Megjithëse kultura franceze gjithnjë më ka magjepsur me shkëlqimin e vet, Franca vetë është një nga ato vende të Europës perëndimore që e njoh shumë pak; dhe për herë të parë e kam shkelur pothuajse rastësisht, gjatë një udhëtimi në Gjermani, kur vendosëm të bëjmë një kthesë dhe të kalojmë një paradite në Strasbourg.
Natyrisht, Strasbourg-u nuk është tamam Francë – po të gjykosh nga atmosfera në rrugë, në dyqane, në kafe; dhe qyteti si eksperiencë disa-orëshe nuk dallon shumë nga qytetet gjermane përbri. Pastaj diku në një kryqëzim na doli përpara një ndërtesë e madhe e bardhë dhe një tabelë që shkruante “Hôpital”, dhe pikërisht ai pullaz i vogël sipër o-së më kujtoi, madje duke më ngjallur një farë emocioni, se kisha shkelur tashmë në atdheun e Hugo-it dhe të Dumas-it.
Në gjuhësi, shenja të tilla që shoqërojnë shkronjat e alfabetit, por pa i zëvendësuar ato, quhen diakritikë, dhe kryejnë funksione të ndryshme. Në frëngjishte, për shembull, pullazi sipër o-së dhe zanoreve të tjera, i njohur si accent circonflexe, shënjon zakonisht faktin që rrokja ka pasur dikur një s, e cila pastaj ka rënë (p.sh. italisht festa, frëngjisht fête; italisht finestra, frëngjisht fenêtre; italisht ospedale, frëngjisht hôpital); por ka edhe funksione të tjera.
Gjuhët që shkruhen me alfabet latin i përdorin rëndom diakritikët, në mënyrë që alfabeti t’u përshtatet më mirë sistemeve të tyre të shkrimit. Për shembull, krahas shkronjës a, ndeshim në á, à, ã, ä, ă, ą, â, å, ā. Dhe, meqë alfabeti latin u jep një emërues të përbashkët të gjitha gjuhëve që e përdorin, ndonjëherë këto shkronja me diakritikë vijnë dhe e përfaqësojnë gjuhën si të ishin simbole “kombëtare”, ose “etnike” – për shembull å për suedishten dhe ø për danishten; ose ñ për spanjishten.
Në këtë grup bën pjesë edhe shqipja, e cila – sikurse dihet – ka dy shkronja me diakritikë, ë-në dhe ç-në; nga të cilat ë-ja është përfolur shpesh së fundi, meqë statusi i saj në drejtshkrim nuk është aq i konsoliduar sa i shkronjave të tjera; dhe meqë nga dy dialektet e shqipes njëri e përdor gjerësisht (toskërishtja), ndërsa tjetri relativisht pak (gegërishtja); çka do të thotë edhe se, për shumë prej nesh, ë-ja është shndërruar tashmë në shenjën gjuhësore të sundimit toskë në standardin gjuhësor të shqipes, përfshi këtu edhe drejtshkrimin.
Nga gjuhët ballkanike që shkruhen me alfabetin latin, edhe rumanishtja e ka këtë zanore “të mesme”, të theksuar dhe të patheksuar, pothuajse njëlloj si shqipja; të cilën e shkruan, sipas rastit, si â, î dhe ă. Ka mundësi që prania e saj, në të dy gjuhët, të jetë rezultat proceses jo vetëm paralele, por edhe me zanafillë të përbashkët.
Përndryshe, për një të huaj që sheh një tekst të shkruar në shqip, pa e ditur gjuhën, prania e ë-ve të panumërta është karakteristika e parë dalluese e shqipes së shkruar; ë-ja e përfaqëson shqipen njëlloj si å-ja suedishten, ß-ja gjermanishten, ñ-ja spanjishten dhe l·l katalanishten. Është ironike që, pikërisht kjo grafemë kaq përfaqësuese, të bëhet objekt kërkesash, shpesh gjuhësisht të motivuara, për reforma drejtshkrimore.
(Mark Sebba, që ka studiuar tani së fundi marrëdhëniet e sistemeve të shkrimit me kulturën dhe kontekstin sociologjik, flet për një prirje të elementeve të drejtshkrimit, sidomos të atyre elementeve që e dallojnë një gjuhë nga një tjetër, për t’u bërë ikonike, edhe brenda edhe jashtë gjuhës. Nëpërmjet ikonicitetit, këto elemente kalojnë nga sfera teknologjike, ose e alfabetit, në sferën simbolike.)
Nga pikëpamja grafike, ë-ja e shqipes formohet duke kombinuar shkronjën e me dypikëshin, e cila përndryshe, në zhargonin teknik, njihet si dieresis, umlaut ose trema.
Si shenjë diakritike, dypikëshi e ka origjinën nga tekstet greke të periudhës helenistike; por që andej ka kaluar në alfabetin latin dhe tani përdoret nga shumë gjuhë, anembanë botës, kryesisht me dy funksione kryesore (po thjeshtoj): (1) për të treguar se zanorja përkatëse formon rrokje më vete dhe nuk është pjesë e një diftongu ose grupi zanor (p.sh. në frëngjisht maïs, Noël; spanjisht vergüenza); (2) për të treguar “ngritjen” e zanores, p.sh. në gjermanishte: schön, kühl ose në turqishte gözlük (dukuria fonetike njihet si umlaut; ndeshet edhe në shqipe, p.sh. dash, shumës desh – çka mund të ishte shkruar edhe däsh, sikur të ndiqte drejtshkrimi i shqipes parimin morfologjik, si gjermanishtja).
Dieresis-i në shqipe nuk ndjek asnjë nga këto rregulla – meqë ë-ja nuk është ndonjë version i ngritur i e-së (përndryshe do të tingëllonte si i), as tregon ndonjë hiatus, ose nevojë për ta trajtuar zanoren si rrokjeformuese.
Përkundrazi, ë-ja e shqipes është një zanore e shkallës zero, pa ngjyrë, e njohur në fonetikë si schwa, dhe që në alfabetin fonetik ndërkombëtar përfaqësohet nga shenja ə. Se kush vendosi i pari që ta shkruajë ə-në e shqipes si ë, këtë nuk kam arritur ta gjej.* Gjithsesi, zgjidhja për ta shkruar schwa-në si ë duhet mbajtur si origjinale.
(Njëlloj origjinal duket edhe zgjidhja për ta shkruar ʧ-në si ç, e cila, pas pak vjetësh, duhet të ketë ndikuar drejtpërdrejt edhe mbi një zgjidhje të ngjashme nga autorët e alfabetit latin të turqishtes, dhe që andej, në alfabetet latine të shumë gjuhëve turkike të Azisë qendrore.)
I njëjti përdorim idiosinkratik i shenjës ë ndeshet edhe në gjuhën kashubiane (kaszëbsczi jãzëk), një gjuhë sllave që flitet në territorin e Polonisë së sotme (afër Gdansk-ut); por më duket e pamundur të ketë ndonjë lidhje mes këtyre dy dukurive alfabetike.
Pas gjase, vendimi për ta shkruar ə-në e shqipes si ë, së bashku me vendimin tjetër për ta shkruar ʧ-në si ç, u ndikuan doemos nga nevoja thjesht praktike; dhe pikërisht nga fakti që këto dy shkronja, ë-ja dhe ç-ja, gjendeshin lehtë në tipografitë që vinin nga Europa perëndimore (meqë të dyja i përdor frëngjishtja), prandaj edhe do t’ua lehtësonin punën shtypshkruesve të teksteve shqip.
Martesa alfabetike, në fakt arbitrare, e ë-së së shqipes me e-në do të rezultonte, parë nga lartësitë e të sotmes, si një nga më fatkeqet për shkrimin shqip; sepse fonologjia e shqipes është e tillë ku dallimi mes e-së dhe ë-së luan shpesh rol kritik në dallimin mes fjalëve dhe mes formave gramatikore të fjalëve (çiftet minimale); dallim që nuk mund të shprehet më, sa herë që shqipja shkruhet pa ë-të, për shkak të mungesës së kësaj shkronje në tastierën e anglishtes.
Sikurse kemi pasur rast ta shkruajmë më parë këtu, heqja e ë-së nga shkrimi shqip në regjistrin bisedor, përfshi edhe shumë tekste në Internet, për arsye fare banale (mungesa materiale), po ndihmon për shkatërrimin e standardit të shqipes dhe, eventualisht, në degradimin e disiplinës gjuhësore, si formë simbolike të disiplinës sociale, ose të nevojës qytetare për t’u sjellë në shoqëri sipas rregullave të arritura me marrëveshje paraprake ose të nënkuptuara.
Në një kuptim, ë-ja është një e keqe ose gjymtim grafik, të cilin sot nuk e shërojmë dot – sepse alternativa praktike nuk ka. Këto njëqind e kusur vjet që ka qarkulluar në tekstet, me denduri të madhe, kanë mjaftuar për t’i dhënë asaj shkronje ikonicitet, dhe për ta shndërruar në shenjë dalluese thelbësore ose “flamur” të shqipes së shkruar.
*Shënim
Pasi qarkulloi ky shkrim në Facebook, pashë një koment të prof. Mandalà-së te faqja e E. Dones, i cili më tërhiqte vëmendjen për një artikull të paradokohshëm të prof. Altimarit, në lidhje me historinë e shkronjës ë në alfabetin e shqipes (Il grafema-bandiera “ë”. I lunghi legami shqiptaro – arbëreshë attraverso la breve storia di una semplice lettera, STUDIA ALBANICA, 2008/1, f. 11-21).
Nuk e njihja artikullin; por tani lexoj atje se kjo shkronjë, e cila njihej dikur si “shkronja e De Radës” në shqipe, në fakt është përdorur fillimisht nga Padre Giorgio Guzzetta, i seminarit greko-arbëresh të Palermos në Sicili, në një vepër të mesit të shekullit XVIII, e cila mbeti dorëshkrim dhe praktikisht e panjohur për studiuesit deri vonë; dhe më pas edhe nga kolegë të tij që e pasuan, në po atë seminar. E njëjta shkronjë ndeshet, së bashku me versione të tjera të fonemës /ë/, në dorëshkrimet e Nicola Brancati-t, dhe sidomos të Nicolò Chetta-s.
Të dhëna të tilla, sipas Altimari-t, i zotërojmë sot falë punës së jashtëzakonshme të Mandalà-së për publikimin e dorëshkrimeve të kulturës arbëreshe. Në fakt, veprat e autorëve të mësipërm mbetën të gjitha dorëshkrime, për të qarkulluar vetëm brenda rrethesh të ngushta studiuesish dhe klerikësh arbëreshë; por kjo nuk e pengoi /ë/-në arbëreshe të Sicilisë të “ligjësohet” edhe në variantin arbërisht të lutjes “Ati ynë”, botuar në librin e njohur të Lorenzo Hervas y Panduro, Saggio pratico delle lingue (1787), sikurse mund të shihet edhe nga ilustrimi përbri [Altimari, po aty, f. 17].
Më në fund, gjithnjë sipas Altimarit, ishte Giuseppe Crispi, rektor i seminarit arbëresh të Sicilisë (dhe ungji i kryeministrit italian Francesco Crispi), që e përdori për herë të parë grafemën ë në një vepër të botuar. Nga Crispi, shkronja u adoptua nga rrethet arbëreshe të Napolit, dhe që andej përfundoi në Kalabri, e përdorur nga Santori dhe Dorsa; dhe pastaj për t’u rikthyer në Sicili, nga Kalabria, në studimet gjuhësore të Camarda-s. Ashtu e gjeti edhe De Rada, i cili pastaj e popullarizoi më tej, falë edhe autoritetit dhe personalitetit të tij.
Altimari, duke iu referuar pastaj një studimi të T. Osmanit, vëren se këtë shkronjë ndër shqiptarët në Ballkan duket ta ketë përdorur pastaj i pari Luigj Gurakuqi, në alfabetin e tij të vitit 1901 – dhe jo rastësisht, sa kohë që Gurakuqi kish qenë nxënës i De Radës në Kolegjin e Shën Adrianit. Edhe përfshirja e kësaj shkronje kaq të rëndësishme, në alfabetin e njësuar të shqipes pas Kongresit të Manastirit, do të ketë ndodhur falë ndërhyrjes së Gurakuqit vetë, i cili e kërkoi shkronjën ë në kujtim dhe nderim të De Radës dhe të kontributit të tij të jashtëzakonshëm për kulturën kombëtare.
Edhe Bardhyl Demiraj, në një artikull të botuar në STUDIA ALBANICA 2008/2 (f. 89-97), me titullin La lettera <ë> come testimone della tradizione scritta albanese- arbëreshe e alcuni problemi riguardanti la sua odierna ortografia, u referohet zbulimeve të fundit të filologjisë arbëreshe, dhe veçanërisht të studiuesit Mandalà, të cilat hedhin dritë të re në origjinën e kësaj shkronje të shqipes.
Duke iu referuar dorëshkrimit të Guzzetta-s, i cili ishte i pari që e përdori shkronjën <ë> në shqipe (arbërishte), B. Demiraj vëren se ky e sajoi këtë shkronjë me idenë për të përmirësuar sistemin shkrimor që përdornin autorët katolikë të Veriut dhe që nuk përkonte me shqipen e folur.
Çuditërisht, Guzzetta e përshkruan këtë zanore si me “timbër hundor”, sikurse shqiptohet ajo sot e kësaj dite, deri-diku, në Horën e Arbëreshëve, në Sicili; dhe Demiraj gjen, në veprën e autorit arbëresh, raste kur dypikëshi është përdorur edhe me grafema zanoresh të ndryshme nga e-ja – p.sh. grafi të tilla si Kämbë, Ämblë, Mämë, Äm dhe Küshtu.
Demiraj mendon, i nisur nga grafi të tilla, se dypikëshi te Guzzetta përfaqëson një orvatje për t’i shkruar fjalët shqipe duke marrë parasysh edhe origjinën e tyre, ose format fonetike paraprirëse; duke shënjuar, nëse kjo vërtet qëndron, modifikimin e zanores bazë – me ç’rast ë-ja nuk do të ishte veçse një e e modifikuar (e qendërzuar, në artikulim + e hundorëzuar); në një kohë që ë-ja e arbërishtes (dhe e shqipes) me prejardhje nga qendërzimi i zanoreve të tjera (p.sh. ëmbël nga ambël, dhe mëmë nga mamë) do të shkruhej, idealisht, ndryshe.
Dhe, gjithnjë duke ndjekur shpjegimin e Demirajt, dypikëshi në këtë alfabet të Guzzetta-s (hipotetik) nuk do të ishte doemos i bashkëlidhur me e-në, por do të shënonte një proces fonetik (të ngjashëm, për nga funksioni, me umlaut-in e gjermanishtes); çka e bën disi më të logjikshme formën e shkronjës ë, pa çka se më pas kjo ide në thelb praktike, do të harrohej krejt.
Për të dalë pak me tutje kam dëgjuar diku se kinezët janë ‘frymezuar’ nga shqipja për pinyin-in e tyre (transkriptimin latin të kinezces), si rrjedhojë 寝室 kemi mundësinë ta lexojmë qǐn shì (per. dhome gjumi).
Analiza është shumë interesante, megjithatë mund të thuhet më shumë për zgjidhjen. Nëse qëndrimi juaj këtu është se ‘ë’-ja është vërtet një e keqe, atëherë nuk ka shumë rëndësi statusi simbolik që ka marrë ndër vite – me këtë lloj gjykimi, ia vlen të përpiqemi të gjejmë një alternativë praktike. Nuk them se mund ta japim tani, apo në të ardhmen e afërt, por të thuash se ‘nuk e shërojmë dot’ është një deklaratë shumë absolute. Simbolet nuk duhen respektuar domosdoshmërisht: në fakt, reifikimi i simboleve është një arsye më shumë për t’u përpjekur aktivisht për , si të thuash, ‘ekspozimin’ e tyre. Personalisht nuk kam asgjë kundër ‘ë’-së – megjithë kritikën ndaj simboleve, më duhet të pranoj që është pjesë përbërëse e identitetit tim. Më duket më e drejtë ama të mendojmë për ‘ë’-në në terma prakticiteti, nëse duam të vazhdojmë ta përdorim në gjuhën e shkruar me shpeshtësinë e tanishme.
Nëse vazhdojmë ta vendosim ‘ë’-në në terma të së keqes apo të së mirës, debati për reformën e gjuhës nuk ka për të dalë dot prej qerthullit të konkurrencës krahinore dhe mërirave me karakter kryesisht politik.
Me të thënë këtë, më duhet të theksoj se nuk është situatë idealë të përpiqesh të pajtohesh me standartin e ‘ë’-së duke shkruar komente online.
Kam arsyetuar kështu: sot për sot, dhe në të ardhmen, duket se problemi i të shkruarit të ë-së është problem teknik i tastierës së kompjuterit.
Kjo deri sa të vijë dita kur tastiera të zëvendësohet, për shqipen, me një formë tjetër të input-it, p.sh. me të folur; ose dita tjetër, kushedi më e afërt, kur shumica prej nesh të përdorin tastiera virtuale (me prekje), të cilat mund të konfigurohen sipas gjuhës.
Tani, alfabeti latin nuk ka një zanore të lirë, që ta përdorim për të zëvendësuar ë-në; ngado që të sillemi, do të na duhet të përdorim një zanore me një shenjë diakritike.
Mirëpo, meqë tastiera e anglishtes nuk përmban asnjë zanore me shenjë diakritike, atëherë njëra zgjedhje vlen aq sa edhe tjetra; dhe adoptimi, p.sh. i é-së, do të kërkojë po aq mund teknologjik sa edhe ruajtja e ë-së.
Dhe nëse është kështu, atëherë do të kushtojë gjithnjë më pak ruajtja e ë-së që kemi.
Më lart, sa për problemin teknik të ë-së; ndërkohë, ka edhe një problem tjetër, që ka të bëjë me thjeshtimin e drejtshkrimit shqip, për t’i mënjanuar shumë ë të patheksuara nga shkrimi.
Këtë problem – të reformës – e kemi diskutuar shumë këtu; por besoj se duhet mbajtur ndaras nga i tanishmi.
Xha xha, do te mjaftonte qe shitesit e kompjuterave ne Shqiperi t’u kerkonin prodhuesve kineze te tastierave (sot praktikisht te gjitha tastierat prodhohen ne Kine), te prodhonin tastiera me ë dhe me ç per tregun shqiptar. E keshtu do te zgjidhej fare lehte “problemi teknik”. Do te thuash ti, pse nuk e kane bere deri tani? Sepse nuk u ka shkuar mendja apo sepse nuk kane pasur kerkesa dhe presione nga tregu.
Nuk është problemi aq i thjeshtë; si do të zgjidhet problemi i ë-së në adresat e internetit, si duhet të shkruhet adresa shipëria.com?
Më thanë se gjithsesi duhet të shkruhet me q, jo me ç
😀
Ky problem zgjidhet siç e kane zgjidhur te gjitha gjuhet qe perdorin theksa dhe shenja diakritike. nuk jemi vetem ne ne kete bote qe u veme shkronjave pika siper. (Per te mos folur per ato gjuhe qe nuk perdorin alfabetin latin).
Shkrimi me ngjalli kersherine. Mendoj se ë-ja nuk mund te hiqet nga shqipja qofte e folur ashtu edhe e shkruar(e me rezulton se as qe flitet per dicka te tille).
Qiparis-i e thote me te drejte se trajtimi i ë-se nuk mund te karakterizohet ne terma “te se keqes apo te mires”, “konkurences krahinore apo merive politike”.
Diskutimi duhet te perqendrohet tek shpeshesia e perdorimit(vend e pavend) dhe kjo duhet te vendoset ne baze te kritereve strikte gjuhesore.
Eshte e pavend qe te imponuar nga “keybord-i” ku pervazivisht mungon ë-ja e drejtperdrejte (rrethanat praktike) te flitet per eleminimin e ë-se ne shqipen e shkruar.
Keyboard ne shqipen e (deri) fillimit te viteve 90-te njihej, perdorej me shume si tastiere (per makinat e shkrimit apo me instrumentet muzikore).
Tastierat vërtet nuk i kanë ë-në dhe ç-në, por tashmë edhe “nxënësit e fillores” e dinë se si mund të shkruhen ato, duke përdorur Alt+137=ë; Alt+0203=Ë;Alt+135=ç; Alt+128=Ç. Edhe telefonat mobilë (ose celularë) më të përsosur, të ashtuquajtur Smartphone e kanë mundësinë e shkrimit të këtyre shkronjave.
Shpat Mati
Eshte ceshtje prakticiteti, harxhim kohe dhe energjie. Te kerkon disa hapa shtese, levizje ekstra, etj. per te shtypur ë-në. Ka nje menyre me praktike qe i rrezon te gjitha hamendjet e tjera.
Ndiq linkun e meposhtem ne youtube.
http://www.youtube.com/watch?v=RYxivcTz0dU
Read me, kjo metode mund te funksionoje per tastierat angleze dhe amerikane, por per shume nga ato europiane, si frenge, gjermane, italiane etj. nuk me duket se funksionon, sepse te prish krejt konfigurimin, germa si y dhe z nderrojne vendet, te behet tastiera lemsh.
Relapso mendoj qe pavarsisht se edhe nese do te krijonim nje tastiere ku do te shtoheshin germat ç dhe ë, kjo do te sillte nje rikonfigurim te tastieres aktuale ne perdorim te butonave te karaktereve, shenjave, simboleve (character keys).
Nderhyrja minimale do te ishte nje dublim ne funksionin e disa prej tyre.
Ndryshimi i funksionit te tastieres(sic ilustrohej ne video) nuk sjell shume dublime/zhvendosje/shkembime te funksioneve te disa prej butonave(8-9).
Pervec rastit te shkembimit te vendeve te y me z dhe dublimit te funksioneve te butonave qe na japin ç me shenjat {[ dhe ë me shenjat ;:, butonat e tjere qe dublojne apo ndryshojne funksionet, nuk kane nje perdorim te gjere ne shkrimin e teksteve shqip.
Mendoj se konfuzioni nuk zgjat shume gjate, e fillon krijon shpejt shprehite e funksioneve te reja te butonave qe ndikohen nga keto ndryshime.
Nuk me eshte dhene rasti te njoh(perdor) tastierat italiane, gjermane, franceze e te bej krahasimet nese ka ndryshime esenciale me ato qe perdoret ne vendet anglishtfolese.
Dallimin grafik te zanores ë ne shqipe e ka bere i pari Leke Matranga ne vepren “E mbaesuame e kraesterae” qysh ne vitin 1592. Ai perdori dyshkronjeshin ‘ae’ per ta shenuar. Nga geget e vjeter e kane dalluar grafikisht Bogdani dhe Kazazi, te dy me diakritike. Ajo zanore duhej dalluar grafikisht ne njefare menyre, me dyshkronjesh ose me diakritik. Ndoshta me mire me diakritik, sepse me dyshkronjesh do te kerkonte me teper kohe, mund dhe hapesire per t’u realizuar. Rruge tjeter nuk kishte atehere dhe nuk me duket se ka as sot.
“Përndryshe, për një të huaj që sheh një tekst të shkruar në shqip, pa e ditur gjuhën, prania e ë-ve të panumërta është karakteristika e parë dalluese e shqipes së shkruar; ë-ja e përfaqëson shqipen njëlloj si å-ja suedishten, ß-ja gjermanishten, ñ-ja spanjishten dhe l·l katalanishten. ”
kete na e ka treguar dhe comic-u i njohur franco-bleg Asterix 🙂 popujt e ndryshem paraqiten me diferenca te tilla alfabetike; vikinget paraqiten duke folur me å, ø, gotet duke folur ne alfabet gotisht, greket duke folur me alfabet me vija te drejta, etj.
pra popujt pervec stereotipeve kombetare paraqiten edhe me nje diferencim gjuhesor qe i dallon nga popujt e tjere