Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi

THASHETHEMET, PROVERBAT, HETEROGLOSIA

Në një vepër të botuar në 2025 (“Rumors”), filozofi dhe psikanalisti slloven Mladen Dolar analizon fjalët që hapen (thashethemet) nga një këndvështrim plural – duke i parë si manifestim të një ligjërimi që (duket sikur) vjen nga Tjetri (Big Other i Lacan-it).

Edhe pse libri bën një dallim mes “fjalëve që hapen” (“Rumors”) dhe “thashethemeve” të mirëfillta (“Gossip”), këtu e më poshtë do të flas vetëm për “Thashetheme”, si një kategori që i përfshin të dyja nën-kategoritë e Dolar-it, të cilat janë, edhe njëra edhe tjetra, anonime – sepse nuk kanë as origjinë të identifikueshme, as njeri a burim që mban përgjegjësi për to, dhe as instancë ku mund të verifikohen.

Thashethemet zakonisht paraprihen nga formula të tilla si “thuhet se/sikur”, “thonë se/sikur”, “flitet se/sikur”, “janë hapur fjalë se/sikur”, “po thonë tani se”, “kanë dalë fjalë se/sikur”, ku folja them del në trajtën ose pavetore, të vetës së tretë njëjës të pësores (“thuhet”), ose të vetës së tretë shumës (“thonë”), së cilës i përgjigjet një subjekt i pacaktuar “ata”. Ky anonimitet ia mundëson thashethemit që të funksionojë, duke kaluar nga një gojë në tjetrën. Jo rrallë, ky lloj ligjërimi lajmërohet nga mënyra habitore e foljes, që përdoret edhe më në përgjithësi, për ligjëratën e zhdrejtë.

Edhe lidhëza sikur, që del shpesh në këto ndërtime, shënjon distancimin e folësit nga e vërteta që synon të përcjellë thënia e raportuar; sikur sjell një notë dyshimi, ose të një pamundësie verifikimi – të tillë që ta ndajë aktin e thënies së diçkaje, nga ngjarja së cilës ai akt i referohet. Është një lloj mbrojtjeje e folësit, ndaj atribuimit të një përgjegjësie që ai nuk e merr dot përsipër. Të krahasohet: thuhet se nuk flenë më bashkë me thuhet sikur nuk flenë më bashkë; diferenca, sado e vogël, ka rëndësi; në rastin e dytë, folësi kujdeset të vendosë një distancë më të madhe mes vetes, dhe “autentifikimit” të ngjarjes që raportohet.

Për Dolar-in, thashethemet janë një nga instancat e ligjërimit të Tjetrit – në kuptimin lacanian, që në anglisht përkthehet si “big Other”, për t’u dalluar nga tjetri, me t të vogël. Lacan-i e shihte Tjetrin si rendin simbolik, rrjetin e gjuhës, kulturës, ligjeve, normave dhe strukturave sociale që ekzistojnë përtej çdo individi specifik, por që i japin formë subjektivitetit tonë, dëshirës dhe ndjesisë së vetes, duke funksionuar si një dëgjues a vrojtues i imagjinuar dhe perfekt para të cilit performojmë (veten). Tjetri është vendi ku banon dhe legjitimohet kuptimi, burimi i gjuhës sonë amtare dhe gjykuesi implicit i fjalëve e veprimeve tona dhe locus-i i së vërtetës dhe autoritetit. Tjetri flet para subjektit dhe përmes subjektit.

Përveçse fytyra e logos-it, e dijes dhe e së vërtetës, Tjetri është edhe burimi i thashethemeve – si ligjërim që qarkullon pa pasur një subjekt që t’i dalë zot dhe të mbajë përgjegjësi për të. Për Dolar-in, që i referohet haptazi Lacan-it, Tjetri nuk është as institucion, as kolektiv dhe as autoritet i fshehur, por thjesht një vend ku “thuhet”; edhe pse askush nuk flet në emrin e vet, ka diçka që, megjithatë, flet. Thashethemet nuk janë thjesht zhurmë; ato gjenerojnë një mbivlerë – duke shtuar kuptim atje ku kuptimi mungon, duke mbushur zbrazëti në njohje dhe duke iu përgjigjur pasigurisë, opacitetit dhe heshtjes. Kanë autoritet, por jo autorizim.

Edhe thashethemet mund të dalin të vërteta, shkruan Dolar, por çfarë i përcakton ato si thashetheme është indiferenca ndaj kriterit të vërtetësisë. Kjo është një anë e dytë e Tjetrit, të cilën mund ta përfytyrojmë edhe si hijen ose kipcin e Tjetrit “klasik”, ose simptomën e tij. Nëse logos-i përfaqëson autoritetin e Tjetrit, ose themelin e njohjes së vërtetë në dallim nga autoriteti i besimeve mitike dhe fushës së opinionit (“doxa”), atë e ka shoqëruar gjithnjë kjo hije, duke ia vënë deri edhe vetë ekzistencën në rrezik.

Dolar ndalet edhe te momenti i kalimit nga thashethemet, tek teoritë konspirative. Diferenca më e madhe mes të parave dhe të dytave, shkruan ai, është se burimi i thashethemeve nuk mund të identifikohet; ato qarkullojnë anonimisht dhe njeriu thjesht i dëgjon dhe ua kalon të tjerëve, pa u dalë zot ose duke e pezulluar verifikimin e vërtetësisë (gjasave të vërtetësisë); ndërsa teoritë konspirative shënjohen dhe shoqërohen nga bindja e fortë, në kuptimin që ai që u beson, është thellësisht i bindur se janë të vërteta; në kuptimin që ato s’mund të jenë veçse të orkestruara, të organizuara në mënyrë sistematike dhe të përhapura nga një master-mendje që lëviz fijet. Teoritë konspirative ngrihen mbi këtë bindje të vendosur për të vërtetën rreth gjërave, që duhet nxjerrë në dritë, por që po errësohet nga një përpjekje sistematike dhe e organizuar për ta zhdukur.

*

Edhe proverbat, si ligjërim pa subjekt janë manifestim i Logos-it dhe e kanë origjinën tek Tjetri. Madje jo thjesht origjinën, por edhe “folenë”. Atyre nuk mund t’u identifikohet autori, as koha kur janë thënë për herë të parë dhe as mund të hidhen poshtë; vijnë në ligjërim duke e sjellë forcën e tyre normative me vete. Hedhja poshtë e proverbit është më keq se e pamundur; është qesharake. Çdo instancë e një proverbi në ligjërim riprodhon rendin simbolik (në kuptimin lacanian), edhe në kuptimin që subjekti flitet nga proverbi, jo anasjellas.

Autoriteti proverbit nuk i vjen nga subjekti që e shqipton, por nga vetëdija e qarkullimit të mëhershëm. Këtë e provojnë edhe formulat që shpesh përdoren për ta prezantuar: “nuk thonë kot se…”, “mirë e thotë një fjalë se…”, “siç e thotë fjala…”, “(mirë) e kanë thënë të vjetrit…”, “si e thotë një fjalë e vjetër…”, e shumë të tjera.

Ndonjëherë, në kontekste specifike zakonisht të regjistrit bisedor, këto formula reduktohen në një fjalë të vetme, tha, që shtohet në mënyrë gati parazitare në fund të thënies-proverbë, për t’i sinjalizuar bashkëfolësit se thënia paraprijëse nuk është jotja, nuk të përket ty, por veç të shërben për të mbështetur një pikëpamje a për të konfirmuar një opinion. Mund të ndodhë edhe që tha-ja, e shtuar në fund, t’i shërbejë përgjithësimit të një situate a të një përshtypjeje, si në rastin më poshtë:

Kur po e prisnin pemën, nuk e parashikuan dot se nga cila anë do të rrëzohej, dhe trungu vajti ra mbi çatinë e barakës ku kishin gjeneratorin. Ashtu edhe mbetën pa energji dhe nuk e përdorën dot më sharrën elektrike. Bir Selman i nënës, tha.

Formula mbyllëse, që nuk është veçse një formë e cunguar e frazeologjisë bir Selman i nënës, ç’të të qaj më parë, i jep ngjarjes së rrëfyer një kornizë, duke e paraqitur si një kaskadë katastrofash; pjesëza tha tregon se folësi po ia delegon autoritetin komentues Tjetrit (në kuptimin lacanian).

Ngjashmëritë dhe dallimet në pragmatikën e thashethemeve dhe të proverbave dalin nëpërmjet shembullit më poshtë, të një bisede mes dy personave, Shpresa dhe Besa:

Shpresa: Ça thuhet ndonjë gjë?

Besa: Hiç. Ja, po thonë sikur ministri [emri] ka kërkuar strehim politik në Zvicër.

Shpresa: E ka ditur, pra, që do ta arrestonin.

Besa: I ka pasur aq miq, sa ta lajmëronin në kohë.

[vazhdon një bisedë spekulative, rreth hollësive të kësaj ngjarjeje.]

Shpresa: Po pra. Siç e thotë edhe fjala – nuk ka tym pa zjarr.

Proverbi që sjell Shpresa ka funksionin e një përmbyllësi të temës (topic terminator), sepse konfirmon atë që thashethemi për ministrin nuk mund të jetë fare pa bazë. Nga ana tjetër, le të vëmë re se thashethemi vetë, i sjellë nga Besa, shërben si nisës i temës (topic starter). Mund ta përfytyrojmë, pra, bisedën si lëvizje rrethore të një teme që vjen nga Tjetri në formë thashethemi, dhe artikulohet në rrafshin subjektiv (tjetri me t të vogël) dhe pastaj kthehet tek Tjetri nëpërmjet proverbit.

Ja një shembull tjetër, nga romani Kronikë në gur, i Ismail Kadaresë:

Gjyshja, kako Pinoja dhe gruaja e Bido Sherifit pinin kafe, kur ra porta. Për çudinë e të gjithëve, erdhi zonja Majnur.

– Si jeni moj gra, ç’bëni? Thashë të kthehem një herë. Që nga bombardimet, s’ju kam parë.

– Urdhëro, zonja Majnur, mirë se na erdhe! – tha nëna.

Zonja Majnur u ul në nim, pranë gjyshes.

– Dëgjova për atë që ju ndodhi, – tha zonja Majnur, duke tundur kokën. – Ç’qe kjo e keqe, moj Selfixhe, ç’qe kjo e keqe.

– Epo njeriu për të duruar të këqijat është bërë.[1]

Në këtë skenë, si hyn mysafirja dhe shkëmbehen formulat e mikpritjes, zonja Majnur e hap muhabetin duke sjellë një thashetheme që ka dëgjuar – dhe pikërisht, që tezja e rrëfimtarit (“emta”) ka dalë në mal, partizane.

Gjyshja, me të cilën bisedon zonja Majnur, nuk dëshiron ta ngacmojë këtë muhabet, sepse e di që zonja Majnur i urren partizanët, prandaj i përgjigjet me një proverb “njeriu për të duruar të këqijat është bërë”, i cili synon ta mbyllë këtë shteg të muhabetit.

Proverbi në këtë lajmërohet nga pjesëza epo.

Zonja Majnur nuk e kuptoi, ose bëri sikur nuk e kuptoi se ky muhabet duhej lënë me aq, dhe vazhdoi të shajë partizanët dhe moralin e vajzave që dilnin në mal. Proverbi nuk arriti ta luajë rolin “paqeruajtës” – dhe si përfundim gratë u zunë dhe mysafirja u ngrit dhe doli nga dhoma, e zemëruar.

Romani Kronikë në gur përcjell një botë të tërë, Gjirokastrën e parë me sytë e një djali të vogël, të ndërtuar me ligjërimin e Tjetrit – pjesa më e madhe e ngjarjeve të rrëfyera vijnë nëpërmjet rrëfimeve dhe thashethemeve, të cilat i referohen një rrafshi relativisht të pavarur nga realiteti. Në kuptimin që muhabetet (“fjalët”) që sjell rregullisht plaka Xhexho nga jashtë janë të Xhexhos, por janë edhe të atyre që ia kanë thënë Xhexhos; askush nuk merr përsipër të garantojë vërtetësinë e tyre, askush nuk pret që vërtetësia e tyre të garantohet nga ai që i përcjell. E vetmja gjë “e vërtetë”, në këtë realitet ligjërimor, është që folësi po i përcjell pak a shumë me besnikëri ato që ka dëgjuar – duke e mbajtur sinjalin relativisht të pashtrembëruar.

Citoj nga libri:

Në mesditë erdhi përsëri Xhexhoja.

– Rrugët janë shkretuar, xhanxhin, – tha ajo. – Vetëm Gjergj Pulën e pashë që po ngjitej lart. E morët vesh? E kishte ndërruar prapë emrin.

Xhexhoja është kanali, që e lidh shtëpinë me thashethemnajën përjashta – edhe pyetja e saj, e morët vesh, i referohet fjalës dhe të dëgjuarit. Natyrisht, këtë që Gjergj Pula ka ndërruar emrin, Xhexhoja e ka dëgjuar në pazar.

Trokiti porta. Erdhi prapë gruaja e Bido Sherifit. Pastaj, nusja e Nazos.

– Pamë Xhexhon që hyri. Ka ndonjë lajm? – pyetën ato.

– Ç’të ketë? Mos qofshim, – tha Xhexhoja. – E dëgjuat për Bufe Hasanin?

Gjyshja ktheu kokën nga unë. Unë bëra sikur nuk e kisha mendjen. Sa herë që përmendej emri i Bufe Hasanit, gjyshja kishte kujdes që të mos e dëgjoja.

– Ka zënë… një ushtar grek.

– Pupu, ç’turp!

– Gruaja e tij është bërë si e luajtur. Thashë se shpëtova që ikën italianët, thotë ajo. Thashë se shpëtova kur iku ai Pepeja i mallkuar, që qelbej brilantinë një orë larg. Kur, do tani, na ka zënë një Elefterios. Grek, moj motra[2], grek.

[…]

– E kam vendosur, paskësh thënë Bufe Hasani, nga çdo ushtri që të hyjë këtu, unë do zë nga një ushtar dashnor.

Xhexhoja nuk ka qenë atje, që të dëgjojë drejtpërdrejt se ç’ka thënë gruaja e Bufes; sikurse nuk ka qenë atje, që të dëgjojë për planet e Bufe Hasanit. Edhe habitorja paskësh thënë konfirmon se kemi të bëjmë me ligjëratë të zhdrejtë – reported speech. Funksion të ngjashëm ka edhe e tashmja dhe e kryera: Gruaja e tij është bërë si e luajtur. Thashë se shpëtova që ikën italianët, thotë ajo, të cilat e aktualizojnë “lajmin”. Autoriteti ligjërimor i Xhexhos ka të bëjë – me gjasë – me besnikërinë e saj, për të përcjellë ato që ka dëgjuar. Funksionin e saj si radio e thashethemeve që bëhen përjashta, në pazar.

Në analizë të fundit, vërtetësia e këtyre thashethemeve në raport me realitetin varet nga përgjigjja që do t’i japim pyetjes nëse Tjetri (Big Other) mund të gënjejë. Tani, sa kohë që – të paktën për Lacan-in – Tjetri nuk është person, dhe as subjekt me “synime”; dhe sa kohë që gënjeshtra parakupton një subjekt që di, synimin (vullnetin) për të gënjyer dhe vetëdijen e së vërtetës, atëherë do të pranojmë se thashethemet, si pjesë e “ligjërimit” të Tjetrit, nuk mund të gënjejnë siç mund të gënjejë subjekti; dhe e vetmja gënjeshtër e mundshme, do të jetë ajo që trupëzon gjuha.

Paradoksalisht, është operatori tha, në format e veta të ndryshme, që ia shton vërtetësinë këtij lloj ligjërimi; dhe jo thjesht nëpërmjet delegimit të përgjegjësisë te një i tretë “i paarritshëm”.

Si ligjërim i Tjetrit, thashethemet janë edhe heteroglosike (në kuptimin bakhtinian), sepse atje bashkekzistojnë një shumësi zërash socialë, në konkurrencë mes tyre. Sërish nga Kronikë në gur (f. 230), këtë herë shkëputur nga ligjërimi i rrëfimtarit:

Dëbora kishte mbuluar gjithçka. Bënte ftohtë. Tymtarët tymosnin pa pushim. Nën pullazet e rënda, jeta, që u shqetësua nga ngjarjet e fundit, vazhdonte të rridhte përsëri e qetë. Gjyqi i Karllashëve me Hankonatët rifilloi shqyrtimin. Llukan Burgamadhi, me velenxën dhe napën e bukës në dorë, pasi kaloi mespërmes lagjes, duke thirrur më të djathtë e më të majtë: “me shëndeni, moj gra!”, u nis një mëngjes drejt burgut. Lame Kareco Spiri u qetësua gjithashtu. Kako Pinon e thirrën në një dasmë në Dunavatin e Sipërm. U zhduk macja e Nazos.

Rrëfimtari këtu rimerr fjalët e ndryshme që i kanë mbërritur në vesh – nga burime të ndryshme. Kjo Gjyqi i Karllashëve me Hankonatët rifilloi shqyrtimin i përket një regjistri ligjërimor cilësisht të ndryshëm nga U zhduk macja e Nazos; e para vjen nga ndonjë kronikë në gazetën e qytetit, të dytën do ta ketë sjellë Xhexhoja (në vijim të një thashethemi për mësuesin që i përdorte macet e lagjes për eksperimente). Vetëm ligjërimi i Tjetrit, që është anonim por jo monologjik, mund ta normalizojë bashkëjetesën e këtyre ligjërimeve – sa kohë që është në natyrën e vet thelbësore, që të artikulohet si mozaik i fjalës së raportuar.

Edhe pse heteroglosik, Thashethemi e ruan normativitetin – mjaft të lexosh, në roman, fjalët e Xhexhos, për të ndërtuar një normë, sado spontane, që përcillet përmes tyre; dhe që synon të rregullojë sa jetën e qytetit, aq edhe reagimet e banorëve ndaj të rejave dhe të papriturave që janë edhe objekt i lajmeve qarkulluese. Sa herë që rrëfen diçka, Xhexhoja edhe gjykon; por fakti që këtë e bën nëpërmjet fjalëve të Tjetrit, bën të duket sikur edhe vetë gjykimin e jep Tjetri. Kjo i jep Thashethemit një autoritet që ligjërimi individual i subjektit nuk e ka dhe nuk mund ta ketë.

Një krahasim me proverbin do të ndihmojë: proverbi nuk është heteroglosik, sepse filtrimi ndonjëherë shekullor e ka larguar e mënjanuar diversitetin e burimeve; ndryshe nga Thashethemi, proverbi përsëritet i pandryshuar dhe e ruan stabilitetin. Më në fund, proverbi e merr autoritetin nga ky stabilitet që ka ruajtur në rrjedhë të kohës, ndërsa Thashethemi nga pamundësia për t’ia identifikuar një burim, ose pezullia e subjektit enonciativ.[3]

(c) 2026 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.

Shënim: Kjo ese lidhet njëfarësoj me esenë Proverbi dhe autoriteti të botuar më parë në këtë revistë, dhe me parathëniet e serisë “Preverba”, që ka dalë në substack-un Menditime.


[1] Ismail Kadare, Vepra 4, f. 288. Në këtë roman, bisedat mes plakave hapen rëndom me një thashethem që është dëgjuar përjashta dhe që sillet brenda zakonisht nga Xhexhoja, dhe pastaj mbyllen me një prej tyre, kako Pinon, që thotë “kiameti!”; ose me nënën, që thotë “Sa rrojmë, dëgjojmë!”, ose me gjyshen që thotë “ç’kohëra që erdhën!” Në një rast, kur gjyshja nuk gjendet në dhomë, Xhexhoja ashtu i ka duart të lira për të folur gjerë e gjatë për vajzën me mjekër të Çeço Kailit, që ka ikur nga Gjirokastra me italianët:

– Kohët e fundit mjekra i qe rritur e i qe bërë si e mulla Kasëmit. Berberi hynte e dilte çdo ditë në shtëpinë e Kailajve. Çanta na, plot me brisqe, lloje-lloje, siç i ka bërë frëngu. Ndryshe nuk i bëhej derman. Dhe ja, një natë krisi e mori dhenë. Berberi, thonë, ia kishte rregulluar. Mbi kamion të bordellos iku prapa diellit.
Xhexhoja u mbush me frymë. Ndihej mungesa e gjyshes. Vetëm ajo mund të jepte tani një gjykim më të përgjithshëm për atë që kishte ndodhur, duke thënë diçka që nuk mund ta thoshin dot as nëna, as gruaja e Bido Sherifit dhe as ajo e Mane Vocos.” (po aty, f. 334).

[2] Këtu, moj motra është një lloj amplifikatori i solidaritetit mes bashkëfolësve.

[3] Në kontekstin e normativitetit, proverbi është shpesh preskriptiv – nga Kanuni i Lekë Dukagjinit: “Gjaku s’bahet gjobë” (neni 128); “Pushka e nisun ka gjobë” (neni 132); “Beja merr gjan e vet” (neni 91); “Kali me qira ka lkurën mbë tra” (neni 88/485); etj. Thënie me autoritet të dyfishtë: sepse janë të Kanunit, por edhe sepse janë ruajtur dhe ruhen në ligjërimin gojor të pandryshuara. Në një kuptim, proverbat e Kanunit i thotë Kanuni, dhe kjo u jep forcë normativizuese.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin