Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kujtime / Totalitarizëm

LISTAT PREJ SHTETIT

Im gjysh, nga ana e nënës, e kaloi jetën në mërgim – deri sa u kthye në Shqipëri në vitin 1972 për t’u riatdhesuar, por pa e pasur shumë idenë për sistemin “socialist”. Në SHBA kish bërë punë relativisht të thjeshta dhe para se të dilte në pension administronte një bar në Upper East Side në Manhattan. Kur rrinte në shtëpi me ne, i vinte ndonjëherë dëshira për të ndihmuar me punë të ndryshme, madje edhe për të na bërë “surprise”. Kish dëgjuar një ditë time më që thoshte se nuk ka më miell, dhe u nis të shkonte vetë në dyqanin e ushqimeve (“ushqimore”) për të blerë një pako. Futet në dyqan, shitësja e pret me mirësjellje, dhe ky i kërkon një kile miell. Dhe këtu shitësja e pyet nëse e kish emrin në listë. Në ç’listë? – e pyet gjyshi. Që disa ushqime shiteshin me listë, këtë nuk ia kish thënë kush. Si e keni emrin? – vazhdon shitësja, duke hapur defterin e listave. Po ç’të duhet emri tim moj zonjë – i thotë im gjysh, me sytë të ngulur te pakot e miellit në raft. Urdhëro paratë, më jep mallin!

Natyrisht, u kthye në shtëpi pa miell, sepse me shitësen nuk komunikuan dot. Ishin dy sisteme që përplaseshin, në mjegull – njëri i ndërtuar mbi paranë, tjetri mbi ekzekutimin e një privilegji ku paraja nuk ishte veçse pjesë e një rituali shoqërues, teksa anonimitetin e transaksionit monetar e zëvendësonte individualizimi (identifikimi) i blerësit nëpërmjet listës, si instancë e mbikëqyrjes nga shteti. Shumë nga më të rinjtë që i lexojnë këto radhë nuk do ta mbajnë mend që, duke filluar nga viti 1945, tregtia e sendeve ushqimore mbetej e kontrolluar, ngaqë nuk kish mall të mjaftueshëm. Në fillim ishte famëkeqja “triskë e Frontit”, e cila të jepte të drejtën për të blerë ushqime të thjeshta, por që jo të gjithë e kishin, sepse jo të gjithë ishin “anëtarë të Frontit Demokratik” (të deklasuarit përjashtoheshin). Pastaj u adoptua një sistem tjetër listash, mbi bazë të vendbanimit (lagjes). Mbaj mend që mielli, vaji i ullirit dhe orizi gjithnjë shiteshin “me listë”. Nga fundi i viteve 1970, edhe mishi (mishi i grirë, pula, sallami) u përfshi në sistemin e listës, dhe shpërndahej në mënyrë të kontrolluar, mëhallë për mëhallë. Njëlloj edhe kafja (hat tip Ben Dedja), teksa shtypi zyrtar i Partisë lëvdonte virtytet ushqimore të çikores. Nëse Triska e Frontit funksiononte si një lloj privilegji krejt “demokratik”, sa kohë që ata pa triskë mbeteshin të padukshëm, kish mallra të tjera konsumi që kërkonin një privilegj të një lloji tjetër – për shembull, në 5 maj e në ndonjë datë tjetër revolucionare, familjet e dëshmorëve përfitonin nga një listë e atyre që mund të blinin fruta – zakonisht mollë (!). Listat ndërmjetësonin, shpërndanin privilegje dhe kufizonin përdorimin e lirshëm të parave.

Edhe shpërndarja e pajisjeve elektro-shtëpiake, si frigoriferë, televizorë e makina larëse, bëhej me “autorizim” – që nuk ishte veçse leje që i jepej dikujt për të blerë. Nuk kish sferë të jetës sociale, që të përjashtohej nga ky sistem: edhe “fletët e kampit”, ose e drejta për të kaluar dy-tre javë në një kamp pushimi buzë detit ose në mal, kërkonin autorizim. Si nxënës e pastaj student, unë nuk nuk përfitoja dot nga kjo e drejtë, por në vitin 1978, kur përfundova stazhin njëvjeçar në prodhim, arrita të siguroj – me dy shokë të mi – një autorizim për të shkuar në kampin e punëtorëve në Theth.

Lista për të cilën flas ishte renditje e miratuar personash që përfitonin një privilegj; për moshën time, në fund të viteve 1970, privilegji më i synuar ishte një e drejtë studimi në universitet, e cila jepej në bazë të disa kritereve, si qëndrimi politik yti dhe i familjes, notat në shkollë dhe fakti nëse vëllezër a motra të tutë kishin përfituar apo jo tashmë të drejtë studimi. E mbaj mend mirë ditën kur e pashë veten në një listë të shtypur me makinë e të afishuar në derën prej xhami të një ndërtese që sot shërben si restorant qoftesh, te rruga e Kavajës: ishim katër emra, nga gjithë Tirana, që na kish dalë e drejta për të studiuar në degën gjuhë-letërsi. Kujtoj me trishtim të gjithë ata shokë e shoqe të gjimnazit, të cilëve e drejta e studimit nuk u doli fare, ose u doli në degë të papëlqyera; me të parët, sikur do të ndaheshim për së gjalli. Ëndrrat dhe dëshirat e tyre nuk i përfilli kush dhe rrugën përpara sikur ua bllokoi një mur absurd.

Vendimet për dhënien e të drejtave të studimit merreshin në hapësirat burokratike të Komitetit ekzekutiv e të Ministrisë së Arsimit; aty jetonin e punonin njerëz që, me seriozitetin që ua kërkonte roli, vendosnin e vulosnin për të ardhmen tënde, pa të lënë ty asnjë lloj hapësire për të qenë vetja. Veçanërisht për djemtë, refuzimi i të drejtës së studimit ndiqej nga “thirrja për ushtar” – e cila fillonte me qethjen e kokës në Degë dhe i frikësonte të gjithë. Por askush prej nesh nuk e dinte si merreshin tamam vendimet; dhe lista e afishuar vinte e merrte atribute mistike, si e shqiptuar nga shortari.

E mbaj mend mirë momentin kur e pashë emrin tim të afishuar në listë, edhe pse e prisja që “të më dilte e drejta për gjuhë-letërsi”; gjithsesi, afishimi publik i listës ishte njëfarësoj edhe sanksionimi formal i së ardhmes sime. Shumë gjëra që do të më ndodhnin më vonë u varën nga ai kah i udhëkryqit që lista kish zgjedhur për mua – madje edhe vetë fakti që jam ulur tani dhe i shkruaj këto radhë në shqip. Nuk jam i penduar për drejtimin që mori jeta ime, por nuk bëj dot paqe me arbitraritetin me të cilin u vendos – për mua dhe, praktikisht, për të gjithë të tjerët. Ky ishte edhe thelbi i sistemit totalitar – sado pushtet, pozicion social e privilegj të kishe, fati yt, lëvizja jote në fushën e lojës, do të vendosej nga dikush Tjetër. Kujtoj se njerëzve në ato vite nuk u lejohej deri as të ndërronin vendbanim – “pasaportizimi” në Tiranë arrihej me vështirësi të madhe, ndërsa kush jetonte në kryeqytet nuk pranonte të largohej dhe e përjetonte emërimin gjetiu si ndëshkim.

Edhe më të mbyllura e të padepërtueshme do të na dukeshin, vite më pas, listat e emërimeve – me vendet ku do të na çonin për të punuar pas mbarimit të universitetit; pa folur pastaj për listat aq të rralluara, të atyre pak fatlumëve që do të shkonin për t’u specializuar në Perëndim. Jashtë Tiranës dhe disa pak qyteteve të tjera, Shqipëria i frikësonte të gjithë me varfërinë dhe egërsinë e saj; të emëroheshe në një kantier në mes të maleve a në një minierë a në një shkollë në zona të thella i ngjante internimit. Kur isha student, qëllonte që ndonjë prej nesh dërgohej edhe për të studiuar jashtë – një privilegj i paimagjinueshëm, që kish nevojë për lidhje dhe influenca qiellore. Lista shërbente për të gjitha këto, si verdikt i gdhendur në mermerin e pushtetit.

Në momentet kyçe të jetës një të riu, lista do t’i kujtonte se fati i tij vendosej tjetërkund – larg vullnetit të tij dhe familjes. Paratë këtu nuk ngrinin peshë, as mirëqenia familjare – privilegji do të përgatitej në sekret dhe do të jepej gjithnjë në mënyrë arbitrare. Dhe çfarë ka edhe më shumë rëndësi, dalja e emrit tënd në një listë çfarëdo shënjonte njëherazi edhe mohimin e të drejtës sate për të zgjedhur mes alternativave. Ti mund të doje të studioje për matematikë, por të dilte e drejta e studimit për inxhinieri minierash ose agronomi. Vetëm një elitë fare e rralluar – me fëmijë të familjeve të kupolës politike – mund të shkonte dhe të studionte atje ku dëshironte, në shpërblim të shërbimeve të jashtëzakonshme të të atit. Veç shpërbërjes së ëndrrës sate konkrete, për një profesion që besoje se të përshtatej në perfeksion, dhimbte edhe pamundësia për të marrë një vendim për veten. Dalja e emrit tënd në një listë të tillë tregonte, vërtet, se shteti kujtohej për ty dhe të bënte vend në hapësirat e veta duke të urdhëruar; por njëherazi të bindte se lirinë tënde individuale mund ta realizoje vetëm duke ia refuzuar shtetit ngazëllimin.

Si bashkësi njësish relativisht të barasvlershme, në raport me një kriter specifik, lista detyrimisht krijon një “brenda” dhe një “jashtë”, duke i ndarë këto me mur. Natyrisht, jo të gjitha listat kanë të bëjnë me shpërndarjen e privilegjeve – sepse ka pasur edhe lista shpronësimesh, internimesh, dëbimesh dhe arrestimesh, sikurse ka pasur edhe lista pushkatimesh, si ajo e 22 intelektualëve që dënuan me vdekje, me akuzën e hedhjes së një bombe rudimentare, në oborrin e ambasadës sovjetike në Tiranë; dhe që u ekzekutuan më 26 shkurt 1951. Këtë listë sot mund ta gjesh në një libër historie ose në një enciklopedi; duke ia lexuar emrat, mund edhe të ngatërrohesh dhe të mendosh se është fjala për individë që përfituan ndonjë pension special, ose vizë për të udhëtuar jashtë. Shumë lehtë mund t’i përfytyroj disa nga këta emra në listën e të drejtave të studimit; ose në listën e votuesve në një qendër votimi me muzikë; ose edhe në listën e varreve të një varreze publike. Ai dokument virtual i dalë nga kopisteritë e zeza të terrorit totalitar kushedi mblodhi bashkë njerëz që edhe nuk e njihnin njëri-tjetrin, duke u premtuar se do të kishin rast dhe kohë që të njiheshin përtej. Hapësira “brenda” e kësaj liste nuk ishte veçse vendbanimi i vrasjes politike. Edhe një herë, shteti konstituohej para qytetarit në trajtën e një renditjeje mekanike sa të verbër, aq edhe fatale; duke i treguar gjithkujt të ardhmen që i kish rënë në short, në këtë botë dhe në tjetrën.

(c) 2026 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

1 Koment

  1. Me sa di unë, lista e 22 intelektualëve që u dënuan me vdekje, me akuzën e hedhjes së një bombe rudimentare, në oborrin e ambasadës sovjetike në Tiranë; dhe që u ekzekutuan më 26 shkurt 1951, ka këtë histori: Pas hedhjes së bombës rudimentare, në oborrin e ambasadës sovjetike në Tiranë; për t’iu përgjigjur “terrorit të bardhë” me “terror të kuq” (siç erdhi porosia nga Moska) lista e emrave që u përdor, nuk ishte shkruar nga ata që urdhëruan pushkatimin, të cilët e kishin të qartë se asnjëri nga ata të 22, s’kishte të bënte me bombën… Në mbrëmjen e Krishtlindjeve të vitit 194(?), kur i gjithë personeli i Legatës Angleze, që ndodhej diku para hyrjes së godinës së RTSH-së, shkoi për të festuar në Hotel Dajti, dikush(?) hyri aty ilegalisht dhe fotografoi një listë me emra… Ishte ajo që mbante në dorë Mehmet Shehu, atë natë kur po i hipnin në kamionin që po i çonte për t’i pushkatuar… Pra, fatkeqësisht, kishte edhe lista që, tjetër kush dhe për tjetër gjë i hartonte dhe, që të tjerë e për tjetër gjë, i egzekutonin…

Lini një Përgjigje te ilirmborja937f5e0e32Anuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin