nga Paskal Stafa
Ngjan pothuajse e kotë dhe përpjekje e pamundur të marrit me marritë dhe gafat e medias shqiptare, mullinjtë e erës të të cilës fabrikojnë përditë e më keq, me progresion në rënie, tagjinë për Rosinantët e saj. Mirëpo, nga ana tjetër, dikush duhet të marrë përsipër vullnetarisht detyrën aspak mirënjohëse të kalorësit të vrerosur e t‘u verë diçka përkundër, thjesht për qytetarinë e të bërit me dije se jo gjithnjë dhia nuk e di se ç‘është kjo tagji. E këtë po duam të bëjmë më poshtë, jo pa na ardhur keq për humbjen që i shkaktojmë vetes dhe kohës tonë.
Më rëndë e më kithët se, ta zemë, në kronikën e zezë, apo asaj gri të politikës, apo në vulgun e rëndomtë të lajmeve, të të rejave, të „news“ 24 – orëshe; më rëndë pra se në maratonën e përditshme të blla-bllasë, skiçi të vret sytë në seksionet e kulturës, për nga vetë natyra e saj, ku pritet të paktën të flitet me „kulturë“ për kulturën. Kjo nuk do të nënkuptonte medoemos të folurit mirë, apo cilësinë; thjesht është kusht që bëhet fjalë vërtet për kulturë, ashtu siç një futbollisti i duhet të vrapojë për të qenë i tillë. (Krahasimi është qëllimisht jo doemos i goditur – sipas vendit bëhet edhe kuvendi). Por as kjo nuk ndodh: kush shfleton faqet e kulturës të gazetave e ka vënë re me kohë se këtu ka kohë që ferra merr uratën. Me sa duket, gazetaria e kulturës ka rënë në duar amatore t‘atypëratyshme, të paguara keq a të mos paguara për muaj me radhë, nganjëherë edhe gjysmë analfabete, nisur nga shpeshtësia e gabimeve që haset në to.
Po merremi vetëm me një rast këtu, që na vrau veçanërisht sytë e që tregon në mënyrë shembullore se raportimi për kulturën e ka kaluar tashmë fazën e kitsch-it e e ka përparuar tashmë drejt trash-it. Bëhet fjalë për një shkrim të gazetës „Shqiptarja“, që ka kohë që na habit me mungesën totale të ndjeshmërisë për masën.
Në shkrimin në fjalë, në seksionin e kulturës, Dhurata Hamzai na bën me dije se Klodi Kadillari ngjan me Erikën, bashkëshorten e Martin Camaj. Kujt i intereson kjo dhe për çfarë? Duhet t‘u interesojë shumë gazetarëve, pasi po këtë „lajm“ e gjetëm edhe në lëtyra të tjera. Konkurs për sozi e K. Kadillari ka zënë vendin e parë? Jo, me sa duket, qenkësh xhiruar një dokumentar për jetën e Camajt, citim: shkrimtarit të madh shqiptar, të mërguar dhe stigmatizuar në diktaturë. Ne dimë që Camaj vërtet ka qenë i mërguar, por nuk dimë të jetë stigmatizuar, përveçse harruar. Por edhe reklamë për dokumentarin për të ky artikull nuk është. Atëherë çfarë? Është thjesht reklamë për aktoren K., zotësitë e së cilës rreshtohen nga fundi. E pse e gjitha kjo? Një Zot e di dhe Dhurata Hamzai dhe zonja K.
Që prominentë të dorës B dhe C shtyhen për të dalë në publik, ky është fenomen i njohur edhe jashtë e po aq i shëmtuar, ndaj nuk ka asnjë arsye për t‘u habitur me këtë: mund thjesht të shfletosh më tutje. Trishtimi të kapllon vetëm se në një maskaradë tillë përzihet dhe përlyhet emri i mirë e serioz të Camajt dhe gruas së tij, që as nuk munden të mbrohen dot.
Ndaj e pamë të arsyeshme ta bëjmë ne për ta: dikush duhet të vreroset herë-herë për të tjerë. Këtë herë qemë vetëm ne. Shpresojmë që herën tjetër të jemi më shumë.
e cfare komneti t’i besh shkrimit te nje burri qe nuk sjell asnje argument real duek shprazur mllefin ndaj femrave gazetare ose artiste. Shkrim per t’u dukur i zgjuar, agje me lidhje. megjithate mire bene qe komneton. askuhs nuk merzitet prej fjaleve ne ere. Mjafton me mbyll veshet. Kadillari eshte nje vazje shume e talentuar dhe s’ka rendesi se me cfare titulli prezantohet… Me vjen keq gjithe kjo meri, vetem se kjo vajze ngazellehet se do te luaje dicka qe e emocionon vertete….!