Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Mjekësi

TRUPI TERMOMETËR

Hapat e para të socializimit fëmija i merr, si rregull, në familje – ku mëson të flasë, të komunikojë me të tjerët, të perceptojë rolet sociale të gjithsekujt brenda strukturave të komunikimit, përfshi këtu edhe veten dhe të kujdeset për mirëmbajtjen e trupit, përfshi këtu edhe shëndetin.

Në këtë kontekst, fëmija do të mësojë (learn) atë çfarë do t’i mësojnë (teach), ose të gjitha ato dije të fosilizuara në porosi, urdhra, klishe dhe bon mots, të cilat përfaqësojnë një pjesë jo të vogël të mënyrës si komunikojnë të rriturit me të – meqë të kujdesesh për fëmijën do të thotë, mes të tjerash, edhe të kujdesesh që ai të mos sëmuret dhe ta mbrosh nga rreziqet e ndryshme.

Komunikimi për çështje të shëndetit, të higjienës dhe të sëmundjes përfton, nga njëra anë, prindin si kujdestar dhe nga ana tjetër fëmijën si skajin marrës dhe përfitues të këtij kujdesi; në një kohë që edhe fëmija pa shumë mund e kupton se në rolin e vet si i sëmurë, e ka gjithnjë më të lehtë t’ia tërheqë vëmendjen prindit kujdestar dhe kujtdo tjetër që kujdeset për të – gjyshërve, vëllezërve dhe motrave më të mëdhenj, dhe personave të tjerë që mund të jenë pjesë e familjes së zgjeruar.

Në rrethana të caktuara, madje edhe kur gëzon në thelb shëndet të mirë, fëmija ekziston për të tjerët në atë masë që sëmuret ose rrezikohet.

Familja, nga ana e vet, e mbron fëmijën me aq sa di dhe sa mundet – edhe pse sot përpjekje të tilla zakonisht përfundojnë me një vizitë te mjeku pediatër; por prania e pediatrit, si figurë autoritare krahas prindërve, që vigjëlon mbi shëndetin dhe e mbron fëmijën nga rreziqet përkatëse, nuk përjashton masa të gjithfarshme që familja vetë merr në bazë të një dijeje praktike të përcjellë brez pas brezi, dhe sidomos përdorimin e porosive në të cilat gjen shprehje kjo dije praktike.

Vetë edukimi shëndetësor dhe higjienik i fëmijës kombinon në vetvete elemente të kësaj dijeje të fosilizuar në gjuhë (të tipit mos ecë zbathur) me elemente të higjienës dhe të mjekësisë moderne, të cilat depërtojnë në komunikim me pikënisje prej ekspertëve (të tipit haje spinaqin se ka hekur).

I përcjellë në këtë mënyrë, ky edukim ndërton hap pas hapi edhe një vizion të caktuar të kontekstit ku jeton dhe rritet fëmija si trup – i ekspozuar ndaj rreziqeve fizike dhe biologjike, i cili kontekst tani do të organizohet sipas një numri të kufizuar aksesh semantike bazë.

1. Aksi ftohtë – ngrohtë – nxehtë

Fëmija ftohet – këtë e di çdo prind. Të ftohtët shprehet me hundë të zëna, rrufë, dhimbje fyti, zë të ngjirur, kollë, ethe; dhe prek ato sisteme organesh që kanë të bëjnë zakonisht me ajrin, ose që futin dhe nxjerrin ajrin nga trupi.

Që shqipja, si shumë gjuhë të tjera, i quan këto kryesisht viroza të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes në bazë të një foljeje (ftohem) e cila lidhet drejtpërdrejt me mbiemrin e temperaturës së ulët, i ftohtë, nuk është koincidencë. Sipas një bindjeje të përcjellë brez pas brezi dhe të rrënjosur mirë në psiken e prindit, ftohja, ose sëmundja e të ftohurit, shkaktohet nga ftohja, ose ekspozimi i trupit ndaj temperaturave të ulëta, sidomos në dimër.

Kjo ftohje mund të ketë lidhje me thjesht dimrin, ekspozimin ndaj erës, të qëndruarit në korrent – p.sh. midis derës dhe një dritareje të hapur, të fjeturit zbuluar, veshjes së pamjaftueshme (ke dalë hollë) dhe, në përgjithësi, ndjesisë së të pasurit ftohtë – me ç’rast do të veprojë metonimia dhe ndjesia e të ftohtit do të shndërrohet në sëmundjen e të ftohtit.

I njëjti mekanizëm vepron në rrethana edhe më specifike, siç rezulton nga porosia për të mos dalë përjashta menjëherë pas banjës ose dushit (teoria e poreve të hapura e cila i ka rrënjët të paktën në Mesjetë), ose porosia tjetër, për të mos dalë me kokë të lagur – ose me flokët të patharë mirë. Dikush mund të ftohet edhe kur e zë shiu rrugës, kur i futin ujë këpucët, ose kur i vesh rrobat të pathara mirë; çka vendos një lidhje relativisht shkakësore midis lagies dhe të ftohurit. Krahas ajrit, edhe uji luan kështu një rol, në folk-etiologjinë e sëmundjes së të ftohtit.

Një tjetër rrethanë specifike, do të ishte roli i ushqimeve shumë të ftohta në sëmundjet e të ftohtit – çfarë gjen pasqyrim në porositë që u jepen fëmijëve: mos pi ujë nga frigoriferi, mos pi ujë me akull, mos ha akullore për të shmangur problemet me fytin (me bajamet). Edhe këtu, një cilësi fizike e ushqimit – të qenët i ftohtë – shndërrohet, me metonimi, në një sëmundje: të ftohtët, nëpërmjet perceptimit shqisor të temperaturës së ulët (p.sh. kam ftohtë).

Siç mund të merret me mend, fëmija do të mbrohet kundër të ftohtit duke u mbajtur ngrohtë: në dhomën e ngrohur ose afër sobës, i veshur mirë, me këpucë që nuk i futin ujë, me kapuç, dhe i mbuluar mirë natën. Në qoftë se fëmija është ftohur tashmë, mjekimi rrethanor do të konsistojë në të ngrohta: një batanije më shumë, çaj i ngrohtë, qumësht i ngrohtë, supë e ngrohtë, etj.; çfarë mbështetet edhe në një mekanizëm të menduari magjik, sipas të cilit të ngrohtit do ta nxjerrë të ftohtit prej trupit, duke ia zënë vendin.

Paradoksalisht, një nga simptomat e të ftohtit, si sëmundje, është temperatura e lartë, ose nxehtësia (ethet, zjarrmia). Prindët do të bëjnë përpjekje të mëdha, nëse fëmija ka temperaturë, për t’ia zbritur: kompresa të ftohta ose me akull, barna antipiretike të cilat shkaktojnë djersitje; me ç’rast të ftohtët trajtohet me ftohje. Në aksin ftohtë – ngrohtë – nxehtë, të dy skajet janë të padëshiruara.

Në bazë mekanizmit metonimik, që ilustruam, të ftohtit është një farë “substance fizike” e cila vjen nga mjedisi dhe, kur depërton në trupin e fëmijës, shkakton sëmundjen e të ftohtit – nëpërmjet një procesi që do të njihet si ftohje (u ftoha mbrëmë se dola me kokë të lagur; gjeje se ku u ftohe!; mos rri në korrent, se do të ftohesh; u ftohe dje që u lave në liqen; u ftoha kur po prisja autobusin, se frynte shumë erë).

Përgjithësisht, aksi ftohtë – ngrohtë shkon paralelisht me aksin jashtë – brenda, meqë një nga arsyet praktike të shtëpisë, në mos kryesorja, është që të mbajë ngrohtë ose të paktën ta mbajë larg të ftohtit – arsye e cila shtrihet pastaj për të përfshirë të gjitha mjediset e mbrojtura nga elementet. Në fakt, shtëpia është, para së gjithash, vatra e zjarrit, ose selia e mbrojtur e ngrohtësisë; dhe nëse është kështu, atëherë e keqja e të ftohtit vjen nga përjashta, dhe prej tij mund të mbrohesh duke ndenjur brenda.

Kështu, të ftohtët si shkaktar sëmundjesh mund të hyjë në shtëpi nga një dritare e hapur (korrent), sikurse mund të hyjë në trup nga poret e hapura pas banjës, ose nga flokët e pathara mirë dhe këmbët e qullura. Vetë trupi, i fëmijës dhe i kujtdo tjetër, mbrohet nga ky të ftohtë keqbërës duke u mbështjellë me guaska të shumëllojshme: që nga veshjet, mbathjet, shallrat, kokoret, dorashkat e deri te mbulesat në krevat dhe, më tej, muret dhe çatia e shtëpisë.

Njëlloj siç hyn nga dritarja, në formën e një rryme ajri, të ftohtët mund të hyjë edhe nga një jakë e zbërthyer, ose nga një pallto e lënë hapur nga pakujdesia; ose ngaqë ka rrëshqitur jorgani natën. Për t’u mbrojtur nga ky “armik” tinzar duhet shmangur, literalisht, kontakti fizik me të – nëpërmjet veshjes, mbulesave dhe të qëndruarit brenda. Që këtej edhe porosia mbështillu mirë, që i jepet dikujt para se të dalë nga shtëpia në dimër; sikurse edhe mbulohu mirë, ose mbuloje fytyrën me shall, etj.

Të ftohtët vjen edhe nga poshtë: nga dyshemeja, asfalti, çimentoja, dheu – siç e dëshmon porosia mos ecë zbathur, veçanërisht në dhomat pa qilima; ose porosia tjetër mos u ul në tokë. Njëlloj si rrobat, edhe këpuca (papuçet etj.) shërben si barrierë fizike midis trupit dhe botës së jashtme; ose, në rastin konkret, midis shputës së këmbës dhe dheut (tokës).

Depërtimi i të ftohtit në trup përjetohet si largim i të ngrohtit që andej, nëpërmjet kontaktit: kështu, çfarë e “shkakton” të ftohtit si sëmundje është pikërisht ky deficit ose kjo mangësi të ngrohti. Prandaj edhe disa nga metodat popullore të mjekimit – pijet e ngrohta, batanijet supranumerare, etj. synojnë që t’ia restaurojnë trupit drejtpeshimin termik.

Tek e fundit, temperatura e ulët shënjon, gjithnjë me metonimi, edhe rrezikun ekstrem për shëndetin: vdekjen; meqë i vdekuri është, me përkufizim, i ftohtë (kallkan). Përballë këtij vizioni, të vdekjes si ftohje përfundimtare, jeta vjen dhe sendërgjohet si flakë, ose burim i ngrohtësisë – imazh që nuk është dhe aq larg, në një kuptim, konceptit biologjik të metabolizmit; që këtej edhe përpjekjet për ta ruajtur këtë ngrohtësi, për të mos e lënë të rrjedhë, të ikë nga trupi, të shkapërderdhet në mjedis.

Doemos, edhe kjo metaforë e flakës mishëron mitologjinë themelore të shtëpisë si vendi i zjarrit (vatra); ose, më mirë akoma, si vendi që rrethon zjarrin, duke e ndarë nga hapësira përtej.

Ironikisht, të paktën në shqipe, metonimia e kalimit nga një karakteristikë fizike – temperatura – në një sëmundje të përfytyruar si me natyrë termike – të ftohtët – ka vepruar edhe në drejtim të kundërt; kështu, emri popullor i një sëmundjeje të mushkërive (pleuritit), shërben edhe për të shënjuar të ftohtët e madh të mjedisit (Si ishte përjashta? Pleviti; khs. edhe foljen plevitosem dhe mbiemrin i plevitosur, si në shprehjet: u plevitosa, etj. me kuptimin “kam shumë ftohtë”, jo me kuptimin “sëmurem nga pleviti”).

[vijon]

Shënim: ky shkrim nuk merr parasysh ngrohjen globale; sikurse nuk merr parasysh faktin që, pikërisht në këtë moment, temperatura përjashta është minus 10 gradë celsius.

Pa Komente

  1. Shenim: besoj se shkrimi nuk merr parasysh edhe qe ne Shqiperi ka filluar ngrohja me shperthime tritoli.

    Poshteshenim: metafora e flakes tashme misheron mitologjine themelore te makines si vendi i zjarrit.

    Poshte-poshteshenim; besoj se duhet pritur pjesa tjeter para se te komentohet vete shkrimi, ketu mjafton te komentohet shenimi.

    1. Në fakt vazhdimi nuk ka të bëjë me metaforat dhe metonimitë e të ftohtit – edhe pse gjithnjë lidhet me konceptin e vatrës. Sa për tritolin, besoj se duhet trajtuar te tema e skifterëve të mbetur pa pëllumba, në kuptimin metaforik të fjalës dhe pa paragjykuar viktimat.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin