Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

HARRESË FATLUME

RWEmersonPër shkrimtarin, filozofin dhe eseistin amerikan Ralph Waldo Emerson, thonë se, kur u plak, filloi të vuajë nga çfarë sot e quajnë Alzheimer, por që dje e dëgjoje ta quanin edhe demencë (populli sot e kësaj dite thotë ka rrjedhur).

Dhe ashtu, i plakur dhe i rrjedhur, Emerson-i zbuloi, në bibliotekë, librat që kish shkruar, por që tani nuk e mbante më mend se i kish shkruar vetë.

I zbuloi dhe u dashurua me to.

Çdo faqe i dukej e mbushur me intuicione të mrekullueshme; gjëra që ai vetë ndoshta edhe i kish menduar, por që nuk do t’i kish shkruar dot aq mirë; e që ia ndriçonin botën me vërtetësi dhe urtësi.

I fliste vazhdimisht së bijës Ellen për këtë autor që kishte zbuluar, ashtu rastësisht; ia lëvdonte, ia ngrinte në qiell, habitej si nuk e kish njohur më parë; dhe ngazëllehej që nuk do të largohej nga kjo botë pa e lexuar.

Meqë kam shkruar edhe unë libra, kjo harresë e Emersonit po më duket fatlume – sepse librave të mi unë gjithnjë u qasem me pak frikë dhe pengim; kushedi ngaqë nuk dua të ballafaqohem me veten në kohën e shkuar, kushedi ngaqë kam frikë se do të gjej gabime; kushedi kam frikë nga ndjesia e jetërsimit.

Kush ka shkruar këtu? Kush ka shkruar kështu? Pyetjet janë nga ato që nuk marrin dot përgjigje. Pasazhet më të arritura, në një vepër tënden, janë gjithnjë ato të cilat nuk të kujtohet si i ke shkruar, pse i ke shkruar, dhe pse pikërisht ke përdorur ato fjalë dhe imazhe. Vetëdija, ose të qenit spektator i vetes, ia myk fjalën shkrimtarit.

Prandaj edhe po më entuziazmon ky Emerson, në pafajësinë e vet totale, që arrin ta jetojë jetën dy herë; dhe ta takojë veten në kohë si mik, pa iu druajtur jetërsimit.

 

Pa Komente

  1. Mahnitese vertet kjo e Emersonit ! Edhe une perpiqem sa me shume ti shmangem rileximit te dickaje qe kam shkruar. Nder te tjera besoj se ndikon shume edhe fakti qe ti, si autor, ja di mire “hilete” vetes.

  2. Më vjen ndër mend dallimi i Umberto Eco-s midis autorit model dhe autorit empirik. Sipas kësaj ndarjeje, Emersoni i rrjedhur është shndërruar në lexues dhe shikon në tekstet e dikurshme autorin model (atë që del nga leximi) dhe jo personin konkret. Ky dyzim i jep edhe kënaqësinë e zbulimit.

    Por a nuk është teksti vetë “helmi” që na shtyn drejt demencës, në kuptimin e harresës së autorit?

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin