Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Muzikë

GOMEZ NË ANGLI

upcloseJavën që shkoi, bleva në Amazon një antologji me muzikë të Paolo Conte-s, përndryshe nga kantautorët e mi të preferuar; e bleva sepse më mungonte në koleksionin tim, dhe sepse e gjeta me çmim të arsyeshëm.

Kur e mora diskun në dorë, të ri madje ende të mbështjellë me celofan, më tërhoqi vëmendjen një adeziv i rrumbullakët, në cepin poshtë djathtas, ku thuhej se antologjia përfshinte edhe këngën ‘Via con mé’, [sic]“as featured in the its investment trusts TV commercial.”

Natyrisht, ky produkt i një muzikanti italian ishte i destinuar për tregun e këtushëm; sepse vetëm në tregun e këtushëm mund t’ia ofrosh publikut këngën ‘Via con me’ nëpërmjet shoqërimit me një reklamë televizive të një banke investimesh; ose më mirë, vetëm në tregun e këtushëm një bankë investimesh (për mua krejt e panjohur) mund të pretendojë të jetë më e njohur se Paolo Conte, madje ta tërheqë këtë të fundit për dore drejt suksesit komercial.

Historinë e këtij adezivi veç mund ta marr me mend: një reklamë në TV (unë nuk kam TV dhe nuk shoh reklama); kënga e Paolo Conte-s e përdorur si kolonë zanore e reklamës; dhe ashtu, si kolonë zanore e një reklame të një produkti banal, tërheq vëmendjen e publikut: “ore, qenka e lezetshme kjo kënga!” dhe kështu, dora-dorës, derisa etiketa që ia boton muzikën Paolo Conte-s vendos ta shfrytëzojë momentin dhe të shesë ca disqe më tepër, falë ekspozimit televiziv.

Se si kish përfunduar kjo këngë te reklama në fjalë, këtë ndoshta mund ta shpjegojë vargu “it’s wonderful” në anglishte brenda tekstit italisht; sipas ekuacionit it’s wonderful = ITS wonderful; ose një sistemi referencial vlerash krejt të huaj për mua, por familiar për një kategori blerësish me xhepat plot dollarë.

Tani marr vesh se e njëjta këngë qënka përdorur edhe në një reklamë të parfumit Valentina, të paktën në Britaninë e Madhe: tek e fundit, s’ka gjë më të natyrshme se një bankier i një fondi investimesh, që fton të dashurën për t’ia mbathur, kushedi pasi ka ndihmuar, gafë pas gafe, që institucioni i vet të falimentojë.

Sikurse marr vesh se është përdorur edhe në reklamën e Coca-Cola – New Fritz, si dhe në një numër filmash. Me sa duket, jashtë Italisë dhe rrethit të dashamirësve të vet anembanë botës, Conte qenka bërë i njohur përmes produkteve komerciale!

Dihet tashmë që formuluesit muzikorë të agjencive të reklamave për radio e sidomos për televizion e kanë plaçkitur me hare të veçantë trashëgiminë muzikore botërore – dhe këtu nuk po flas për Paolo Conte-n, të cilit, tek e fundit, produktet ende i paguhen me të drejta autori.

Më duhet ta pranoj që muzikën e parë nga Beethoven-i, dhe pikërisht notat hyrëse të simfonisë së 5-të, i kam dëgjuar përmes një reklame të hershme të RAI-t italian, për pijen Vecchia Romagna Etichetta Nera – pa çka se tani e kam të vështirë ta kuptoj se ç’punë kish Beethoven-i me një brandy italian?

Një tjetër shembull, elokuent, të bashkëpunimit dhe i polenizimit të kryqëzuar, mes kolonës zanore të reklamave dhe muzikës si të tillë e gjen te një kompozim i Carl Jenkins, fillimisht për reklamat e kompanisë De Beers (për ç’arsye u quajt edhe Diamond Music), dhe më pas e sistemuar në një suitë për orkestër harqesh, tashmë të ripagëzuar Palladio; dhe të botuar në CD-në Diamond Music.

Këtë herë, megjithatë, kompozimi u komisionua nga De Beers; dhe vetëm kur u prit me sukses të jashtëzakonshëm, Jenkins vendosi ta shndërrojë në suitë me elemente të muzikës baroke dhe të tjera, marrë edhe nga seria e tij e mirënjohur Adiemus.

Që mass mediat dhe filmat mund të ndihmojnë, dhe në fakt kanë ndihmuar, në popullarizimin e vlerave të paçmuara, këtë e provon edhe fakti që një nga koncertet më të bukura për piano dhe orkestër të Mozart-it, ai i 21-ti, njihet përndryshe me emrin e çuditshëm “Elvira Madigan” – ngaqë është përdorur si kolonë zanore në filmin suedez homonim. Ironike që ky film, të cilin tashmë e mbajnë mend vetëm kinofilët dhe kushërinjtë e aktorëve dhe producentëve, të ketë mbijetuar si titull i një vepre muzikore pjesë e kanonit perëndimor.

(Dikur unë kujtoja se Elvira Madigan ishte ndonjë zonjë së cilës ia kishte kushtuar koncertin Mozart-i.)

Sipas Wikipedia-s, ky koncert është përdorur si kolonë zanore në këta filma të tjerë (veç Elvirës): The Spy Who Loved Me, Regarding Henry, Silent Fall, Le goût des autres dhe Superman Returns.

Gjithsesi, filmat janë filma, reklamat reklama. Ideja se Paolo Conte mund të përdoret për të shitur parfum, pije të gazuara ose investime më trazon zorrët – dhe do të m’i trazonte edhe më keq, sikur të mos më ngushëllonte ideja tjetër, se një mjet që përdoret për të përhapur muzikë të mirë, nuk mund të jetë banal deri në fund.

Dhe këtu po e mbyll me një mikro-rrëfenjë nga Randall Jarrell:

Patagonezët kanë dy shkrimtarë të mëdhenj, prej të cilëve më i famshmi është Gomez. Patagonezët e quajnë Shekspirin ‘Gomez-i anglez’.

Dhe kështu i uroj vetes paqe, në një botë ku Paolo Conte promovohet në bazë të ekspozimit që ia ka bërë reklama për ITS Investment Trusts.

Pa Komente

  1. Beethoven vete si human eshte imperfekt, dhe “detyrimisht” nuk ka parelelizim me brandin e famshem Italian, por muzika e Beethoven eshte e pavdekshme, emocionohesh po njesoj sikur e degjon per here te pare, “dehesh” nga emocioni qe te pershkron shpinen po njesoj sikur edhe ndjesia ” e mrekullueshme” e brandit leng Italian. Dhe mendo nje Brandi e kombinuar me Beethoven. Stimulim klasik.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin