“Happiness is not a matter of intensity, but of balance and order and rhythm and harmony.” (Thomas Merton OCSO)
Vjeshtën e kaluar punova si lektor në arkitekturë pranë Universitetit Polis në Tiranë. U përfshiva në tre lëndë të ndryshme. Dy prej tyre (viti i tretë dhe i katërt) drejtoheshin nga pedagogë të tjerë dhe unë isha në rolin e asistent-lektorit. Ndërsa tjetrën, lëndën hyrëse në dizajn dhe kompozicion për studentët e vitit të parë, që prezantoheshin sefte jo vetëm me universitetin si institucion por edhe me arkitekturën si disiplinë e profesion, u caktova ta hartoja e drejtoja vetë. Kjo sepse u pa e udhës dhe dobiprurëse, dhe u bë e mundur njëkohësisht, që eksperienca ime si teaching assistant për të njëjtën lëndë gjatë studimeve të mia pranë Universitetit të Illinois-it në Urbana-Champaign, të shërbente si shtylla kurrizore për hartimin dhe drejtimin e lëndës dhe detyrave përkatëse për rreth 60 studentë të vitit të parë.
Qëllimi i lëndës, në vija të përgjithshme, ishte prezantimi i studentëve me dizajnin si një gjuhë grafike me elementë të tillë si format gjeometrike primitive (trekëndëshi, rrethi, katrori etj.) dhe kombinimi i tyre në kompozime të ndryshme me anë të pesë parimeve bazë organizative (radial, linear, klaster, grid, qendror). Këto kompozime informoheshin dhe nga koncepte të tjera shtesë (ritmi, proporcioni, hierarkia, transformimi). Teksti kryesor i përdorur, tek i cili evidentoheshin këto parime dhe koncepte, duke u konkretizuar me shembuj objektesh që varionin nga antikiteti deri në modernitet, ishte Architecture Form, Space, And Order nga Francis D.K. Ching. Shembujt e veprave arkitektonike vinin nga të gjitha anët e botës, që nga Lindja e Largët e deri tek Amerika Latine.
Njëra nga detyrat individuale të studentëve gjatë semestrit – pikërisht ajo punët e së cilës do të paraqes dhe në këtë ese – synonte krijimin e kompozimeve tre dimensionale abstrakte të informuara nga një prej pesë parimeve bazë organizative të përmendura më lart dhe dy foljeve vepruese që krijonin ndërlidhje gjeometrike (pshm. expand, extrude, split, twist, inscribe, puncture etj.). Në pjesën e parë të detyrës, studentët do të skiconin idenë, të cilën më pas do ta ndërtonin me materiale konkrete të ndryshme (karton, dado, bullona, copë stofi, dru, gozhdë, vida, spango etj.), brendashkruar një kubi imagjinar me brinjë 25 cm. Ndërsa në pjesën e dytë, po këtë maket – tashmë të ndërtuar – do ta vizatonin me lapsa e rapidografë mbi letër të trashë në projeksione ortografike dy dimensionale dhe në aksonometri. Janë pikërisht disa nga këto vizatime të studentëve (të tre tipologjive të ndryshme) të cilat pasi i zgjodha nga rreth 60 punë po i sjell të skanuara si shembuj më poshtë:

Fig. 1

Fig. 2

Fig. 3

Fig. 4

Fig. 5

Fig. 6
Vjeshtën e kaluar pjesëmarrja ime në katekizmin katolik (edhe pse një ecje e nisur më herët se ajo vjeshtë) intensifikoi drastikisht afrimin tim me këtë fe.
Seancat e katekizmit mbaheshin gjithmonë çdo të shtunë, dhe në njërën prej tyre udhëtuam për në Shkodër për të vizituar jo vetëm objektet dhe varrezat e fesë Katolike, por edhe muzeun Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës. Kjo ishte një e shtunë tjetër nga ajo ku në një ceremoni të madhe në katedralen e po këtij qyteti lumturoheshin dy martirët Dom Gjon Gazulli dhe Atë Luigj Paliq. Me grupin e katakumenëve arrijmë herët dhe bisedojmë jashtë katedrales. Në muhabet e sipër, në murin anësor në të djathtë të portave hyrëse vë re një simbol të gdhendur në pllaka: një trekëndësh, brendashkruar të cilit ndodhet një sy. Reagimi im fillestar ishte habia dhe indinjata me gjetjen e këtij simboli, që të paktën deri atë ditë e mendoja si simbol mason, pikërisht në muret e tempullit të Zotit. Me vazhdimin e ditës mësova që ky simbol ishte në fakt në origjinë simbol i krishterë, i përvetësuar vetëm më vonë nga masoneria. Ky simbol në origjinë i krishterë përfaqëson syrin gjithëpamës të Hyjit vetë, të vendosur brenda një trekëndëshi që përfaqëson Trininë e Shenjtë (Atin, Birin, dhe Shpirtin Shenjt). Pra, një sy (ose rreth) brenda një trekëndëshi. Nuk jam teolog, por me aq sa e kuptoj fenë Katolike, kur Krishti thotë që askush nuk mund të arrijë tek Ati përveç se nëpërmjet Tij, kërkon të thotë që ekziston një distancë, një rrugë, që duhet përshkuar, nga Biri, për të arritur tek Ati, brenda Trinisë, dhe nëpërmjet Shpirtit Shenjt. Ky i fundit shërben si një strukturë ndërlidhëse që sjell Birin tek Ati, që është Hyji vetë, syri i të cilit na vëzhgon nga brenda trekëndëshit te muri i katedrales. Shpirti Shenjt, që është struktura lidhëse, shtyn vazhdimisht Birin përpara në këtë rrugë, ku tiparet prej ati i shtohen atyre prej biri, nga mëkati në mëkat: nga kryqi në kryq. Çdo mëkat në këtë rrugë është kryqëzimi i vazhdueshëm i Birit dhe birit për t’u pastruar, për të arritur më në fund, për t’u bërë njësh me, dhe për të fituar natyrën e atit dhe Atit.
Ecja ime në fe mbivendosej me atë në Polis. Kjo ecje ndikoi drejtpërdrejtë në perceptimin dhe kuptimin tim të realitetit. Me këtë dua të them që në punët e studentëve të mi fillova të shoh dhe lexoj simbole që rrëfenin në mënyrë të paqëllimshme por për mua megjithatë të pamohueshme dhe eksplicite pikërisht këtë ecje të birit (kryqit – Fig. 1 dhe 2), këtë shkurtim distance nëpërmjet Shpirtit Shenjt (strukturës si grid – Fig. 3 dhe 4), drejt Atit Hyj brenda Trinisë së Shenjtë (syrit brendashkruar trekëndëshit – Fig. 5 dhe 6). Normalisht studentët kishin marrë vetëm ato udhëzime që parashikonte detyra, në lidhje me gjeometrinë dhe organizimin, dhe asnjë referencë fetare. Feja nuk ishte kurrë pjesë e diskutimeve tona në klasë apo e programit të lëndës, përveç se kur diskutohej arkitektura e ndonjë kishe mesjetare apo të Rilindjes. E megjithatë rezultati i punës së tyre, të paktën i atyre shembujve që kam sjellë më lart dhe të paktën në sytë e mi, dëshmon që puna me dedikim të sinqertë e orientuar drejt rregullit dhe racionales në kompozim (order-it) i thur gjithnjë lavde të vërtetës e për rrjedhojë Hyjit. Përderisa Ai shfaqet në punën tonë pa vetëdijen tonë si konfirmim i pranimit të veprave tona për shëlbimin tonë. Gjatë semestrit pyeta studenten e vizatimit në Fig. 6 se çfarë kishte vizatuar. “Një tempull.” – u përgjigj ajo. Kjo ecje e imja ne fenë Katolike solli ndryshime reale në psikikën (psyche-n) apo shpirtin tim, siç dëshmohet edhe nga dy rrëfimet e fundit të miat në këtë revistë (C-confessio) (Don’t worry darling dhe Coraline).
(c) 2025 Nevis Isaj. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Gemini.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.