Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Letërsi

DITA MË PAS

Dan Klosin e varrosën sot pa ia kursyer lëvdatat, të merituara – vetëm se, duke i dëgjuar dhe lexuar fjalët e mira, vështirë të mos mendoje se qoftë edhe një e dhjeta e tyre do t’i kishin dhënë shumë zemër të ndjerit, kur ishte ende gjallë.

Duhet të jesh pak i vrazhdë në perceptim, ose ndoshta edhe krejt i pandjeshëm e kushedi edhe pak i trashë nga trutë, që t’ia kuptosh vlerën tjetrit vetëm kur ai largohet përgjithnjë nga kjo jetë. Në rastin e Dan Klosit, pastaj, kjo vlerë nuk do të zëvendësohet dot – njëlloj si të ishte fjala për një artist të madh të mirëfilltë.

Prej kohësh ai bënte diçka të rrallë për kulturën shqiptare: ia katalizonte ngjarjet. Këtu një përkthim, atje një prezantim libri, më tej një shfaqje teatri, pastaj një kiosk në një panair, një kurs për studentët. Publiku i gjerë hynte kësisoj në kontakt me kulturën – dhe këtu kam parasysh autorë të kalibrit të Kafka-s, Brecht-it, Böll-it, Dürrenmatt-it dhe dhjetëra të tjerëve.

Me punën e tij të palodhur, kishte krijuar një si ndriçim të brishtë, ose edhe një garanci se gjithçka e lidhur me emrin e tij do të ofrohej me kulturë dhe cilësi të lartë.

Kjo ndodhi ngaqë, siç mund ta dëshmoj personalisht, Dan Klosi ishte një shqiptar nga të paktët, qytetar me ndjeshmëri të rrallë, kozmopolit dhe i shëtitur si pakkush, por njëkohësisht edhe një nga njerëzit më të lidhur me Shqipërinë reale, që unë kam njohur ndonjëherë.

Kjo ndjeshmëri e mbante vetiu larg çdo vulgariteti, ose shtirjeje, ose manie për t’u dukur dhe për t’u fryrë. Kishte një krenari prej patrici, të cilët ndonjëherë ia merrnin gabimisht për fodullëk – por në të vërtetë ishte njeri jashtëzakonisht i matur, i përkorë, dhe pa komplekse. Një nga shokët e tij më të ngushtë në vitet e universitetit vinte nga një fshat i Kukësit – poet i hollë dhe njeri i mençur; por një snob me siguri nuk do ta kish bërë dot. E kam gjetur ndonjëherë kuksianin të ulur në tavolinë me Dan Klosin, në shtëpinë e këtij, të hanin supën e nxehtë që u kish gatuar Jolanda (nëna e Danit) – fare natyrshëm, madje edhe pa atë kënaqësinë vanitoze të dikujt që po i jep mikut të varfër të hajë.

Kishte pastaj edhe dashurinë për letërsinë dhe artet – gjithashtu të sinqertë, pa kurrfarë poze të studiuar. S’e kam kapur kurrë atë njeri të interesohej për produkte masive, filma të Hollywood-it ose pjata të tjera të fast food-it me të cilin shumë prej nesh ushqehemi më shpesh se ç’kujtojmë. Edhe një roman policor që pat përkthyer në krye të herës, nga dy autorë suedezë (Maj Sjöwall and Per Wahlöö, botim pothuajse subversiv, për ato vite), ishte vepër letrare e shkruar mirë.

Filozofia si spekulim nuk e ngacmonte shumë; tjetër tipar i rrallë, ky, për njeriun intelektual, dhe veçanërisht për intelektualin made in Albania, që gjithnjë rreket ta spërkatë audiencën e vet me pak cërka pështyme nga Nietzsche-ja ose, fundja, edhe Weber-i. Ia pata gjetur dhe dhënë hua, dikur në fillim të viteve 1980, një kopje të Hyrjes në psikanalizë të Freud-it, të cilën – nëse e mbaj mend mirë – ai e filloi pak por e la pastaj përgjysmë, meqë sikur e humbi interesin. Një tjetër në vend të tij do ta kish gëllabëruar, qoftë edhe vetëm si simbol të kundërkulturës në Tiranën e atyre viteve.

Ishte, pra, natural në fushën e vet, lëvizte në kulturë si peshku në det, e dallonte të mirën dhe të bukurën vetvetiu dhe i pëlqente sakaq që ta bënte të vetën duka ua dhënë të tjerëve; teksa funksiononte si pikë referimi për shumëçka kulturore të mirëfilltë dhe sidomos ambicioze, në botën shqiptare. E tërhiqnin poezia dhe teatri, historia e letërsisë dhe e filologjisë shqipe; mes veprave që nxori nga dora së fundi, ishin një vëllim shqipërimesh të mrekullueshme, me art gjuhësor si të Nolit, të disa poezive erotike të Brecht-it; si dhe vepra e plotë e Ali Asllanit, të cilën e përgatiti për botim.

Një njeri që kërkon të duket, të bëjë emër për veten, të fitojë financime dhe favore nga politika, nuk merret me veprën e plotë të Ali Asllanit; as me erotikën e Brecht-it; dhe kaq mjafton do të mjaftonte për t’i bindur skeptikët, dhe ata që hanë pykë, se Dan Klosi kishte një pasion jashtëzakonisht të rrallë, për t’i shërbyer me përkushtim kulturës, gjuhës dhe arsimit shqip.

Kohët e fundit e mundonte edhe frika se mos botimet elektronike dhe përhapja e lexuesve numerikë, si Kindle, do t’ia shkatërronin pasionin e tij të madh – editorinë. Mbaj mend të kemi biseduar disa herë për këtë; unë isha më optimist, dhe besoja – sikurse edhe e kam shkruar këtu në blog – se botimet elektronike do t’ia rritnin vlerën librit si vepër arti, ose si kënaqësi shfletimi, letre, arome, teksture, dhe ilustrimesh; teksa do të ruanin pyjet nga motosharra e industrive të letrës. Sa për shqetësimin tjetër, se mos Interneti po e mësonte publikun me idenë se vlerat kulturore mund të ofrohen edhe falas, e kishim të dy gati përgjigjen: ç’e keqe i ka ardhur letërsisë deri më sot nga bibliotekat?

E akuzuan, me ashpërsi dhe ndonjëherë me keqdashje të paparë, për Skënderbeun e Schmitt-it; dhe akuzat i erdhën nga krahu që gjithnjë e më tepër kërkon të monopolizojë, me arrogancë, flamurin e patriotizmit dhe të atdhedashurisë.

Në të vërtetë, unë pakkënd kam njohur, mes atyre që kanë mundur të bëjnë diçka këtë periudhë, që t’i ketë shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve si ai: jo vetëm me përkthimet dhe botimet (është bashkautor deri edhe i një fjalori shumë të mirë gjermanisht-shqip), as vetëm me ngjarjet e shumta kulturore që organizonte, por edhe me angazhimin e tij në shoqërinë civile dhe në betejat qytetare për mbrojtjen e mjedisit – gjithnjë duke i qëndruar larg politikës; dhe në beteja të tjera, si ajo për ndriçimin e katastrofës së Gërdecit, ose përmirësimin e teksteve të shkollave publike.

Kush sheh listën e titujve që Klosi ka përkthyer dhe botuar, dhe të librave të tjerë që ka përgatitur (mjaft të përmend ribotimin e “Netëve pellazgjike,” të Reinholdt-it, ose një numër të madh antologjish të prozës); kush mat me sy vargun e ngjarjeve kulturore të promovuara e të ndërmjetësuara vetëm e vetëm nga vullneti dhe pasioni i tij, mund të përfytyrojë se çfarë i dhuroi ai publikut shqiptar, në krahasim me – bie fjala – katedrat universitare, publike dhe private, dhe institucionet që marrin fonde, tituj dhe mbrojtje nga shteti.

Natyrisht, Klosi nuk punonte me paratë që merrte nga babai. Kish vendosur lidhje të vetat, private, me fondacione dhe institucione të tjera anembanë botës, dhe i kish bindur të mbështetnin botime dhe veprimtari, të cilat, si rrallëherë në Shqipëri, konkretizoheshin. Paraja në Shqipëri është derdhur e madhe këto njëzet vjet, por të paktën ato pak fonde që ka marrë Klosi, si individ, i gjen sot të materializuara në vepra, ose në formimin intelektual të publikut dhe të brezit të ri.

Të gjitha këto, e bëjnë Dan Klosin të pazëvendësueshëm. Në përpjekjet e veta, ndonjëherë krejt ingrate, i qëllonte shpesh të ndeshej ballë për ballë me taborin e ziliqarëve, katundarëve të shpirtit, inatçinjve dhe urithëve, që kërkonin ta pengonin, meqë ky takëm njerëzish janë krijuar veç për të penguar, ose për të trupëzuar, në zellin e tyre prej krokodilësh, entropinë sociale. Këtyre u duhen shtuar pastaj edhe të gjithë ata të tjerët, që e mbuluan me lapërdhi, vetëm ngaqë përktheu dhe promovoi një libër që, sipas tyre, përdhoste figurën e Skënderbeut; dhe që e përdorën mllefin dhe vrerin e tyre shpesh të shtirur si pretekst, që të identifikoheshin pastaj faqeza si patriotë.

Ndonjërit prej tyre, që kushedi m’i lexon këto radhë tani, do t’i thoja që Dan Klosi është dhe do të mbetet mishërimi i shqiptarit patriot të vërtetë, që i shërben publikut të vet me pasion, jo duke u mbështjellë me flamurin kuqezi, as duke këputur të trasha për gjakun pellazgjik.

Do të kisha dashur, ndërkohë, që vetëvrasja e këtij njeriu të dashur e të afërt për shumë e shumë shqiptarë, anembanë botës, të mos integrohej menjëherë në logjikën e politikës, as të përdorej sakaq për të sulmuar pushtetin; sepse njerëz si Dani, me virtytet e tyre të rralla, por edhe me dobësitë e tyre të dhimbshme, janë gjithnjë të dënuar të mbeten vetëm, kur luftojnë me inercinë që i rrethon. Nuk ishte llumi, as urrejtja, as smira, as indiferenca e pushtetit që e vranë shokun tonë – por diçka tjetër; po aq entropike dhe e errët, por gjithsesi e tillë që nuk e kuptojmë dot, as duhet të guxojmë ta gjykojmë.

Lexoja këto ditë fjalët e mençura të një psikiatri, që shkruante: vetëvrasja ndodh, nuk është diçka që ka për autor viktimën; pa çka se mund të parandalohet, njëlloj si edhe shumë ndodhje të tjera: aksidenti me makinë, kanceri i mushkërive, ose goditja nga rrufeja. Por gjyqin njeriu, në raste të tilla, duhet ta nisë nga vetja, dhe unë e kam nisur ndërkohë, sikurse edhe shumë miq dhe të afërm të tjerë të Dan Klosit, megjithë vetëdijen se do të jetë gjithnjë vonë.

Pa Komente

  1. Gjej shkrimet e Xhaxhit si udherrefyese, ndihmojne, sqarojne, ndricojne, ngushellojne, me perforcojne bindjet e mia…
    E konsideroj fat mundesine qe njihem me to, nuk kam asnje koment per rastin konkret, ky shkrim u dha pergjigje pyetjeve qe me torturonin per kete vetevrasje.

  2. Me ka pikelluar pa mase ikja nga kjo bote e Adrian Klosit.Nuk e kam njohur nga afer por ka qene kaq i afert si njeri i kultures, si ze i spikatur intelektual, si modeli i qytetarit te angazhuar ne nje kohe plot dilema,sfida dhe peshtjellime. Te gjitha kauzat te cilave ju perkushtua do ti permblidhja ne : mbrojtje e mjedisit social-kulturor nga Ndotja dhe clirimi shoqerise nga Mitet. Pikellimit per ikjen e vullnetshme i bashkangjitet enigma e kesaj ikjeje: Mision i mbyllur apo Mision i pamundur? Me te drejte P.Zogaj shkruajti se nuk ka nje “kuti te zeze” per te na rrefyer shkaqet e vetevrasjes. Kersheria nuk eshte meskinitet, as gjykim por nje orvajtje per te kuptuar kumtin.Eshte nje shenje menyra e ikjes.Kam lexuar gjithcka qe eshte shkruar reth tij keto dite nga miqte, bashkepunetoret, ata qe e njohen nga afer e nga larg per te kuptuar dicka.
    Keqkuptimi, moskuptimi, zilia, cmira, indiferenca,goditjet, meskiniteti, ligesia .Te gjitha nga pak ose asnjera prej tyre.Ku ta dish.Largimi nga jeta ishte nje vendim ekskluzivisht i tij, sherbimet qe beri ne jete jane VLERE e perbashket e shoqerise.
    Klosin do ta konsideroja nje Kalores te fjales se lire me shpirt delikat.Fytyra e tij mbartete perhere nje pikellim te parrefyer.

  3. Une Klosin nuk e kam njohur personalisht dhe ajo qe vijon eshte nje opinion i nje njeriu qe e shikon nga jashte si shikues. Nje intelektual aktiv. Por nuk po ndalem ne te mirat qe ia kane rreshtuar ndoshta me se miri te tjeret. Po perpiqem te krijoj njefare balance te vleresimit per te.
    Mua si shikues me ka lene pershtypjen e nje njeriu te lecitur por qe me dellin per te kundershtuar shumeke dhe cfaredo tradhetonte nje kompleks te pakaluar adoleshencial. Kryesisht i qete ne debate televizive por i pakursyer ne cinizem dhe ne percmim.

    Vitet e fundit e gjeje kudo. Organizonte aktivitete te ndryshme te suksesshme artistike dhe kulturore nepermjet shoqates qe ai drejtonte por e tepronte me daljen ne skene vend e pavend. Te jepte pershtypjen se ne shoqaten e tij nuk kishte te tjere. Dilte e fliste edhe kur nuk kishte ndonje njohuri te madhe ne nje fushe te caktuar aq sa te vinte keq qe nje njeri i rafinuar si ai te ishte infektuar nga gangrena e intelektualeve shqiptar; mosdija e kufijve.

    Me kane lene gjithashtu pershtypje mbrojta e pakuptueshme qe i bente Edi Rames si kryetar bashkie edhe atehere kur politikave te tij u doli boja. E kuptueshme miqesia e tij me Ramen. E kuptueshme edhe perfshirja e nje intelektuali ne propaganden politike- nder te tjera Klosi ka shkruar nje fletushke zgjedhore reklamuese per te- por te mbrosh mikun tend me shume se e verteta ne njekohe qe per te kemi aq shume nevoje, kete nuk di si ta quaj. Afermendsh se nje kapacitet si Klosi i kuptonte argumentet kunder politikave te Rames. Ne keto raste pergjigjet e tij qe pergjithesisht ishin racionale kufizoheshin vetem ne cinizem te papjekur adoleshencial.

    Ndoshta po spekuloj e po guxoj te them qe Klosi qe intelektuali tipik i ketyre viteve. Flas per ata te vertetet e jo per ata pseudo. Dhe nese eshte keshtu atehere vjen vetvetiu pyetja tjeter. A eshte intelektualizma ne Shqiperi ne stadin e adoleshences?

  4. Një nga shokët e tij më të ngushtë në vitet e universitetit vinte nga një fshat i Kukësit – poet i hollë dhe njeri i mençur; por një snob me siguri nuk do ta kish bërë dot. E kam gjetur ndonjëherë kuksianin të ulur në tavolinë me Dan Klosin, në shtëpinë e këtij, të hanin supën e nxehtë që u kish gatuar Jolanda (nëna e Danit) – fare natyrshëm, madje edhe pa atë kënaqësinë vanitoze të dikujt që po i jep mikut të varfër të hajë.

    sa e tmerrshme kjo. kuksiani as emen nuk merrka, sikur meriton me u portretizu vec si nji fukara te cilin, ndryshe nga ti, klosi e paska meshiru.

    1. Ai tjetri është person privat, që sheh punën e vet – dhe nuk desha t’ia përmend emrin pa i marrë leje. Unë e quajta ‘poet i hollë dhe njeri i mençur’, ti thua ‘sikur meriton me u portretizu veç si nji fukara.’ Ty, M, të ka dënuar Perëndia të notosh në zift, nuk ke shpëtim.

      (http://tinyurl.com/73qd6rk)

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin