Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

SHQIPJA E SHUMËFISHUAR (i)

Mishërime naive të rigjuhës së Orwell-it

Në romanin 1984 Orwell-i i prezanton lexuesit Rigjuhën (Newspeak), një version artificial i anglishtes, i dizajnuar nga ekspertët totalitarë për të kufizuar funksionet kognitive dhe penguar mendimet subversive – nëpërmjet reduktimit të fjalorit, krijimit të neologjizmave dhe thjeshtimit të gramatikës. Ideja është që kjo Rigjuhë do t’i bëjë idetë jo-ortodokse, si ato që kanë të bëjnë me lirinë ose rebelimin, konceptualisht të pamundshme për t’u shprehur.

Fjalori i rigjuhës ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që të jepte shprehjen e saktë, dhe shpesh atë më të hollësishmen, për çdo kuptim që dëshironte të shprehte drejt anëtari i Partisë, duke përjashtuar çdo kuptim tjetër, si dhe duke eliminuar mundësinë që të arrihej në një kuptim tjetër përmes mënyrave të ndërsjella. Deri diku, kjo arrihej duke shpikur fjalë të reja, por kryesisht duke eliminuar fjalë të padëshiruara dhe duke i zhveshur këto fjalë nga mbetjet e kuptimeve të padëshiruara dhe, aq sa ishte e mundur, nga çdo kuptim tjetër dytësor.[1]

Më pas, kur tregon disa rregullsi të fjalëformimit, që mishërohen në neologjizmat e rigjuhës, Orwell-i shkruan:

Mbiemrat prodhoheshin duke shtuar mbaresën –plotë pas emër-foljes, kurse ndajfoljet duke u shtuar parashtesën gjithë-. Kështu, për shembull, shpejtësiplotë kishte kuptimin e i/e shpejtë, kurse gjithëshpejt kishte kuptimin e me vrik. Disa prej mbiemrave, si i mirë, i fortë, i madh, i zi, i butë ishin ruajtur, por në një numër shumë të vogël. Përdorimi i tyre pothuaj nuk ishte fare i nevojshëm, pasi çdo kuptim mbiemëror mund të jepej duke shtuar –plotë pas një emër-foljeje. Asnjë nga ndajfoljet që njohim sot nuk ishte mbajtur, veç atyre që mbanin parashtesën gjithë-: përdorimi i saj ishte i pashmangshëm. Për shembull, fraza shumë mirë, u zëvendësua me gjithëmirë.

Për më tepër, çdo fjalë – në parim, ky rregull zbatohej për çdo fjalë të gjuhës – mund të bëhej negative duke i vendosur ndajshtesën mos-; mund të përforcohej duke vendosur ndajshtesën mbi-; ose, për t’i dhënë më shumë shprehje, dyherëmbi-. Kështu, për shembull, mosftohtë do të thoshte ngrohtë, kurse mbiftohtë dhe dyherëmbiftohtë do të thoshte, sipas rastit, shumë ftohtë dhe jashtëzakonisht ftohtë. Ashtu si edhe në anglishten e sotshme, ishte e mundur të ndryshohej kuptimi i pothuaj çdo fjale, duke vendosur ndajshtesat parafjalore, si: para-, pas-, mbi-, nën– etj.

Nëpërmjet këtyre mënyrave ishte gjetur mundësia për të arritur në një zvogëlim të jashtëzakonshëm të fjalorit. Duke qenë se ishte ruajtur, për shembull, fjala mirë, nuk nevojitej më fjala keq, për sa kohë kuptimi i kërkuar jepej më së miri – madje, shkëlqyer – me krijimin e ri mosmirë. Mbetej për të vendosur, atje ku dy fjalë krijonin një çift të natyrshëm të kundërtash, se cila prej tyre do të zhdukej. Errësirë, për shembull, mund të zëvendësohej nga mosdritë, ose dritë nga moserrësirë, në varësi të zgjedhjes së secilit.

Disa nga këto fantazmagori të Orwell-it kishin gjetur mishërim tashmë në rusishten totalitare të regjimit stalinist sovjetik, dhe autori kish rënë në kontakt me to, në një mënyrë a në një tjetër, gjatë qëndrimit të tij në Spanjën e Luftës Civile dhe marrëdhënieve të tij me aktivistët dhe agjentët e shumtë të Moskës, që ishin të pranishëm në radhët e Republikës. Njëlloj do të ketë njohur, autori, idenë se ndërhyrja në strukturat elementare të gjuhës mund të përdorej, në mënyrë profilaktike, për të moduluar ligjërimin dhe mendimin individual, duke i bërë të vështira ose të pamundura disa forma dhe mënyra të lirisë së shprehjes.

Megjithatë, fantazinë linguistike të Orwell-it e ushqeu edhe një rrethanë e biografisë së tij, e cila ka mbetur disi në hije: familjarizimi i tij me esperanton[2], lëvizjen esperantiste dhe marrëdhëniet e kësaj të fundit me regjimin sovjetik. Orwell-i filloi t’i kushtojë vëmendje Bashkimit Sovjetik gjatë qëndrimit të tij në Paris në vitin 1928, në shtëpinë e tezes së vet Elaine Kate Limouzin (Nellie) dhe partnerit të saj, esperantistit dhe komunistit francez Eugène Lanti. Edhe Nellie edhe Lanti ishin tejet aktivë në lëvizjen esperantiste, madje synonin ta përdornin esperanton për të promovuar luftën e klasave dhe komunizmin. Megjithatë, Lanti kish mbetur i zhgënjyer nga Bashkimi Sovjetik, që gjatë vizitës së tij të parë në 1922. Si anti-nacionalist parimor, ai shpresonte se një krijim artificial, si esperantoja, mund të shërbente si antidot për efektet e edukimit nacionalist në popujt e Europës, duke ndihmuar në krijimin e qytetarëve të botës. Lanti mendonte se, për të arritur këtë synim, esperantoja duhet të bëhej gjuha parësore e të gjithëve, duke i zëvendësuar gjuhët e tjera.

Orwell-i nuk mund t’i pranonte këto fantazi; madje esperantoja i dukej gjë pa jetë, mekanike, e thatë. Pat shkruar në 1944 se, “po të ndodhë ndonjëherë që një gjuhë të adoptohet si gjuha e dytë për botën mbarë, nuk ka fare gjasë që kjo të jetë një gjuhë e fabrikuar.” Në fakt, ideja për krijuesit e esperantos ish reduktimi i numrit të fjalëve rrënjë, duke modifikuar kuptimet përmes përdorimit të një larmie prefiksesh dhe sufiksesh. Ashtu, e kundërta e bona (“i mirë”, në esperanto) do të ishte malbona (“i pamirë”) dhe, në formën e vet të intensifikuar, malbonega (“shumë i pamirë”). Masha Karp, nga i cili i kam marrë këto të dhëna, e vëren menjëherë ndikimin e esperantos ndaj strukturave të Rigjuhës.[3]

Nëse Orwell-i e ruajti deri në fund një lloj alergjie ose refuzimi ndaj esperantos, si gjuhë artificiale, regjimet totalitare të kohës, edhe ai i Stalinit në BRSS, edhe ai i Hitler-it, në Gjermani, patën qëndrim tërësisht armiqësor ndaj kësaj gjuhe dhe promovuesve të saj: Hitleri, që te “Mein Kampf”, e denonconte si vegël të krijuar nga hebrenjtë, për dominimin hebraik të botës; ndërsa Stalini, në spastrimet e mëdha të viteve 1930, i dënoi masivisht esperantistët, si agjentë të fuqive të huaja dhe, më pas, si “kozmopolitë”.[4]

Pak e dinë, sot, se ka pasur në Shqipëri një lëvizje esperantiste, e cila u mbajt gjallë edhe në vitet më të errëta të izolimit totalitar. Esperanton në Shqipëri e sollën studentët nga Perëndimi; i pari esperantist mbahet Lazër Shantoja, një prift katolik, i cili e përdori në 1907. Pas vitit 1945, lëvizjen e mbajtën gjallë kryesisht ish-studentë të kthyer nga vendet e Lindjes – thuhet se edhe Cikli i kreshnikëve dhe Përrallat shqiptare janë përkthyer në atë gjuhë. Në vitet 1960, unë mbaj mend të kem parë të qarkullonte revistën El Popola Ĉinio, botimi në esperanto i një reviste propagandistike zyrtare, të Republikës Popullore të Kinës. Kam lexuar më pas se gjeje tek-tuk edhe një revistë të ngjashme nga Vietnami, Vjetnamio antae ŭnmarŝas. Në esperanto ishin përkthyer edhe veprat e plota të Maos, madje edhe Libri i Kuq! Esperantistët në Shqipërinë e atyre viteve ishin një grup enigmatik: toleroheshin, por nuk mbështeteshin. Një shok imi i gjimnazit më fliste gjithnjë për të vëllanë, që i përkiste atij grupi; ndonjëherë edhe më tregonte materiale të ndryshme në esperanto – si broshura, revista dhe libra. Me sa mbaj mend, ato vinin të gjitha nga Kina.[5]

Kur flasim për esperanton, një gjuhë që praktikohet sot e kësaj dite nga përdorues të përkushtuar, duhet të dallojmë mes synimit të saj, për t’u shndërruar në gjuhë të dytë universale për gjithnjë njerëzimit dhe ashtu për të ndihmuar paqen, mirëkuptimin dhe komunikimin mes popujve; dhe strukturës së saj artificiale, e cila lejon, mes të tjerash, shumëfishimin e leksikut sipas rregullave specifike. Ishte kjo karakteristikë e dytë, që e shqetësonte Orwell-in; ndryshe nga anti-esperantistët nazistë dhe stalinistë, që bezdiseshin nga natyra trans-nacionaliste e esperantos.

Kjo veti e një gjuhe artificiale, si esperantoja, për ta mbajtur leksikun të hapur ndaj “risive”, u kundërvihet gjuhëve natyrore, ku gjithnjë vepron e ashtuquajtura “normë leksikore”, në kuptimin që çdo folës është, potencialisht, në gjendje të thotë nëse një fjalë çfarëdo i përket apo jo gjuhës; ose, më ngushtë, një regjistri ose dialekti të caktuar të gjuhës. Ky tipar i gjuhëve natyrore shprehet edhe në dallimin që bëhet, nga gramatikanët, mes morfologjisë dhe fjalëformimit; prapashtesën e shumësit të shquar -t(ë) në shqipe mund ta marrë çdo emër; por jo çdo mbiemër i shqipes mund ta marrë prapashtesën -i (dhe variantet e saj -ri, -si) për të krijuar një emër abstrakt të cilësisë: krahas i mirë kemi mirësi, krahas i pjekur kemi pjekuri, por krahas i hedhur nuk kemi hedhuri. Nuk ka asgjë që ta pengojë, gramatikisht, formimin hedhurí; por fjala nuk është pjesë e pranuar e leksikut të shqipes.

Megjithatë, ka disa ndajshtesa të shqipes, si -im dhe -je, që formojnë emra veprimi nga tema foljore; dhe -s (-ues, -yes) që formojnë emra dhe mbiemra vepruesi gjithashtu nga tema foljore, të cilat janë përgjithësuar deri në atë shkallë, sa të sillen si të ishin të gramatikalizuara (të funksiononin si morfema gramatikore): nëse krahas mendoj, kemi mendim, dhe krahas mësoj kemi mësues, nuk do të na duket e pamundur që, edhe për një folje përndryshe për ne të panjohur, si *pelikoj, të mund të formojmë lirisht *pelikim (“veprimi kur përpunoj ose kur përpunohet diçka”) dhe *pelikues (“ai që merret me përpunimin e diçkaje”). Këtu mund të shtojmë edhe *pelikuese, si formën femërore (mocionale) të *pelikues. Fjalë të tilla, si pelikim, pelikues, pelikuese janë formalisht të rregullta në shqipe, me kusht që të ekzistonte folja pelikoj; por përndryshe, sa kohë që nuk gjenden instanca të përdorimit të tyre, do të mbeten fjalë të imagjinuara, artifakte, që mund t’i pranojë norma fjalëformuese (gramatikore), por jo norma leksikore.

Çdo gjuhë e standardizuar relativisht vonë, si shqipja, dhe me nevoja të mëdha terminologjike, e ndien të fortë tundimin për t’u pasuruar me mënyra të tilla – ose duke i mbingarkuar mjetet fjalëformuese. Një përparësi tjetër, që sjellin fjalë të tilla, është se ato i përkasin ekskluzivisht regjistrit të shqipes së njësuar (zakonisht të shkruar) dhe, si të tilla, janë të lira nga kokëçarjet gjeografike. Dhe, në fakt, formimet prapashtesore dhe, deri diku, kompozitat, janë treguar efikase edhe për “përkthimin” e fjalëve të huaja nëpërmjet kalkimit, ose përkthimit të pjesëve të tyre: indipendente – i pavarur, indipendenza – pavarësi, indipendentemente – pavarësisht, e kështu me radhë. Ekziston, për shembull, një rregull sado e pashkruar, që ndajfoljet me -mente të italishtes (dhe gjuhëve romane në përgjithësi) të jepen në shqipe me prapashtesën –(i)sht.

Këtu ndërhyn edhe faktori kulturor-kombëtarist, ose “nevoja” për të pasur një leksik sa më të pasur. Natyrisht, pasuria e një leksiku shfaqet në ligjërim, jo në kodifikimet leksikografike; paçka se numri i fjalëve në një fjalor gjithnjë është përdorur, dhe do të vazhdojë të përdoret, si tregues i bollëkut kulturor. Dhe këtu merr një rivlerësim të papritur edhe aftësia e disa ndajshtesave dhe, më gjerë, teknikave fjalëformuese, për të prodhuar praktikisht një numër të pafundëm njësish leksikore, si fjalë të mundshme; aftësi që përkthehet pastaj si tundim, mes leksikografëve, për të adoptuar rolin e dyshimtë të krijuesve të leksikut.

(vijon)

(c) 2026 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


[1] Këtu dhe më poshtë, pasazhet nga romani 1984 i kam cituar sipas botimit të Pegit, 2020, me përkthim të Sokol Çungës.

[2] Esperantoja është më e përhapura e gjuhëve artificiale në botë. E krijuar në 1887 nga L.L. Zamenhof, një okulist polak, ajo ka një gramatikë tërësisht të rregullt (pa përjashtime), shqiptim të tejdukshëm dhe një leksik me prejardhje nga gjuhët kryesore të Europës. Emri “esperanto” ka në atë gjuhë kuptimin “ai që shpreson”.

[3] Shih për këto Masha Karp, George Orwell and Russia, Bloomsbury Academic, 2023, veçanërisht kapitullin “The First Vaccination”, ff. 3-27.

[4] Fatin e esperantos dhe sidomos të esperantistëve – promovuesve të saj – në Bashkimin Sovjetik të Stalinit dhe në Gjermaninë e Hitlerit e ka përshkruar Ulrich Lins, në Dangerous Language — Esperanto under Hitler and Stalin, vol. 1 dhe 2, Palgrave Macmilan 2020.

[5] Historinë e lëvizjes esperantiste në Shqipëri e rrëfen në hollësi një monografi nga Bardhyl Selimi dhe Heide Otto, e cila mund të lexohet këtu. Prej andej i kam marrë edhe unë disa të dhëna që i përmend më lart.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin