Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kinema

CORALINE

Shtëpiza Kuq e Zi dhe Pallati Rozë

Në veprën e mirënjohur të Carlo Collodi-t Pinocchio, para se personazhi kryesor të shndërrohet nga një kukull marionetë në një njëri të vërtetë prej mishi dhe kockash, duket se ai duhet të kalojë nëpër një aventurë në të ashtuquajturin Paese dei Ballocchi, i tërhequr në këtë aventurë edhe nga personazhi me emrin Lucignolo. Peripecitë nëpër të cilat Pinocchio dhe Lucignolo kalojnë, megjithëse mund të duken argëtuese fillimisht, janë të tilla që nëpërmjet teprimeve dhe abuzimeve të ndryshme i drejtojnë të dy për nga vdekja, duke filluar me shndërrimin e tyre në gomerë ose hajvanë. Ndryshe nga Lucignolo që gjen realisht vdekjen te Paese dei Ballocchi, Pinocchio arrin të shpëtojë dhe për të, këto aventura shërbejnë për të vrarë vetëm natyrën prej buratini dhe për t’i dhënë jetë rrjedhimisht njeriut të vërtetë të fshehur nga koraca e drunjtë. Është pikërisht kjo histori e Collodi-t që më erdhi në mendje pasi ndoqa filmin e animuar Coraline dhe paralelet e ngritura midis personazhes kryesore Coraline dhe Pinocchio-s, shtëpizës kuq e zi dhe Paese dei Ballocchi-t, beldam-ës dhe Lucignolos janë ato çka do të eksploroj me anë të kësaj eseje.  Shtëpizën kuq e zi e kam quajtur të tillë duke qenë që prindërit e Coraline-s në realitetin paralel, ku ndodh një pjesë e ngjarjes, janë gjithnjë të veshur kuq e zi. Ndërsa beldam-ë është termi me të cilin personazhet i referohen nënës së Coraline-s në botën e kësaj shtëpize kuq e zi, në paralel dhe me termin tjetër the other mother ose në shqip nëna tjetër. 

Filmi hapet me një prolog shumë të shkurtër, ku një kukull gjenerike dhe anonime e veshur në mënyrë arbitrare me rroba rozë, pasi zhvishet krejtësisht nga ky identitet i parë duke kthyer nga krahu tjetër dhe riorientuar madje dhe lëkuren prej stofi të vetë kukullës, transformohet nga një dorë e hollë e metalike në një kukull të re me identitet të qartë, i cili përputhet besnikërisht me pamjen e vetë Coraline-s me flokët blu e mushamanë e verdhë. Këtu përdorimi i kukullave dhe shndërrimi nga një kukull anonime në një të tillë me identitet të qartë krijon një paralele me Pinocchio-n, i cili gjithashtu shndërrohet nga pabinduria e falsiteti i një marionete rebele në lirinë e vërtetësisë së një njeriu.

Së bashku me prindërit, Coraline sapo është zhvendosur në apartamentin e ri në vilën viktoriane tre-katëshe të quajtur Pallati Rozë (Pink Palace).  We’re here! Time to muscle up. Dëgjohet të thotë babai i saj, si për të paralajmëruar mbërritjen në një kamp zbori që duket se do të zhvillohet në këtë ndërtesë. Dhe vërtet deriçka që Coraline zbulon duke eksploruar këtë vilë të vjetër 150 vjeçare e dërgon atë nëpërmjet një tuneli magjik si ai te Alice in Wonderland, në një realitet paralel jo shumë të ndryshëm nga The Upside Down te Stranger Things. Ky realitet paralel fizikisht nuk është gjë tjetër veçse i njëjti vend gjeografik dhe e njëjta shtëpi por tashmë me disa tipare të ndryshëm që joshin po më të njëjtin sharm errësues e zvetënues si edhe Paese dei Ballocchi. Janë pikërisht këto tundime me të cilët Coraline duhet të përballet jo pa rrezik përpara ambientimit të plotë në Pallatin Rozë.

Ndryshe nga ky Pallat Rozë, që në film na paraqitet në orë të ndryshme të ditës e përgjithësisht në mot të vranët, me gjurmët e shenjat e kohës në trup të ekspozuara ashtu siç është realisht, shtëpia në realitetin paralel shfaqet si një shtëpizë romantike e dalë nga përrallat e vëllezërve Grimm. Duket e mirëmbajtur, mikpritëse, dhe e gjallë – gjithmonë e paraqitur në një orë mbrëmjeje apo nate dhe gjithmonë nën një qiell të pastër, ku yjet dhe hëna mund të shquhen lehtësisht.

Si te Paese dei Ballocchi, argëtimet dhe lojërat nuk mungojnë kurrë. Madje shfaqen dhe si kinse lehtësime e ndihmesa të sofistikuara dhe në të ngrënë, si për shembull treni i gravy-t apo abazhuri me milkshakes. Bimësia në kopshtin jashtë shtëpizës është e gjallë dhe e gatshme për të komunikuar, kënduar, e kërcyer dhe nuk shfaq asnjë hezitim për të ndërvepruar me Coraline-n. Duket sikur është aty gati dhe tailor-made për ta tërhequr atë personalisht në këtë valle mekanike në dukje të pandalshme e të pakushtëzuar. Ky bollëk i natyrës shfaqet më tutje edhe në kuzhinë, ku kontrasti midis ngjyrave të ftohta e ushqimit të varfër në Pallatin Rozë dhe ngjyrave të ngrohta e tavolinës të mbushur plot në shtëpizë duket të jetë i pamohueshëm. Well, everything is right in this world kiddo. Thotë babai i Coraline-s me përkëdheli.

Por me ç’kusht?

Si një çift perfekt në shtëpizën kuq e zi, nëna duket të jetë në kontroll të vazhdueshëm të kuzhinës dhe gatimit, ndërsa babai alternon kohën midis kopshtarisë dhe pianos. Role këta të cilët në vetvete duken të jenë spontanë dhe të natyrshëm, deri në momentin që dikush gërmon më thellë e vëren që sytë e tyre të qepur me kopsa të zeza, si kukullat në prologun e filmit, dëshmojnë për një shikim të errësuar që nuk pohon lirinë e zgjedhjes së gjithsecilit por vendime të marra nga duart e ftohta e të fshehura metalike. This piano plays me. Thotë babai kuq e zi në një përmbysje të rendit të natyrshëm të rolit të sendeve e nën kontrollin e duarve të gjata mekanike. Squish-squash, pumpkin sauce. Përgjigjet ai më tutje në film i trullosur nga puna e tepërt në kopsht, kur nëna kuq e zi e tërheq zvarrë përsëri në oborr për t’u kujdesur për kungujt.

Ndryshe nga shtëpiza e përrallave, ku janë përherë të veshur kuq e zi e ku nuk kuptohet se ç’punë bëjnë profesionalisht e me ç’burime mbahet e gjithë kjo ngrehinë, në Pallatin Rozë prindërit e Coraline-s janë gjithnjë të zënë me punë. Ata punojnë si shkrimtarë të kopshtarisë dhe shenjat e lodhjes nga qëndrimi gjatë përballë kompjuterit e puna e vazhdueshme janë të vështira për t’u fshehur. Kurrizi i kërrusur, qafa e përkulur, e sytë e dalë e me rrathë të nxirë të babait dhe qafa e fashuar e nënës nga aksidenti automobilistik janë shenjat e pamohueshme të luftës së përditshmërisë së jetës reale në Pallatin Rozë.

Tiparet prej Paese dei Ballocchi të shtëpizës kuq e zi vijnë e bëhen gjithnjë e më të qartë, kur në skenë shfaqen jo vetëm kushti mbi të cilin ngrihet gjithë kjo kornukopia por edhe komshinjtë The Amazing Bobinsky, Miss Spink, dhe Miss Forcible. Ndërsa në shtëpizën kuq e zi roli i kësaj tresheje në një performancë të paepur cirku nuk ndalon kurrë, në pallatin rozë ata shfaqen më të tërhequr e të gatshëm për të dhënë këshilla dhe ndihmë për këdo që guxon të endet nëpër dhomat e shtëpizës. Dhe pikërisht kushti mbi të cilin ngrihet gjithë ky bollëk dhe argëtim pa limit në shtëpizën kuq e zi është qepja e syve me kopsa, errësimi i shikimit dhe i gjykimit, dhe skllavërimi i shpirtit. Black is traditional. Thotë nëna kuq e zi. Por duke nuhatur në mënyrë korrekte humbjen e mundshme të lirisë nga ky veprim e kjo kontratë, përpara se të largohet me vrull nga shtëpiza për t’u rikthyer dhe një herë të fundit për të çliruar shpirtrat e prindërve të saj realë dhe shpirtrat e tre fëmijëve të ngujuar nga nëna kuq e zi, Coraline refuzon me indinjate. No way! You’re not sewing buttons in my eyes! Going home tonight robots, and I won’t be back. Takimi me tre fëmijët e ngujuar nga beldam-a kuq e zi e zgjon përfundimisht Coraline-n në betejën e fundit në të cilën ndodhet. Find our eyes mistress, and our souls will be freed!

Pas rikthimit në Pallatin Rozë për përgatitjen e fundit përpara betejës, në ndihmë i vjen Miss Spink, e cila përgatit një gur lente prej karamelesh si një rosetta stone me anë të të cilit Coraline mund të shohë sytë e fëmijëve të ngujuar dhe mund të gjurmojë shpirtrat e prindërve të saj në botën e shtëpizës kuq e zi. Me anë të këtij guri, pas lojërave e betejave me beldam-ën pasioni i së cilës pas lojërave e argëtimit shfaqet i ngjashëm me atë të Lucignolo-s te Pinocchio, Coraline është e aftë të rikuperojë sytë e tre fëmijëve. Në fund i mbetet dhe rikuperimi i shpirtrave të prindërve të cilët fshihen në një ornament si glob me dëborë. Këtu Coraline-s i vjen në ndihmë macja e komshiut dhe shokut Wybie, e cila nuk duket të ketë një marrëdhënie të mirë me beldam-ën. The other mother hates cats? Pyet Coraline. Not like any mother I have ever known. Kjo përgjigje e Wuss Puss-it përforcohet edhe më shumë kur beldam-a vetë ndesh Coraline-n së bashku me macen. And you brought vermin with you? Pyet ajo duke iu referuar maces. Ndryshe nga prindërit e vërtetë të Coraline-s në Pallatin Rozë, që duken të kenë një natyrë punëtori prej worka-holic, kjo beldam, nënë e stisur që më shumë ngjan me një vejushe të zezë duket të ketë një urrejtje patologjike për macet dhe një natyrë aspak prej cat-holic. Sidoqoftë, është pikërisht kjo mace e zezë që Coraline hedh drejt beldam-ës për t’ia çjerrë sytë e qepur kopsazinj e për ta mundur një herë e mirë në lojën dhe rrjetën e saj. Goditja e fundit gjithsesi jepet kur dora metalike që shpëton nga kjo përleshje fundoset përgjithnjë së bashku me çelësin e deriçkës në pusin jashtë Pallatit Rozë.

Pasi kjo luftë zgjedhjeje midis errësirës së natës në shtëpizën kuq e zi dhe dritës së jetës, punës, e dinjitetit në Pallatin Rozë përfundon, Coraline shfaqet e lirë, e lehtësuar, dhe e lumtur duke shërbyer limonatë për të gjithë të pranishmit, të cilët duken të kënaqur me punimin e tokës në kopshtin jashtë pallatit duke mbjellur tulipanë. Edhe pse në shtëpizën kuq e zi Coraline thirrej me emrin e saj të saktë, ajo zgjedh lirisht e lufton për Pallatin Rozë, pavarësisht se aty, përveç prindërve, nuk thirret Coraline siç ajo quhet, por Caroline, ashtu siç duhet. A në fillim e O në fund.

© 2024 Nevis Isaj. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

 

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin