Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Ekonomi / Politikë / Sociologji

MBI PROTESTAT NË SHQIPËRI (II)

Klientelizmi

Protestat në Shqipëri janë gjithëpërfshirëse. Bie haptazi në sy një pjesëmarrje nga pothuaj të gjitha shtresat dhe grupmoshat, dhe një  nga thirrjet më dominante është: “Rama n’burg, Berisha n’burg”. Shqiptarët prej kohësh janë zhgënjyer nga ky sistem dypartiak. Pas çdo rasti korrupsioni (të cilët janë me dhjetëra), shumica prisnin ndonjë shpërthim të vërtetë të popullit. Megjithatë, asnjë prej rasteve paraardhëse nuk solli reagimin e pritur, dhe bisedat nëpër kafenetë e Tiranës mbusheshin me më tepër zhgënjim, si dhe me një lloj dorëzimi të heshtur.

Në zgjedhjet e vitit 2025, Partia Socialiste fitoi 83 nga 140 vende në Kuvend, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike fitoi 50. Shumë nuk e besonin dot që, ndonëse ankimet ndaj sistemit ishin të përditshme, ai doli sërish triumfues. Faji më i madh iu hodh opozitës si e dobësuar dhe  aspak frymëzuese, e udhëhequr nga një 80 – vjeçar,  aktiv në politikë që nga fillimi i viteve ‘90. (Shënim personal: Unë u largova nga Shqipëria në vitin 1995 dhe në atë kohë Berisha ishte president. Kur u ktheva, gati 30 vjet më vonë, ai është ende kryetari i partisë së tij dhe synon të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit.)  Ndonëse është e vërtetë që opozita është e dobët dhe Berisha mbetet një figurë shumë e diskutueshme, ka diçka më rrënjësore që nuk funksionon në politikën shqiptare, e që shtrihet përtej personaliteteve apo platformave politike të dy partive kryesore. Sistemi në vetvete është i ndërtuar rreth klientelizmit dhe është çuditërisht i qëndrueshëm ndaj sfidave të jashtme për një sërë arsyesh, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me mungesën e alternativave jo – klienteliste, cinizmin e votuesve dhe një makineri klienteliste të vajosur mirë.

Që Shqipëria është shtet klientelist, vështirë se mund të vihet në dyshim nga kushdo që ka jetuar këtu për më shumë se një vit, ose i ka kushtuar sadopak vëmendje nga jashtë vendit. Fjala patronazhist – që do të thotë një sekser i lidhur politikisht me pushtetin që ndërmjetëson midis votuesve, partisë dhe shtetit – dëgjohet shpesh në protesta dhe është kthyer tashmë në një term përbuzës. Por çfarë është saktësisht klientelizmi? Është një rend ku aksesi i qytetarëve te shërbimet shtetërore ndërmjetësohet politikisht nga patronazhistët. Në këtë rast, qytetari nuk e përjeton shtetin si garant i të drejtave të tij, por si distributor i këtyre të drejtave, dhe patronazhistët si xhandarët që kanë në dorë të japin akses te distributori, ose ta lënë pa gjë. Për të gjetur punë, për të nxjerrë një leje, për të siguruar një kontratë publike apo edhe për të zgjidhur një problem administrativ, shpesh duhet të njohësh dikë që njeh dikë që “të mbaron punë”.

Kështu, përkatësia politike lidhet ngushtë me funksionimin e përditshëm të shtetit. Në një shtet klientelist, qytetari nuk pyet çfarë thotë ligji, por si mund ta shfrytëzojë në interes të tij. Të drejtat qytetare kthehen në favore, ndërsa vendet e punës në shtet kthehen në shpërblime politike. Kjo krijon një mjedis ku marrëdhënia e individit me shtetin bëhet thjesht transaksionale dhe kalon përmes partive politike, jo përmes institucioneve dhe votës së lirë. Dhe kjo sigurisht shoqërohet nga një cmim i kripur, dhe nuk po flasim për atë monetar. Patronazhizmi, si dhe më poshtë, kthehet në një instrument shumë efikas për blerjen e votave.

Si shpjegohet që ky sistem është kaq i qëndrueshëm dhe çfarë duhet bërë për ta ndryshuar? Ngecja në një ekuilibër të dëmshëm është pështjelluese, sidomos kur të gjithë e dinë sa shkatërrues është. E megjithatë askush nuk arrin të dalë prej tij. Në këtë moment, mekanizmat e politikës shqiptare kanë ngecur në vend dhe protestat tregojnë se pothuajse të gjithë, madje edhe ata që dikur e votuan këtë system, janë lodhur prej tij.

Më lejoni të thellohem më tej në mënyrën se si funksionon klientelizmi shqiptar, që të kuptohet njëherë problemi e pastaj të shohim për ndonjë zgjidhje të mundshme.

Fillimisht, një përmbledhje e shkurtër për ata që e kanë kohën shumë të kufizuar. Së pari, shteti i lë qëllimisht rregullat e paqarta. Që një shtet klientelist të funksionojë, rregullat e lojës duhet të jenë të vështira për t’u kuptuar e për t’u ndjekur, në mënyrë që patronazhistët të bëhen të domosdoshëm. Nëse shteti do të funksiononte në bazë të disa rregullave të qarta, patronazhistët do të dilnin jashtë loje. Pra, kushti i domosdoshëm është që qasja e drejtpërdrejtë në shtet për përfitimin e të mirave publike duhet të jetë e vështirë, qoftë përmes një sërë pengesash ose përmes paqartësisë. Kjo u jep mundësi njerëzve me lidhje politike të monopolizojnë përfitimin nga këto të mira.

Si sigurohen patronazhistët që ju do të votoni për partinë e tyre? Hapi i parë është përpilimi i të dhënave paraprake të detajuara se kush varet nga shteti, një marrëdhënie varësie me votuesit në fjalë dhe, në fund, serviret argumenti klasik: “Nëse voton për ata të tjerët, kush e di në dorë të kujt bie? Bashkë njihemi, të kam zgjidhur shumë probleme”.

Supozojmë se votuesi e urren partinë në pushtet dhe dëshiron të ndryshojë krah. Por partia tjetër operon me të njëjtën logjikë. Kështu, konkurrenca politike nuk varet nga programi apo ideologjia, por nga sa i zoti është patronazhisti i lagjes. Votuesi nuk zgjedh për bindje ideologjike, as për të mirën kolektive. Ka parti më të vogla për të cilat mund të votosh, por ligji zgjedhor u vendos pengesa të rënda, kështu që vota mund të shkojë dëm. Për më tepër, votuesi nuk ka parë kurrë një parti ndryshe dhe, me kalimin e kohës, është bërë cinik. Kështu që, në fund rikthehet te patronazhisti i lagjes, edhe pse e di që ky është një sistem i kalbur. E gjithë kjo mbahet në këmbë nga korrupsioni dhe emërimet administrative, që i sigurojnë patronazhistit mjaftueshëm burime për të mbajtur veten në lojë. Kaq, me pak fjalë. Në vijim do t’ju jap një argument më të gjatë dhe më empirik, kështu që nëse keni kohë, vijoni leximin.

Nga e dimë ne që ekzistojnë patronazhistët? Ata që jetojnë në Shqipëri e dinë sepse jetojnë në Shqipëri. Në prill të vitit 2021, pak para zgjedhjeve parlamentare, media Lapsi.al [1] zbuloi një bazë të dhënash që përmbante informacione personale të rreth 910,000 votuesve në Qarkun e Tiranës. BIRN raportoi se baza e të dhënave supozohej se i përkiste Partisë Socialiste dhe përfshinte emra, adresa, datëlindje, numra identifikimi personal, të dhëna punësimi, të dhëna familjare, për kë kishin votuar në të kaluarën, preferenca të mundshme politike aktuale dhe shënime të shkruara nga zyrtarë të partisë. Çdo votuesi i qe caktuar një patronazhist. Hetimi i BIRN gjeti 910,061 rreshta në bazën e të dhënave dhe identifikoi 9,027 patronazhistë në të dhënat e Tiranës, afërsisht 1 për çdo 100 votues. Gjithashtu, ky hetim zbuloi se shumë prej tyre punonin në administratën publike.

Baza e të dhënave kishte të paktën 5 funksione. Së pari, personalizonte çdo votues. Për secilin prej tyre regjistrohej vendi i punës, familja, qendra e votimit, preferencat politike dhe vëzhguesi i caktuar nga partia (patronazhisti). Kjo e bënte votuesin të njohur për partinë. Së dyti, u ngarkonte përgjegjësi patronazhistëve dhe mundësonte që partia të kërkonte llogari për një familje, ndërtesë, apo rrugë të caktuar. Së treti, regjistronte nevojat dhe dobësitë e qytetarëve. BIRN raporton se kolona e shënimeve përfshinte informacione të tilla si: një qytetar që kërkonte punësim për gruan e tij, një patronazhist që ankohej se një qytetar nuk kishte votuar dhe as nuk e kishte falënderuar pasi kishte marrë titullin e pronësisë së banesës, një pronar biznesi që duhej të kontaktohej përmes punonjësve të tij dhe një qytetar, nëna e të cilit ishte e punësuar në bashki.

Së katërti, baza e të dhënave raportonte sjelljen shoqërore dhe politike jashtë kutisë së votimit. BIRN raporton shënime që i referoheshin profileve në Facebook, preferencave të mëparshme partiake dhe njerëzve që duhet të “mbaheshin nën vëzhgim”. Ky mekanizëm nuk mund ta shohë fletën e votimit drejtpërdrejt, kështu që lexon gjurmët shoqërore rreth saj.

Së pesti, mjegullon kufijtë midis shtetit dhe partisë. Polemika që pasoi ishte veçanërisht e ndezur, sepse disa të dhëna dukej të ishin marrë nga burime shtetërore. Për këtë arsye, Transparency International u kërkoi autoriteteve shqiptare të përcaktojnë nëse partia në pushtet kishte marrë të dhënat e votuesve nga regjistrat qeveritarë.

Le ta shqyrtojmë secilin mekanizëm veç e veç.

1.          Ujku mjegull do

Ta zëmë se ju dhe fqinji vendosni të rindërtoni gardhin ndarës që është rrënuar. Hidhni llacin, por inspektorët bashkiakë që po kalojnë “rastësisht” në rrugë, vijnë dhe ju kërkojnë lejen e ndërtimit. Leja kërkon një mal me dokumente: duhet marrë një inxhinier ndërtimi që të projektojë murin dhe të përcaktojë saktë kufijtë. Pastaj ai duhet të përgatisë një preventiv, që bashkia të llogarisë taksën. Më pas duhet të dorëzojë dokumentet e noterizuara në bashki dhe t’i ngarkojë të njëjtat dokumente në e-Albania (që shpesh gjendet e “hackeruar”). Pastaj bashkia duhet t’i miratojë dhe vetëm atëherë mund të fillojë puna. Që në hapin e parë e kuptoni se, edhe po t’i bëni të gjitha këto, dosja do të rrijë gjatë pa përgjigje sapo të mbërrijë në bashki dhe të ngarkohet në sistem. Atëherë shfaqet sërish patronazhisti i lagjes. Ai njeh njerëz në bashki. Mjafton t’i jepni dosjen dhe një “kafe” për mundin e tij dhe të punonjësve që duhet ta përshpejtojnë lejen; brenda pak ditësh mund të nisni ndërtimin. Më përpara mund të shkoje direkt dhe t’i jepje ryshfet punonjësit të bashkisë, por ai sistem ishte shumë i decentralizuar për partitë kryesore. Ato kishin nevojë të merrnin kontrollin në dorë, të cilin sot e ushtrojnë nëpërmjet patronazhistëve.

I gjithë sistemi mbështetet në kushtin që procedurat të jenë sa më të paqarta dhe të koklavitura për t’u ndjekur. Si armë të fundit, qeveria mund të urdhërojë vartësit e saj që të zvarrisin çdo lloj procedure, në mënyrë që qytetarët të jenë të varur nga patronazhistët.  Me pak fjalë, sistemi është i ndërtuar rreth patronazhistit. Askush në atë zinxhir nuk ka ndonjë nxitje për të ndryshuar sistemin. Qeveria nuk ka interes, sepse kështu fiton zgjedhjet, patronazhisti jeton prej sistemit, ndërsa punonjësi i bashkisë përfiton lekë dhe nuk ka asnjë shtysë për të bërë punën. Në fakt, çdo hallkë në këtë zinxhir nxit tjetrën për ta bërë sistemin sa më të vështirë dhe gllabërues për qytetarin. I vetmi person me ndonjë shtysë të vërtetë për të ndryshuar sistemin është vetë qytetari, por kostoja individuale është e papërballueshme.

2.          Partia tjetër është njësoj

Për kë të votoj?; kjo është ankesa e zakonshme dhe e arsyeshme e shqiptarit. Normalisht  e kuptueshme, pasi modeli është i njëjtë për të dyja partitë dhe konkurrenca politike nuk ka të bëjë me kush është më i zoti në qeverisje por kush është më i zoti në klientelizëm. Kur të dyja partitë kryesore janë klienteliste, votimet nuk u ofrojnë qytetarëve një alternativë ndaj patronazhizmit, por thjesht një zgjedhje midis dy patronazhistëve, ku ndryshon vetëm ngjyra e flamurit partiak. Partia Socialiste dhe ajo Demokratike nuk janë identike, por të dyja kanë funksionuar përmes rrjeteve klienteliste, patronazhistëve dhe shpërndarjes selektive të së mirave publike. Kjo ndryshon kuptimin e termit “kompetencë” në qeverisje. Në një sistem normal, votuesit pyesin se cila parti ka programin më të mirë për taksat, arsimin apo shëndetësinë. Në një sistem klientelist janë të detyruar të bëjnë një pyetje më oportuniste: cila parti mund t’i sigurojë të afërmit tim një punë, të më mbrojë biznesin, të më nxjerrë dokumentet, të më mbrojë nga “gjobat” etj.? Rezultati: partitë gjykohen më pak nga aftësia e tyre për të qeverisur sesa nga aksesi që të japin për të shfrytëzuar sistemin.

Një parti mund t’i duket elektoratit kompetente jo sepse është më efektive në qeverisje, por sepse ka më shumë patronazhistë, kontroll më të fortë mbi punësimin në sektorin publik, lidhje më të ngushta me biznesin dhe median si dhe një aftësi më të besueshme për të shpërblyer besnikërinë ose për të ndëshkuar devijimet. Votuesi që zgjedh një parti të tillë nuk është domosdoshmërisht naiv; ai mund ta kuptojë shumë mirë se sistemi është i dëmshëm. Megjithatë, brenda një rendi klientelist, kur vjen puna te votimi, shpesh përparësi ka nevoja për të mbijetuar  dhe jo programi.

A funksionon ky sistem? A nxjerr qytetari ndonjë përfitim nga kjo mënyrë votimi? Një studim i kohëve të fundit mbi zgjedhjet në Shqipëri thotë:

…mbështetja për partinë në pushtet rrit ndjeshëm gjasat për punësim dhe të ardhurat individuale. Ky përfitim në tregun e punës është veçanërisht i madh tek individët për të cilët angazhimi në fushatë është më pak i kushtueshëm, ndërkohë që vendet e punës për patronazhistët përqendrohen në pozicione më të ulëta të sektorit publik. Të dhënat administrative tregojnë gjithashtu se shpërndarja e vendeve të punës për mbështetësit e partisë lidhet ngushtë me një përqindje më të lartë votash për këtë parti.

3. Pengesa më të larta për partë e vogla

Atëherë lind pyetja: Pse nuk votojnë shqiptarët për parti të tjera, më të vogla? Pasi në këtë rast, dy partitë kryesore të vendit u bashkuan njëzëri në një moment jashtëzakonisht të rrallë “solidariteti” për të ndryshuar ligjin zgjedhor. Suprizuese kjo për ata që e njohin sadopak politikën shqiptare, pasi dihet se këto dy parti janë të afta të debatojnë edhe nëse toka është e sheshtë apo jo, aq i thellë është konflikti mes tyre. Megjithatë, për ligjin zgjedhor të dyja palët ranë dakord.

Sistemi zgjedhor në Shqipëri nuk e bën të pamundur ekzistencën e partive të vogla, por votën e dhënë këtyre partive e bën të duket si votë e hedhur dëm. Meqenëse deputetët zgjidhen përmes proporcionit të fituar brenda cdo zone elektorale (3% pragu minimal për parti, dhe 5% për koalicion) dhe jo në bazë të një përqindjeje totale në nivel kombëtar, strategjia e partive të vogla është të përqendrohen në disa zona specifike për të fituar vende në Kuvend. Në zona më të vogla zgjedhore, pragu efektiv mund të jetë shumë më i lartë se ai formal. Kjo krijon një presion të fuqishëm për votim strategjik. Një votues mund të simpatizojë një parti të re anti – klienteliste e megjithatë të arrijë në përfundimin se do ishte humbje vote të votonte për të, veçanërisht nëse mbështetësit e kësaj partie janë tejet të shpërndarë (gjeografikisht) për të siguruar pragun për votat përfaqësuese në Kuvend.

Rezultati i zgjedhjeve të vitit 2025 ilustron pikërisht këtë dinamikë: Ndonëse partitë e vogla së bashku morën rreth 12% të votës totale, mundën të siguronin vetëm 5% të deputetëve. Problemin e thellon edhe sjellja strategjike e votuesit. Rregullat zgjedhore e shtyjnë votuesin drejt pretendentëve që e kanë fitoren pothuaj të siguruar. Në Shqipëri, kjo logjikë përforcon duopolin klientelist: partitë e vogla shihen si të dobëta, kështu që votuesit i shmangin ato; dhe për shkak të kësaj shmangieje nga votuesit, vazhdojnë të mbeten të dobëta. Klientelizmi i bën alternativat realisht të rrezikshme, ndërsa sistemi zgjedhor i bën ato të duken të humbura elektoralisht.

4. Cinizmi

Këtu hyn në lojë historia e kohëve të fundit e Shqipërisë. Qytetari aktual nuk ka përjetuar ende një shtet që ofron të mira publike në mënyrë efikase dhe të drejtë, pa ndërhyrje për favore politike. Askujt nuk i kujtohet ndonjë periudhë e artë ku shteti në përgjithësi ka qenë funksional, ku prirjet politike individuale ose anëtarësimi në parti nuk ndryshonin trajtimin e individit nga shteti, si në aspektin profesional ashtu edhe atë social. Është e vështirë të bindësh dikë që nuk e ka përjetuar kurrë këtë, se një qeverisje tjetër është e mundur edhe për shqiptarët. Kjo sepse në këtë mjedis cinizmi është racional, edhe pse të gjithë e dinë se rezultati është i dëmshëm për të gjithë.

Të votosh për partitë e vogla përbën në vetvete një rrezik. Kush na garanton që nuk do të bëjnë saktësisht të njëjtën gjë si të vjetrat në momentin që vijnë në pushtet? Votuesve në këtë rast u kërkohet të rrezikojnë, dhe të ngrenë krye ndaj të vetmit sistem që kanë njohur prej kohësh. Nëse kanë mjaftueshëm për të humbur nga ky devijim, ky rrezik bëhet tërësisht frenues.

Klientelizmi mbijeton jo vetëm sepse nga njëra anë e imponojnë partitë, por sepse në të njëjtën kohë, shumë votues i janë përshtatur. Kur qytetarët kanë pak përvojë me një shtet që funksionon përmes rregullave neutrale dhe gjithëpërfshirëse, politika fillon të duket si një botë e përhershme lidhjesh, favoresh, pagesash informale, listash partiake dhe ndërhyrjesh personale. Votuesit mund të mos e pëlqejnë sistemin, por prapë besojnë se të gjitha partitë vjedhin, se premtimet kundër korrupsionit janë thjesht teatër, dhe se alternativat e pastra ose do të humbasin rrugës ose do të korruptohen sapo të vijnë në pushtet. Në këtë mjedis, një skandal thjesht konfirmon atë që votuesit tashmë e dinë; të gjithë janë të korruptuar. Pyetja përpara kutisë së votimit nuk është “kush është i pastër?” ose “kush do të qeverisë mirë?” por “kush mund të më ndihmojë, mbrojë, ofrojë ose të më japë dicka?”. Partitë reformiste duhet të bindin votuesit që një qeverisje me rregulla e bën klientelizmin të panevojshëm. Ndërkohë, partitë klienteliste mbijetojnë vetëm nëse votuesit besojnë se favoritizmi është i vetmi realitet. Kjo është arsyeja pse cinizmi stabilizon sistemin: ul pritshmëritë, normalizon varësinë dhe e bën klientelizmin të duket i pashmangshëm.

5. Korrupsioni

Shqipëria është përballur meka pasur disa raste mjaft të rënda korrupsioni. Kemi një ish – zëvendëskryeministër në arrati, të akuzuar për përvetësim të miliona eurove nga projektet publike. Një ish – zëvendëskryeministre tjetër që është akuzuar për shkelje të barazisë në tendera, imunitetin e së cilës Kuvendi refuzon ta heqë. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua dhe më vonë u dërgua në gjyq për korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe akuza për shpërdorim detyre. Një numër i madh ministrash, deputetësh dhe zyrtarësh të tjerë publikë ose janë akuzuar, ose po gjykohen, ose po dalin nga burgu, pasi diapazoni i dënimeve përcaktohet nga Kuvendi dhe çuditërisht, ato janë mjaft të lehta. Kjo nuk është rastësi në një sistem klientelist.

Korrupsioni është ai që e mban makinerinë në lëvizje. Klientelizmi kërkon burime për te’u shpërndarë: vende pune, kontrata, para në dorë, leje, mbrojtje, ndikim në media dhe favore. Korrupsioni i krijon këto burime duke e kthyer postin publik në një burim përfitimesh ekonomike, të cilat më pas mund të riciklohen në besnikëri politike. Kontratat e fryra, abuzimi me prokurimet, favoret ligjore, pagesat informale etj krijojnë para për fushata, shpërblime për patronazhistët dhe varësi midis politikës dhe biznesit. Një qeverisje e rregullt do ta bënte klientelizmin të vështirë sepse rregullat do të ishin të qarta, transparente dhe të zbatueshme. Një burokraci e korruptuar e bën klientelizmin më të lehtë sepse rregullat janë elastike për bashkëpunëtorët dhe të ngurta për kundërshtarët. Në këtë kuptim, korrupsioni nuk është thjesht një dështim moral ose një skandal i rastit; ai është lubrifikanti i shtetit klientelist, i cili i shndërron burimet publike në detyrime private dhe besnikëri politike.

Ja pra, kështu funksionon klientelizmi shqiptar. Njerëzit e kanë ditur prej kohësh por fakti që të gjithë po reagojnë tani, vite pasi rastet e korrupsionit vazhdojnë të dalin në shesh u zbuluan dhe u publikuan të dhënat e patronazhistëve, tregon se varfëria ekonomike e shkaktuar nga ky sistem ka arritur ku nuk mban më. Kjo është një protestë e mbështetur fuqishëm nga një brez i ri që nuk mbart cinizmin e prindërve të tyre dhe po e refuzon atë haptazi. Si e tillë, protesta ka tërhequr të gjithë brezat me shpresën se një Shqipëri e re është e mundur dhe ata kanë vendosur ta bëjnë realitet.

(c) 2026 Elton Dusha. Ky shkrim është versioni shqip i On the Albanian Protests II, botuar në këtë revistë më 11 qershor 2026. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


[1] Lidhja origjinale eshte zhdukur, perdora web archive per ta gjetur.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading