Një pyetje në dukje e pafajshme, u bë shkas për këtë shkrim: çfarë do të thotë të jesh patriot sot?
Sipas fjalorëve, patrioti është dikush që “e do atdheun dhe popullin e vet dhe u shërben atyre”; një përkufizim ky që kombinon dashurinë me dëshirën a gatishmërinë për të shërbyer.
Mes shqiptarësh, patriotizmi shpesh është paraqitur si përkushtim ndaj çështjeve kombëtare – mbrojtja e pavarësisë dhe e sovranitetit kombëtar; mbrojtja e gjuhës dhe e kulturës kombëtare; përkushtimi ndaj çështjes së bashkimit kombëtar.
Dhe këtu nuk po dua të merrem fare me aspektet përjashtuese të këtij nocioni (unë patriot, ti tradhtar).
Kështu, një person që denoncon me forcë “dhënien e detit Greqisë” përcaktohet vetvetiu “patriot”; dhe kështu vijon të konsiderohet edhe kur këtë denoncim të dhënies së detit e shndërron, bie fjala, në platformë elektorale ose subjekt të një baleti; të thuash se ky kur të vijë në pushtet do t’i zgjidhë problemet e administrimit të shtetit me metodën e “rimarrjes së detit” (të trojeve, të heronjve, të simboleve).
Në rrethana të luftës, ose kur mbijetesa e komunitetit, popullit dhe e shtetit tënd rrezikohet, patrioti identifikohet lehtë (“nga lufta veç ai largohet…”); çfarë nuk e bën dot, përkundrazi, në rrethana të paqes.
Një sipërmarrës që hap një restorant peshku dhe i rri biznesit mbi kokë, duke u shërbyer qindra klientëve çdo ditë; dhe që paguan rregullisht taksat, i përmbush për bukuri kriteret formale të patriotit.
Një prezantues televiziv, të cilin e ndjekin dhe e pëlqejnë çdo natë me dhjetëra mijëra teleshikues anembanë vendit, është edhe ai patriot.
Një botues që i jep lexuesit ajkën e letërsisë bashkëkohore, në përkthime cilësore, është gjithashtu patriot i mirë; të paktën jo më pak ai tipografi me kontakte të mira në Bashki, që u pasurua duke prodhuar flamuj kombëtarë, të përmasave të ndryshme, për përdorim publik.
Edhe pse të qenët patriot mund të mishërohet në forma të ndryshme, është e qartë se çfarë nuk të bën patriot: (1) të deklarohesh si i tillë, pavarësisht nga forca e zërit (vikama) dhe timbri (burrnia) dhe (2) të krijosh ose të militosh në formacione politike, të cilat përcaktojnë me fjalë se kanë për synim suprem mbrojtjen e interesit kombëtar.
Pa folur pastaj që, në përfytyrimin folklorik sot e kësaj dite, patrioti është mashkullor (burrnor, luftarak, mustaqelli, hero), ndërsa tradhtari femëror (bishtdredhur, bythec, bushtër, kurvë).
Patriot është ai që vepron si patriot, jo ai që u kumton të tjerëve se është i tillë. Një gjë është të të qajë zemra për mëmëdheun, një gjë tjetër t’i thuash auditorit se të qan zemra për mëmëdheun – jo se përjashtojnë njëra-tjetrën, por as e implikojnë gjë.
Meqë temat patriotike (trojet, gjaku, viktimat, të rënët, shkronjat shqipe, copëtimi, dëbimi) vijnë me ngarkesë emocionale sa të fuqishme, aq edhe kolektive, është e pashmangshme që forcat politike të portretizojnë veten dhe programet e tyre si “patriotike”, ose të përpiqen t’i imponojnë një agjendë “patriotike” debatit publik, në mënyrë të tillë që kundërshtarët e tyre t’i shtyjnë e t’i shporrin vetvetiu në krahun e kundërt të spektrit: si antipatriotë.
Kështu, dihet se patrioti lufton për të ruajtur pavarësinë dhe sovranitetin e vendit të vet – e megjithatë, pakkush do ta quajë anti-patriot dikë që lufton për ta afruar Shqipërinë me Europën e Bashkuar, ku pavarësia dhe sovraniteti kombëtar do të ripërmasohen menjëherë.
Patrioti i vërtetë është ai që vë interesat e vendit mbi ato të vetat dhe të së tjerëve (përfshi këtu edhe shtetet e tjera); por kjo nuk i pengon disa që si kriter të patriotizmit të zgjedhin miqësinë me Amerikën dhe karshillëkun me Serbinë ose me Rusinë; ose qëndrimin ndaj KOASH-it dhe kryepeshkopit; ose çështje të tjera të momentit.
Kush është pra patriot?
Kur dëgjoj ndokënd të përdorë i rrëmbushur fjalën patriot, qoftë duke iu referuar vetes, qoftë të tjerëve, unë i them vetes: kujdes, dikush po përpiqet të ta hedhë. Kjo ngaqë shpesh, cilësimi patriot është përdorur dhe do të përdoret për të përligjur pisllëqe nga më të mëdhatë, p.sh. filani vërtet vrau dhe preu kundërshtarët e vet, por ama ishte patriot; ose fisteku vërtet ka bërë kërdinë me paranë publike, por ama është patriot (kije inat dhe foli hakun).
Disa të zgjyrosur kujtojnë, me këtë rast, se rruga e rehabilitimit kalon përmes deklarimit publik, me zë të lartë, të patriotizmit – por ky muhabet na shpie vetvetiu te streha e fundit, metaforë që e kemi konsumuar gjetiu.
Ditët e fundit u debatua, më shumë në mediat, plani rregullues i Tiranës; me ç’rast pati zëra kritikë nga shoqëria civile, të cilët shprehën shqetësimin e tyre se ky plan u shërben interesave të biznesit, jo të qytetarëve; dhe se do të çojë në betonizimin e plotë të kryeqytetit.
Për mua, zërat e paktë që ngrihen në mbrojtje të mjedisit, janë nga zërat më patriotikë të mundshëm, në rrethanat kur vendit i kërcënohet integriteti jo nga jashtë, por nga brenda – meqë edhe mjedisi është po aq pjesë e gjeografisë sa edhe sipërfaqja e përmbledhur brenda kufijve shtetërorë.
Një lumë i masakruar nga firmat e ndërtimit është po aq i humbur sa edhe deti që “ia falëm” Greqisë.
Nga një anë, kemi patriotë që shqetësohen për fatin e çamëve dhe të shqiptarëve të Preshevës; nga ana tjetër, patriotë që shqetësohen për fatin e banorëve të kryeqytetit me ajër më të ndotur në Europë.
Si njeri i arsyeshëm, unë besoj se të dy palët kanë të drejtë dhe se njëri shqetësim nuk e përjashton tjetrin; por me zemër unë i jap përparësi katrahurës së mjedisit në Tiranë, sepse atje kam lindur dhe kam jetuar një pjesë të jetës.
A më bën kjo vallë më pak të ndjeshëm ndaj çështjes kombëtare? A më bën më pak patriot?
Një mësues është patriot i mirë, jo ngaqë u flet nxënësve të vet për serbët dhe grekët dhe armiqësitë në Ballkan, as ngaqë i vë të zëvendësojnë fjalët e huaja me fjalë shqipe në tekstet; por ngaqë i edukon nxënësit e vet në mënyrë të tillë, që këta nesër të angazhohen në veprimtaritë publike dhe ta mbajnë të lartë profilin etik.
Një këngëtar është patriot i mirë jo ngaqë i këndon shqiponjës dhe xhamadanit, as ngaqë vizaton mbi lëkurë tatuazhe “etnike”, por ngaqë, me praninë e vet artistike, ua bën jetën më të lumtur dashamirësve të vet, anembanë vendit. Nëse këtë qëllon pastaj ta pëlqejnë edhe jashtë, kjo veç ia shton vlerat dhe virtytin artistik.
Një piktor është patriot jo ngase pikturon malësorë, çiftelahuta dhe qeleshe, por kur me artin e vet ia ndryshon përjetimet dhe eksperiencën publikut duke ia hapur horizontin, kushedi edhe mendimin dhe botëvështrimin.
Një shkrimtar është patriot jo kur shkruan me tetërrokësh si Naimi dhe Fishta qëmoti, as për romanin epik që ka shkruar për Selam Musain, por ngaqë vepra e tij është model i letërsisë shqipe bashkëkohore, që zë kryet e vendit në bibliotekat tona.
Vlera e kontributeve të secilit duhet matur më vete, dhe jo në bashkëlidhje me dhe varësi ndaj relevancës së tyre për “çështjen kombëtare”.
Kështu, një politikan është patriot i mirë jo ngaqë ngarend të jetë i pranishëm në çdo ngjarje me valencë “patriotike” (një përurim monumenti me mustakë a një rivarrim heroi), por ngaqë shquhet për etikë të lartë në shërbimin që ofron dhe pozicionim të çinteresuar ndaj problemeve madhore të ditës.
Një media është patriotike jo ngaqë e vendos flamurin në logon e vet kuqezi, por ngaqë kontribuon, çdo ditë, në informimin dhe ndriçimin e publikut të vet, duke ia lehtësuar këtij qasjen ndaj së vërtetës.
Patriot nuk të bën as veshja, as flamuri, as përbetimet, as profesioni, as raporti që ke vendosur me qimet e fytyrës; por vetëm përkushtimi publik.
Kjo do të thotë se patriotët profesionistë, që kohët e fundit janë shumuar si vemjet, duhen treguar me gisht për çfarë janë vërtet: tartufë të politikës.
Kjo do të thotë edhe se, përkufizimi ynë i patriotit e bën këtë të fundit, praktikisht, të padallueshëm nga qytetari; sidomos në bashkëkohësi, kur shqiptarët duket se e kanë përfunduar kalimin nga regjimi i mbijetesës, në atë të jetesës.
Patrioti i mirë është qytetar i mirë; qytetari i mirë është patriot i mirë.
Shënim: patriot, në këtë shkrim, është përdorur si sinonim me atdhetar dhe atdhedashës.
Xhaxhai
“Nga një anë, kemi patriotë që shqetësohen për fatin e çamëve dhe të shqiptarëve të Preshevës; nga ana tjetër, patriotë që shqetësohen për fatin e banorëve të kryeqytetit me ajër më të ndotur në Europë. Si njeri i arsyeshëm, unë besoj se të dy palët kanë të drejtë dhe se njëri shqetësim nuk e përjashton tjetrin”
Kjo eshte mese e vertete, jane te dyja shqetesime legjitime. Ndodh qe njerez qe mundohen per nje Shqiperi me te paster, me te drejte, e me te mire ne pergjithesi, sulmohen ad personam dhe quhen komuniste e tradhetare, ose dikush tjetër qe flet per nje Kishe Ortodokse me te lire nga influenca e Athines quhet i pafe. Ne Shqiperi njerzit duket se janë përsosur se fundmi ne artin e gënjeshtrës dhe e përdorin pa kursim, kush vjen nga “jashtë” dhe nuk ka imunitetin e nevojshëm, aq me keq per te.
Eshte nje problem shume shqetesues, i cili me shume sesa me trashëgiminë e kultures osmano-bizantine, mund te lidhet me edukimin e sotem, edukimin qe e marrim pergjithesisht prej shembujve, elitave, heronjve. Ceshtja eshte qe ne elita dhe heronj kemi sadopak, te sotëm dhe te mëparshëm; nëse nuk mjaftojnë kane edhe popujt e tjerë akoma me shume.
Dhe fatmirësisht – permes llumit te “intelektualeve” dhe drejtuesve te padrejte qe kane pushtuar ekranet, gazetat, aktivitet kulturore, dhe qe na edukojnë me se miri, – flitet edhe per disa vlera si patriotizmi, liria, apo per punetoret dhe luftetaret e pavaresise, sidomos me rastin e festimeve te 100 vjetorit.
Veç ne anen tjeter ndihet mungesa e shembujve te ndershmërisë, beses, virtytit, moralit, … mungese qe behet me e theksuar prej ndotjes vizive te te kundertve.
Shkrim mjaft i mire, pergezime Xhaxha !
Kam nja dy pika ku do doja te shtoja dicka :
Shkruan : “Patrioti i vërtetë është ai që vë interesat e vendit mbi ato të vetat dhe të së tjerëve (përfshi këtu edhe shtetet e tjera)…”
Une mendoj se do ishte me racionale te flitej per “veprim patriotik”, me shume sesa per patriotin vete si te tille. E them kete pasi e gjykoj thuajse te pamundur, qe cilido individ gjate gjithe jetes dhe veprimtarise se tij ( perjashto ndonje Krisht ), te jete konsistent ne patriotizmin dhe qendrimet e veta. Njeriu eshte qenie e dobet, e lekundshme. Per Konicen e Nolin psh ( histori tashme te bera bajat ) kemi momente delikate, kur shohin sa interesin e vetes, aq edhe te “atdheut”. Do ti quajme keta patriote a jo ? Nese jo, ke do quajme ? Nese po, sa here duhet te gaboje njeriu qe te mos quhet patriot ?
Edhe koloneli, meqe eshte sjelle si personazh i shkrimit, kreu nje veprim patriotik kur nderhyri per ceshtjen e detit. Kam pershtypjen qe kjo eshte e pakundershtueshme, ngado qe ta marresh. E megjithate, per ironi, nuk do te thote se deomos eshte patriot sot ( dhe une mendoj qe nuk eshte ).
Dua te them, te qenurit patriot nuk eshte deomos nje “cilesi” e dhene pergjithmone, pse mund te jesh i tille qofte edhe vetem per nje moment te shkurter “lavdie”. Por neser nuk i dihet…
Shkruan : “Kjo do të thotë edhe se, përkufizimi ynë i patriotit e bën këtë të fundit, praktikisht, të padallueshëm nga qytetari; sidomos në bashkëkohësi, kur shqiptarët duket se e kanë përfunduar kalimin nga regjimi i mbijetesës, në atë të jetesës.
Patrioti i mirë është qytetar i mirë; qytetari i mirë është patriot i mirë.”
Jam shume dakort me kete perfundim, dhe per ta vazhduar, cfare do te thote nje qytetar i mire ? A mjafton te kalosh nga mbijetesa ne jetese, apo, akoma edhe me shume, duhet te mesosh te kalosh ne bashkejetese ( sensi komunitar, prona publike ) ? Ne kete llogjike, shqiptaret shume pak dine te bashkejetojne. Prej ketej edhe patriotet perhere e me te pakte…
Falemnderit! Më pëlqen shumë mënyra si e shtron nevojën për kalim nga jetesa në bashkëjetesë, si kusht të qytetarisë.
Jam shume dakord me menyren sesi e parashtron temen. Bile, do te shtoja dicka qe pak here permendet e qe per mua, eshte zgjatim i shtjellimit tuaj: Patrioti i mire eshte qytetar i mire; qytetari i mire, eshte patriot i mire, po e pare zbatuar mbi diasporat: patriotizmi i diaspores i shprehur si mbeshtjetje financiare grupesh apo objektivash te ndryshme, nen petkun patriotik.
Verej qe pak kush sheh ne menyre kritike sponsorizimet nga grupe diaspore. Nese shihen ne menyre kritike, pak degjoj te flitet dhe asnjehere nuk kam degjuar te refuzohen per qellime etike. Ne fakt, nderkohe qe nderrimi i parave nder duar shpesh eshte nje nga dukurite me tipike te krimit te organizuar dhe financimi i luftrave nga diasporat me para te fituara si vetem Zoti e di (ne e marrim me mend po kemi frike ta pranojme), ka ardhur koha kur origjina e pareve qe perbejne “mbeshtetje patriotike” te shihet me dyshim. Me fjale te tjera, te perifrazoj Peshperitesin, anetaret e diaspores, te cileve u qan zemra per vendin ame, duhet te kalojne filtrin e qytetarit model ne vendin e rezidences. Perndryshe, perfituesit e fondeve ne dheun “meme” jane bashkepunetore naive (ose te vetedijshem, akoma me keq) ne vepra apo praktika qe nuk duhet te pranohen, as ne emer te atdhedashurise se zjarrte.
Patrioti i mire eshte qytetar i mire, kudo qe te jete. Nuk ha buken e permbys kupen atje ku eshte, perndryshe, asocimi me te atilla praktika, i jep pranimit te bamiresise nje mbiemer tjeter.
Nuk dua me kete rast te baltos diasporat. Perkundrazi. Dua vetem te them qe dhuratat e diasporave duhen pranuar me po aq sy kritik sa marrja e nje kredie bankare — s’ka kredimarres qe nuk rreket si do e paguaje. E njejta lloj pergjegjesie vlen edhe per bamiresi-pranuesin.
meqe po flasim per patriotizem, bera te lexoj nje interviste tek Mapo mbi librin e botuar post-mortem te A. Klosit… a mund te publikohet edhe njehere ketu tek peizazhe me nje formatim me te lexueshem per syte?
Patjetër, do ta nxjerr nesër mbrëma.
Xha Xha, pikes i ke rene!
Une, pasi kam vezhguar disa vende dhe shoqeri europiane ku me ka rene hera te kaloj vite, kam ardhur ne perfundimin e natyrshem se patriotizmi i vertete shkon ne raport te zhdrejte me perdorimin e fjalorit “patriotik”.
Nje shoqeri, sa me pak te flase per Atdhe e patriotizem, aq me shume patriote eshte.
Besoj se te qenit patriot fillon me te qenit qytetar i mire. Por, qe dikush te cilesohet patriot, besoj se duhet te plotesoje edhe nje kusht tjeter pervec se te jete qytetar i mire. Qytetari i mire duhet te beje veprime te qellimshme ne dobi te atdheut. Nese nje poet shkruan poezi te bukura dhe te vleresuara fale talentit te tij, apo nese nje sioermarres hap nje restorant te pelqyer, kjo nuk i ben ata automatikisht patriote, ndonese veprimet apo veprimatria e tyre eshte ne dobi te komunitetit ose atdheut. Motivi i tyre nuk eshte dashuria per atdheun. Per kete aresye ata mund te quhen thjesht qytetare te mire. Kurse Naim Frasherin dhe Ismail Kadarene do t’i quaja patriote, jo per talentin dhe vleren e tyre por per permbajtjen e veprave te tyre qe eshte e motivuar dukshem nga dashuria per atdheun.
Gjithesesi, besoj se ne kohen esotme kemi me shume nevoje per qytetare te mire se per patriote te stisur.