Nga ç’gjuhë është më e lehtë të përkthehet në shqip?
Pyetja mund të tingëllojë idiote, edhe pse idiotizmi mund edhe të shmanget – varet nga mënyra si e shtrojmë.
Së pari, duke barazuar aftësitë e përkthyesve dhe njohjet e gjuhëve përkatëse; së dyti, duke supozuar se po flasim për materiale të barasvlershme.
Së treti, edhe duke u kufizuar në një bashkësi gjuhësh të arsyeshme për nga përzgjedhja, çka do të thotë se do të lëmë jashtë gjuhë të tilla si bengali ose kueçua.
Nga përvoja ime, por edhe nga ç’kam parë në përkthimet, mendoj se gjuhët analitike, si italishtja, frëngjishtja, spanjishtja dhe anglishtja nuk janë shumë të volitshme për t’u përkthyer në shqipe – kryesisht për shkak të rendit të ngurtë të fjalëve.
Me gjuhë analitike kam parasysh këtu, kryesisht, gjuhë që nuk e njohin rasën (lakimin) si kategori morfologjike; dhe që mungesën e rasave e kompensojnë me gramatikalizim të rendit të fjalëve (në kuptimin që fjalitë do të priren të marrin strukturën kryefjalë – kallzues – kundrinë, shkurt SVO).
Nga ana tjetër, gjuhë sintetike si rusishtja mund të krijojnë disa probleme të tjera, ngaqë nuk e kanë nyjen (këtu do të futja edhe turqishten, edhe pse kjo nuk është gjuhë i.e.).
E megjithatë, përkthimet nga rusishtja në shqipe gjithnjë janë shquar për rrjedhshmëri të madhe dhe lexueshmëri; çfarë nuk e them dot, për shembull, për ato nga gjuhët perëndimore.
Kjo duket po të krahasohen mes tyre përkthimet e hershme të veprave të Marksit nga rusishtja, me përkthime të mëvonshme, drejtpërdrejt nga origjinali gjermanisht.
Për mua, kjo do të thotë se shqipja e përballon më mirë mungesën e nyjes në gjuhën burim (ose në rrethana të tjera, mungesën e dallimit preciz midis së kryerës të thjeshtë dhe të pakryerës), sesa mungesën e rasave.
Ose, për ta thënë më mirë: që të përballojë mungesën e nyjes, një përkthyesi të zot i duhet më pak punë se të përballojë mungesën e rasave.
Kur përkthen nga anglishtja, italishtja ose frëngjishtja në shqipe, përkthyesit i duhet, si rregull, të ndryshojë edhe rendin e fjalëve; meqë rendi SVO në shqipe, i përsëritur, do të tingëllonte tepër monoton. Përkundrazi, rendi i fjalëve në një gjuhë sintetike ose me rasa, si rusishtja, është më i lirshëm dhe më i varur nga dinamika e komunikimit, njëlloj si në shqipe.
Po të jetë e vërtetë kjo, atëherë rezulton se gjuhët më kongjeniale me shqipen, për nga struktura, do të ishin rumanishtja dhe greqishtja e re; çka përkon edhe me faktin që këto të dyja janë gjuhë ballkanike, josllave – dhe të dyja kanë edhe rasën, edhe nyjen.
Nga ç’kam parë, përkthimet letrare si nga rumanishtja, si nga greqishtja e re, kanë qenë gjithnjë të nivelit shumë të lartë.
Përkundrazi, përkthimet nga serbishtja janë më të vështira, dhe në duar të pazonja mund ta shëmtojnë shqipen, ta bëjnë të tingëllojë e panatyrshme.
Megjithatë, duke qenë kultura jonë reflekse e vogël dhe relativisht e varfër ose ngutshëm nevojtare për përkthime, nuk është për t’u habitur që kemi pasur përkthyes të mrekullueshëm, nga të gjitha gjuhët madhore.
Në fakt, çdo mungesë kongjenialiteti mund të kompensohet, me punë shtesë nga përkthyesi – të cilit i duhet të interpretojë jo vetëm leksikun, por edhe sintaksën. Disa veçori të shqipes, si trajtat e shkurtra, në kombinim me rendin e zhdrejtë të fjalëve (p.sh. nisjen e fjalive me kundrina) lejojnë zhdërvjelltësi të madhe në stadin dytësor të përkthimit, me kusht që përkthyesi t’i zotërojë si duhet.
Përkundrazi, në rrethanat e kontakteve gjuhësore masive, gjuhët analitike si italishtja dhe tani edhe anglishtja ushtrojnë një efekt rrafshues ndaj shqipes, duke ia thjeshtuar rendin e fjalëve në fjali dhe duke ia mënjanuar disa ndërtime specifike – p.sh. ato me dhanore.
Lexuesi i zakonshëm, që nuk e vret mendjen për strukturën gramatikore të fjalisë, do ta ndiejë si të sheshtë ose monoton tekstin kësisoj të përkthyer; meqë një pjesë të efektit që origjinali e përfton me mjete të tjera do të ketë humbur ndërkohë.
Paradoksalisht, sa më të largëta të jenë gjuhët mes tyre, ose sa më pak kongjeniale, aq më i pagjasë bëhet rreziku i këtij kontaminimi: meqë kur kalojmë, për shembull, nga kinezçja në shqipe, përkthimi është më tepër rikrijim i llojit semiotik, sesa përkthim i mirëfilltë.
Më në fund, një përkthim i rrjedhshëm dhe i lexueshëm me ëndje, nuk është e thënë të jetë përkthim i mirë; fare lehtë mund të mendojmë situata kur përkthyesi t’i ketë dhënë vetes liri të mëdha, ose të ketë kapërcyer pasazhe të vështira të origjinalit; e megjithatë, lexuesi i tekstit përfundimtar, që nuk e ka idenë se ç’thotë pikërisht origjinali (as pritet që ta ketë) mbetet i kënaqur.
Dua të them: statusi i një teksti, si origjinal ose si përkthim, është irrelevant për përvojën e leximit – meqë lexuesi si rregull nuk shijon përkthimin e mirë (në kuptimin e saktë), por përkthimin e rrjedhshëm ose tekstin që i tingëllon natyrshëm.
Këtu ka një kontradiktë, dhe kjo kontradiktë ndoshta shpjegon pse opinionet e përkthyesve profesionistë jo gjithnjë përkojnë me ato të lexuesve.
Shkrimi mbyllet me nje “kontradikte”, gje e cila e le te hapur per diskutim faktin nese perkthyesi duhet te udhehiqet parimisht prej ndjeshmerive te publikut apo prej besnikerise ndaj origjinalit.
Kuptohet se me e mira eshte nje ballance mes ketyre dy skajeve dhe mund te thuhet se ky tension, ta quajme, mes lexuesit ne gjuhen shqipe dhe origjinalit ne gjuhe te huaj eshte i rekomandueshem dhe, ne rastin me te mire, i frytshem. Gjithsesi nese dilema shtrohet ne terma kategorike, bardhe e zi, personalisht do te anoja nga parimi i besnikerise ndaj tekstit origjinal, qe duhet te vije perpara prirjes per te kenaqur shijet e lexuesve ne shqip. Kete e them si lexues, jo si perkthyes. Mendoj se eshte pjese e profesionalizmit te nje perkthyesi qe ta mbaje vetedijen per ate se c’thote origjinali ne shkallen me te larte te mundshme.