Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

PËLLUMBA DHE SKIFTERË

Le të pyesim nëse çështja e shëndetit social mund të shtrohet dhe të diskutohet jashtë kornizimit etik, ose referencës ndaj së mirës dhe së keqes.

Një model të thjeshtuar për këtë e kam gjetur në Liars and Outliers: Enabling the Trust that Society Needs to Thrive, nga Bruce Schneider, i cili i referohet në këtë rast një modeli nga teoria e lojërave, të quajtur Loja e Skifterëve dhe Pëllumbave, të zhvilluar nga John Maynard Smith dhe George R. Price në 1971.

Këtu më poshtë po e përshkruaj këtë model sipas parashtrimit që i bën Schneider (në kapitullin e tretë të librit).[1]

Të përfytyrojmë një komunitet individësh që ndjekin strategji të ndryshme për të mbijetuar. Disa bashkëpunojnë, të tjerë i shkelin rregullat (angl. defect). Këta të fundit janë skifterët: agresivë nga natyra, të dhunshëm, sulmojnë individë të tjerë dhe mbrohen me forcë, nëse i sulmon kush tjetër. Grupi i dytë, ose ata që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, janë pëllumbat: paqësorë, i ndajnë të mirat me pëllumba të tjerë dhe tërhiqen kur i sulmon kush.[2] Për shembull, kur dy pëllumba gjejnë ushqim, bashkëpunojnë dhe e ndajnë ushqimin me njëri-tjetrin. Kur një skifter dhe një pëllumb gjejnë ushqim, skifteri ia merr ushqimin pëllumbit. Kur dy skifterë gjejnë ushqim, ata luftojnë mes tyre derisa njëri fiton, me një farë probabiliteti që tjetri të vritet gjatë përleshjes, ose të lëndohet rëndë.

Loja mund të modelohet në kompjuter, sipas disa parametrave bazë (p.sh. vlera e ndarjes së ushqimit me tjetrin, vlera e jetës, etj.) dhe duke caktuar përpjesëtimin fillestar, të themi 50% pëllumba dhe 50% skifterë, në popullatë; dhe pastaj të shihet se ç’do të ndodhë gjatë iteracioneve.

Se çfarë do të ndodhë me këtë komunitet, kjo varet nga vlerat që u jepen parametrave fillestarë. Në qoftë se vlera e ushqimit të vjedhur është më e madhe se rreziku i vdekjes, atëherë krejt popullata përfundon në skifterë – çka do të thotë, në vija të trasha, se kur të gjithë janë duke vdekur urie, individët do t’ia rrëmbejnë ushqimin njëri-tjetrit pa pyetur për pasojat. Pëllumbat nuk kanë asnjë shans në këtë mjedis.

Ndërkohë, kur vlera e ushqimit bie – p.sh. kur shtohet bollëku – ose kur përleshjet bëhen më të rrezikshme (shtohen gjasat për të lënë kokën), popullata stabilizohet si përzierje skifterësh dhe pëllumbash. Në qoftë se ushqimi gjendet lehtë dhe përleshjet janë të rrezikshme, popullata stabilizohet si përzierje kryesisht pëllumbash me pak skifterë. Megjithatë, pavarësisht nga parametrat nistorë, ndonjë skifter gjithnjë do të mbetet.

Dhe kjo duket e arsyeshme. Le të përfytyrojmë një shoqëri e cila përbëhet krejtësisht nga pëllumba, që e ndajnë ushqimin mes tyre dhe që nuk vjedhin kurrë nga njëri-tjetri. Po të shtojmë një skifter të vetëm te kjo shoqëri, skifteri do të ketë sukses të jashtëzakonshëm: do t’ua marrë ushqimin të gjithë pëllumbave pa rrezikuar kurrë jetën, sepse pëllumbat nuk e mbrojnë ushqimin.

Le të shtojmë një skifter të dytë – përsëri, po të jetë popullata e madhe, dy skifterët prapë do t’ia çojnë shkëlqyeshëm, meqë gjasat janë të mos ndodhen kurrë përballë njëri-tjetrit. Kështu, mund të vazhdojmë të shtojmë skifterë derisa të vijë një moment që të jesh skifter bëhet po aq me rrezik sa edhe të jesh pëllumb – dhe kjo është përqindja e qëndrueshme për atë popullatë.

Modeli vjen me shumë nuanca. Kështu, nëse pëllumbat organizohen dhe gjejnë një mënyrë për t’i ndëshkuar skifterët, numri i këtyre do të ulet. Përgjithësisht, sikur pëllumbat të gjejnë një mënyrë për të bashkëpunuar[3], numri i skifterëve do të ulet. Nga ana tjetër, sikur skifterët të organizohen edhe ata, numri i tyre do të shtohet.

Modeli vjen e bëhet më interesant po të imagjinojmë se individët mund t’i ndryshojnë strategjitë e tyre sipas leverdisë: pëllumbat të bëhen skifterë dhe skifterët pëllumba. Në këtë rast, një popullatë vetëm me pëllumba nuk është më e mundshme – meqë në një mjedis pëllumbash, pëllumbi që analizon situatën dhe vendos të bëhet skifter ka avantazhe të jashtëzakonshme.

Loja e skifterëve dhe pëllumbave mund të ekstrapolohet në jetën reale. Në çdo shoqëri që konsiston, si rregull, në një përzierje skifterësh dhe pëllumbash, numri i skifterëve do të ulet, në qoftë se kostoja e të qenit skifter rritet (p.sh. kur skifterët nuk i lënë të vjedhin ushqimin, ose kur ndëshkimi është i rëndë). Përkundrazi, atje ku vjedhja sjell përfitime në rritje, do të ketë më shumë skifterë.

Në jetën reale, natyrisht, nuk ka skifterë dhe pëllumba të kulluar: gjithsekush është pjesërisht skifter dhe pjesërisht pëllumb, në varësi të rrethanave dhe të leverdisë përkatëse.

Në qoftë se përfitimet e të qenit skifter janë më të mëdha se rreziqet, atëherë të jesh skifter bëhet strategjia dominuese në atë shoqëri, meqë pëllumbat nuk mbijetojnë dot. Në këtë rast, shoqëria shpërbëhet dhe të gjithë luftojnë kundër të gjithëve. Prandaj – vëren Schneider-i – nëse duam ta ruajmë një shoqëri të mbështetur mbi bashkëpunimin, duhet të sigurojmë një përqindje defektimi aq të ulët, saqë të mos ia rrezikojë shoqërisë kohezionin.

Përqindja e skifterëve mund të ulet, por nuk mund të bëhet kurrë zero – sepse kur ajo ulet shumë, të jesh skifter sjell përfitime shumë të mëdha; çka do të thotë se pikërisht atëherë disa pëllumba do të vendosin të bëhen skifterë.

Çdo sistem kompleks do të ketë defektorë; të cilët, në një kuptim, mund t’i shohim edhe si parazitë: njerëz që do të përpiqen të marrin, pa dhënë asgjë. Më e mira që mund të shpresohet, në këtë rast, është të ndjekim modelet biologjike ose ekologjike dhe të përpiqemi që ta mbajmë të ulët, ose në nivele të tolerueshme, numrin e këtyre parazitëve.

Skifterët kanë edhe ata vlerë për një shoqëri: p.sh., në rast lufte, shoqëria që ka më shumë skifterë ka gjasa të fitojë. Fakti që ne e shohim si problem numrin e madh të skifterëve sot, ka lidhje me trysnitë evolucionare mijëra-shekullore, kur komunitetet me më shumë skifterë i fitonin përleshjet me komunitetet më paqësore.

Deri këtu, parashtrimi i modelit nga Schneider.

Si lidhet gjithë kjo, me çfarë ndodh sot mes shqiptarëve? Po të bazohemi nga çfarë dëgjojmë dhe dëshmojmë vetë, dhe çfarë na thuhet në mediat, shoqëria shqiptare vuan nga një tepri skifterësh; dhe kjo ngaqë avantazhet e të qenit skifter ende mbeten të mëdha, në krahasim me avantazhet e të qenit pëllumb; sepse skifterët nuk ndëshkohen sa duhet dhe sepse pëllumbat nuk arrijnë të organizohen mes tyre, për t’u mbrojtur. Këtu do të shtoja edhe faktin që shoqëria shqiptare, si shoqëri e dominuar nga skifterët, është e rrethuar nga shoqëri pëllumbash – sidomos sa u përket vendeve të Bashkimit Europian, të cilat ekuilibrin mes pëllumbave dhe skifterëve e kanë arritur me kohë; dhe ku bollëku i të mirave (materiale, etj.) e ka bërë prej kohësh të paleverdisshme të jesh skifter, së paku mbi një përqindje të caktuar. Nëse është kështu, e përsërit, nëse është kështu, atëherë ne do të perceptohemi si skifterë nga një shoqëri pëllumbash (Europa), të cilët dinë të mbrohen mirë nga rreziqe të tilla.

Tundimi është i fortë, në këtë pikë, për ta shpjeguar edhe lënien e Shqipërisë jashtë Bashkimit Europian, në vija shumë të trasha, si pasojë të këtij perceptimi.


[1] Modeli do të kuptohet më mirë në kontekstin e krejt veprës; dhe sidomos në lidhje me marrëdhënien e besimit (trust).

[2] Pëllumbat dhe skifterët, në këtë model, nuk janë individë speciesh të ndryshme, por individë që kanë adoptuar strategji të ndryshme (në thelb të kundërta) në marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Modeli lejon edhe që një individ, përkundrejt një kostoje të caktuar, të ndërrojë strategji dhe të kalojë nga pëllumbi në skifter ose anasjelltas, nëse kjo i duket me leverdi.

[3] Ka shumë gjasa që bashkëpunimi të jetë i koduar gjenetikisht, në kuptimin që pëllumbat (dhe skifterët) që bashkëpunojnë, të ndihen më mirë se ata që nuk bashkëpunojnë. Çështjen e altruizmit nuk e kam cekur më lart, edhe pse ajo është themelore për temën dhe meriton trajtim më vete. Por do t’ju rekomandoja të lexonit librin.

Pa Komente

  1. Miqesisht: Titulli i librit eshte: ” Liars and Outliers: Enabling the Trust that Society Needs to Thrive”. Me siguri keni nje typo qe eshte mire ta korrigjoni. Fjala OUTLIARS nuk egziston ne anglisht. Thank You!

  2. Ajo qe e ben me interesant pararelizmin,eshte fakti se ne plan historik dhe global,pra duke vene ne rolin e pellumbave dhe skiftereve jo individet por shoqerite (shtetet), veme re se sa me i dobet te jete organizimi i brendshem i nje shoqerie ( prezenca e larte e skiftereve), aq me e prirur eshte kjo shoqeri te sillet si pellumb ne raport me te tjerat, dhe anasjelltas.

  3. Kjo ka njefare vlere, vecse vendimin per hyrjen ne BE nuk e marrin shoqerite pellumbore me referendum, por politika skifterore (cdo politike eshte skifterore). Keshtu qe i bie se skifterat e Europes kane nevoje per pellumba te rinj, pasi nje mase e re skifterore do u krijonte probleme ekuilibri. Pra problemi s’ eshte i pellumbave, por i skifterave. Nga ana tjeter per vete natyren e dualizmit ne fjale skifterat jane elita, qe nga ajo politike tek ajo kriminale dhe stabilizimi eshte pasoje e ndergjegjesimit te ish krimineleve se i duhet vene kufiri tek thana krimit ne menyre qe te mos rrezikohet prodhimi i rivaleve te rinj. Kur them krim e kriminele nenkuptoj shkelje e shkeles ligji, duke nisur qe nga pranimi i nje dhurate mbi vleren qe ka caktuar ligji e deri tek mafia.

    1. Me duket me teper si “wishful thinking” ky ndergjegjesimi i skiftereve, nga frika e skiftereve te rinj. Te pakten per ata skifteret e Shqiperise, qe kamjen e kane vene lehte, pa u lodhur shume e pa riskuar gje, per ata nuk ka asnje arsye qe te heqin dore nga sistemi qe u mundeson krimet qe kane bere e bejne.

      Jo per gje tjeter, por sepse nuk ata dine si te bejne ndryshe, dhe ndryshimi i rregullave te lojes i nxjerre ata fishek jashte loje. Ata vec ne ujera te turbullta dine te peshkojne. Shiko Belle Air, qe sapo i kerkuan te ndiqte rregullat e ligjet dhe te paguante taksat e detyrimet ndaj shtetit dhe te treteve, preferoi qe t’i linte avionet pertoke dhe t’i mbyllte librat njehere e mire (por natyrisht, pa harruar me pare qe te “lehtesonte” ca mijera pasagjere nga ca miliona euro te biletave te prera nderkohe).

      Kjo eshte loja e vetme qe skifteret dine te luajne; ata me mire preferojne te perballen me skiftere te rinj ne nje fushloje qe ata e njohin mire, sesa te rrezikojne daljen nga loja. Pa levizur pellumbat, skifteret aty do i kemi, sot e mot.

  4. Ndoshta nje nga arsyet e mosbalances midis skiftereve dhe pellumbave(pa percaktuar nese ka skiftere apo pellumba me shume, per arsye te relativizimit te numrave nga zhvillimi, ndryshimi i rrethanave) ka te beje me nje fare anarshije te shoqerise shqiptare.

    Shqiptaret jetojne te udhehequr nga instinktet e nje farefisnije te madhe, nje lloj tribalizmi, ku gjithmone ka dy pole ose me shume, qe perplasen me njeri- tjetrin jete a vdekje per te ndare placken, resorset ekonomike. Pushteti eshte nje vegel pa shume finese, krejt e pagdhendur, nje lloj dajaku i madh, gunga-gunga.

    Duke ndjekur kete linje, njerezit e poleve te ndryshme kane nevoje te nxjerrin skiftere ne krye, per te mbrojtur interesat e veta, per t’i dale pjesa me te cilin ushqehen shumica, pellumbat. Skifteret duke marre pjesen e skifterit(luanit), tregohen “zemergjere” me farefisnine qe mund te jete prej gjaku, por edhe te mbledhur rreth nje partije, apo “bindje politike”, ideali.

    Skifteret e poleve te ndryshme, kujdesohen qe pellumbat qe ndajne te njejtat ndjenja tribale, perkatesije, farefisnije gjaku dhe politike, te marrin llokmen e tyre. Pellumbat e perkatesise e kane te siguruar, te garantuar keshtu buken. Skifteret dhe pellumbat ne shoqerine shqiptare kane nevoje per njeri-tjetrin. Sigurisht tani, kur nuk ka vetem nje dajak, kopace te vetme ne doren e nje skifteri te vetem, numri i skiftereve eshte rritur.

    Eksperimenti ne fjale perdor disa skenare te mundeshem, ku burmat imagjinare mund te gradohen, kalibrohen ne nivele te ndryshme, duke dhene rezultate te ndryshme.

    Rezultatet varen nga sistemi qe ke ngritur. Nese te pasurit e nje posti, qofte politik, qofte pushteti, te jep mundesi qe nepermjet modelit, skemes korruptive te zhvatesh, te vjedhesh, pa tu futur gjembi, ferra ne kembe, pa te denuar, pa patur mekanizma qe te detyrojne te lesh postin, te japesh doreheqjen, te dalesh ne ndjekje penale, te denohesh, te perfundosh ne burg, dhe te te konfiskohet pasuria qe ke vene ne menyra ilegjitime, kurruptive, thjesht duke vjedhur, atehere skifteri do te behet edhe me skifter, dhe numri i tyre do te shtohet.

    Zoterimi i te mirave material me tepri, bollek, do te forcoje edhe me shume instinktin e skifterit, duke legjitimuar edhe vjedhjen, duke e bere te ligjeshme me mbeshtetjen e pellumbave qe jane edhe zotimi, forca mbeshtetese, elektorati per te mbajtur ne pushtet ekonomik dhe politik skifteret e te njejtit soj.

    Ne vendet e zhvilluara europiane, te qenurit e llojit te skifterit shqiptar eshte e paleverdisshme, sepse perfundon i humbur krejt nga presioni politik, zbatimi i ligjit dhe opinioni i fuqishem e elektoratit qe te ngre dhe te ul pa meshire ne politike. Perfundon nje leske pa vlere, te shtyp ruli i madh i pushtetit, ligjit dhe opinionit publik

    Prandaj Europa mendohet mire para se te te fuse ne gardhin e vet; nuk ka nevoje per keta lloj skifteresh krejt spartane, qe nuk kane as nje lloj morali, apo skrupulli kur luajne rolin e tyre. Edhe pellumbat jane te nje lloji ndryshe prej atyre qe rritet nen nje kulture te shendoshe demokratike; pellumbat shqiptare kenaqen me llokmen e mercy-t(meshires) te skiftereve “pa din e pa iman”, duke i bere temena edhe skiftereve me medioker, me te dhunshem, me idiote, me te pameshirshem.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading