Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Kujtime / Psikiatri

E TREMBTE PLAKJEN ME FJALË

Nëna ime gjithnjë ka qenë e zonja e gojës, elokuente në llojin e vet, e muhabetit, por pati rast ta rafinonte këtë virtyt në pleqëri, kur e kalonte kohën në biseda me shoqet e veta, drejtpërdrejt kur i vinin në shtëpi, ose në telefon. Ngaqë vitet e fundit të jetës u rëndua dhe filloi të mos dilte më nga shtëpia, këtë handikap filloi ta kompensonte me aktivitet gjuhësor intensiv.

Megjithatë, shenjat e një ngadalësimi filluan t’i shfaqen tek-tuk, bashkë me viskozitetin në mendime, përsëritje të muhabeteve dhe harresa të ndryshme, përfshi këtu edhe rrëfimin tashmë të gjymtë të kujtimeve të fëmijërisë (tonës dhe së vetës) të cilave kish aq qejf t’u kthehej. Ende jo Alzheimer, por kush e kish njohur mirë, do t’ia vinte re bjerrjen e shkëlqimit të fjalës.

Kur flisja me të në telefon, ose kur rrija me të gjatë javëve që kaloja në Tiranë, pata filluar të vë re edhe diçka tjetër – dhe pikërisht, që po e shtonte numrin dhe frekuencën e proverbave, në muhabet. Në fillim kujtoja se proverbat, duke qenë teknikisht ligjërim i Tjetrit ose citime, ia qetësonin ankthin që provonte, kur nuk arrinte ta mbante të tendosur fillin e çfarë thoshte. Si të thuash, në momente vështirësie kognitive, i drejtohej autoritetit kolektiv që implikon proverba.

Në fakt, disa studime të çrregullimeve të të folurit kanë treguar se ligjërimi formulaik – proverbat, idiomat frazeologjike dhe njësi të tjera formulaike – vjen duke u shtuar në persona me dëmtime të hemisferës së majtë dhe, më gjerë, me Alzheimer; ky ligjërim shpesh mund të maskojë një rrëgjim kognitiv më të thellë, meqë përdor shkurtore kognitive – ligjërimin e Tjetrit – për t’ia kursyer mendjes mundimin e krijimit të thënieve të reja.

Them se një rol këtu e ka luajtur edhe ulja e ndjeshme e dëgjimit, në vetvete pengesë për të biseduar lirisht; si edhe indiferenca në rritje ndaj fjalëve të tjetrit. Proverbën gjithnjë mund ta thërriste nga arkivi duke u bazuar në ç’kish thënë vetë, edhe kur nuk e ndiqte dot fillin e replikës.

Ndonjëherë, kur flisja me të, më dukej sikur e kish të vështirë deri edhe të dilte nga qerthulli i formulave gjuhësore, çfarë sillte me vete ndërlikime të tjera. Në fakt, disa studiues të pragmatikës së proverbave, mes të cilëve klasiku André Jolles (Einfache Formen) dhe tani vonë e në mënyrë eksplicite Paul Drew & Elizabeth Holt, kanë vënë re se roli i “thënieve” të urta (në kuptimin që i jep këtij termi Jolles) është që të ndërmjetësojë mes një eksperience personale, kaotike dhe një “ligji” ose të vërtete universale. Për Jolles, kur përdorim një proverbë ose një thënie/idiomë, jemi duke “e mbyllur çështjen”. Në kuptimin që, në momentin kur një ngjarje kapet nga një thënie (e urtë), puna mendore që i bashkëlidhej asaj ngjarjeje ka përfunduar.

Holt & Drew, nga ana e vet (Figures of Speech, Figurative Expressions and the Management of Topic Transition in Conversation), kanë analizuar përdorimin e proverbave dhe frazeologjive të ngjashme në biseda reale, për të provuar funksionin e tyre si përftesa mbyllëse (topic terminators) – që i shërbejnë kalimit (transizionit) nga një temë në tjetrën ose ndihmojnë për ta kopsitur dhe paketuar një muhabet që po niste të bëhej i mërzitshëm.

Ja një shembull i sajuar prej meje, në bazë të transkriptimeve me të cilat kanë punuar dy autorët më lart:

A. I shkoi katër herë në zyrë. Të katër herët ai ia shpjegoi pse kjo nuk bëhej.

B. Po pra.

A. I kërkonte të njëjtën gjë, dhe unë habitem me atë tjetrin sa i duruar u tregua.

B. Nuk ia tregonte dot derën.

A. Shkonte me shpresë se, po të ngulte këmbë shumë, do t’ia kthente mendjen.

B. Epo, mirë që e paska kuptuar se murit me kokë nuk i bihet. [pauzë]

Kjo bisedë duket se nuk po shkon gjëkundi; meqë A rrëfen e rrëfen të njëjtën gjë. Prandaj B gjen momentin e përshtatshëm dhe sjell një proverbë, e cila e përmbledh temën duke e ripaketuar në një kategori specifike.

Pas kësaj, të dy palët mund ta ndërrojnë muhabetin.

Funksioni përmbyllës i proverbës nuk ka lidhje me rrëgjimin kognitiv të plakjes dhe Alzheimer-in; por të moshuarit nuk e ruajnë dot gjithnjë kontrollin ndaj përftesës. Unë vija re shpesh një farë nervozizmi, që shoqëronte ndonjë nga proverbat në gojën e sime mëje; gati-gati sikur edhe ajo e ndiente se proverba ishte edhe ftesë për ta mbyllur muhabetin; edhe kur ajo mbylljen as e donte, as e kërkonte.

Tani kujtoj se këtë shprehi, për t’i mbaruar muhabetet dhe për t’i ndërruar temat me një thënie frazeologjike a proverbë, e shoqërojnë me “njerëzit e urtë”, të cilët projektojnë autoritet kur flasin dhe këtë autoritet e mirëmbajnë duke lënë të tjerët të flasin nëpërmjet tyre – falë funksionit citacional të proverbave, si fjalë që i përkasin me përkufizim Tjetrit.

Ndodhte edhe që, për ta kapërcyer këtë moment mpirjeje, vetë proverba të përdorej si temë për ta kaluar muhabetin rishtas (topic generator); për shembull duke vërejtur “kushedi nga ka dalë kjo nuk i bihet murit me kokë, do ketë qenë ndonjë nuse e re që kërkonte diçka, por nuk ia jepnin.” Në fakt, ime më kish ndjeshmëri të madhe meta-gjuhësore dhe kish qejf të më përmendte gjithfarë fjalësh dhe shprehjesh të rralla të Gjirokastrës, duke e ditur që edhe mua më interesonin. Për shembull, kur binte muhabeti për djalin e motrës së saj, të cilit kur ishte i vogël i thërrisnin “pifto”, më thoshte:

More, ke folur me Pifton? Ç’bëhet? Si i ka djemtë? Kushedi nga vjen kjo fjalë, pifto. Greqisht të jetë? (unë: nuk e di, duhet ta shoh.) Ka fjalë të bukura Gjirokastra…

Si e zonja e gojës, dhe si mendje tashmë e rrënjosur në oralitetin dytësor të bisedave në familje dhe me shoqet, ruante në kujtesë një “bibliotekë” të pasur proverbash, shprehjesh popullore dhe vargjesh nga këngë popullore; kjo do ta ketë ndihmuar që të maskojë ngadalësimin mendor të moshës, gjithë duke ia ruajtur autoritetin “ligjërimor” ndaj të tjerëve.

Vitet e fundit ndoshta i pëlqente të shëtiste në raftet e kësaj biblioteke dhe të vizitonte njerëz dhe situata nga e kaluara, nëpërmjet thirrjes së fjalëve të rralla, shprehjeve idiomatike dhe proverbave në kujtesë. Përmendte shpesh një hallë të tim eti (tashmë e quajtur thjesht “halla”), të vdekur prej vitesh, e cila kish qenë edhe ajo një arkiv i gjallë i gjuhës së folur; dhe e përmendte gjithnjë duke e risjellë në jetë atë pasuri gjuhësore. Halla thoshte kështu, halla thoshte ashtu, e kështu pa fund. Duke vënë theksin jo te përmbajtja e fjalëve të Hallës, por te fjalët vetë, si të ishin vepra arti minore, ende të pavlerësuara siç e meritonin. Halla kish qenë nga ato gra legjendare që oralitetin jo vetëm e jetonin, por edhe e përftonin rishtas – edhe ajo për shkak të virtytit të lindur ligjërimor. Çdo histori e saj, sado e shkurtër dhe e parëndësishme, do të shoqërohej me proverba të ndryshme dhe, zakonisht, me ndonjë vjershë të vogël, të cilën e kish thurur ajo vetë on the spot. Djalit të saj Dash(a)mirit, që e pat ngacmuar njëherë për pleqërinë, Halla iu pat përgjigjur kështu:

Dashamir mos u holas[1]
Pleqëria të vjen pas
Pa të vjen javash-javash

Këtë improvizim tetërrokësh unë e mbaj mend ngaqë, kohët e fundit, e dëgjoja pothuajse përditë nga ime më, e cila nuk harronte kurrë t’i referohej burimit (Hallës), edhe pse e përdorte për të qesëndisur problemet e veta fizike dhe për të parandaluar (pre-empt) qesënditë që priste – pa arsye – prej meje.

Në skenën e mendjes së sime mëje, Halla luante shpesh rolin e korit (si në teatrin antik); ishte një fytyrë ose persona që simbolikisht përfaqësonte origjinën e ligjërimit të Tjetrit.

E mbaj mend këtë tercinë, ngaqë atje filloi të manifestohej herët edhe një farë viskoziteti në mendim; në fakt, nuk kish arsye që të recitohej dy-tre herë në ditë dhe të më thuhej në telefon, për të përmbyllur një monolog me ankesa për shëndetin; dhe ajo vetë – nëna – e kuptonte, dhe i vinte absurdisht për të qeshur, me këtë ngecje disku.

Walter Ong pat vërejtur (te Orality and Literacy) se ligjërimi atje mbështetet fort në strukturat formulaike, të cilat jo vetëm ndihmojnë memorien, por edhe shërbejnë si manifestime të autoritetit (moral, por jo vetëm). Mjafton edhe një shfletim i Kanunit të Lekës, të mbledhur nga Gjeçovi, për t’u bindur se ai ligj zakonor themelohet mbi forcën dhe pushtetin e proverbës.

Nga ky këndvështrim, kthimi a strukja në oralitet i shërbente time mëje si terapi – meqë edhe nëpërmjet proverbave dhe formulave të tjera ligjërimore, por edhe interesit të rritur për dialektin e fëmijërisë e riorganizonte veten, në rrethanat e kërcënimit për rrëgjim mendor, që i krijonte mosha.

Më merrte ndonjëherë në telefon, edhe në orë të çuditshme, për të më treguar një fjalë a shprehje që kishte gjetur a kujtuar; kjo i jepte kënaqësi të jashtëzakonshme, të thoje se kish rigjetur një imazh të humbur të vetes. Trishtohesha kur, kohët e fundit, këtë e bënte edhe për gjëra që sapo m’i kish thënë e treguar – i çuditshëm ky kontrast, mes forcës së kujtesës për gjëra të largëta dhe harresës për çfarë sapo kishte ndodhur.

Besoj se ndonjëherë, kur rrinte vetëm me fjalëkryqin e gazetës “Dita” përpara, fillonte të shëtiste mendërisht, në arkivin gjuhësor të kujtesës, për të qëmtuar bashkëlidhjet mes personazheve të fëmijërisë së saj dhe fjalëve të caktuara.

Mua më quante me emrin e shkurtër, Ardi; por shpesh, pas formës Ardi, shtonte një formë tjetër, Ada, me sqarimin: kështu të thoshte Aneja. Aneja ishte gjyshja e saj, të cilën edhe unë e arrita; me gjasë, Aneja kështu kish qejf të më thërriste, dhe ime më e përdorte tani këtë Ada për ta futur edhe Anenë në marrëdhënien tonë dhe për të udhëtuar mendërisht në atë kohë kur unë isha fëmijë dhe më mbante Aneja. Ky emër, Ada, në gojën e saj, ishte edhe ai “citim” nga ligjërimi i dikujt tjetër, vetëm se këtë herë burimi ishte krejt i identifikueshëm; dhe Ada isha unë, i parë (dhe i rritur) nga Aneja.

Ata studiues të etnolinguistikës që i referohen konceptit bakhtinian të heteroglosisë, mbase e shohin oralitetin e grave si një lloj shtëpie (home) ku ato ndihen në vendin e tyre. Nëna ime, gjatë jetës së saj kaloi nga provinca (Gjirokastër) në Tiranë dhe nga oraliteti parësor në literalitet – ngaqë studioi në universitet, u apasionua pas letërsisë dhe punoi me dekada si mësuese letërsie në shkollë të mesme; por i ruajti mirë rrënjët orale të vetes, edhe për shkak të rëndësisë që kish për të shoqëria, mëhalla dhe marrëdhëniet me të tjerët. Ashtu edhe kaloi nga dialekti i qytetit të Gjirokastrës në toskërishten letrare dhe pastaj në standard; dhe, njëkohësisht, nga dialekti i fëmijërisë në të folmen e qytetit të Tiranës, që u bë edhe “gjuha” e rinisë së saj dhe e ndërveprimit me shoqërinë. I ruajti të gjitha këto – sa kohë që fliste në dialekt të kulluar të Gjirokastrës me gjyshen e vet refraktare (Anenë), në dialektin tirons me shoqet në rrugë dhe në lagje dhe në shkollë, në shqipen standard kur jepte mësim në shkollë dhe në marrëdhënie me nxënësit, dhe më në fund me një shkodranishte qytetare shumë zemërgjerë dhe praktikisht eksperimentale, me familjen e gjerë dhe gjuhësisht të lulëzuar të burrit të tezes. Virtyti i saj për t’u orientuar në oralitet kish lidhje edhe me këtë aftësi për të zhongluar lehtë midis dialektit dhe shqipes standard, midis një dialekti dhe një tjetri, duke e moduluar ligjërimin dhe manifestimin e vetes sipas personit gjuhësor që kishte përballë.

Nga ky këndvështrim, interesi i saj i rizbuluar për dialektin e fëmijërisë, fjalën dhe shprehjen e rrallë dhe idiomatizmin gjuhësor në përgjithësi mund të merret edhe si një lloj “kthimi në shtëpi” (homecoming), i nevojshëm për të zbutur traumën e plakjes te një njeri aq i kapur pas jetës.

 

(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me Flux 2.0.


[1] Kjo holas duhet të jetë huazim kontakti nga greqishtja moderne χολάζω, me kuptimin “mos u zemëro, mos u hidhëro, mos u shqetëso.”


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin