Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Teatër

NËNA E MOISIUT NUK ISHTE SHQIPTARE

Në një numër artikujsh të kohëve të fundit sillen të dhëna interesante mbi jetën e aktorit të madh me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu. Vëmendjen tonë e tërheq fakti se në mënyrë të padyshimtë flitet edhe për « origjinën shqiptare » të nënës së tij, Amalisë. Në asnjë mënyrë nuk ngrëmë akuza se po thuhen gjëra të pathëna ndonjëherë. Shkrimet që flasin për origjinën e saj të supozuar shqiptare datojnë prej shumë vjetësh. 

Dhe është folur aq shumë për një gjë të tillë, sa erdhi një kohë kur nuk qe e nevojshme të paraqisje dëshmi a dokumente. Ajo nuk vihej më në dyshim. Madje për ta bërë gjithçka të besueshme asaj i ishte gjetur edhe një familje arbëreshe, ku kishte rrënjët : familja e De Radajve.

E pra, një gjë e tillë, është e vështirë të konfirmohet, sikundër vetë origjina e saj shqiptare në tërësi.

Në vitin 1927, kur A. Moisiu ishte në apogje të shkëlqimit të tij, Hans Bohm botoi një katalog me fotografi të zgjedhura nga jeta e tij artistike dhe private, të titulluar: « Moisiu, njeri dhe aktor » . Përveç fotove, botimi shoqërohej me artikuj mbi artistin e madh, të shkruara nga personalitete të shquara të kohës. Në shkrimin e faqes së fundit të titulluar « Cili është dhe nga vjen », shkrim që sot nga studiuesit mendohet të ketë dalë nga vetë dora e Moisiu, ka edhe një frazë e cila nuk është cituar kurrë : « Nëna italiane, gjuha e nënës, italishtja ». Kush tjetër veç Moisiut kishte dijeni për një gjë të tillë ? Por edhe nëse marrim rastin më të keq dhe themi se nuk është ai autori i atij shënimi,nuk mund të thuhet aspak se Moisiu nuk ka patur dijeni për një pohim të tillë. Albumi është botuar në 250 kopje dhe që të gjitha ato mbajnë autografin e tij origjinal.

Shënimi i mësipërm nuk është krejt anodin. Amalia ka lindur në vitin 1841, një periudhë kjo që siç thotë Jeronim de Rada nxënësit arbëreshë hasnin vështirësi në shkollat italiane sepse nuk e dinin fare italishten. Vetë poeti ynë i madh arbëresh e përsëriti klasën e parë sepse nuk kuptonte asgjë nga shpjegimet e mësuesit të tij italian.

E megjithatë, në artikujt që u shkruan për aktorin e madh menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ngjan të jetë këmbëngulur veçanërisht në shqiptarësinë e nënës së tij . Dhe informacionet që silleshin janë interesante sepse mjaft nga ata që uleshin të shkruanin, ishin nën ndikimin e drejtpërdrejtë të takimeve me të, e kishin njohur dhe kishin biseduar me Moisiun e madh. Personalisht kam patur rast të bisedoj me shumë prej atyre që e kishin parë atë në skenë apo kishin biseduar me të. Dhe askush nuk ka bërë deklarata për shqiptarësinë e nënës Amalisë.

Atëherë kush ia akordoi kombësinë shqiptare nënës së A. Moisiut?

Duke përjashtuar një vullnet disi të tepruar të disa gazetarëve për të shqiptarizuar mjaft figura të njohura, gjë që në një kohë të caktuar u kthye në sport nacional, del se nëna e Moisiut do të ketë “ndërruar kombësi” diku në fillim të viteve ’60, kur Shqipërinë e vizitoi Xhuzepe de Rada, nipi i poetit Jeronim de Rada. Në monografinë e V. Moisiut, « Aleksandër Moisiu » (monografi që sistemoi dhe pasuroi më tej kronikën e jetës dhe të artit të Moisiut, pas një pune të vlefshme që ishte bërë më parë nga S. Vaqarri dhe B. Kosova), gjejmë edhe këtë frazë : « … Xhuzepe de Rada pohoi më tej se Antonio de Rada (babai i Amalisë) kishte origjinë shqiptare… ».

Një analizë e personalitetit të Xhuzepe de Radës është e nevojshme, për të kuptuar më mirë thelbin e deklaratës së tij, por për mungesë vendi, po kufizohemi të themi se atë pohim ai e ka bërë kur ishte 82 vjeç dhe kishte nisur të shfaqte shenja seniliteti dhe veprimesh të paarsyeshme, që tregonin se jo gjithnjë zotëronte në mënyrë të kënaqshme aftësitë orientuese dhe përgjegjësinë e veprimeve të veta. Pak para se të vinte në Shqipëri ai kishte shitur për pak para një tufë letërkëmbimesh tepër të vyera të gjyshit të tij të tij të madh dhe madje ishte gati t’i shiste të gjitha sikur aty të mos kalonte një diplomat shqiptar (K. Ylli), i cili ia bleu çka kishte mbetur, para se ato të përfundonin në duar të panjohura.

Më tej, Antonio Markianoi, i cili më 1901 botoi një monografi të plotë për De Radën (ndërkohë që ky ishte ende gjallë), flet edhe për familjen dhe farefisin e poetit të madh (nga e cila rridhte edhe vetë), por gjëkundi nuk përmend ndonjë mjek me emrin Antonio (emri i babait të Amali de Radës).

Një burim i dytë të cilit i janë referuar shumë vetë, për të mbështetur shqiptarësinë e Amalisë, është edhe një kujtim i profesor Mihal Cikos. Ai, në vitin 1934, gjatë një turneu të Mosiut në Itali, pati rast të jetë i pranishëm në një bisedë që aktori po bënte me dramaturgun e libretistin Xh. Adami. Nga këto kujtime të Cikos që gjenden në disa monografi, Moisiu citohet të ketë thënë se: “…Babai im është shqiptar dhe nëna ime është shqiptare nga arbëreshët.”

Për hir të vërtetës duhet thënë se për detajet e kësaj bisede prof. Ciko është pyetur gjatë një interviste për Radio Tiranën në tetor 1975. Me gjithë këmbënguljen time dhe pyetjen e përsëritur për të konfirmuar pohimin e tij të mëparshëm ai mundi të riprodhojë me lehtësi vetëm atë pjesë ku Moisiu kishte folur për origjinën shqiptare të babait të tij. Asgjë më shumë. Nuk mu duk se ndihej mirë për atë që ishte thënë për nënën e Moisiut. Dua të besoj se intervista ekziston ende në Arkivin e Radios.

Ai i cili do të hidhte dritë të plotë në origjinën e nënës së Aleksandër Moisiut është një hungarez. Quhet G. Pressburger. Kur ishte fëmijë, Pressburgeri kishte dëgjuar një disk me recitime të Moisiut dhe zëri i tij i mahnitshëm e kishte ndjekur pas në jetë. Shumë vite pasi arratiset nga Hungaria dhe vendoset në Itali (ku sot është një personalitet mjaft i vlerësuar për punën e tij si regjisor e dramaturg) ai nisi punën për të shkruar një vepër për jetën e Moisiut. Vite të tëra Pressburgeri pati mundësi të shfrytëzonte arkivat e Vjenës, Italisë e të vendeve të tjera. Pikërisht, gjatë këtyre kërkimeve ai zbuloi fakte të çuditshme. Në gjenealogjinë familjare të Amalisë del që mbiemri ka pasur lëvizje ortografike. Ndonëse në dokumentet e martesës del të kete qenë Di Rada (dhe jo De Rada), më tej thellë në kohë, duke ndjekur linjën e regjistrave kishtarë, ai mëson se paraardhësit e saj kanë patur mbiemrin De Radio dhe kanë banuar në Firence të paktën që nga viti 1500. Madje, në historinë e atij qyteti, një nga stërgjyshërit e saj (Redis de Radio), mjek, alkimist dhe fizikan u bë tepër i famshëm sepse më 1585, mundi ta shpëtojë qytetin nga një epidemi e tmerrshme kolere. Më tej mësohet se mbiemri Rada (me parashtesat de dhe di) ka qenë i përhapur në Firence. Mjafton të sjellim shembullin e një autori të njohur farsash e komedish, si Leopoldo de Rada, pa folur pastaj për degën spanjolle (navarreze) të këtij mbiemri.

Gjatë një takimi që kam patur me Pressburgerin për këtë temë, më 1995 në Romë, ai më dha indikacione të sakta për faktet që kishte sjellë në veprën që ka shkruar për Moisiun.

Atëherë në çfarë e cenon shqiptarësinë e Moisiut, saktësimi i origjinës së nënës së tij, Amalisë? Në asgjë. Shqiptarët si të gjithë popujt e tjerë evropianë, në përcaktimin e origjinës së dikujt nisen nga “rrembi i atit”. E vërteta për origjinën Amali de Radës, vetëm se thekson atë tipar që ai i dha vetes me veprën e tij të jashtëzakonshme, pra tiparin e një artisti të madh evropian.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin