Para pak javësh, lexuesit e këtij blogu i njohëm me psikanalistin dhe shkrimtarin Jean-Luc Tourenne. E pra, është rasti t’ju njoftojmë se Shtëpia Botuese UEGEN nxorri në qarkullim këto ditë në Tiranë (në libraritë Adrion ltd) romanin e tij Një mbret në Shqipëri.
Edhe pse është e vetmja vepër letrare që i kushtohet mbretit shqiptar, gjë që me të drejtë e ka shtyrë shkrimtarin Ylljet Aliçka të thotë në Pasthënie se jo çdo monark i kësaj bote ka patur shans t’i jetë kushtuar një vepër artistike, ajo që tërheq më fort vëmendjen nuk është thjesht njohja e historisë së Shqipërisë, por aftësia e autorit për të penetruar në psikologjinë e banorëve të vendit të vogël ballkanik. Është fjala për ca sjellje, mënyra të vepruari dhe huqe, të cilave kam patur përshtypjen se vetëm ne ia dimë sekretin! E, pra, jo!
Kur zbres në Paris për ndonjë mbledhje pune, Jean-Luc më kërkon të kaloj edhe nga kabineti i tij për pirë ndonjë kafe bashkë. Natyrisht, gjejmë kohën kur në divanin e tij të mos jetë shtrirë ndokush që tregon me kryeneçësi skutat më intime të jetës, se për një jo psikanalist si unë kjo është gjithnjë e sikletshme edhe pse për nga profesioni më duhet të dëgjoj çdo ditë histori jetësh të thyera, zbritjesh në ferr. E në të tilla raste përpiqem të kuptoj sekretin e tij. Po nuk mësoj më shumë se ajo që kemi treguar këtu më parë, pra se ai ka qenë në Shqipëri vetëm për një javë, diku në vitet ’80. Asgjë tjetër.
Pse roman barok?
Sigurohuni, jo për nga gjatësia, që është një nga cilësitë e tij të trashëguara nga Mesjeta. Romani ynë nuk i kalon të dyqindepesëdhjetë faqet. Është barok sepse është konceptuar si i tillë. Eshtë barok sepse tregon historinë e një pothuaj aventure. Nuk e di nëse personazhi qendror e ka jetuar si të tillë, por që në faqet e para të romanit, narratori rrëfen se në një tavernë të Vjenës nga një kolonel shqiptar me uniformë perandorake dëgjon t’i thonë se ai do të jetë mbreti i Shqipërisë. Dhe kjo më shumë se dhjetë vjet para se të shpallet i tillë. Së fundi, është roman barok sepse vetë historia e tij është abrakadabrante, e çuditshme deri në marrëzi, e pabesueshme, por edhe e jashtëzakonëshme..
Përfitoj t’ju njoftoj se një paraqitje “zyrtare” e romanit do të bëhet në Panairin e librit në Prishtinë, më dt. 6 qershor, ne sallën e promovimeve. Fatkeqësisht as përkthyesi dhe as autori nuk gjetën mundësi të jenë të pranishëm.
Mbase kjo mund të realizohet në panairin e vjeshtës në Tiranë. Nëse deri atëherë, miq të letërsisë, lexues të këtij blogu apo lexues horizontesh të ndryshëm do të jenë të interesuar të dinë më shumë për librin, jam gati të marr përsipër edhe ndonjë takim miqësor me autorin në ndonjë mjedis të përshtatshëm, por mbase edhe në ndonjë kafe të Tiranës, edhe pse vetë togëfjalshi “kafe e Tiranës, më kujton se dhimbja e kokës mund të shkaktohet edhe për shkaqe të jashtme.
Deri atëherë, çështja mbetet e hapur.
Lexim të këndshëm!