Te Dimri i vetmisë së madhe kam gjetur një diskutim intrigues të rolit që luajnë proverbat në bisedat e nivelit të lartë, mes burrave të shtetit.
Gjatë famëmadhes “mbledhje të Moskës”, organizohet një takim mes Hrushovit dhe Hoxhës, të shoqëruar nga delegacionet përkatëse, në ndërtesën e K.Q. të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Me t’u shtrënguar duart, Hrushovi u tha shqiptarëve: “Mund ta merrni fjalën, ne ju dëgjojmë” dhe këtu Hoxha u përgjigj: “Ju na keni ftuar… I zoti i shtëpisë duhet ta marrë fjalën i pari. Një fjalë e urtë popullore thotë se i zoti i shtëpisë duhet të hajë dyzet kafshata bukë, pasi miku të ketë mbaruar, dhe fjalën e ka ai.[1]” (Dimri i vetmisë së madhe, Onufri 2012, f. 157). Ky proverb, edhe pse duket sikur përmendet në fillim të bisedës, në fakt synon t’i japë fund diskutimit se kush duhet të flasë i pari. Në vijim të takimit, Hrushovi thotë: “Në qoftë se nuk e doni miqësinë me ne, na e thoni hapur… ne e duam miqësinë me ju, por populli ynë ka një fjalë të urtë, që thotë se miqësia me pahir nuk fitohet.” Hoxha i përgjigjet: “Popujt kanë shumë fjalë të urta për miqësinë… Siç duket ajo i ka shqetësuar shumë. Në qoftë se ju me miqësi kuptoni nënshtrimin, jo, nuk e duam atë.” Më tej Hrushovi përmend edhe një proverb tjetër, por Besniku nuk e përktheu dot. “Atë ditë, për çudi, nga të dyja anët kërkoheshin proverba. Ai [Besniku] nuk e kish menduar kurrë që në bisedimet zyrtare do të kishte një përdorim kaq të dendur të tyre. Porsa dikush thoshte ‘populli ka një fjalë të urtë, që thotë se…’ atij i binin djersë të ftohta.”
Duke lënë mënjanë sikletin e përkthyesit për të vendosur nëse një proverb duhet përkthyer apo përshtatur, ia vlen të shqyrtohet sado shkurt roli i proverbave në shkëmbime të tilla mes krerëve. Nga njëra anë, duket sikur këto thënie që përmbajnë e përcjellin eksperiencën kolektive, kur përdoren nga një udhëheqës shteti tregojnë edhe se ky përfaqëson një popull të tërë, dhe flet në emër të tij; nga ana tjetër, si edhe në bisedat mes vdekatarëve të zakonshëm, proverbat shërbejnë për ta zbutur përplasjen e egove, sepse e delegojnë autoritetin ligjërimor nga folësi te vetë gjuha. Çështja këtu është se një udhëheqës i shtetit e ka vetvetiu të vështirë ta mënjanojë autoritetin që ka, nga fjalët që thotë – në kuptimin që fjala e tij ka gjithnjë potencial të pashembullt, edhe ilokutiv edhe perlokutiv; dhe kjo mund t’i kthehet kundër, në rrethanat kur nuk dëshiron që ta futë autoritetin në lojë a të mos rrezikojë ndonjë performativ pa dashur. Në këtë rast proverba e çliron ndërfolësin, në përgjithësi tjetrin, nga detyrimi për të përballuar autoritetin e fuqishëm të atij që i flet.
Por ky marifet – për ta zhvendosur përkohësisht autoritetin nga ligjëruesi te gjuha – mund të shihet edhe si një mënyrë për t’iu shmangur debatit dhe të vërtetave që mund të dalin që andej. Në një pasazh tjetër në roman, kur Besniku tashmë është kthyer nga Moska dhe ka shkuar, si i ftuar, në një mbrëmje festive qeveritare, dhe atje “midis turmës shëtitëse Besniku pa ambasadorin sovjetik. Besnikut i erdhi për të qeshur. Ambasadori iu duk si i rrethuar me proverba.” Kjo, sepse në takimin me Hrushovin, ky e kish quajtur ambasadorin e vet kokëtrashë; dhe pastaj “ata të dy – Hoxha dhe Hrushovi – “kishin thënë proverba për kokëtrashësinë dhe kokëtrashët…” (Dimri i vetmisë së madhe, Onufri 2012, f. 199). Për ambasadorin, i cili përfaqëson shtetin e vet, proverba është arma profesionale prej diplomati, për të folur në emër të një entiteti kolektiv (qeverisë së vendit të vet, popullit të vet, etj.).
Të përfytyrojmë bisedën e mëposhtme:
Arta: Nuk di si të veproj. U kam kërkuar shumë njerëzve mendim, por ç’më thotë njëri s’më thotë tjetri.
Besa: Si thotë ajo fjala, pyet njëqind vetë e bëj si di vetë.
Besa i përgjigjet shqetësimit të Artës me një proverb: pyet njëqind vetë e bëj si di vetë, e cila ka formën e një imperativi (me foljet kallëzues në mënyrën urdhërore). Për ta bërë të qartë që po citon një proverb, Besa e fillon me “si thotë ajo fjala”, një formulë që e zhvendos subjektin e thëniezimit vijues nga Besa vetë, te subjekti anonim i proverbit.
Nëse i zotëron rregullat e të biseduarit shqip, Arta e kupton se Besa nuk është se po i kërkon literalisht që të shkojë të pyesë “njëqind vetë”, por po i sugjeron, nëpërmjet citimit të një proverbi, që të mbledhë shumë mendime nga të tjerët, por në fund vendimin duhet ta marrë vetë.
Ajo që bën Besa, është që i jep Artës një këshillë; dhe këshillën e mbajnë për akt ligjërimor të dobët (“a weak directive”, sipas Searle), ku folësi i thotë dëgjuesit se cili veprim do të ishte më i miri për t’u kryer.
Ai që jep këshillën, zakonisht e ka një autoritet sado të kufizuar; por në shembullin më lart, autoriteti i këshillës nuk përkon me autoritetin e “këshilltares” – kjo e fundit është thjesht një shoqe e Artës, që sjell në muhabet autoritetin e proverbit. Dhe autoriteti i proverbit mbështetet në përvojën dhe urtësinë e brezave, e cila ruhet dhe përcillet dora-dorës nëpërmjet gjuhës.
Ashtu siç është formuluar nga J.L. Austin dhe John Searle, teoria e akteve ligjërimore na tregon se thëniet jo vetëm thonë diçka, por edhe bëjnë diçka. Sipas Austin-it, një thënie mund të analizohet sipas (1) çfarë themi; (2) çfarë kemi parasysh me atë që themi; dhe (3) çfarë arrijmë me atë që themi. Këto tre aspekte quhen, përkatësisht, lokucion, ilokucion dhe perlokucion.
Në rrethana specifike, fjalët tona sjellin një ndryshim të menjëhershëm në realitet. Për shembull, kur një person që ka autoritetin e duhur civil për të lidhur martesa thotë:
Arbana dhe Genti, ju deklaroj të martuar
Atëherë ky person, me fjalën e vet, kryen diçka specifike (lidh një martesë) dhe thënia e tij është performative.
John Searle i ka klasifikuar aktet ligjërimore[2] në:
Asertive – akte ligjërimore që e lidhin folësin me vërtetësinë e asaj që thuhet, p.sh. “Treni për Rinas niset në orën 9:00 të mëngjesit.”
Direktive – akte ligjërimore që pritet ta bëjnë dëgjuesin të kryejë një veprim të caktuar, p.sh. kërkesat, komandat (urdhrat) dhe këshillat.
Komisive – akte ligjërimore që e lidhin folësin me një veprim të caktuar në të ardhmen, p.sh. premtimet dhe betimet.
Ekspresive – akte ligjërimore që shprehin qëndrimet dhe emocionet e folësit ndaj asaj që thuhet, p.sh. urimet, ndjesa dhe falënderimet.
Shpallëse (deklarative) – akte ligjërimore që ndryshojnë realitetin në pajtim me propozitën e deklarimit, për shembull pagëzimi, shpallja e dikujt fajtor ose lidhja e martesës.
Proverbat janë zakonisht asertive, por mund të marrin edhe forma të tjera, për shembull direktive.
Një thënie si nuk mbahen dy kunguj në një sqetull formalisht përshkruan pamundësinë e një veprimi (metaforik), por në fakt mund të synojë ta paralajmërojë bashkëfolësin se po merr përsipër të bëjë më shumë se ç’mundet realisht (si këshillë); ose të mbështetë vendimin e tij për ta braktisur një nga opsionet.
Autoriteti që invokon proverba është impersonal; sa kohë që urtësia e thënies “nuk mbahen dy kunguj në një sqetull” nuk është e folësit, por e proverbit vetë. Do të ishte qesharake, që të diskutohej, në një bisedë, vërtetësia apo vlera e një proverbi. Por ka rëndësi që bashkëfolësi ta njohë e ta identifikojë thënien si proverb, sepse vetëm njohja mund t’i vërë në veprim mekanizmat e interpretimit të proverbit, që janë të ndryshme nga ato të thënies.
Dhe pikërisht, bashkëfolësi do të kuptojë se situata ku ndodhet i përket një kategorie situatash e cila ka ndodhur edhe në të kaluarën dhe është përjetuar nga shumë njerëz, aq shpesh sa këta ta kenë përmbledhur përjetimin në një thënie të shkurtër, në formë imperative. Imazhet e kungullit dhe të sqetullës, bashkë me kontrastin mes dy dhe një, e bëjnë metaforën të funksionojë si një shprehje “algjebrike” e një situate stereotipike.
Kjo ia bën të vështirë bashkëfolësit që ta vërë proverbin në dyshim dhe të fillojë të argumentojë se, në fakt, dy kunguj në një sqetull edhe mund të mbahen.
Kur përdoren me funksionin e këshillës, proverbat janë akte ligjërimore të paketuara paraprakisht.
Veç kësaj, kur përdoren në mbyllje të një muhabeti ose me qëllimin specifik për ta ndërruar temën e muhabetit, proverbat janë tejet eficiente për të përcjellë efekte perlokutive, të tilla si të ftojnë për të mos vazhduar më tutje ose të zbutin një tension çfarëdo që mund të ketë lindur në bisedë; sa kohë që ia kalojnë autoritetin një entiteti anonim – gjuhës (lakanianët këtu do të flisnin për The Big Other).
Thënë ndryshe, proverbat janë instanca të autoritetit kolektiv të trupëzuar në gjuhë. Prandaj forca e tyre nuk ka të bëjë me statusin e folësit, ekspertizën ose synimet e tij; por te diçka që është sanksionuar dhe autorizuar nga gjuha.
Prandaj një thënie si kjo më poshtë do të ishte pa kuptim:
Të këshilloj që të pyesësh njëqind vetë dhe të bësh si di vetë.
Sepse në këtë rast folësi, duke thënë të këshilloj, uzurpon një autoritet ilokutiv (të këshillës) të cilin e ka në fakt vetë gjuha, që e mirëmban proverbin; i cili autoritet e ka burimin (1) në situatat e përsëritura, ku është përftuar eksperienca që përshkruan ose i referohet proverba dhe (2) në vetë përsëritjen e proverbit nga një gojë te tjetra. Karakteristikat prozodike (struktura binare, rima) dhe metaforat e lajmërojnë bashkëfolësin se proverba i përket një lloji të posaçëm të ligjërimit.
(c) 2026 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney dhe edituar me Gemini.
Shënim: Në substack-un tim MENDITIME prej javësh jam duke nxjerrë një gjerdan shkrimesh – PERVERBA – ku mes të tjerash diskutoj në hollësi statusin dhe mënyrën e funksionimit të proverbit në gjuhë. Këto shkrime nuk janë të mbrojtura me paywall.
[1] Nuk e kam të qartë kuptimin e kësaj fjale të urtë popullore. Në versionin frëngjisht të romanit e kam gjetur të përkthyer kështu: “Un adage populaire de chez nous dit que le maître de maison doit encore manger quarante bouchées après que son hôte a fini, et que c’est à lui qu’il appartient de prendre le premier la parole.”
[2] Për thjeshtësi, shpjegimin e mëposhtëm e kam marrë nga faqja këtu.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.