Shkrova para pak ditësh për disa pak mangësi që pata vënë re në Fjalorin e madh të shqipes (Rreth fjalorit të ri). Në vijim po zbres në hollësi, për t’u kuptuar çfarë nuk shkon – gjithnjë sipas meje – në përpunimin dhe prezantimin e fjalëve.
Një mënyrë për të verifikuar integritetin e një vepre leksikografike është të shihet trajtimi i hiponimeve – njësi leksikore që shënjojnë pjesë të një grupi më të madh; për shembull, emrat mbrojtës qendërmbrojtës mesfushor sulmues qendërsulmues portjer, etj. janë hiponime të emrit futbollist; emrat pjeshkë mollë dardhë kajsi kumbull hurmë janë hiponime të emrit frutë, e kështu me radhë. Çdo leksikograf e kupton, në parim, se hiponimet duhen përkufizuar në mënyrë metodike, jo nëpërmjet improvizimeve të hartuesve individualë.
Zgjodha fjalë nga një fushë tematike e vogël, si ajo e emrave të veglave muzikore që bëjnë pjesë në një orkestër simfonike standard dhe që zakonisht ndahen në nëngrupe të tilla si veglat me tela, ato frymore (prej druri dhe prej metali) dhe veglat me perkusion.
Edhe faqja shqipe e Wikipedia-s flet për harkorë, frymorë, frymorë tunxhi dhe perkusione.
Në përkufizimin e emrit të një vegle muzikore duhet ndjekur një kriter i përgjithshëm, i tillë që të marrë parasysh llojin e instrumentit (me tela, frymor), lëndën me të cilën është ndërtuar (druri, metali), formën (në trajtë gypi, etj.), ndonjëherë timbrin e tingullit që lëshon instrumenti e mënyrën si luhet (si mbahet). Për shembull, përkufizimi standard i flautit mund të përmendë që është instrument frymor (lloji), i përbërë nga një tub me vrima në gjatësinë e tij (forma), që mbyllen me gishta ose taste (si i bihet), që mbahet vertikalisht ose horizontalisht; dhe se flauti orkestral modern, si rregull prej metali, mbahet horizontalisht dhe ka një sistem kompleks tastesh (çelësash). Në raste të tilla, dhe pavarësisht nga konsultimi me vepra leksikografike të mëhershme ose me fjalorë njëgjuhësh të huaj, konsulenti muzikolog do të sigurojë që përkufizimi është profesionalisht i saktë, ndërsa hartuesi leksikograf do të ruajë përpjesëtimin mes informacionit mirëfilli gjuhësor dhe atij enciklopedik (p.sh. intervalet sipas të cilave akordohen telat e violinës ose të kitarës kanë natyrë më shumë enciklopedike).
Një orkestër simfonike sot përdor vegla (instrumente) të tilla si violina, viola, violonçeli, kontrabasi (harqet); flauti, klarineta, oboja, klarineta, fagoti, kundërfagoti, kornoja angleze, saksofoni (frymorët prej druri); briri (kornoja franceze), trumbeta, tromboni, tuba; cimbali, timpani (perkusioni); dhe disa vegla që klasifikohen më vete, si harpa dhe pianoja, sepse mbeten disi jashtë grupit. Ka vegla që duket sikur kanë lëvizur nga një kategori në tjetrën, p.sh. saksofoni dhe flauti, që dikur kanë qenë prej druri por tani prodhohen kryesisht prej metali, por kjo nuk na intereson në këtë moment.
Në Fjalor gjeta këto përkufizime për veglat muzikore të orkestrës simfonike:
violinë – vegël muzikore me katër tela, së cilës i bihet me hark duke e mbështetur në sup nën mjekër, luhet duke vizatuar një hark nëpër telat e saj.
violonçel – vegël muzikore me katër tela si violina, së cilës i bihet me hark duke e mbështetur në tokë, parimet dhe shembujt teknikë janë të njëjtë me violinën, është pjesëtar i pazëvendësueshëm në kuartetin e harqeve.
violë – vegël muzikore e ngjashme me violinën, por pakëz më e madhe se violina, ka tingull më të ulët, por shumë të butë dhe qetësues, në grup me instrumentet e tjera harkore, ka rol të dukshëm.
kontrabas – instrument muzikor më i madh se violonçeli, që nxjerr tinguj me ton të ulët.
flaut – vegël frymore në trajtën e një fyelli e me katërmbëdhjetë vrima që mbyllen me gishta dhe një vrimë në fund nga i fryhet.
oboe – instrument muzikor frymor, i njohur për përdorimin në orkestrat simfonike dhe muzikën klasike, që fryhet përmes një fryrësi me dy kallama, që vendoset në gojë dhe prodhon tinguj shumë shprehës, melodikë, të hollë dhe të mprehtë.
klarinetë – Instrument frymor i ngjashëm me fyellin, që ka një pipëz në krye dhe mjaft vrima e çelësa; gërnetë.
fagot – vegël frymore prej druri, me një gyp të gjatë, të zgjeruar pak nga fundi e me shumë çelësa, që nxjerr një zë të ulët kur i fryjmë.
saksofon – vegël fryme prej tunxhi në trajtën e një gypi të lakuar që vjen duke u zgjeruar në grykë, me çelësa dhe me një kallam si të klarinetës në pipth.
bri – vegël muzikore në trajtën e një gypi të përkulur dhe me fund të zgjeruar.
trumbetë – vegël muzikore frymore, prej bronzi, e zgjeruar si hinkë nga fundi, që përdoret edhe për të dhënë sinjale në ushtri.
trombon – vegël muzikore frymore prej metalit, e ngjashme me trumbetën, pjesët e së cilës zgjaten dhe shkurtohen duke u futur te njëra-tjetra.
cimbal – vegël muzikore e përbërë nga dy pjata prej bronzi, që goditen njëra me tjetrën.
harpë – vegël muzikore zakonisht në trajtë trekëndëshi, me tela që kanë gjatësi të ndryshme, të cilëve u bihet me gishta.
Sot që po i hedh këto shënime (20 janar 2026) mungojnë, në fjalësin e Fjalorit, emra veglash të tilla si tuba, timpani, kornoja angleze, kundërfagoti, të cilat më rezulton të jenë lënë jashtë.
Për violinën dhe violonçelin thuhet se janë “vegla me tela” dhe që “u bihet me hark”; por kjo specifikë mungon për kontrabasin, i cili përkufizohet thjesht si violonçel më i madh.
Për flautin thuhet se ka trajtën e një fyelli; madje edhe se ka katërmbëdhjetë vrima; ndërsa për oboen sqarohet se “fryhet përmes një fryrësi me dy kallama”, “që prodhon tinguj shumë shprehës, melodikë, të hollë dhe të mprehtë”; klarineta prezantohet si “e ngjashme me fyellin” (diçka që nuk e kisha menduar, por që të tjerët e kanë gjykuar si të përshtatshme për ta theksuar).
Saksofoni jepet si vegël fryme “prej tunxhi”, trumbeta si vegël muzikore frymore “prej bronzi” dhe tromboni “vegël muzikore frymore prej metalit (?)”.
Kornoja franceze është dhënë si bri (zgjedhje e diskutueshme).
Pjesa ku vihen buzët (fryrësi), për t’u fryrë instrumenteve frymorë, quhet sipas rastit pipëz dhe pipth.
Në përkufizime jepen ndonjëherë hollësi të panevojshme për këtë lloj fjalori: “luhet duke vizatuar (?) një hark nëpër telat e saj” (për violinën); “parimet dhe shembujt teknikë janë të njëjtë me violinën” (për violoncelin – kjo më lexohet si udhëzim për leksikografin, jo si pjesë e përkufizimit); “ka tingull më të ulët, por shumë të butë dhe qetësues” (për violën); “prodhon tinguj shumë shprehës, melodikë, të hollë dhe të mprehtë” (për oboen); “fryhet përmes një fryrësi me dy kallama, që vendoset në gojë” (ku të vendoset tjetër, te pompa e biçikletës? – gjithnjë për oboen).
Nuk përmenden fare në Fjalorin e madh edhe disa vegla që janë nënlloje të veglave të mësipërme: flauti piccolo, klarineta bas, saksofoni alto, saksofoni tenor, saksofoni bariton, etj. Mbase këto presin një fjalor edhe më të madh, që ta fitojnë të drejtën e qytetarisë.
Dy janë problemet që shoh në trajtimin e kësaj familjeje fjalësh: (1) mungojnë emrat e disa veglave që aktualisht përdoren në orkestër, pra lista është e paplotë; dhe (2) fjalët e listës janë përkufizuar në mënyrë jo të njëtrajtshme – sepse është vështirë të dallohet ndonjë kriter specifik a disiplinë metodike.
Këto çështje më bëjnë të dyshoj se fjalët nuk janë kontrolluar as nga një specialist muzikolog, as nga një redaktor leksikografik për njëtrajtësi dhe rregull.
Problemi në vetvete mund të duket minor, por rëndësia e tij është relative ndaj metodës së përgjithshme të punës në fjalor. Çfarë më shtyn të shkruaj këto radhë nuk është shqetësimi specifik se leksiku i orkestrës simfonike nuk është pasqyruar drejt dhe saktë; por shqetësimi tjetër, i trajtimit jo-konsistent të fjalëve të një familjeje tematike, shqetësim që mund të prekë mijëra e mijëra njësi të fjalësit, të organizuara sipas fushave tematike.
Nga ana tjetër, mungesa në fjalës[1] e emrave si timpan, kundërfagot, tubë lë të kuptohet se hartuesit e fjalësit (listës së fjalëve) nuk janë këshilluar mjaftueshëm me specialistët muzikologë.
Përtej grupit të orkestrës simfonike, edhe një emër si piano përkufizohet si “vegël e madhe muzikore me tastierë, me shumë tela brenda, të cilët nxjerrin tinguj të ndryshëm kur goditen nga disa çekiçë të vegjël që lëvizin kur shkelim me gishta tastet, pianofort.” Tërheq vëmendjen cilësori “e madhe”, shpjegimi gati fëmijëror “me shumë tela brenda” (kështu mbase do ta përshkruante pianon një banor i xhunglës së Amazonës); të cilët “nxjerrin tinguj të ndryshëm” (!); dhe së cilës vegël i biem “kur shkelim me gishta tastet” (folja “shkel” në një përdorim pak të pazakonshëm – unë do të thoja “shtypim” ose “godasim”, duke e ruajtur foljen shkel për veprimin që bëjmë me pedalet e atij instrumenti). Nuk përmenden, as në përkufizim as në shembujt, llojet e pianove – piano me bisht (grand piano) dhe vertikale; ndërsa fjala pianofort, që jepet si sinonim te piano, përkufizohet në vendin përkatës si “një lloj pianoje”.
Gjetiu, për kitarën thuhet se është “instrument me gjashtë tela më i madh se mandolina, të cilit i bihet zakonisht me mollëzat e gishtërinjve ose me një plektër”; nuk përmendet, në shembujt, kitara bas, e cila, për më tepër ka zakonisht katër tela; po ashtu nuk përmendet as një karakteristikë themelore e kitarës, që janë tastet (anglisht: frets); dhe llojet e kitarës – akustike dhe klasike, e kushedi ç’tjetër.
Dhe kjo në një fjalor që ka përfshirë, në fjalësin e vet, njësi të tilla si lahutëri, lahutërim, lahutëroj, i/e lahutëruar, lahutare e të tjera si këto; çfarë më provon sërish mungesën e njëtrajtësisë.
Gjithnjë në parim, nuk ka fjalë shqipe që duhet mbajtur me çdo kusht jashtë një fjalori, dhe njëlloj, fjalë që duhet futur me çdo kusht në fjalor. Vendimi për ta përfshirë një fjalë dhe për ta lënë jashtë një fjalë tjetër varet nga kriteret që janë zgjedhur nga hartuesit e fjalorit dhe lloji i këtij të fundit. Por asnjë fjalor serioz dhe profesional nuk duhet t’ia lejojë vetes inkonsistencën – ose trajtimin e pabarabartë të njësive kuptimisht të ngjashme; sepse inkonsistenca tregon në rastin më të mirë ngutje, dhe në rastin më të keq bashkërendim të pamjaftueshëm të punës brenda ekipit. Dhe kjo është pikërisht arsyeja që mua më duket mangësi fakti që në Fjalor mungojnë fjalë si tubë dhe timpan (kjo e fundit, për veglën muzikore, në një kohë që është përfshirë për daullen e veshit), teksa janë futur fjalë si lahutëroj.
Në praktikë, besoj se ky problem rrezikon të shfaqet në shumë grupe të tjera tematike fjalësh; më të rëndësishme se emrat e veglave muzikore, por që unë nuk i shqyrtoj dot me mundësitë dhe kohën që kam.
Nga një kampionim po aq i shpejtë vura re se edhe fusha tematike e gurëve të shahut është trajtuar në mënyrë inkonsistente: fil përkufizohet si “secila nga dy figurat që vendosen anash mbretit dhe mbretëreshës dhe lëvizin cepazi në të gjitha kutitë e fushës; oficer” (përkufizim i marrë verbatim nga Fjalori i vitit 1980); kalë “figurë me pamjen e kokës së kësaj kafshe [kalit]” (në fjalorin e 1980-ës: “figurë në shah që e ka kokën si kjo kafshë [kali] dhe që lëviz dy kuti përpara e një anash ” pse vallë është parë e udhës që tani të hiqet përshkrimi i lëvizjes së kalit?); torë “figurë shahu që lëviz drejt ose anash, pa kufizim largësish dhe përdoret shpesh për mbrojtje të mbretit dhe për kontroll të kolonave dhe rreshtave” (fjalori i 1980-ës nuk e ka fare këtë fjalë, por e mbulon konceptin me kala “një nga figurat kryesore në lojën e shahut, që ka trajtën e një kulle dhe që lëviz në vijë të drejtë para, prapa e anash”; Fjalori i Madh e ka lënë këtë kuptim jashtë fjalës kala); mbret “figura kryesore në lojën e shahut”; mbretëreshë “figura e dytë kryesore në lojën e shahut” (përkufizim i marrë verbatim nga fjalori i 1980-ës); ushtar “secili prej tetë gurëve të njëllojtë në lojën e shahut, që vihen përpara figurave” (përkufizim i marrë verbatim nga fjalori i 1980-ës).
Të vërehet se për filin dhe torën jepet mënyra si lëvizin, ndërsa për kalin, mbretin dhe mbretëreshën jo; shpjegimi se kali ka “pamjen e kokës së kësaj kafshe [kalit]” është i kotë dhe teknikisht i gabuar, sepse figurat në shah nuk përcaktohen nga forma e gurëve, por nga funksioni që kanë brenda lojës; të dhënat për torën se “përdoret shpesh për mbrojtje të mbretit dhe për kontroll të kolonave dhe rreshtave” janë gjithashtu të kota në mos të gabuara, dhe në thelb naive. Duket sikur këto përkufizime janë improvizuar nga hartues që nuk e njohin as shahun as teknikën e përkufizimit të termave të tillë – sidomos, ngaqë nuk shkon që për disa gurë të jepet madje me hollësi mënyra si lëvizin dhe për disa të tjera jo. Nëse duam të jemi edhe më pedantë, le të shtojmë se në lojën e shahut ka katër fila, katër kuaj dhe katër tora; se ushtarët nuk kanë asgjë “të njëllojtë” mes tyre, që nuk e kanë edhe figurat e tjera; dhe se mbreti është figurë kryesore në kuptimin simbolik, ndërsa mbretëresha thjesht është më “e fuqishme” se figura të tjera si tora fili dhe kali, pa pasur ndonjë gjë thelbësisht e veçanërisht të përbashkët me mbretin. Edhe një herë, pakujdesia në bashkërendim dhe qasja josistematike kanë çuar në paraqitje jo-profesionale të fjalëve; dhe kjo edhe sepse nuk janë përdorur kritere të njëtrajtësuara, në përshkrimin e fjalëve përkatëse.
Gjithnjë shkoj me shpresën se, gjatë muajve të ardhshëm, ekipi hartues do të më mirëkuptojë dhe do ta vlerësojë si serioz problemin që ngre dhe do të marrë masat për ta shmangur atë në parim, ose duke ngarkuar specialistë leksikografë që ta (ri)shqyrtojnë Fjalorin në mënyrë tërthore, ose sipas grupeve tematike të fjalëve; por i mbetem mendimit të shprehur në shkrimin e mëparshëm, se kjo vepër kërkon ende shumë punë, para se të shtypet në trajtë libri.
(c) 2026 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me Midjourney.
[1] Në përgjithësi, fjalësi i një fjalori, ose lista e fjalëve që janë përfshirë, është diçka e ndryshme nga fjalori vetë, i cili përmban edhe informacion të ndryshëm për këto fjalë, duke filluar nga përkufizimi dhe pastaj, me radhë, të dhënat për përdorimin dhe ngjyrimet stilistike, sinoniminë dhe, në përgjithësi, marrëdhëniet me fjalë të tjera. Është për t’u pritur që përdoruesi ta barazojë në krye fjalorin me fjalësin dhe të shkojë e të verifikojë dora-dorës nëse një fjalë për atë vetë e rëndësishme është përfshirë apo jo, por nuk është megjithatë e pranueshme që diskutimi publik i Fjalorit të kufizohet në çështje të fjalësit, sikurse duket se ka ngecur. Tek e fundit, ky lloj Fjalori shpjegues nuk është dhe nuk pretendon të jetë muzeum i leksikut dialektor dhe krahinor dhe as parlament i shqipes së sotme në shtrirjen e vet gjeografike dhe sociale; dhe një fjalë duhet të plotësojë kritere të caktuara përdorimi, për t’u futur në fjalës.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.