; por në paragrafin e fundit ti thjesht ke bërë një përmbledhje të tezës së parashtruar prej meje gjerë e gjatë gjatë kësaj jave – çfarë edhe më provon se të ka pëlqyer 🙂

      1. Tezë… ?
        Ke thënë një gjë që është krejt evidente… që përdorimi i termave që emërtojnë organe të brendshme vjen si një dije popullore, si truizëm. S’ka asgjë për t’u habitur këtu. Siç janë truizma shumë gjëra dhe koncepte të tjera, të keqpërdorura, e të cilat nuk po i përmend këtu, meqë do të përmendja edhe pseudoshkencat dhe postmodernizmin.

        Fakti se Autorët që përdorin termat lukth/stomak, mund të tregojnë një zonë anatomike ku projektohet dhimbja e organit specifik – apo më gjerë, ku perceptohet njëfarë dhimbje që ka disa karakteristika të caktuara – nuk do të thotë se ata me atë term emërtojnë zonën anatomike sipërfaqësore, por faktin se kjo dhimbje merret e mirëqenë se vjen nga një organ, si lukthi/stomaku, si truizëm pra (dije popullore).

        Pra nga të dhënat e nxjerra nga Korpusi dhe nga përdormi që i kanë bërë në raste të ndryshme “lukthit” dhe “stomakut” Autorët apo Gazetarët, uji shkon në mullirin e ekuivalentizmit të termave lukt/stomak. Meqë edhe “stomak”, sikundër “lukth” përdoret shpesh për të emërtuar zona të gjëra, jo të përdalluara, e aspak në përkatësi me projektimin sipërfaqësor të organit përkatës kur flitet në terma të anatomisë.

        Dhe ja, që unë vetë stomakun në popull e kam dëgjuar kur thonë “më dhemb stomaku” por jo duke treguar se ku është stomaku, apo zonën e lëkurës ku ky do të projektohej, por diku rreth kërthizës, pra një zonë e gjerë, e papërkufizuar, meqë e tillë është dhimbja që vjen nga organet e përbrendshme, trepërmasore, e papërkufizueshme, e kjo qartësisht për shkak të inervimit të varfër nëse krahasohet me atë të lëkurës, dhe të mbizotërimit të kësaj në procesimin në SNQ, meqë normalisht stimujt vijnë vetëm nga jashtë, meqë brenda shkon gjithçka vaj…

        1. OK, ashtu qoftë, por edhe aq evidente nuk do të ketë qenë, teza ime, meqë ti po e përsërit vërtet, por duke e bërë pak lëmsh, aq sa po dyshoj nëse e ke marrë vesh atë që dua të them apo jo.

          Për ta kuptuar duhet të nisesh nga dallimi midis hartës dhe territorit – dallim thelbësor. Dhe kur unë të them se sipërfaqja e trupit shërben si hartë 2D e hapësirës së brendshme të trupit, kjo nuk do të thotë se ne – profanët, ose jomjekët – i përfytyrojmë ngjarjet në hapësirën e brendshme të trupit, përfshi edhe dhimbjet që na vijnë që andej, sikur ndodhin në lëkurë. Madje nuk do të thotë as që ne – profanët, ose jomjekët – e përfytyrojmë dhimbjen sikur vjen nga sipërfaqja e trupit. Jo. Kur ti i tregon dikujt hartën e Parisit dhe i thua “unë banoj këtu”, ai tjetri të kupton mirë, sepse di ta bëjë dallimin midis hartës dhe territorit, dhe nuk gabohet të mendojë se ti e ke shtëpinë mbi një copë letër.

          E njëjta gjë ndodh edhe me trupin – kur e pyet dikë se ku gjendet veshka, ai do të dëftojë me gisht një zonë aproksimative në anë të kurrizit ose të ijës; ose duke treguar vendin e veshkës në hartë. Truizëm? Mundet, po ca gjëra ashtu duken, si truizma, pasi i ka thënë tjetri.

          1. […]kur Kadareja thotë se “ gjenerali ndjente një zbrazëtirë në LUKTH” i referohet lukthit jo si organ, por si zonë të trupit nga ku e ka burimin ndjesia e zbrazëtirës;
            […]kur Arapi thotë “ndjeva një uri të madhe në LUKTH” sërish është duke folur për zonën nga ku duket sikur e ka origjinën uria;
            […]dhe asnjëri prej tyre nuk po flet për stomakun si organ.

            Truizmi për të clin flas më lartë ka të bëjë me faktin se Autorët, apo cilido qytetar nga veriu dhe/apo nga jugu, edhe pa patur dijeni mbi anatominë e trupit të njeriut, është në gjendje që atë tkurrje, apo ndjesi boshllëku, (që shuhet pas ngrënies së vaktit) t’ia atribuojë lukthit/stomakut. Dhe e bën këtë meqë pjesa më e madhe, po për arsye të dijes popullore, e di se ushqimi shkon në lukth/stomak. Andaj edhe truizmi/asociacioni/bashkëlidhja: “gërr-gërr” = “zbrazëti në lukth”.
            Truizmi qëndron në faktin se populli e trashëgon dijen sipas të cilës, kur ke një tkurrje në atë zonë, do të thotë që është një shenjë se lukthi është bosh, dhe duhet të ushqehesh.
            I njëjti popull, për të përshkruar të njëtën ndjesi, që autorët e kanë treguar me “zbrazëtirë në lukth”, mund të përdorë edhe: “e kam barkun bosh”, apo “e kam stomakun bosh”…

            Herë të tjera, populli përdor terma si “më dhemb stomaku” për të përshkruar një dhimbje të lokalizuar (projektuar) në zonën që pak a shumë përket me rajonin kërthizor. Kjo nuk do të thotë se organi i stomakut/lukthit ndodhet apo projektohet vërtetë në rajonin mezogastrik/kërthizor.

            Pra, i njëjti arsyetim që bën ti vlen edhe kur përdoret shprehja “ndjej një zbrazëtirë në stomak”.
            Asnjëri prej atyre që shprehen kështu nuk flet për stomakun/lukthin si organ, aq më tepër që mund të mos e kenë parë ndonjëherë stomakun e tyre. Këtu hyn në lojë truizmi dhe dija popullore që përmend unë më sipër. Këta persona e emërtojnë këtë dhimbje si nga “stomaku” meqë ashtu e kanë dëgjuar. Aq sa, siç e thashë më lartë, shpesh thonë edhe “më dhemb stomaku” kur në fakt dhimbja që ndjejnë nuk përket as me zonën ku projektohet zakonisht dhimbja nga organi i lukthit/stomakut dhe as me projeksionin anatomik të organit të fjalë. Dhimbja që perceptojnë, nëse u kërkon ta tregojnë me përafërsi si vendndodhje, përket me mezogastriumin dhe mund të ketë lloj lloj origjine si nga zorrët apo pankreasi.
            Nuk mendoj se meqë një pjesë e popullit thotë “stomak” kur në fakt do të thotë “abdomen” ne duhet të fillojmë të ndërtojmë një teori më vete dhe të humbim kohë kot mbi debate të pavlera…

            Arsyetimi yt mbi hartën dhe territorin nuk vlen në këtë rast, meqë Autorët nuk mëtojnë të tregojnë vendodhjen e një organit specifik apo projektimin e tij mbi sip. trupore, as kur e përmedin ndjesinë/sensacionin që vjen prej organit sikur vjen nga “lukthi” dhe as kur e përmendin sikur vjen nga “stomaku”.
            Autorët flasin për sensacione që vijnë nga lukthi/stomaku etj; sikundër edhe populli.

            Truizmi qëndron në faktin se populli, një sensacion që vjen në një pikë të caktuar e lidh me një çrregullsi në organin e lukthit/stomakut etj. Këtu qëndron truizm dija popullorei; i cili mund të jetë edhe i gabuar siç janë truizmat, dijet popullore, meqë një sensacion në të njëtën pikë mund të jetë edh eme origjinë kardiake, edhe pse statistikisht më pak i mundshëm. Truizmat ngrihen, duam nuk duam, edhe këto mbi statistika… sikundër një fjalë merr një konotacion të caktuar në varësi të domethënies së shumica i jep fjalës përkatëse.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin