Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kujtime / Udhëtime

REPORTAZH I VONUAR

ARBËRESHËT E HORËS NË FESTIVALIN E GJIROKASTRËS MË 1988

1. Skena e Festivalit 1988 me arbëreshët në qendër

Arbëreshët nga Piana degli Albanesi dalin qetësisht në radhë në podiumin gjysmë-autentik të Festivalit të Gjirokastrës. Ajri i tetorit fërfërin përçuar nga një diell i butë. Mali i Gjerë u bën një sfond gjakueshëm të përgjëruar. S’merret vesh në hapi i ngadaltë është kërkesë regjisoriale apo dëshmon një siklet të lehtë në këtë deklamim prej celebritetesh kombëtare, ndrojtje që e kanë këta çuna e goca çapkënë, kur e shohin veten çuditërisht mes një turme të madhe pritëse në një dhè të panjohur, por fort të përfolur e ëndërruar. Hapat e pasigurt mund edhe të shenjojnë pragun e ngjizjes së parë reale të trupit njerëzor me madhështinë dramatike të fustanit pianiot, për një publik, kësaj here, jo aq familjar si ai i Horës. Ajo veshë e bukur të nxjerr prapë faqebardhë. Burrat, si edhe nëpër festat pianiote, sajohen, ca me kostume prej krahinash të ndryshme shqiptare, ca me kostumet bërë enkas prej Franco Zeffirellit, i cili, me rastin e vënies në skenë të Kavalerisë Rustikane, përdori veshjet arbëreshe të grave të Pianës dhe iu desh të krijojë edhe ato të burrave që t’u përshtateshin veshjeve historike femërore. Gocat e çunat e Horës po vinin të brishtë, si prej një katundi me pak mijë banorë, drejt një kryeqyteti për ta legjendar, Tiranës. Por “në atë humbëtirë” siç thoshte Kadare, e gjejnë papritur veten të adhuruar prej kujtdo: që nga personalitetet më të larta të kulturës dhe shtetit, tek kalamajtë e zbathur të fshatrave shqiptarë. Enden për dy javë mes Tiranës, Gjirokastrës e Sarandës. Çohen gjithandej të shoqëruar e venerohen si Zotat. Dhe nis kështu për ta një përjetim prej të cilit 30 vjet pas, mbajnë mend çdo detaj, emër personi të takuar rastësisht diku, a një-germë-llaf këmbyer ato ditë. Është viti 1988.

Shqipëria është në ngërç. Komunizmi ende kafshon. Njerëz vriten në kufi. Ende pushkatohen e burgosen armiq të socializmit. Enveri ka vdekur, dhe Europa po ndryshon shpejt. Jo ne. Ne bëjmë sikur nuk dëgjojmë a shohim. Intelektualët bëjnë sikur lëvizin. Por në thelb s’ua mban. Varfëria ka hyrë në palcë. Arbëreshët vijnë me një rreze të dridhur hëne në gji, e në ballë një ylber pritjesh. Nuk i fajëson dot për naivitetin. I afrohen këtij vendi si fëmijët të cilëve u kanë folur shumë për prindin, por që s’e kanë takuar dot kurrë. Por, që t’u japim hakun, në fund të udhëtimit kishin kuptuar aq mirë si ishin punët e mbrapshta tonat, sa këngën “Enver Hoxha, tungjatjeta!” e vazhdonin mes tyre me vargun: “Se na vure gjith’ a dieta!”. Me njëri-tjetrin ishin shokë të mirë prej kohësh. Jetojnë si në ëndërr para se të nisen. Punojnë pa pushim, edhe pse drejtuesi i rreptë artistik Giorgio Ferrara (që pas diplomës në inxhinieri civile, mori edhe një diplomë të dytë në Konservator) e di mirë se ka të bëjë me djemp e vajza që të zgjuar janë fort, por s’e kanë haberin e muzikës profesionale. Grupi kantor Shqiponjat nga Piana degli Albanesi, mes peripecish, me një biplan të lehtë rumun të linjës Tarom të cilit ia patën pasur shumë frikën në Fiumicino, ka mbërritur në Shqipëri. “Shqiponjat” – pse ky emër? Askush nuk e di tamam. “Jatroi Ales e desh. U ngë e desha. Il dottore me lo ha imposto[i]!” – bën shaka Giorgio Ferrara[ii]. Janë matur ta ndërrojnë disa herë, por nuk kanë gjetur gjë më të mirë. Vijnë në një Shqipëri që e kishin idealizuar që fëmijë. Sepse në Piana, mes priftërinjsh e intelektualësh aktivë për arbërishten dhe besimin, vetëm ashtu mund të rriteshe. Kështu, që kur disa prej grupit kishin qenë vetëm 16 vjeçarë, dhe Don Cocò, një ndër mësuesit paniotë të apasionuar pas gjuhës arbëreshe (që rastësisht paskësh qenë edhe me bindje të forta fashiste) kish formuar një grup artistik me nxënësit e vet të cilëve u mësonte këngë arbëreshe për shfaqje modeste, na qenkësh hedhur edhe fara e Shqiponjave, grup krejt i transformuar më tej në vitet ’70 e ‘80. Ai mësues i thjeshtë, pa asnjë njohuri muzikore, që kish një pasion të paparë për Shqipërinë, kish krijuar atë nismë fatlume që do zgjaste kaq vjet. Dinamika intime e komunikimit mes anëtarëve të Shqiponjave sot, është po ajo e adoleshencës: shkrihen me njëri-tjetrin, bëjnë shaka të guximshme pa e prishur atmosferën miqësore, bëjnë zhurmë, i ndërpresin fjalën dhe venë në siklet njëri-tjetrin. Dhe qeshin me të madhe.

1988, Kalaja e Festivalit: Caterina hap programin. Zëri rinor pak i dridhur lëviz papushim mes arbërishtes dhe shqipes. Teksti është parë e riparë prej dikujt që të tingëllojë i afërt me shqipen. Bart edhe ndonjë koment të tepërt shpjegues që s’ka mundur të hiqet deri në versionin final. Fjalët shqip janë të bukura: sa më shumë të thuash aq më mirë tingëllon, ndaj: “Për të gjitha këto gjëra ose cilësi…”. I pyes cili e ka shkruar atë tekst, sepse qartësisht nuk është në arbërisht. E shkroi Papas Sofroni Prençe, më thonë; shqiptar nga Vlora që, prej studimeve si murg bazilian në Grottaferrata, ish transferuar në Scliza, manastirin basilian të Pianës. “Kemi një gijak e jemi të një gijaku”, vazhdon Katerina, “e gijaku nëngë bëhet ujë. Jemi krenarë që shkelim e puthim këtë dhe! … e zëmë te e para këngë: “O e bukura More!” Më thonë se Katerina ishte mbesë e dikujt me mbiemër Panda që kish kaluar tërë jetën në Piana, por që ish shqiptar, dhe se, sapo grupi kish mbërritur në Rinas, një tufë farefisi me fytyra shtypur pas xhamit prisnin pa ditur cila ishte “e tyrja”. As ajo s’i njihte, dhe në fakt të dy palët ishin ndarë kështu në aeroport, pa folur, nga rregulluesit striktë të lëvizjeve të të huajve që shoqëronin këmba-këmbës arbëreshët. E di mirë si i prisnin shqiptarët e zinj “të jashtmit”. Perënditë erëmira zbrisnin në Rinas dhe ti mund të ishe fatlumi i rrallë që kish një lidhje me ta e mund t’i takonte. Në familjen time kjo ndodhte me “amerikanët” nga fisi i mamit. Kush t’i kishte më shumë, kush t’i prekte, të mësonte diçka prej tyre, të merrte ndonjë plaçkë e sende, sende me aromë e me ngjyra të papara. Ne jetonim në varfërinë absolute gri. Arbëreshët këtë s’e dinin kur erdhën. Kryeqyteti ynë, i vogël aso kohe, kish uri për objekte, më shumë se katundi i tyre italian.

“O e bukura More” këndohet me melodi dhe zëra shumë më afër këngës tradicionale[iii]. Hapësirat e publikut mbi Kala janë plot-plot. E mbaj mend në ato vite si mahniteshin shqiptarët me tingullin e arbërishtes. Mua edhe sot më duket shumë i ëmbël, sido që italianët thonë se pianiotëve u dallohet një theks i rëndë i pazakontë kur flasin Italisht. Dhe arbëreshët e Pianës, që s’lenë rast pa thumbuar veten dhe të tjerët, thonë se janë orgogliosë se ai theks i rëndë “nuk është siçillian” të paktën!

Në rresht të parë në Gjirokastër shohin vajza të veshura në xhinse me makijazh të lehtë perëndimor. Mendojnë se janë të huaja. Rrugës nëpër fshatrat e Fierit dhe Gjirokastrës kanë parë fëmijë që ecnin zbathur për në shkollë. Në Tiranë kanë parë gjendjen e mjerë të veshjes së njerëzve. Ata shqiptarë që kanë pasur mundësi të rrinë afër grupit u kanë kërkuar çfarë kanë mundur, gratë makijazhe e çorape të holla; burrat, bluza, xhinse e gjithçka. Në plazhin e Sarandës u kanë vjedhur këpucët. Dikujt në grup i kërkojnë kopsat e xhaketës para nisjes për në Itali. Dhe ajo kuptohet që i pret e ua jep. Arbëreshët i tregojnë me dashamirësi këto histori. Me një parehati të madhe kur kujtojnë varfërinë që gjetën në Tiranë e më tej. Pra, në fare pak ditë në Shqipëri, arritën ta prekin skamjen tonë. Ndaj çuditen, kur shohin këtë rresht të parë me vajza aq perëndimore dhe dukshëm të mirëmbajtura. Pastaj marrin vesh se janë nga familja e Enverit. Këta të Enverit, nisin të shkojnë në autobus me arbëreshët për në Sarandë. Më pas mbajnë korrespondencë. Letrat e tyre para se të arrinin në Piana, ishin hapur. Arbëreshët vinin re zarfet e ndukura. Edhe ato letra të emblemuara i paskëshin hapur?!

2. Disa prej protagonistëve të grupit Shqiponjat

Jam bërë shumë kurioze për perceptimin e tyre, atëherë rishtar, për Shqipërinë, pasi pashë grupin e 1988-s në YouTube. Më brente kureshtja! Dua të di diçka për historinë e grupit dhe iniciatorët e këtyre aktiviteteve artistike. Disa, i njoh prej kohësh. Që para 1990-s! Jam me disa nga pjesëtarët e hershëm të grupit, Concetta Cuccia një njeri i dashur për mua, që nuk e njoha e nuk më njohu kur u takuam në fillim-dhjetor të 2025-s, sepse kishim që në 1990 pa u parë; Giusi Lo Greco që shpreh muzikalitet në ecje, të folur e buzëqeshje, dhe i shoqi, Piero Napoli, që pas natyrës fort shakatore nuk fsheh dot një karakter solid malësor – marr vesh se të dy patën shkuar në Festivalin e Gjirokastrës vetëm dy muaj pas martese dhe ndiheshin si në re gjithë kohën; Giovanni Borgia, me kujtesë të pazakontë, ndoshta edhe pse e kish përforcuar me një galeri fotosh të mrekullueshme që pat bërë gjatë udhëtimit të 1988 – e që ia vlen të krijojnë një mini-ekspozitë; Giorgio Cuccia, energjik dhe operativ, nuk e humbet asnjëherë fillin a asaj që do thoshte, edhe pse të tjerët e ndërpresin pa pushim; i dyti Giorgio Ferrara, pjesëtari më i ri i grupit të Gjirokastrës që atëherë i binte kitarës; dhe i pari Giorgio Ferrara, drejtuesi artistik i grupit, që të gjithë dukshëm e respektojnë thellë, jo vetëm për punën për grupin dhe profesionalizmin e vet instrumental muzikor, por edhe për idetë e lira e kritike, seriozitetin, dhe natyrën e paepur.

Më pas na bashkohet edhe Gino (Giorgio) Ales, mjek i Horës, mik i vjetër i imi dhe shok i ngushtë me të ndjerin Pasquale Rendën, bashkë-organizatorë të grupit dhe të lidhjeve të hershme me Shqipërinë. Edhe Ales ka qenë ndihmëtar i aq e aq shqiptarëve, ashtu si Pasquale që iku herët nga kjo jetë. Alesin, në darkë, e takoj bashkë me gruan e vet shpirtmadhe me arbërishte bilbil, mësuesen arbëreshe Antonella Caradonna. Takimin me grupin e realizova me ndihmën e poeteshës pianiote Giuseppina Demetra Schirò, arbëreshe e palodhur, aktiviste e gjuhës arbëreshe dhe e ritit bizantin, një shoqe e dashur për mua dhe një shpirt i lirë e i dëlirë për kë e takon.

Nuk u thur lavde këtyre njerëzve sepse po shkruaj për ta. Për ata që i njohin pianiotët, këto që them nuk janë çudira. Më thosh dikur në formë habitore Giuseppina Cuccia, (për të cilën kam shkruar më parë këtu) se nuk është normale që një katund, me aq pak mijë banorë, të ketë një jetë intelektuale dhe artistike të tillë! Dhe kish të drejtë: një katund siqilian a kalabrez në krah, me po 2-3 apo 5-6 mijë banorë, nuk ka qindra persona që shkruajnë poezi, po aq që janë studiues, qoftë edhe të vetë-bërë, që ka disa grupe teatrale, plot intelektualë lokalë me standarde të larta siç është rasti i Zef Schiro di Maggios në Piana, me disa profesorë universitarë që merren me çështje të gjuhës, ritit, e kulturës lokale, me priftërinj e peshkopë me kulturë të gjerë kishtare por po aq të gjerë edhe gjuhësore, letrare, kulturore, plot aktivistë e protagonistë publikë me profile të painjorueshme edhe kur janë fare të rinj, e sidomos aq e aq mësues që tradicionalisht i kanë dhënë krejt jetën gjuhës e kulturës së komunitetit. Kish të drejtë! I thoja atëherë kur më pyeste, se arsyeja që ka një pjellori të tillë nëpër katunde modeste, është tradita e vlerësimit të të qenit ndryshe, dëshira individuale për ta mbjellë ndryshimin e përkujdesur për të; Frika se mos ndryshimi humbet. Dhe mbetem e bindur ende: mospasja turp për gjuhën e mëmës, për të qenët ndryshe, për tradita që s’ngjajnë me ato të popullsive rrethuese, e bën katundarin mendimtar e poet. S’ka rëndësi cilësia e mendimit apo e artit: rëndësi ka ngritja mbi nevojat bazike të jetës dhe përjetimi idealist. Është një traditë që e rriti priftëria arbëreshe. Ajo, për të mbijetuar, e mbajti flakën e veçantisë gjallë në shekuj. Dhe më pas, edhe intelektualët, që në kohët moderne u shumuan edhe jashtë klishave dhe zonave ideore që mbulonte riti bizantin i katundeve.

2.a) Ja rasti erdhi, e s’përmbaj dot një klithmë, edhe pse pa vend këtu!

Por ama, besomëni mua dhe mos e banalizoni bukurinë kulturore dhe periudhat aktive të arbërishtes, me ide irracionale e romanticiste të tipit: ata janë vazhdimtarët e shqiptarëve të vjetër (arbërve) dhe dëshmojnë thelbin tonë gjenetik historik, që ne, kushedi si, e paskëshim humbur. Ideja se popujt ndryshojnë apo ruajnë ADN-të e veta kulturore nga sebepe mekanike, është falsitet. Si ajo që ne ishim të  mirë, por na prishi turku. Arbëreshët e sotëm janë italianë të Jugut, 100%, me një histori të veçantë si shumë grupe italiane, që për rastësi ideologjike e kulturore që ndoqën zhvillimet apeninike dhe europiane në shekujt e shkuar e që u përvetësuan dhe u rindërtuan e popullorizuan nga elitat kishtare dhe kulturore të zonave arbëreshe në një mënyrë patriotike, lidhur në një pikë të caktuar – me Shqipërinë, na bëjnë sot kaq të afërt e të dashur. Qëllimshmëri të rastësishme kulturore të cilave, me të drejtë, u gëzohemi si ne, si ata, sepse na kanë pasuruar me miqësi, me larmi, dhe na kanë ruajtur një stad të vjetër gjuhësor që ndryshe do kish humbur! S’hyn gjaku gjëkundi këtu, as figurativisht!

3. Një linjë e viteve dhe ngjarjeve kryesore që përcaktojnë lidhjen e grupit artistik Shqiponjat me Shqipërinë

Duket sikur gjithçka që solli rrugëtimin e Shqiponjave për Gjirokastër në 1988-n, nis me ardhjen në Piana të Siqilisë të një grupi këngëtar korçar (Ansambli Skënderbeu) më 1979. Kuptoj se kanë qenë më parë në Kalabri. Giorgio Ferrara, drejtori i Shqiponjave, e mban mend që iniciatorët për vizitën e tyre patën qenë kalabrezët. Por nuk di më shumë. Më pas telefonoj për një intervistë Damiano Guagliardin (aktivist arbëresh kalabrez), që më jep plot info plotësuese për mënyrën se si këto marrëdhënie mes Shqipërisë socialiste dhe arbëreshëve nisën dhe si u rritën. Edhe ai më flet për një mungesë komunikimi mes grupit të Pianës dhe të Kalabrisë, edhe pse pa asnjë lloj armiqësie. Por grupi Shqiponjat, me të cilët unë fola shtruar për disa orë për këtë shkrim, shumë prej këtyre lidhjeve dhe aspektit politik që lidhej me ambasadën tonë në Romë, nuk i njeh. Mbajnë mend mirë pianiotët, në këtë grup, Afërdita Laçin dhe këngën e saj “O erdhi bilbili”, që ata në fillim e kishin marrë për një këngë folklorike. Guagliardi më shpjegon se ky grup kish formuar më pas të mirënjohurin grup “Na bashkoi kënga popullore”, që moshatarët e mi shqiptarë e mbajnë mend shumë mirë. “Shqiponjat” me të cilat flas në Piana këtë dhjetor me shi të 2025-s, mbajnë mend emrin e çdo pjesëtari të atij grupi tashmë të harruar. Që prej 1979-s, me një takim ndodhur më pas në Tiranë. U pat bërë përshtypje, që, kur autobusi me korçarët ndaloi në mes të pjacës së Horës, mbi rrugën kryesore që mban emrin e heroit kombëtar shqiptar, asnjë prej pjesëtarëve, për habi, nuk pat zbritur nga autobusi. Pianiotët me dëshirim e kuriozitet të madh prisnin në këmbë. Por asgjë nuk ndodhte. Më pas, kishin zbritur vetëm pasi kishin arritur në restorant. Jam e sigurt që cilido përgjigjej politikisht për grupin, do ketë pasur ndonjë ngërç. Dhe s’ia mbante kujt të dilte e t’u fliste arbëreshëve pa lejë nga lart.

Një ngjarje e dytë që grupi kujton si të rëndësishme, ish një konferencë lapidare për gjuhën dhe kulturën në vitin 1985 në Universitetin e Palermos në të cilën një numër i madh studiuesish nga Shqipëria patën marrë pjesë. Miqtë nga grupi Shqiponjat, që me atë rast patën shkuar për t’u takuar dhe dhënë një koncert, kujtojnë Kostallarin, Agollin, Jorgaqin, Shkurtajn. Me Jorgaqin dhe Shkurtajn, miqësitë e arbëreshëve kanë qenë më të thella, dhe vazhduan edhe pas 1998-ës, kur shumë shqiptarë intelektualë nevojtarë u distancuan natyrshëm, pasi kishin arritur një lloj stabilizimi ekonomik, e nuk u duhej më të ushqenin aktivisht miqësitë me arbëreshët që patën qenë për ta një varkë shpëtimi. Mundet që në Kuvendin e 1985-s të ketë qenë edhe Alfred Uçi, siç më rezulton nga ekzaminimi kryqësor. Në një vëllim që më dhuruan në Bibliotekën A. Bellusci në Frascineto (Frasnitë) afër Kozencës, ku janë përmbledhur gjithë dëshmitë (1979-2018) lënë prej vizitorëve në këtë bibliotekë ndërtuar prej Papas Belushit[iv], gjej që herët, në vitin 1981, kur vetëm Dhimitër Shuteriqi, Jup Kastrati dhe Ali Xhiku, kanë lënë falënderime për të zotin e shtëpisë dhe të bibliotekës[v]. Pastaj kalohet drejt e në 1988, me një dëshmi vetëm nga Jorgji Gjinari, e më pas në 1991, rimerren plot dëshmi prej një grupi të gjerë: prapë Jup Kastrati e Nasho Jorgaqi, më pas Anastas Dodi, në 92-shin Floresha Dado, Gjovalin Shkurtaj, Minella Totoni, etj. Pra, asgjë më 1985-n! Përgjithësisht, çdo studiues apo anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve që vinte tek arbëreshët, e bënte një ndalesë tek papas Belushi. Gjithsesi, edhe pse biblioteka e Belushit ka nisur nga vitet 1960, të parët shqiptarë që lenë dëshmi janë këta të 1981-shit. Nga bisedat me grupin Shqiponjat, 1979 (ardhja e grupit korçar) dhe 1985 (ardhja e profesorëve) janë dy datat që shfaqen si parësore për nga intensifikimi i lidhjes me Shqipërinë. Pa përmendur 1988- 500-vjetorin e akteve themeluese të Pianës, që besoj është festa më e madhe kulturore që Piana ka organizuar ndonjëherë. Nuk di si janë instruktuar profesorët tanë të sillen me Martin Camajn, në atë konferencë?! I kanë folur e janë takuar vallë?! Camaj ish në të! Ai s’mungonte asnjëherë! Në konferencën e radhës, herët në 1991-shin në Palermo, e kam takuar dhe kam ndenjur disa orë me të. Më ftoi të ulesha pranë tij në rreshtin e parë. Nuk ia harroj dot vështrimin aq domethënës dhe fjalët që shkëmbyem. Një përshtypje e paharruar për mua! Kur mendoj sa pafat duhet të ndiheshin studiuesit shqiptarë atyre viteve, që nuk shkonin dot as në një katund vendi fqinjë, që, siç tregon edhe ekspedita e vyer e Eqrem Çabejt në Piana në 1933, kish domethënie të jashtëzakonshme për shkencat tona sociale, sidomos studimet gjuhësore e letrare! Profesor Çabej ish lejuar të vinte edhe më herët për kërkime në Piana (në vitet ’70) duke rihapur një korridor të domosdoshëm (edhe pse pak të lëvruar) për studiuesit më pas, edhe pse ai nuk i kish ndërprerë kurrë, që prej 1933-shit, lidhjet gjuhësore e shpirtërore me miqtë e vet arbëreshë në Horë. Por kjo është një temë më vete që kërkon tjetër trajtim.  

Por lidhjet janë shumë më të hershme, sipas informacioneve që më jep Damiano Guagliardi, që sapo ka botuar një libër me kujtime personale për Grupin “Zjarri” të Shë’ Mitrit, një tjetër grup artistik të rinjsh arbëreshë të Kalabrisë që kish nisur aktivitetin nga fundi i viteve 1960. Një grup artistik kalabrez (nga San Benedetto Ullano – Shën Benedhiti) paskësh marrë pjesë në Festivalin e Gjirokastrës që prej vitit 1968, me këngë arbëreshe autentike. Më 1973 paskëshin dashur të çojnë grupin kalabrez “Zjarri” të San Demetrio Corone-s e Macchia-s (Shë’ Mitri e Maqi). Por këta nuk mund të shkojnë asaj here, dhe zëvendësohen me një grup miks prej tri fshatrash të tjera arbëreshe të Kalabrisë. Për herë të tretë dhe të katërt, përkatësisht 1978 dhe 1983, grupe të ndryshme kozentine në të cilat bënte pjesë edhe Zjarri, kishin marrë pjesë rishtas në Gjirokastër me këngë e valle arbëreshe. Sipas Damianos, në fillimet e viteve ’80, këto grupe po rriteshin cilësisht nga ana muzikore dhe po kryenin edhe studime më të specializuara. Po ashtu, edhe ai si pianiotët, flet për grupin korçar, që, para Pianës, paskësh qenë në zonën gadishullore në disa prej katundeve të fishekzjarrit arbëresh të asaj pjese të Italisë, dhe tregon se ata (korçarët) patën ftuar (me siguri, me këshillim të posaçëm zyrtar) disa prej grupeve kalabreze në një “javë rinore” organizuar në Korçë në fund të atij viti. Damiano mban mend që patën shkuar me tren deri në Pogradec. I bie pra, që arbëreshët e Kalabrisë përfaqësuar prej katundesh të ndryshme, paskëshin marrë pjesë që në ’68-n, pa ndërprerje, në Festivalet e Gjirokastrës (1968, 1973, 1978, 1983), derisa arrijmë në historinë e festivalit të 1988 që është ne qendër të këtij shkrimi. E pyes Damianon, si organizoheshin lidhjet me Shqipërinë, duke imagjinuar që duhet të ketë qenë shumë e vështirë, bazuar në ngurtësinë tonë ideologjike. Më thotë që Ambasada shqiptare ishte qendra. Më pas, edhe disa grupe politike në disa fshatra. Por, një rol veçanërisht të madh për këto lidhje mes arbëreshëve dhe Shqipërisë, paskësh luajtur një punonjësi i Ambasadës sonë në Romë, Haki Keta. Damiano Guagliardi saktëson se grupet e organizuara prej tij ishin me motivacion thjesht artistik e folklorik, jo politik. Si në komunikimet me grupin Shqiponjat, si ato me Guagliardin, shoh qartë që e majta e katundeve arbëreshe aso kohe kishte grupimet e veta, dhe ishin përvijuar mirë ndasitë në kampin e majtë mes “socialistrave” me “i communisti”, dhe me “i marxisti-leninisti”. Në Piana, përmendin emrat e cave prej këtyre të fundit që ishin disi të privilegjuar në Shqipëri, megjithëse jam e sigurtë që, mes marksistë-leninistëve italianë me origjinë arbëreshe dhe marksistë-leninistëve tanë në Tiranë, s’kishte ndonjë ngjashmëri të madhe. Arbëreshët e Pianës duhen më shumë prej shqiptarëve, më thotë Guagliardi me notë dashamire e pa kaqardhje. “Loro sanno vendersi[vi]”. Pastaj shton diç që më bën të mendoj se do të thotë që fustani pianiot është një kulm që s’mund të mos marrë kurdo vend të parë. Pyes pianiotët e grupit Shqiponjat për lidhjet e dy anëve me Shqipërinë. Më thonë se pianiotët nisën të parët lidhjet politike të grupeve të majta me Shqipërinë. (Këtu, dallojnë qartë, siç thashë, komunistët e socialistët nga marksistë-leninistët që, nga intonacioni, trajtohen pak si të marrë.) Ndërsa kalabrezët nisën lidhjet artistike shumë më herët se ata. Kuptohet, nga ana shqiptare, gjithçka trajtohej si politike dhe shihej me mikroskop ideologjik.

Në gusht të 1988 Piana feston 500-vjetorin e themelimit të vet në Itali. Është ngjarje lapidare kjo për Pianën! Një atmosferë aktive tejçon gjithë verën dhe vitin paraardhës. Në raste të tilla rizgjohet si aktivizmi gjuhësor, si ai etnik, që shpesh në popullsinë e gjerë shprehen me forma artistike; në nivelet akademike, me konferenca e botime të rëndësishme. Normalisht, ngjarjeve të tilla të mëdha në komunitete të vogla gjuhësore, u ndihet inercia për gjithë dekadën rrjedhëse, duke krijuar hope cilësore në përdorimin gjuhësor. Ndonjëherë ato ndihmojnë për kapërcim stanjacioni dhe rizgjime gjuhësore, dhe mund edhe të krijojnë brezninë ndjekëse të folësve aq të domosdoshme për vazhdimësi, edhe sikur jo-perfekte. Piana u bë qendër e gjithë vëmendjes arbëreshe të Italisë, duke krijuar kushte për një bashkëlidhje më të fortë mes Siqilisë arbëreshe dhe gadishullit arbëresh, disi të munguar. Kuptohet, grupet folklorike të zonave të ndryshme kishin pasur raste takimi. Të tjera aktivitete planifikoheshin me këtë rast. Grupi Shqiponjat i Pianës ishte ylli i festës. Tamam në atë kohë vjen në Piana edhe Ansambli Popullor. Shtyhet ardhja për një javë, sepse në Piana qëllon një grup rus. Sapo qe marrë vesh, Ansambli kish shtyrë vizitën. Pianiotët mahniten. Bukuria e grave dhe burrave të rinj të Ansamblit ende sot zihet ngoje. Ideja ishte se shqiptarët e Shqipërisë takoheshin me gjakun e shprishur. Nuk perceptohej si një takim i profesionistëve më të përzgjedhur të një kombi (edhe pse të vogël) me banorë të një fshati në Jug të Italisë. Ishin shqiptarë ka Tirana që vinin te gjaku i shprishur. Kjo ide flakëritëse, i bënte edhe më të jashtëzakonshme përshtypjet për grupin e Ansamblit. Ka pianiotë të një fare moshe që kujtojnë mirë shëtitjet e Kadaresë në sheshin e Horës, shkrimtari më i madh i shqipes, ishte aq afër! Kujtojnë edhe Ibrahim Kodrën ato ditë në Piana, si edhe punimin e tij kushtuar Pianës, pikërisht me këtë rast përvjetori. 

I fundit gur kujtimi për grupin Shqiponjat është viti i vonë 2018. 30 vjet prej performancës në Gjirokastër. Kësaj radhe përgatitja është shumë më serioze. Nuk janë më aq të rinj, dhe drejtuesi artistik Giorgio Ferrara kalon katër muaj provash të përditshme me grupin që, kësaj radhe, zgjedh këngë që vërtet përfaqësojnë me dinjitet ritin bizantin, duke përdorur si gjuhë bazë arbërishten dhe greqishten liturgjike. “Nuk kënduam më ‘O moj korçare’ e ‘N’ato maja rripa-rripa’, ‘Gërmija, Gërmija, e fort’ isht dashuria’… come scemi. La prima volta non eravamo seri[vii]!” – thotë Giorgio. Kësaj radhe prezantoheshin me pjesë shenjuese të liturgjisë përgatitur në katër zëra. Koncertin e dhanë në Kishën Ortodokse në Tiranë. Kishin kërkuar disa nga miqtë e vjetër – dikur ministra e drejtorë institucionesh të njohura, që, në ’88-n, s’u ndaheshin e i ftonin me dashuri në ambiente familjare e private. Por shqiptarët tashmë ishin të zënë. Pritjet e darkat solemne nga institucionet ishin fikur gjithashtu. Por kjo nuk i bezdiste arbëreshët. Gjëra që ndodhin. I kish lënë pa mend ndryshimi i Tiranës. “La prima volta, tundu-tundu, ishin gjith’ shpi të vogla. 1988: Në Tiranë rronej si ktu te ne, si te gjitonia. Gjindja na lipënj gjithkish. Ngë donin grane. Donin shërbise[viii]. Collant, magnetofoni, këmishë e magliette. Veç Avni Mula na lipi partiturën e Requiem të Verdit, se nuk e gjente dot atje.” 2018: Ngë njihnim asgjë! Mi sentivo vecchio. Noi ormai eravamo il passato retrogrado. Ma abbiamo trovato anche un chaos urbanistico scioccante[ix].

I pyeta nëse kish gjasa që grupi të rimblidhej. Ma, ngë kemi vdekur!- më thonë. Por pastaj me buzëqeshje lëvizin kryet në mënyra që shprehin dyshim, dëshirë që s’realizohet dot. Por ndoshta, ndoshta… një rizgjim pas tre vjetësh, më 2028, për 50-vjetorin e krijimit, do ish i bukur!

4. Disa kujtime në formë anekdotash prej 1988-s

Me një përgatitje që vetë pjesëtarët e grupit (sot të pjekur e sofistikuar, por gjithnjë shpuzë në shaka e ironi) e shohin si të mangët, në 1988-n e largët, ata ia dalin të kalojnë një tetor të paharruar që furnizon me adrenalinë të sahershme gati 40 vjetët e ardhshëm. Së paku 40, deri më sot. Flas me ta në dhjetor të 2025-s, dhe vë re se nuk kanë harruar asnjë çast, asnjë fjalë, asnjë takim a ndodhi. Mbajnë mend emrat e çdo personi shtetëror apo intelektuali që kanë takuar, madje edhe të studentëve që rastisnin t’i shoqëronin. Ishin miq për kokë atëherë. Më poshtë jap në formë episodike kujtime që mua më bënë më shumë përshtypje dhe m’u duk se kish një farë vlere t’i ndaja me lexuesit.

  • Në Gjirokastër i ngjiteshin rrugës për në kala. Një burrë me fëmijë vjen t’i flasë njërit prej grupit të arbëreshëve. Një polic pranë nis ta rrahë duke i rënë me shkelma. Arbëreshët shastisen. Piero nis t’i bërtasë policit: Ngë bunet! Ngë bunet!
  • Shpesh rrugës me autobusin që na çonte në Festival, shihnim fëmijë të zbathur që ecnin në grupe për në shkolla. Edhe nëpër shi. Por shoqëruesit nuk pranonin t’i merrnim në autobus, as edhe për një copë rrugë.
  • U kishin thënë se do kishin një pritje me Ramiz Alinë. “Kur na ju fal e na ip dorën, e shtrëngoj[x] fort dorën. E u, gjegja tjerët: Miii, sa e shtrëngo dorën?! Fort, fort! Si jerdh e ma dha dorën, u ja shtrëngova më fort! Ai më vrejti e buri me krie. E u ia mbaja e ia mbaja dorën.” Një tjetër arbëresh ndërhyn me shaka: “I qerrjëm te spitali t’i ndajëm!” Një tjetër vazhdon: “E aji më pieti: Si të thonë? U i thashë: Gjergj, si Skënderbeu!” Kjo ish një shprehje që e kishin bërë të vetën gjithë ‘Giorgio-t’ e grupit kur takonin shqiptarë a kosovarë.
  • Kishin qenë në Rumani para Shqipërisë, dhe thonë se ndihej ndryshimi dhe era e lirisë në mënyrën si silleshin rumunët. Jo në Shqipëri, ama! “Mancava il senso di cambiamento! Si vedeva chiaramente che c’era miseria. Ma tutto sembrava calmo. Sikur le persone accettavano senza problemi la situazione[xi].” Por shenja frike kish. Giusi tregon se vajzat dhe gratë që lejoheshin të komunikonin me grupin, kur bënin komplimente për ç’kishin veshur a si ishin trukuar arbëreshet apo kur donin t’u kërkonin këtyre ndonjë dhuratë, i merrnin jashtë hotelit dhe ecnin “në mes të la piazza, se trembeshin per le micro-spie a Hotel Tirana.”
  • Para se të ngjiteshin në podiumin e Festivalit, dikush nga pala shqiptare kish kontrolluar tekstet. Njëra nga këngët dashurore thoshte “Kur të runj sit sajë, / më duket Shë’ Mëri!”. Ua censuruan fjalën dhe vargu u bë: “Më duket bukuri”. Por kur u këndua, secili e tha si i erdhi për mbarë. Shqiptarët në atë kohë edhe këngën “O e bukura More”, që s’ish bërë ende familjare, e shihnin me dyshim. Në ’78, kur grupi korçar kish ardhur në Piana, Papas Lefteri kish nisur ta këndonte pa program, si për të provuar diç autentike arbëreshe. Por e kish pritur një heshtje dhe hutim i tensionuar nga shqiptarët.
  • Kur shoh disa foto bërë nëpër Shqipëri në 1988-n prej Giovanni Borgias, më tërheq një foto që, sipas meje, meriton së paku një çmim kombëtar. Sa s’klith: Ceni Lakut??? Arbëreshët më shohin me habi. Giovanni thotë: Noi lo chiamiamo ‘Il dottore selvaggio’[xii]. Në foton që mund ta shihni këtu (me lejen e autorit), Ceni i Lakut po ekzaminon një paciente duke bërë marifetet e tij magjike mbi kocka e deje, në një oborr a dhomë të madhe të shtëpisë së vet. Të tjerë njerëz janë ulur në stola duke pritur radhën si në një sallë spitalore. Ambiente te brendshme socialiste: të rregullta, të varfra, të vrazhda, me kortinka të bardha me shufrat mbajtëse aq të njohura. Njerëz gri. Ndonjë fytyrë e qeshur fëmije. Arbëreshët “i kanë shpëtuar rrethimit” dhe kanë dalë pa leje të eksplorojnë Tiranën. (Po kështu kishin bërë edhe në Ksamil kur nuk i linin të laheshin në det, megjithëse ato ditë tetori ishin tejet të bukura.) “Scherzando, abbiamo rotto molte regole[xiii]”, më thonë. Kështu hallakateshin kur mundeshin, ose kur, duke qeshur e luajtur, insistonin të dilnin “deri aty afër”. Kanë gjetur një portë hapur e janë futur në oborrin e Cenit që s’ish larg 15-katëshit unik.
  • “Ishim në Berat, te një ristorant ku na dhanë një pishk që ish një qelbësirë.” Giorgio, i lodhur në restorantin me peshk që s’hahej, ngrihet dhe, pa marrë lejë, del për të shkuar i vetëm në lagjen Goricë. Merr urën kryesore, kur i del përpara një burrë i ri me një fëmijë në krah dhe e fton në shtëpinë e të vjehrrit. Arbëreshët e djegur për pak Shqipëri s’i thonin jo asnjë ftese. “Erano tutti gentilissimi! Quando stavo andando via, mi hanno regalato un’arancia[xiv]. U thashë: oooooo, një nerënxë! Ata më thanë: ‘Si e thua ti, si e thua: Një nerënxë?’. E u vunë e klajën gjithë! Ai i riu që më takoi te Ura, më dhe emrin e u i dhashë numerin e telefonit. Gjovalin e thrritnin. Nani, më 1992, ki vjen te Hora. U, isha Palermë. Më telefonart mëma e më thotë: isht nji albaniz që të kërkon. E ish proprio ki Gjovalini që kisha takuar Berat! Ai me adresën që mori ahjerna, kish vatur te ambasada e erdhi te shpia ime. E ki ndijti tre muaj ke shpia e mëmës e tatës. Gjovalini kish gjiri në Belgjikë e kërkoj[xv] lidhje.” Giorgio dhe të tjerë pianiotë kishin gërmuar gjithë të njohurit e vet në Kuesturën e Palermos e kudo, të zbulonin se si mund të shkonte Gjovalini në Belgjikë nga Italia. Miqtë në policinë e Palermos u thanë se Gjovalini u dashkësh të shkonte në kufi me Francën në Bardonecchia, që pastaj të ikte për në Belgjikë. Por, para se të dorëzohej tek policia kufitare në Bardonecchia, duhej domosdo të ishte pa dokumente, pra pasaportën shqiptare duhet ta kish hedhur para se të hynte në kufi. “Na kishëm një mik a Torino që e qerri Gjovalinin al confine a Bardonecchia. Ma, ki Gjovalini, ngë pati fuqinë ta shtirr pasaportin. Ju trëmb! E ju prezentar te i poliziotti con il passaporto. I poliziotti, si panë pasaportin, e dërguan pameta mbrapa in Albania. E çë ka bujëm?! Allora, il secondo tentativo[xvi]! I thomi si vjen pameta: Gjovalin, ti ka shtjesh pasaportin! Shkoi. Shturi pasaportin. Shkoi in Francia. E pramë in Belgio. E tani, ki Gjovalini, isht pronar i ristorantit Tradita a Scutari! Pati sukses! Ѐ una storia bellissima la sua![xvii]

Këtë anekdotë disi të gjatë më pëlqeu ta fus të plotë në reportazh edhe për të treguar sa thellë e me dashamirësi arbëreshët prej gjithë zonave janë lidhur dhe kanë ndihmuar deri në ekstrem individë shqiptarë të të gjitha kategorive, nga profesorë e ministra, tek njerëz të thjeshtë hasur rastësisht rrugës. Thjesht sepse ishin shqiptarë! Arsyeja? – një idealizëm ëndërrimtar e i romanticizuar fort i lidhjes së gjakut; një realitet bazuar në ëndërr. Por kjo ka pak rëndësi. Kjo lloj marrëdhënieje ndihmese prej zemre mes njerëzish, me arsye të justifikuara materialisht apo të shpikura ideologjikisht, edhe pas mijëra vjetësh, provohet të jetë, gjithsesi, më e frytshmja e përparuesja për të gjithë. Unë njoh dhjetëra arbëreshë që kanë bërë ashtu si Giorgio. Duke biseduar me grupin, edhe Concetta përmendi disa shqiptarë që kanë bujtur në shtëpinë e saj me muaj. Dhe u jam thellësisht mirënjohëse, si njëra prej atyre shqiptarëve që këtë mikpritje e kanë provuar. “Pramë kto lidhje, pak e pak, ju kputën. Ju zborën.” – thonë arbëreshët natyrshëm e pa asnjë mllef a mëri.

5. Fund[xviii]

-Thotë Giorgio Ferrara: “Da piccolo, obbligavo mio padre a mettere Radio Tirana. Ricordo ogni sera “Parashikimet e motit”. Mahnitej e ëndërriste Giorgio. “Kur vamë pramë në Shqipëri, u pata un innamoramento terribile[xix]. Lexova gjithë librat e Kadarejës, me fjalorin te ana. Mësova të flisnja shqip. Mua më pëlqej Shqipëria kur ngë njihnim Shqipërinë… Ish mitologji… Pramë ki imazh u prish!”

-Një tjetër version: “Viaggio 1988. Hotel Tirana. Na: Jemi arbëreshë! Gjindja klajën, na përqafojën!

Viaggio 2018. Hotel Tirana, lo stesso piano! Na: Jemi Arbëreshë! Gjindja: Ma çë do?!

Disa pjesëtarë të “Shqiponjave”, nuk e pranojnë krejt këtë version paksa cinik. Thonë se është normale që janë më indiferentë. Por ngulin këmbë të gjithë se, pa diskutim, ai i 1988-s ishte “il più bel viaggio della nostra vita[xx]!”.


Shënim: Këtë shkrim ia kushtoj Pasquale Rendës (1955-2014), pianiotit arbëresh që e njihte Shqipërinë e shkruar e të jetuar si pak njerëz, që ish një nga organizatorët e grupit që paraqet ky shkrim, dhe udhëtimit të tij për në festival, dhe që, prej 1990-s deri sa iku nga kjo botë, ishte edhe pika e referimit dhe shpesh e shpëtimit për aq e aq shqiptarë që në Piana gjetën një bazë, herë të përkohshme e herë një shtëpi për jetë. Jo sot, por kur emigrimi ishte vuajtje, frikë, dhunë. (Pasquale ndonjëherë edhe shkruante për qejf. Ja një këngë arbëreshe bazuar në një prej lirikave të tij: https://www.youtube.com/watch?v=Ln9ScP8anXo)

 

© 2025 Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat janë të autores. Vetëm autorja Eda Derhemi mund të japë leje për përdorimin e këtij shkrimi, në tërësi ose pjesë-pjesë.


[i] Doktori më detyroi.
[ii] Duhen thënë me emër e mbiemër, sepse në Piana, Girorgio, ka plot. Madje, plot janë edhe ‘giorgio-ferrarat’. Në grupin e tyre nga Shqiponjat e dikurshme të 1988-s me të cilin u takova në dhjetor ’25 në Piana, ka dy me po këtë emër e mbiemër, dhe katër me vetëm po këtë emër.
[iii]Jo si është transformuar tashmë, pasi ka shërbyer për dhjetëra interpolacione në zhanre të ndryshme muzikore shpesh krejt larg origjinalit. Në Peizazhe të Fjalës, ka nj cikël timin për transformimet e kësaj kënge.
[iv] Libri përmban mijëra dëshmi prej rreth 1500 vizitorësh.
[v] Nga sa më tregojnë, grupet e profesorëve në ato vite shpesh ndaheshin sipas vendndodhjes së personave themelorë që gëzonin besimin e Ambasadës sonë dhe që i ftonin dhe shpesh i mbanin me gjithë sa mundeshin. Ndaj, mund të jetë kjo arsyeja, që nga një grup i madh, vetëm tre qëlloi të shkonin në Frascineto (Frasnitë).
[vi] Dinë ta shesin veten.
[vii] Si idiotë! Nuk ishim seriozë.
[viii] Nuk donin para. Donin sende.
[ix] Ndihesha i vjetër. Ne ishim e shkuara e prapambetur. Por gjetëm edhe një kaos urbanistik shokues.
[x] Kjo është veta e tretë e së pakryerës, pra “e shtrëngonte fort dorën”.
[xi] Mungonte ndjesia e ndryshimit.
[xii] Ne e quanim doktori i egër.
[xiii] Si duke bërë shaka, kemi thyer plot rregulla.
[xiv] Ishin të gjithë aq të dashur! Kur po ikja, më dhuruan një portokall.
[xv] Kërkonte.
[xvi] E provojmë për herë të dytë!
[xvii] Provova të gjej në Internet pronarin e restorantit Tradita. Ka një emër pak të ndryshëm, Gjon Dukgilaj. E ballafaqoj foton dhe intervistën me Giorgion që më thotë se ka ndryshuar shumë, por është ai. Vazhdon të jetë shumë simpatik e karizmatik, thotë Giorgio.
[xviii] Një fjalë shqipe kjo që i bën gjithnjë të qeshin arbëreshët kur shohin mbarimin e një filmi a programi shqiptar. Për ta ‘fund’ është ‘prapanica’.
[xix] Rashë tmerrësisht në dashuri
[xx] Më i bukuri udhëtim në jetë!


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin