Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

VJESHTA ËSHTË PRANVERA E DIMRIT

Një interpretim krahasues i poezive „Komm in den totgesagten park…“(Eja në parkun që thonë se ka vdekur) të Stefan George dhe „Në parkun që mbuluan fletët“ të Ismail Kadaresë

Shkrimin e kam titulluar me thënien e piktorit francez Henri de Toulouse-Lautrec: Vjeshta është pranvera e dimrit, thënie, që m’u duk e përshtatshme për tekstin e mëposhtëm. Në fakt vjeshta kaloi, por thënia vlen për vjeshtën që do të vijë dhe për vjeshtat e tjera. Siç bën të qartë nëntitulli ky shkrim synon një lexim, një interpretim të dy poezive të shkruara në kohë të ndryshme nga poetë të ndryshëm, të dy të mëdhenj me artin e tyre

Autorët: Stefan George (14. 07. 1868 – 04. 12. 1933) është poet lirik gjerman, fillimisht i drejtimit simbolist, në kufijtë e ndërrimit të shekujve rrëmbehet nga rryma e artit për art me themelues dhe përfaqësues Baudelaire, Verlaine, Mallarme, etj. Poezia „Komm in den Totgesagten Park und schau“ është përmbledhur në ciklin me poezi „Das Jahr der Seele“ (Viti i shpirtit) të botuar në vitin 1897.

Ismail Kadare (28. 01. 1936 – 1. 07. 2024); poeti ynë gjenial e ka lëvruar lirikën( dhe zhanre të tjera letrare) me origjinalitet dhe art të spikatur. Poezia e shqyrtuar është botuar në disa vëllime me poezi. Unë kam zgjedhur një variant të botuar në internet.

Në të gjitha epokat e jetës njerëzore vjeshta ka frymëzuar artistë të shquar, të vlerësuar e të imponuar me vepra plot atmosferë, ajër e dritë. Ndër të tjera është e njohur (si gjithnjë, për artin e veçantë) tablloja e mjeshtrit postimpresionist, Vincent van Gogh: „Park im Herbst“ (Parku në vjeshtë).

Van Gogh: Park im Herbst

Tekstet e poezive në shqyrtim:

Komm in den totgesagten park und schau:
Der schimmer ferner lächelnder gestade ·
Der reinen wolken unverhofftes blau
Erhellt die weiher und die bunten pfade.

Dort nimm das tiefe gelb · das weiche grau
Von birken und von buchs · der wind ist lau ·
Die späten rosen welkten noch nicht ganz ·
Erlese küsse sie und flicht den kranz ·

Vergiss auch diese lezten astern nicht ·
Den purpur um die ranken wilder reben
Und auch was übrig blieb von grünem leben
Verwinde leicht im herbstlichen gesicht

Përkthimi i lirë : Eja në parkun , që thonë se ka vdekur, dhe shih:/ Shkëlqimin e brigjeve të largëta që buzëqeshin/ blu-ja… e papritur e reve sterile/ndriçon pellgjet dhe shtigjet e larme. / Atje kundro (rrok) të verdhën e thellë …..Grinë e zbehtë/ të mështeknave dhe aheve, era është e lehtë (vakët)/ Trëndafilat e vonë nuk janë vyshkur krejt/ këputi ata, puthi dhe thuri kurorë/ Mos harro dhe asteret (ylloret) e vona/ Purpurin e degëve të hardhive të egra/ Gjithçka mbeti nga jeta e gjelbër/ mbijeton ende lehtë në fytyrën vjeshtore.

Në parkun q’e mbuluan fletët
Të dy ne ecim qetësisht,
Pas shijes saj ka shtruar vjeshta
Qilim të verdhë natyrisht.

Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë
Iu fanit një muzg i vonë
Ky park q’e kan’ mbuluar fletët
Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.

Nga vagabondët me cigare
Ti mos u tremb e dashur kot
Imazhin tënd as dinosaurët
Shekuj më parë s’e shtypën dot.

Që ti të vije kaq e bukur
Me këta flokë, me këtë hap
Toka të egrën klimë e zbuti
Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.

Dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe
Të ndodhte ndryshe s’kish se si.
U desh të zhdukeshin përbindëshat
Që te kjo botë të vije ti..

Siç shihet nga prezantimi i mësipërm i poezive diferenca hermeneutike (kohë – hapësirë – kulturë) është shumë e gjerë dhe e thellë. Por tematika e poezive është e afërt dhe e ngjashme. Skena, arena, ku gjëllin e zhvillohet ngjarja, substanca poetike është, në të dyja rastet, një park – në vjeshtë. Në të dyja rastet kemi një unë rrëfyes dhe një ti – bashkëbisedues; dy përjetues-soditës të tabllove që ofron stina midis verës dhe dimrit. Mjetet gjuhësore të shprehjes së raporteve kohore – hapësinore në tekst janë deiktikët e llojeve të ndryshme. Edhe mënyra e realizimit poetik – artistik: organizimi në rrokje, prezenca e rimës, ritmit etj. paraqet ngjashmëri dhe ofron mundësi të shumta krahasimi. Të dyja poezitë janë shkruar në stil lirik, i përkasin zhanrit Lyrik (lirikë). Kjo identifikohet, ndër të tjera, me një veçori të dukshme gjuhësore. Në lirikë gjuha rrjedh në dy rrafshe: në planin konjitiv – semantik dhe në atë afektiv-melodik. Këto dy plane në vjershërimin lirik veprojnë në një unitet të ngushtë. Duke trajtuar ndryshimin, dallimin midis poezisë lirike dhe prozës epike filozofi gjerman Hegel në „Vorlesungen über Ästhetik“ (Leksione mbi estetikën)[1], vë re se: autori i prozës (epike) prezanton në veprën e vet (mundësisht) me saktësi, me objektivitet botën e jashtme reale. Subjektiviteti është/mbetet dukuri sekondare; ndërsa në lirikë realiteti përreth është veç një sfond ku përshfaqet i spikatur subjektiviteti: Subjektiviteti i brendshëm është burimi i vërtetë i lirikës.(ebd. 429 )

Kur u njoha me poezinë e Stefan George-s “Eja në parkun e deklaruar të vdekur” m’u kujtua menjëherë, u hodha me asociacion te poezia e I. Kadaresë: “Në parkun që mbuluan fletët” (që e kisha njohur më parë). Çudi, mendova, poetët e mëdhenj takohen gjithnjë diku: në tematikë, në figuracion, në stil etj. Mendimi për t’i përqasur në ngjashmëritë e dallimet e tyre më ka ndjekur në vite, sidomos kur vjeshta më shfaqej në sy e në parafytyrim me origjinalitetin e saj: plot bukuri, nostalgji dhe melankoli. Poezia e S. George-s me artin, simbolikën, filozofinë, sugjestionin, që zgjon, më mbeti e pashlyer në tërë rrafshet konjitive-emocionale të ndërgjegjes. Dhe gjithnjë e përqasja (në mendime) parkun e George-s me parkun vjeshtor të poezisë së Kadaresë…Deri sa vendosa t’i krahasoj në këtë shkrim.

Duke kërkuar ngjashmëritë e dy poezive në pikëpamje poetologjike do të ndalesha e do të evidentoja: 

Entuziazmin lirik

S h ë n i m e: Termin, konceptin “entuziazëm” po e përdorim (jo vetëm) në kuptimin që i njeh atij Fjalori i Gjuhës Shqipe: “frymëzim i lartë, shfaqja e një ndjenje a frymëzimi të tillë, etj. (FGJSh, Tiranë 1984, f. 263). Shprehjen “Vjershërimi/poezia realizohet në një moment entuziazmi…”e kemi hasur në disa vepra. Ky koncept analizohet dhe në “Kraft. Ein Grundbegriff ästhetischer Anthropologie” të Christoph Menke, Frankfurt/M/Leipzig: Insel, Suhrkamp, 2008, Kap. IV). Sokrati do të shprehej: …“Te gjithë poetët e vërtetë të sagave të vjetra shprehen të entuziazmuar dhe „të dehur“ në poezitë e tyre…Poezia krijohet në çaste ‚dehjeje‘ dhe entuziazmi …“(Platon, Ion, Sämtliche Werke, Band I). Pak a shumë të njëjtin kuptim e gjejmë dhe në përshkrimin e përmbajtjes së këtij termi në fjalorin gjermanisht-gjermanisht: Langenscheidts Großwörterbuch, 2002, f. 130)

Entuziazmin, këtë dukuri të poetologjisë lirike edhe ne e kemi parë, e kemi vlerësuar si angazhim ekstrem për një objekt, si një interesim jo të zakonshëm për një dukuri. Si në vjershërimin e George-s ashtu dhe në atë të Kadaresë rrëfimtari lirik, i dhënë në poezi me deiktikun unë, i drejtohet parkut gjithë frymëzim, me një interesim intensiv të pazakontë. Ndikimi i natyrës vjeshtore merr një vërtetësi reale tek transmetohet nga instanca autoriale. Në një kuadër të tillë objekti i përshkrimit poetik te S. George-s: moti, vjeshta, parku dhe elemente të tjera të natyrës nuk janë vetëm kulisë e ndodhive reale – energjike, por marrin statusin e aktorit. Parku vetë është jo vetëm një vend, por dhe nxitës kujtimesh, emocionesh, reflektimesh. Edhe gjethet, lulet etj. simbolizojnë dukuri njerëzore-aktoriale. Tërë ansambli natyror-vjeshtor, çdo objekt i veçantë, i vizatuar me aq art e shprehësi shfaqen si aktorë, si figura ndikuese. Entuziazëm transmetohet dhe me ngjyrat ende të feksura dhe të gjalla në një realitet tjetër ngjyrash që po shuhen: blu, e larme, e verdhë, e gjelbër, gri …Ndërsa emri abstrakt purpur e jep me një theksim të veçantë ngjyrën aktuale të degëve të hardhive të egra. Entuziazëm përmbajnë dhe emetojnë format foljore në urdhërore. Kemi të bëjmë me një imperativ jashtëkohor. Vetëm në këto ndërtime shfaqet “bashkëbiseduesi – ti” kundrejt un-it rrëfyes. Duket sikur kemi të bëjmë me dy sfera të ndryshme eksperiencash: të unë dhe ti (jo unë). Por mënyra intensive e ligjërimit poetik vendos para un- it emocional dhe reflektues një partner bisedues pa veprim dhe pa veti, duke e përqëndruar veprimin te un-i ligjërues. Raportet intrasubjektive janë dukshëm më intensive, më emetuese nga ato intersubjektive (midis subjektesh pjesëmarrëse në ligjërim). Megjithatë thirrjet, si: komm! (eja) etj. sinjalizojnë dëshirën për një dialog ku të “shpërthejnë” emocionet e soditësit tjetër të ekzaltuar. Bukuria dhe emocioni që zhvillohen në zinxhirin e objekteve të përshkruara; nuk përbëjnë vetëm përshkrime statike por dhe një tregim dinamik. Krejt përshkrimi i parkut dëshmon për një krijim simbolik – estetik. Përtej objekteve, peizazheve, dukurive të vizatuara fshihet një kuptim tjetër- burim domethëniesh frymëzuese për jetën njerëzore. “Parku që po vdes” është kuptuar nga lexuesi i kohëve të ndryshme si simbol i jetës që e ruan kuptimin dhe bukurinë deri vonë, në “perëndim”. Entuziazmi për bukurinë e vjeshtës, për jetën që nuk shuhet krejt zgjon shumë asociacione. Të kujton thënie të spikatura si ato të Albert Camus: “Der Herbst ist ein zweiter Frühling, bei dem jedes Blatt eine Blüte ist… Wie schön die Blätter älter werden, voller Licht und Farbe sind ihre Letzten Tage. (Camus Zitate, Internet); (Përkthimi: Vjeshta është një pranverë e dytë, ku çdo fletë është një gonxhe…Sa bukur vjetërohen gjethet, plot ngjyra dhe dritë janë ditët e tyre të fundit). Po aq shumë entuziazëm buron dhe nga poezia e I. Kadaresë. Këtu entuziazmi ka të bëjë, së pari, me pikturimin skenik të një shëtitjeje – ecjeje në një mbrëmje vjeshte, në prag të errësimit, nga dy persona: ligjëruesi lirik dhe e adresuara, personi femër, që e shoqëron. Ndryshe nga realiteti poetik në krijimin e S. George-s, në poezinë e I. Kadaresë un-i lirik „vetëdeklarohet“, nuk zbulohet nga figura bashkëshoqëruese, por nga vetë realiteti poetik. Bota reale dhe ajo imagjinare interpretohen nga një pikë qendrore, poeti lirik. Ky pasqyrim nuk përmban më tipare krejt reale – objektive. Në të janë gjithnjë të pranishme veçanti të subjektivitetit të poetit. Edhe këtu vlen mirëfilli thënia e cituar më sipër e Hegel-it: „Subjektiviteti është burimi faktik i lirikës“ ( f.429). Për lirikun entuziast realiteti objektiv është veç një sfond i shpalosjes së subjektivitetit të tij. Këtu nuk ka simbolizëm, as sublimim, por dhe aspak natyralizëm. Të gjitha pasazhet e përshkruara (hapat në park, „qilimi“ i verdhë i gjetheve, vagabondët me cigare, fantazimi i epokave të shkuara etj.), tërë pjesët përbërëse të poezisë, me fokus të tashmen ose të shkuarën, momentet reale ose fantastike e përmbajnë entuziazmin spontan të një lirike të shkruar në çaste frymëzimi. Tek e fundit entuziazmi është frymëzim, ai e lind dhe e mban poezinë. Në krahasim me tekste të tjera të shkruara, tekstet lirike manifestojnë një lidhje të veçantë midis kuptimit dhe shprehjes së tij. Ndërsa tekstet në prozë e prezantojnë përmbajtjen e tyre në forma nga më të ndryshmet, pa e dëmtuar shprehësinë, poezia lirike dallohet për atë se forma nuk është diçka e jashtme, por një dukuri imanente, e cila përmban masën e emocionit që emeton poezia. Po qe se kuptimi dhe tingëllimi ose përmbajtja dhe forma labërgohen sado pak , po t‘i largoheshin njëra-tjetrës, poezia shpërbëhet. Në këtë hulli zhvillohet dhe mendimi i poetit lirik francez, Paul Valery në shkrimin e tij „Dichtkunst und abstraktes Denken“(Arti poetik dhe mendimi abstrakt). Krijimin lirik dhe mendimin abstrakt ai e paraqet si një proces ku gjendja psikike dhe ajo mendore janë në unison [2]. Për ta përmbyllur këtë syth mbi entuziazmin si tipar imanent, përherë prezent, në poezinë lirike, po ndalem pak dhe në një figurë tepër interesante të poezisë lirike, Gottfried Benn. Në shkrimin e tij “Probleme të lirikës” ai e shpall poezinë lirike si prodhim i një procesi, që sigurisht disponon edhe elemente iracionale… “Një poezi lind shumë rrallë – një poezi bëhet…Për lirikun fjala real dhe magjik janë një totem modern”.[3] (Benn IV, 335 f.) Për të ilustruar më tej rolin e entuziazmit si frymëzim në poezinë lirike mund t’i drejtohemi dhe I. Kadaresë në shkrimin e tij sa teorik aq dhe pasionant “Ftesë në studio”; Tiranë, 1990, f. 133 – 323).

Si teksti lirik i poezisë së I. Kadaresë, edhe ai i S. George-s e shfaqin entuziazmin me një larmi procedurash dhe mjetesh gjuhësore – estetike.

Muzikaliteti – një mjet i përbashkët poeticiteti

Në krijimet lirike muzikaliteti (jo në kuptimin e kompozimit) është një element i pamungueshëm. Muzikaliteti në poetologjinë lirike vlerësohet më shumë si plotësim i pacaktueshmërisë diskursive të tekstit me anë të veçorive akustike të prodhuara në të, që ndikojnë dukshëm në shprehësinë e një poezie. Analiza dëshmon që strukturat e theksuara tingëllore shoqërohen me një lloj dobësimi të përmbajtjes semantike të vargjeve. Tingujt, ritmi, intonacioni e shtyjnë poezinë kah hapja (nevoja për interpretim). Janë disa elemente gjuhësore që krijojnë te recipienti përshtypjen se kanë lidhje me muzikën. Si të tilla do të përmendnim: ndërtimin strofik, rimën, ritmin, intonacionin, enjambement, pikësimimin etj. Poezia “Komm in den totgesagten Park…”(S. George) përbëhet nga tri strofa katërvargjëshe. Rima ështe e ndryshme nga strofa në strofë: ab ab; aa cc; de ed. Një veçori stili e George-s ështe dhe shkrimi i emrave me shkronjë të vogël, ndërsa në gjuhën gjermane të gjithë emrat shkruhen me shkronja të mëdha… Poezia e I. Kadaresë “Në parkun që mbuluan fletët” ndërtohet nga pesë strofa katërvargjëshe. Vargjet rimojnë sipas skemave: ab cb; ab cb; ab cb; ab cb (asonancë); ab cb.

Shënim: Rima luan një rol të rëndësishën në muzikalitetin e poezisë. Por ka raste, sigurisht ka raste, kur lirika tingëllon, e përmban muzikalitetin karakteristik edhe me vargje të thyera: pa rimë, pa sasi të njëjta rrokjesh në vargje… P. Sh.: Poema e Majakovskit “Re në pantallona”, e shkruar me stil futurist, me vargje të thyera, me gjatësi të ndryshme, me ritëm të lirë…, emeton gjithashtu muzikalitet: – Do (të) vij në katër,- tha Maria/ Ora tetë./ Nëntë,/ Dhjetë…Ora ra dymbëdhjetë/ si koka/ nga trupi i një të ekzekutuari. (Internet) Ne çfarëdolloj deklamimi/recitimi/leximi tingëllimi muzikor i vargjeve të tilla nuk mungon.

Muzikaliteti i perceptuar akustikisht si një dukuri e rendit estetik është një mjet specifik për konceptimin dhe interpretimin e poezive lirike. Një mjet me akcent të veçantë stilistik, që prodhon muzikë, (në dy poezitë që po analizojmë) është përsëritja: përsëritjet nuk kanë vetëm peshë tematike, por edhe vlerë tingëllore. Në poezinë e George-s “Komm in den totgesagten Park…” përsëritet në çdo strofë forma foljore në urdhërore (komm ‘eja’; nimm ‘merr’; erlese ‘zgjidh’; küsse ‘puth’; flicht den Kranz ‘bëj kurorë’; vergiss nicht ‘mos harro’). Urdhërorja këtu është një kërkesë – thirrje drejtuar një adresati të paspecifikuar qartë, por që shënohet me ti (nisur nga forma foljore në urdhërore). Personi, që thirret në këtë shëtitje soditëse, ftohet të shikojë e të admirojë jetën dhe bukuritë që gjëllijnë ende në një park të deklaruar të vdekur (totgesagt). E ngjashme më përsëritjen është dukuria e variacionit. Kjo mënyrë ka të bëjë me përsëritjen me ndryshime të sekuencave të mëparshme. Në poezinë e I. Kadaresë “Në parkun që mbuluan fletët” variacioni shfaqet si mjet stilistik me funksion theksimi e përforcimi. Shembuj: Në parkun që mbuluan fletët (strofa I, vargu 1); Ky park që e kanë mbuluar fletët (strofa II, vargu 3); Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe (strofa V, vargu 1); Të ndodhte ndryshe s’kish se si (strofa V, vargu 2) Fjalitë qëllimore: Që ti të vije kaq e bukur (strofa IV, vargu 1); Që te kjo botë të vije ti (strofa V, vargu 4). Nisur dhe nga mendimi e konkluzioni i A. Schopenhauer[4] për rolin e tonalitetit në komunikimin me materie gjuhësore, i kemi parë poezitë në shqyrtim dhe si pjesë të recituara. Të dyja poezitë kanë tërhequr gjithnjë deklamues, gjë që flet për forcën e tyre tërheqëse dhe vlerën e lartë artistike. Fjala lirike e shtrin ndikimin e saj nga veshi deri në shpirt. Duke kërkuar të zbuloj rolin e muzikalitetit në rrafshin e deklamimit, realizimin individual-receptiv të përbërësve muzikorë të poezisë, ndesha dhe këtu (si në një vrojtim të mëparshëm) një fenomen unik. Si recituesi gjerman, F. S. me poezinë e George-s dhe recituesi shqiptar (që nuk i botohet emri) me poezinë e Kadaresë, përpiqen të emetojnë në kompleks atë që ka përçuar tek ata poezia. Recitimet e dëgjuara u ngjajnë më tepër monologëve dramatikë me efekte momentane, rrethuar me një tis të përgjithshëm sentimental që transmetohet me zë të ulët, me pauza të zgjatura, me muzikalitet të varfër. (Ne nuk kemi ende studime të mjaftueshme për stilin recitativ të poezive lirike, siç kemi për stilin prozaik- dramatik). Tisi sentimental, që shoqëron recitimet, në të dy rastet, shfaqet me një lloj zvarritjeje shqiptimore, nga fjala në fjalë, nga vargu në varg, nga strofa në strofë , duke penguar shpërthimin e atij vibracioni të brendshëm të ritmit, veçori tipike e poezisë lirike. Recituesi i poezive lirike duhet të prezantohet ndryshe nga deklamuesi i pjesëve dramatike. Nisur nga recitimet e dy teksteve në vëzhgim, nga mesazhet, që ato transmetojnë dhe nga receptimi personal i të dyja poezive, mund të them që poezia lirike fsheh mesazhe e kumte të cilat vetëm poetët- autorë mund t’í shprehin. Edhe rectimi ka artin e vet që buron nga të njëjtat instikte si vetë lindja e poezisë.

Kompozimi, vënia në muzikë

Tekstet lirike kompozohen dhe këndohen shpesh. Lirika me strukturat e spikatura intonacionore-estetike i afrohet muzikës. Poezia e I. Kadaresë “Në parkun që mbuluan fletët” është vënë në muzikë nga Gjergj Leka. Kompozitori me zërin dhe muzikën ndikon në tekstin poetik duke prodhuar më shumë ndjenjë dhe tërheqje emocionale. Teoria mbi ndikimin e recipientit ndaj tekstit, që analizohet ose përpunohet/kompozohet, vë në dukje që edhe receptuesi (sidomos analizuesi dhe përpunuesi) mund të ushtrojë forcë, ndikim estetik ndaj materialit origjinal. Poezinë e S. George-s e ka vënë në muzikë kompozitori gjerman Burkhart M. Schürmann. Kompozimi i tij është një pjesë polifonike dhe mbahet si vepra më e mirë korale e këtij autori. Këtu ai shfrytëzon shumësinë tingëllore të një kori me gjashtë zëra për të dhënë realitetin poetik të ngjyrave, formave, mbijetesës etj. Mbështetur në tekstualitetet e dalluara sipas përbërësve emocionalë që emeton teksti, muzika shpreh herë ngjyra të ndritura (me anë zërash të caktuara: soprano/alto); herë ngjyra të zymta; këtë herë me zëra specifikë: bariton/bas. Kënga, në të dy rastet, emeton emocione të reja. Ajo ia shton magjinë dhe enigmën tekstit fillestar. Transmetimi i mesazheve bëhet me dyfishimin e mediumeve: krahas materies gjuhësore aktivizohet dhe ajo tingëllore-muzikore. Ajo përbën një rrafsh të ri, më të lartë refleksioni.

Peizazhi deiktik

është i pamungueshëm në poezitë lirike. Koncepti ynë mbi kategorinë e deiktikëve (si dhe në shkrime të tjera) mbështetet, kryesisht, në teorinë e Karl Bühler.[5]

Sh ë n i m e: Me zbulimin e tij Bühler mundëson ndarjen, dallimin e klasës së fjalëve emërtuese nga ato treguese (Nennen dhe Zeigen/ të emërtuarit-të treguarit). Synimi i tij është që të dëshmojë se të treguarit në pikëpamje gjuhësore paraqet një lidhje fondamentale me realitetin, njëkohësisht formon një kornizë për raportet e shprehura me fjalë emërtuese. Duke instaluar aftësinë tonë orientuese në perceptimin e dukurive dhe objekteve të realitetit, ne e inkuadrojmë atë, në vend të pafundësisë kemi situata të rrokshme. Pikën nga niset folësi në perceptimin e botës Bühler e quan „origo“. Përbërës të „origo“janë: unë, këtu, tani. Vetëm në lidhje me përbërësit e origo kemi ti, ai; pastaj, atje. Pafundësia e botës limitohet. Një studiues filozof dhe pasionant i kategorisë së deiktikëve është dhe Dietrich Krusche. (Zeigen im Text “Të treguarit në tekst, Würzburg, 2001). Ai e zhvillon më tej teorinë e „fushave“ të Bühler-it si dhe konceptin e Konrad Ehlich të prezantuar në „Deiktische und phorische Prozeduren beim literarischen Erzählen in Erzählforschung (Procedura deiktike dhe forike në tregimin letrar). [6]. D. Krusche unifikon vëzhgimin teoriko-gjuhësor me analizën letrare – shkencore. Ai operon me terma-koncept, si: Personaldeixis (deiktikë përemërorë): unë, ti, ne ju si dhe morfemat përkatëse të fleksionit;Raumdeixis (deiktikë hapësinorë): këtu, atje etj.; Zeitdeixis (deiktikë kohorë): tani, pastaj etj.; përfshi dhe morfemat kohore; Objektdeixis (deiktikë objektorë): këtë, atë(referojnë në objekte); Modaldeixis (deiktikë mënyrorë) (kështu, ashtu …); Textdeixis (deiktikë tekstorë) (anaforikë, kataforikë). Organizimi (me origjinalitet) i deiktikëve nga Krusche, vënia e theksit mbi dimensionin e tyre ndikues-estetik, është një skemë e profilizuar, e modeluar mjaft mirë për t’u përdorur në shkrime dhe analizime tekstesh letrare-artistike.

Të shohim tani konkretisht pasurinë deiktike të poezive në vëzhgim. Deiktikët më të përdorshëm në të dyja poezitë janë unë- ich, ti -du. Te I. Kadare elementi deiktik unë gjuhësisht shfaqet i përfshirë në përemrin e vetës së parë shumës ne (unë dheti). Në letërsi pozicionimi i un-it është krejt i ndryshëm nga ai në rrëfimet e përditshme. Nëpërmjet tij autori mund të marrë një rol, mund të jetë personazh i krijimit të vet. Kështu ai nuk është më autor, por rrëfyes. Subjekti fiktiv i ndërtuar bëhet organi njohës- receptiv i botës së parafytyruar me të gjitha implikacionet që sjell ajo. Në poezinë e S. George un-i ligjërues, jepet si zë lirik, indirekt nëpërmjet ti (du), bashëbiseduesit. Por dhe bashkëbiseduesi nuk shfaqet direkt, nuk jepet shprehimisht, me anë të deiktikut ti (du). Ai nënkuptohet/mund të lexohet lehtësisht në format urdhërore të foljeve: eja, shih, merr, …Edhe pse urdhërorja nuk i përket bllokut deiktik, merr vlera deiktike duke përfaqësuar dhe ti (du) që mungon. Mbaresat foljore kohore në shumicën e rasteve sinjalizojnë të tashmen. Dy forma të së pakryerës welkten dheübrig blieb, që do të përktheheshin me forma të së kryerës: ‚janë vyshkur“, „ka mbetur“, shenjojnë gjurmët e fundit të një stine tjetër. Përmbajtja e tekstit instalohet në kufirin verë – vjeshtë. Vetëm në vargun e fundit shfaqet fjala herbstlich- herblichsten Gesicht (fytyrë vjeshtore). Kështu vera ka qenë pranë dhe tani është larg. Deiktiku dort (atje) sinjalizon distancë nga dy aktorët – persona, që shëtisin nëpër park (rrëfyesi – zëri lirik dhe i ftuari, ose e ftuara. Poezia nuk e jep të qartë nëse bëhet fjalë për një të apostrofuar mashkull apo femër). Për të dhënë idenë e lëvizjes nëpër park teksti përmban dhe deiktikun diese (këtë ) që shoqëron emra objektesh, këtë herë në afërsi të figurave, vizitorëve të parkut. Folja komm (eja) në fillimin e poezisë, si në gjermanisht dhe në shqip, ka kuptim deiktik. Me kuptimin e saj ajo synon të afrojë, të sjellë bashkëfolësin nga një distancë e papërcaktuar te folësi. Në çdo strofë (1-3) kemi nga një element deiktik (komm, dort, diese – eja, atje, këto). Edhe pse të pakët, këta deiktikë shenjojnë dhe shprehin qartë dhe mjaftueshëm raporte hapësinore. Po t’i shqyrtojmë bashkëlidhjet me njësitë emërtuese (njësi treguese + njësi emertuese), në raport me ligjëruesin, do të pohonim se deiktikët e përdorur këtu janë demonstratio ad okulos (emërtim i Bühler)Brigjet, retë, pellgjet, shtigjetjanë objekte që gjenden në një hapësirë të përbashkët folës-bashkëfolës. Në strofën e dytë deiktiku dort (atje) orienton vizitorët e parkut (dhe lexuesit) në një zonë disi „më tej“ nga vendndodhja e rrëfyesit lirik. Në strofën e tretë deiktiku diese (këto) bën që objektet të shfaqen dhe të receptohen në afërsi të un-it lirik, të vizitorit shoqërues dhe lexuesit. Kundërvënia deiktike dort – diese (atje – këto) jep dhe idenë e lëvizjes nëpër park. 

Në poezinë e I.Kadaresë “Në parkun që mbuluan fletët“ instanca rrëfyese, un-i lirik, ngjet shumë dhe ndryshon shumë nga un-i empirik (shkrimtari). Ashtu si në poezinë e S. George-s, un-i lirik është njëkohësisht përjetues i historisë dhe rrëfyes i saj. Duke bërë dallimim midis un-it empirik dhe atij lirik Umberto Eco do të shprehej: „Dallimi midis tyre ka të bëjë me ndryshimin midis një personi konkret dhe një përdoruesi të gjuhës si mjet shprehës (poetik)“[7]. Edhe te I. Kadareja kemi të njëjtin ndryshim shkrimtar vs. rrëfyes. Eksperiencat, mendimet, ndjenjat e autorit humbin autenticitetin gjatë përpunimit të stofit poetik nga un-i ligjërues të quajtur dhe „maskë poetike“. Natyra artistike e veprës letrare i mundëson rrëfyesit vlera që autori nuk mund t’i ketë. Edhe pse njëherë i shënuar, i përfshirë te ne ( Të dy ne ecim qetësisht), ligjëruesi te I. Kadare identifikohet si një spektër funksionesh. Si dhe zëri lirik i S. George-s, edhe un-i te I. Kadare është njëkohësisht një kozmos ndjenjash, një botë komplekse imagjinate, qendër perceptimesh sensuale…

Elementi deiktik ti që shfaqet shpesh: në strofën II, III, IV, V, në strofën III del dhe në formën posesive tënd. Po në strofën III: Ti mos u tremb e dashur kot…deiktiku ti lexohet në formën urdhërore të foljes trembem. Përdorimi i dendur i këtij deiktiku ndodh për të dhënë një lidhje dhe një afëri të un-it lirik ndaj personit që teksti na e sjell si të dashurën e tij. Afërsia njerëzore dhe afëria hapësinore shprehet dhe me përdorimin e formave: kaq ( kaq e bukur); këta (këta flokë); këtë (këtë hap). Vlera e tyre deiktike del qartë në ballafaqimin me ndërtime ku në vend të elementit deiktik k(ë) shfaqet a – aq, ato, atë. Vetëm një ndryshim k… a… dhe objekti i treguar i largohet syrit dhe vëmendjes. Një dukuri interesante në tekstin e I. Kadaresë ndodh në strofën II, vargu 2: Iu fanit (atij)një muzg i vonë ku un-i empirik ndërhyn dhe drejton imagjinatën e agjentit të tij lirik. Nuk kemi këtu raportin ligjërues – bashkëbisedues, unë – ti, por autor – rrëfyes/ligjërues: autor – ai (atij – iu fanit një muzg i vonë). Kjo mënyrë angazhimi e autorit ka lehtësuar kalimin në pasazhe të tjera, në parafytyrime fantastike që alternohen rregullisht me skena reale: Që ti të vije kaq e bukur/me këta flokë, me këtë hap/(pasazhe reale);toka të egrën klimë zbuti/dhe akullnajat ktheu mbrapsht (pasazhe fantazie). Aktivizohen deiktikët am Phantasma (emërtim sipas teorisë dhe koncepteve të Bühler). Arti poetik synon që edhe lexuesi të aktivizojë fantazinë për të rrokur pamjet e ofruara me përbindësha dhe dinozaurë. Ekzistenca e deiktikëve, si në pjesën e poezisë me dominancë reale, ashtu dhe në atë, ku ndërhyn imagjinata, tregon se një analizë, pa marrë parasysh praninë dhe rolin e tyre, nuk të çon në përfundime të sigurta.

Po t’i listonim shprehjet deiktike të mirëfillta (fjalë treguese + fjalë emërtuese) në poezinë e I. Kadaresë, lista nuk do të ishte e shkurtër për një poezi me pesë strofa: ky park; kaq shekujsh; kaq e bukur; këta flokë; këtë hap; kjo botë. Sistemi deiktik nuk mbyllet këtu. Me vlerë deiktike shfaqen dhe njësi të tilla: formë urdhërore (mos u ) tremb, forma foljore në aorist: (i) u fanit; (s’e) shtypën; zbuti; ktheu; u desh; forma foljore në të shkuarën e pakryer lidhore : të vije; (s‘) kish; të ndodhte; të zhdukeshin; të vije; folje në formën e kryer dëftore. Në rastin e dëftores së kryer ajo ka një komponente të së tashmes: ka shtruar; kanë mbuluar (veprimi i shkuar zgjatet ose ka lënë gjurmë në të tashmen). Në sistemin deiktik të Ehlich-it, që bazohet gjerësisht në atë të Bühler-it, përfshihen rregullisht morfemat kohore të foljeve: morfema 0 (koha e tashme) shpreh afërsi në kohë (kundrejt momentit të ligjërimit); morfemat, format e së shkuarës sinjalizojnë largësi kohore (nga origo). [8] Në një analizë deiktike të poezisë së I. Kadaresë mund të ndaleshim dhe në dallimin e në përshkrimin e dy planeve paraqitëse poetike: plani i parë dhe sfond. [9] Pasazhet, që jepen, që përmbajnë folje në kohën e tashme, qëndrojnë në planin e parë; të tjerat, me folje të kohëve të shkuara, ndihmojnë në ndërtimin e sfondit. Më tepër se me figurat letrare, më tepër se me domethënien semantike dhe atë pragmatike, bukuria e poezisë ka të bëjë me alternimin e planeve. Këtu e tashmja dhe e shkuara, duke filluar nga strofa e dytë, këmbehen rregullisht: Nga vagabondët me cigare,/ Ti mos u tremb, e dashur, kot!/ Imazhin tënd dinozaurët,/ Shekuj më parë s’e shtypën dot! Etj. Ndërsa liriku shëtit i qetë në parkun vjeshtor, shpirti i shqetësuar i shkrimtarit e trazon atë dhe e hedh në kohëra e rrethana të tjera; këndvështrimi zhvendoset duke prodhuar një ekspresivitet dhe një forcë të veçantë poetike – estetike. Dallimi plan i parë vs. sfond vë në dukje që edhe këtu kemi një relacion afër – larg në pikëpamje kohore. 

Rezonanca Një tjetër tipar i përbashkët i dy poezive tona është dhe rezonanca që zhvillohet midis tyre dhe lexuesit. Rezonanca aktivizohet jo vetëm në momentin e leximit kur lexuesi reagon direkt ndaj botës së riprodhuar në tekst. Por dhe në kohë të ndryshme, më vonë ose shumë më vonë nga leximi i një pjese të paharrueshme. Tekstet me rezonancë mbeten në kujtesë dhe e shoqërojnë lexuesin gjatë ose përgjithnjë. Filozofi Nietzsche shkruan në stilin e tij, gjithë elokuencë, për njeriun që nuk mësoi dot të harrojë: …”Shfaqen kujtimet e zhduken, pak më parë -asgjë; më pas – prapë asgjë, e papritur vjen si fantazmë kujtimi i shkuar dhe të turbullon momentin, të prish qetësinë…”[10] Në bazë të rezonancës është asociacioni, kjo mrekulli e psikikës njerëzore dhe e artit …

Një paletë e tërë ndjenjash të grumbulluara nga leximet, të konservuara në kohë, kanë aftësinë të ndikojnë, pozitivisht ose negativisht, në perceptimet dhe përjetimet e botës prej nesh…Kështu më ndodh shpesh. E përjetoj gjithnjë me një lloj gëzimi, me entuziazëm natyrën vjeshtore në shëtitjet tona në pyll. Dhe gjithnjë eci plot imagjinime në qilimin e verdhë të gjetheve të rëna. Nuk mbaj mend ndonjë rast ku të mos kem sjellë ndër mend vargjet kadareane: në parkun (pyllin) që mbuluan fletët… Edhe në muzg vezullon ari i gjetheve në tokë dhe në drurët gjethorë majtas e djathtas. Dikur në vjeshtë: me poezinë e Kadaresë në kokë dhe me frikën e natës që po afrohej, nxitonim të dilnim nga pylli. Papritur – një kërcitje! Ne shtangëm: një kukuvajkë e stërmadhe u ngrit në ajër, bëri një gjysmë rrethi (mbi kokat tona) dhe u zhduk diku në errësirën e drurëve. Kur dolëm nga pylli shkundëm gjethet e verdha që kukuvajka „kishte hedhur“ në kokën e në supet tona. Dhe sa herë që vjeshta më gjen në korridoret pyjore, kur pylli pret „i trishtuar“ natën, më fanitet poezia e I.Kadaresë përzier me fluturimin poetiko-dramatik të një kukuvajke.

Një herë tjetër, po në vjeshtë: Ktheheshim nga një prej atyre shëtitjeve tona të gjata në natyrë. Ishte vjeshtë, muzgu po binte. Në hyrjen e një qyteze të panjohur ishte ai, një lloj parku, pa gjerdhe e kufij të dukshëm, një truall me drurë gjithëfarësoj, me lehe lulesh, me një rrëke ujore, me një dritë qiellore që fekste akoma, me gjethe të rëna, me një shteg në mes – mbuluar nga fletët. “Ky duhet të ketë qenë…ose një si ky”!Mendova unë me drithërimë se m’u fanit ashtu, strofë pas strofe, poezia e S. George-s “Komm in den totgesagten Park…” (Eja në parkun që thonë se ka vdekur…) . Ndërsa në poezinë e George-s entuziazmi dhe shpresa e përtëritjes ndrit kudo, edhe pse dobët, në parkun “sinonim”, para meje, vjeshta ishte treguar më “e pamëshirshme”. Ngjyrat, që vizatohen me fjalë te George: e gjelbër, e verdhë, gri …në parkun para meje kishin humbur diçka në tonet dhe në shkëlqimin e tyre. Ndoshta muzgu vepronte dhe errësonte gjithçka që vetë vjeshta e kishte veshur me një lloj trishtimi. Parqe të tilla, kopshte, hapësira në natyrë, brigje me shelgje nd’anë lumejve, gjenden kudo dhe ofrojnë pamje të ndryshme në stinë të ndryshme. Por imazhi i atij parku, atë mbrëmje vjeshte, (një rezonancë e vonë), më mbeti i pashlyer. Ndoshta se ma kujtoi menjëherë poezinë e preferuar “Komm…”. Rezonanca u aktivizua aty për aty. Dhe sa herë që vjeshta më shfaqet para syve në parqe e kopshte, më kujtohet poezia e S. George-s dhe bashkë me të më fanitet shpesh ai parku pa kufij e gjerdhe, parku “identik” me atë të poezisë “Komm in den totgesagten park”.

Mbyllje: Ut pictura poesis (Piktura është si poezia)

Formula e sapocituar është një thënie e Horac-it .[11]Sipas poetit filozof latin: krijimet në vargje dhe pikturat ngjasin në shumë aspekte. Ato janë identike në potencialin e tyre ndikues. Poeti grek Simonides do të shprehej: “Poema – pictura loquens, pictura- poema silens” (Poezia është piktura që flet, piktura është poezia që hesht”).

 Përsëri me një synim hetues – përqasës e kemi kaluar krahasimin e dy objekteve tona në një plan tjetër për të evidentuar ndryshe (kryesisht) ngjashmëritë. Të dyja poezitë, me përmbajtjen dhe artin e tyre, kanë frymëzuar autorë të ndryshëm të artit vizatimor të cilët kanë hedhur në pikturë gjithçka kanë rrokur nga poezia. Ka realizime të shumta në pikturë me diçiturën “Komm in den totgesagten Park“ (Eja në parkun e quajtur të vdekur” ). Edhe me tematikën e poezisë “Në parkun q’e mbuluan fletët”gjenden (po në internet) pamje të ndryshme vizatimore. Jemi ndalur në dy momente të rëndësishme të poezive të realizuara në tabllotë vizatimore:

1. Sfondi ku shpaloset subjekti: ambiente të ndodhura në dy vende, larg njëri-tjetrit gjeografikisht, në dy realitete të ndryshme historike; por të ngjashëm artistikisht:

 2. Figurat njerëzore, ligjëruesit lirikë: Në dinamikën dhe gjallërinë e tabllove në vijim fqinjërojnë objekte, dukuri dhe persona: 

Po e përmbyllim shkrimin me një thënie – lapidar të autorit Michael Bachtin [12]: “ Mund të deklarohet se në letërsi „koexistojnë“ (bashkëjetojnë) fenomene, që u përkasin kohërave e vendeve krejtësisht të ndryshme. Kjo gjë i jep procesit letrar një karakter kompleks dhe krejt të veçantë“. 

(c) 2026 Emine Sadiku. Të gjitha të drejtat janë të autores.


[1] Hegel, G.W.F.: Vorlesungen über die Ästhetik III, Suhrkamp Verlag, 1970, f. 418

[2] Ars Poetica, Darmstadt: Wissenschaftliche Buchgesellschaft, 1966, f. 225

[3] Benn; Gotfried:Sämtliche Werke; Stuttgart, 2002

[4] Schopenhauer, Arthur: Die Welt als Wille und Vorstellung, Sämtliche Werke, Bd. I, Stuttgart, 1987

[5] Bühler, Karl: Sorachtheorie, Stuttgart, 1982

[6] Ein Symposium , Stuttgart, 1982, f. 112-129

[7] Texte zur theorie der Autorschaft, Reclam, 2009, f.276

[8] Për më shumë informacion shih dhe: Krusche, Dietrich: Zeigen im Text, Würzburg, 2001, f. 94

[9] Për informacion më të hollësishëm shih dhe : Blömer, B.:Conskutio temporum im Katalanischen,  Bonn, 1970, f. 30, 31, 32

[10] Nietzsche; F.: Unzeigemässe Betrachtungen, Kröner-Verlag, Stuttgart, 1964, f. 101-102

[11] Ars poetica ; die Dichtkunst; Lateinisch – Deutsch, Reclam, 1961

[12] Bachtin, Michael: Chronotopos, Suhrkamp, 2008, f. 8


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin