Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Sociologji

“HANDS OFF” NGA PROTESTA

Përgjatë ditëve të fundit, Tirana duket se po jeton ditët më të bukura të demokracisë. Të demokracisë, sepse në demokraci qytetarët kanë dy mënyra për të marrë pjesë në vendimmarrje; nëpërmjet votës në zgjedhje dhe nëpërmjet protestës. Protestat janë zgjatime të vendimmarrjes, atëherë kur demokracia përfaqësuese dështon të përfaqësojë interesat e grupeve të përjashtuara.

Ne si shoqëri, me Vjosën, Valbonën, Rrjollin, malet, lumenjtë dhe lagunat, krijuam frakturën sociale qendër–periferi (Seymour Martin Lipset & Stein Rokkan). Fraktura qendër–periferi është konflikti ndërmjet qeverisë qendrore dhe rajoneve ose komuniteteve periferike, i nxitur nga mosmarrëveshjet mbi autonominë dhe shpërndarjen e pushtetit politik. Frakturat qendër–periferi janë pjesë përbërëse e shoqërive moderne që prej Revolucionit të Dytë Industrial dhe mbeten karakteristikë e demokracive përfaqësuese. Në këtë protestë, kjo frakturë pasqyron sfidat e zhvillimit politik, ekonomik, social dhe kulturor, të cilat, në kushte normale, adresohen nga agjenda e partive politike.

Për vite me radhë, edhe në Shqipërinë e pas vitit 1992, sfidat e zhvillimit janë paraqitur si çështje që mund të zgjidhen nga partitë politike, herë duke u trajtuar si prioritete, e herë duke u thelluar për shkak të vendimmarrjes. Në këtë kontekst, mjedisi dhe natyra duket se e kanë prodhuar dhe ekspozuar më qartë këtë frakturë, sepse ato na përfshijnë të gjithëve: pronarë të tokës, vendimmarrës, studentë, bujq, fermerë, qytetarë, banorë, turistë, të pasur, të varfër, patriotë, emigrantë, studiues dhe ekologjistë.

Momente specifike, si ngjarja e datës 31 maj 2026, shënuan edhe nisjen e protestave masive në Tiranë. Ngjarje të tilla shpesh janë pikënisje të lëvizjeve sociale, si formë reagimi dhe organizimi kolektiv, që emërtohen si lëvizje sociale. Lëvizjet sociale janë rrjete informale dhe heterogjene, të bazuara në besime të përbashkëta dhe solidaritet, të cilat mobilizohen rreth çështjeve konfliktuale përmes përdorimit të shpeshtë të protestës (D. Della Porta). Në këtë rast, reflektimi i çdo problematike që mund të konsiderohet si çështje e drejtësisë sociale i bashkoi natyra. Natyra, sepse ndoshta është e vetmja që siguron vazhdimësinë e jetës dhe të shoqërisë.

Pse “Flamingo Revolution” është dhe duhet të konsiderohet lëvizje mjedisore?

‘Flamingo Revolution’, si një lëvizje sociale nëpërmjet protestës, karakterizohet përmes një cikli zhvillimi (Side. Së pari, ‘Flamingo Revolution’ e prodhoi konfliktin bazuar në pronën publike dhe private. Mes qartësimit të të drejtave mbi pronën, private apo publike bashkëshoqëruar me aprovimin e Ligjit Nr. 21/2024, u vendosën ndryshimet dhe shtesat në Ligjin Nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”. Shtesat dhe ndryshimet në këtë ligj zgjeruan hapësirat për ndërhyrjet në zonat e mbrojtura, duke rrezikuar ekosistemin pavarësisht klasifikimeve, interpretimeve dhe arsyetimeve. Për protestat e qershorit 2026, investimet dhe projektet, nën argumentimin e turizmit elitar, të justifikuara përmes këtyre ndryshimeve ligjore, u paralelizuan në Nartë dhe Rrjoll.

Së dyti, mobilizimi nga poshtë i protestës dhe përbërja heterogjene e grupeve të interesit, si ambientalistët, qytetarët, studentët, familjarët, fëmijët dhe aktivistët, përbën elementin më të rëndësishëm të lëvizjeve sociale. Të gjitha grupet e interesit, por edhe protestuesit spontanë, janë bashkë për të arritur një qëllim të përbashkët. Në këtë rast, zonat e mbrojtura dhe legjitimiteti i mënyrës se si do të vendosim për to. Aktivistët ambientalistë dhe ata përfaqësues të partive të vogla, me siguri, kanë punuar për një kohë të gjatë në mbrojtje të natyrës, si nga jashtë sistemit politik, ashtu edhe brenda tij. Pikërisht, vendimmarrja nga jashtë sistemit politik i ka munguar shoqërisë dhe demokracisë sonë.

Së treti, bashkëveprimi i aktivistëve, të rinjve, grupeve të interesit dhe pjesëmarrësve spontanë, si dhe shmangia e logove të partive politike për ditë me radhë, nxiti akoma më shumë rritjen e pjesëmarrësve nën thirrjen “Nesër më shumë”. Me siguri, kjo protestë shënon pjekurinë e sjelljes kolektive të shoqërisë sonë në këto 35 vite demokraci. Protesta ka treguar qëndrueshmëri dhe kujdes, duke mos shënuar as edhe një përplasje apo konflikt mes protestuesve. Madje, protestuesit janë kujdesur për të pastruar vendgrumbullimin, para Kryemisitrisë. Shembull i bashkëveprimit të protestuesve dhe pjesëmarrësve, protesta u artikulua kryesisht rreth pesë kërkesave:

1. Dorëhiqu.
2. Anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
3. Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorin strategjik.
4. Anulimin e Paketës së Maleve.
5. Anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare.

Së katërti, të parashikosh sjelljen kolektive të lëvizjeve duket sa e thjeshtë për t’u interpretuar dhe parashikuar, aq edhe e vështirë. Pasi as vetë protestuesit dhe vendimmarrësit nuk kanë aftësinë për të parashikuar sjelljen kolektive. Kështu, edhe në këtë lëvizje, për vendimmarrësit, protesta për zonat e mbrojtura dhe investimet megaluksoze me qëllim zhvillimin e turizmit elitar u konsideruan si një rast i lokalizuar dhe u injoruan. Ndërsa për vetë protestuesit, nga kundërshtimi i investimeve dhe mbrojtja e natyrës, kërkesat janë artikuluar në ndryshime radikale të elitës politike që ka mbizotëruar këto 35 vite.

Mikrofoni dhe podiumi i hapur për këtë lëvizje sociale është pika e fortë dhe e dobët e lëvizjes. Pika e fortë, pasi reflekton pjekuri të sjelljes kolektive. Mbajtja me radhë për të folur, duke shprehur çdo sfidë të demokracisë, që lidhet me korrupsionin, shëndetësinë, emigracionin dhe edukimin. Pika e dobët, pasi narrativa e protestës karakterizohet tashmë në shumë drejtime: shëndetësi, drejtësi, edukim, korrupsion dhe përjashtim i elitës politike. “Rama në burg, Berisha në burg” është thirrja që protesta kërkon llogaridhënie me të drejte për 35 vite demokraci. Për t’u theksuar, në këtë shkrim, thirrjet për sfidat dhe pakënaqësitë e 35 viteve demokraci, të ndërtuar pa përgjegjshmëri, nuk trajtohen për të minimizuar në asnjë moment rëndësinë e tyre, por përkundrazi, në këtë protestë këto sfida duhet të mësojmë që standardin e llogaridhënies në demokraci duhet ta vendosë vetë shoqëria, nëpërmjet ndikimit në vendimmarrje.

Këtu duhet treguar shumë kujdes, pasi çdo narrativë politike e mbivendosur në protestë është lehtësisht e manipulueshme, kryesisht nga partitë e mëdha politike. Për shembull, opozita, nën argumentin e mbështetjes së protestave qytetare, po fillon ta përvetësojë atë si pjesë të suksesit të saj. Kjo është lehtësisht e lexueshme në postimet e zyrtarëve të partisë opozitare në rrjetet sociale, me mbishkrime që nuk burojnë nga thirrjet e protestuesve, por i përshtaten qëllimeve të saj, për shembull: “Rama në burg”, “Rama jep dorëheqjen”. Nga ana tjetër, aktivistët e shoqërisë civile sërish po e përdorin protestën sipas agjendave të projekteve të tyre. Kjo është lehtësisht e lexueshme në praninë e tyre në protestë dhe në sugjerimet që ata kanë rreth saj. Shoqëria jonë ka mjaftueshëm shembuj për ta dëshmuar këtë.

Ndërkohë, protestuesit dhe gjenerata e re, e cila e ka zhvendosur protestën edhe në marshim përgjatë rrugëve të kryeqytetit, kërkojnë ndëshkim për qeverinë dhe opozitën, duke zgjedhur kështu mënyrën se si kërkohet llogari për 35 vite demokraci të ndërtuar pa përgjegjshmëri. Në këtë protestë, dimensioni gjithëpërfshirës i çdo grupi social që përbën shoqërinë tonë tregon se të gjithë po përfitojnë. Disa në të drejtë dhe disa padrejtësisht, përveç natyrës, flamingove, lumenjve, lagunave dhe maleve.

Megjithatë, lëvizjet sociale na tregojnë se konflikti, që mobilizon turmat e mëdha, zgjidhet duke ndikuar në vendimmarrje nga jashtë sistemit politik (protesta).Thënë ndryshe, teksa protesta kërkon zëvendësimin e elitës së vjetër politike me një elitë të re, shoqëria jonë ndoshta po harron të vendosë standardin e demokracisë: ndikimin në vendimmarrje atëherë kur elita politike dështon, legjitimitetin e ndikimit në vendimmarrje. Pra, shfuqizimin e ndryshimeve ligjore, që mobilizuan këtë protestë. Nëpërmjet ndikimit në vendimmarrje i rikujtohet elitës politike, të vjetër ose të re, sa herë gabon, se pushteti i vërtetë është pikërisht i grupeve të vogla të përjashtuara që përbëjnë shoqërinë.

Së fundmi, pasojat afatgjate të protestës. Pa dyshim, këto ditë të qershorit 2026 janë ndër më të bukurat për shoqërinë dhe demokracinë tonë. Ndoshta për herë të parë po i tregojmë botës, si është demokracia. E ardhmja do të gjykojnë çfarë po bëjmë mirë dhe, çfarë mund të bëjmë më mirë.

Ndërkohë, teksa protestojmë, përpiqemi të gjejmë “kokën” e protestës, elitën e re politike dhe zgjidhjen se si do të përfundojë protesta, po anashkalojmë flamingot që na mësuan se ne nuk jemi një shoqëri indiferente si ajo e para 31 majit 2026. Përfshirja në emocionet e turmës, që mbart të gjitha sfidat, po zhvendos vëmendjen nga ai qëllim për të cilin u nis protesta: ndikimi në vendimmarrje nga jashtë sistemit politik (protesta), tek ai standard i demokracisë që ne e “dështuam” për 35 vite. Ndërkohë që elitat e reja politike prodhohen, përzihen me ato të vjetrat, liderët politikë rigjenerohen dhe ndryshohen, partitë e reja politike zgjerojnë elektoratin e tyre, liderët politik në vend dhe jashtë vendit, ushtrojnë influencat e tyre, aktivistët arrijnë qëllimet e tyre, pronarët e tokave do të zotërojnë certifikatat e pronësisë, sfidat mbeten po aty. Shteti ndërkohë funksionon si pasojë e vendimeve që po merren (tokat bujqësore), vendimmarrja dhe pasoja mbartet në ardhmen. Flamingot, malet, lumenjtë, lagunat dhe demokracia mbeten sërish vetëm, të vetmet që nuk po përfitojnë nga protesta. Ndoshta, edhe këtë herë, do të duhej të ndikonim, të kërkonim llogari dhe të ndëshkonim. Derisa e pamundura të bëhet e mundur, për Demokracinë, për më të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

(c) 2026 Gilda Hoxha. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading