rreth romanit SAB të Artur Spanjollit (Toena 2025)
nga Lorenzo Velle*
Romani SAB, është një roman koral që tregon mbi vdekjen e një njeriu të mirë dhe mbi gjurmët që vdekja lë në shpirtrat e atyre që mbeten, mbi të gjitha në rastet kur lidhja ndërmjet personave ka forcёn patriarkale të familjes Çalliku: diçka thyhet brenda me vdekjen e një njeriu të dashur “siç kriset kristali i padukshëm që mban bazën e vazos….” Si të ngrirë në kohë, protagonistët e romanit gjenden të gjithë të heshtur, mendueshёm, në shtëpinë e shtatëdhjetëvjeçarit Meta, që e thërrasin Lala, dhe të gruas së tij Ija: janë këta gjyshër pikëmbështetja që mban nyjёn lidhёse tё një familje e cila ka jetuar historinë e Shqipërisë në shekullin e fundit. Shtëpia e gjyshit Meta dhe e gjyshes Ija ka qenë një teatër aq i madh ngjarjesh njerëzore dhe politike saqë nuk mjafton një njeri për t’i treguar, por nëntë persona janë mbledhur aty për ngushëllim. Janë pjesëtarë të familjes Çalliku, fëmijë, nipër, një nun, të cilët gjatë 11 kapitujve të romanit marrin fjalën në heshtje, çdonjëri nëpërmjet një dialogu të brendshëm. Si në një “panoramë filmi”, fillimi i romanit i është besuar tregimit të Artit, pothuajse regjisori i historisë, i cili na prezanton nëntë personazhet e tjerë; dy pleqtë Ija e Lala, dajë Surja, Xhevja, nëna e Artit dhe fëmija e parë e një radhe gati pambarim fëmijësh, nuni Mersin, Feriku djali i fundit i familjes, teze Razo dhe dajë Saliu. Përreth tyre, në heshtjen e respektuar të një vizite ngushëllimi, rrinё ende pjesëtarë të tjerë të familjes së madhe.
Është një pasdite e ditëve tona, kanë kaluar dyzetë ditë që nga vdekja e Sab-it (një nga djemtë e Lalës, ai nuk është fshirë nga koha, por thjesht ka humbur formë dhe substancë, është tashmë vetëm shpirt, hije e padukshme në ajër), vdekur në një aksident. Ai është në të vërtetë në libër i pranishëm si djalë, vëlla, dajë, mbi tё flitet nëpër monologët të cilёt me turne ndërthuren duke u përzier me mendimet e dhimbshme të të afërmve. Çdo kapitull është në të njëjtën kohë histori personale dhe himn për të humburin. Artur Spanjolli vesh rrobat e regjisorit: tregimi, nëpërmjet një serie të gjatë monologësh të brendshëm të personazheve të ndryshme, mban të bashkuar fragmentet e një historie familjare të vjetër që vetëm pas leximit të librit mund t’i bashkosh në një të vetme. Brenda këtyre monologëve të ndryshme, fragmenteve të tregimeve që janë përsëritur shpesh, (flitet për historinë e një familjeje ku të gjithë komponentët kanë të përbashkëta legjendat, anekdotat, mënyrat e shprehjes; një fjalor familjar origjinal, të njëjtën zanafillë gjërash elementare “…ujë, miell, tokë, baltë, dëlirësi”), por çdonjëri, në mendjen e vet ripërtyp kujtimet, sjell në mendje të veçantat, ngjarjet personale, emocionet, pasionet që janë dhe historitë e pjesëtarëve të tjerë të familjes.
Nga fragmentet e monologëve del në pah historia e familjes duke filluar që nga themeluesi i saj mitik, gjyshi Ramadani dhe gruaja e tij Vathe, (prindërit e Lalës): Ramadani vdiq në një aksident, ra nga një lartësi shtëpie që po ndërtonte për familjen e tij dhe përpara se të vdiste ia besoi Sure Konit (dajë Sures) përkujdesjen për djalin e vogël të sapolindur Lala. Lala, më pas lindi, si tek personazhet e Biblës, shumë fëmijë sepse për atë “ Vetmia ishte e padurueshme….” Dhe fёmijët e fëmijëve janë aty, në aneksin e vogël, mbledhur për të kujtuar Sab-in që, si Ramadani, vdiq duke rënë nga skelat e një ndërtese në restaurim. E shkuara dhe e tashmja ndërthuren: të dy ndërtuesit e sigurisë (shtëpia) vdesin në të njëjtën mënyrë duke u përpjekur të ndërtojnë strehët e familjeve, pa ia dalë dot. Bota përreth familjes Çalliku ndërkohë ka ndryshuar, regjimet i kanë zënë vendin njëri tjetrit, duke mos dhënë kurrë asgjë, por vetëm duke hequr të drejta, duke grabitur, konfiskuar, duke ia marrë të mirat materiale dhe shpirtërore popullit.
Në ndërthurjen e dialogëve, secili shpreh dy gjëra të qarta: që Sab-i ishte i mirë, i gatshëm për ndihmë, i dashur dhe i dhembshur; i vetmi që nuk i trembej syrit të keq të shtrigës plakë Vaçe, i vetmi që i jepte lëmoshë muzikantit të varfër bredharak Nuz Faqetava, (një tmerr i gjallë për fëmijët); Ai që bёnte shaka me të gjithë, kujdesej për t’i shpëtuar, i bënte për të qeshur; vëllezër, motra dhe nipër, Sabi, personazh si “idioti” i Dostojevskit; gjëja e dytë e qartë në libër është fakti që nxjerr në pah predominimin fatal të pushtetarëve, të cilët nga fillimi i shekullit të njëzetë, por dhe më parë, deri më sot, veç u kanë hequr fatkeqëve të trojeve shqiptare të mira materiale, toka, madje edhe fjalën nuk ua kanë lënë ta shprehin të lirë. Diktatorët ia kanë lënë vendin njëri tjetrit, që nga Zogu, Mussolini, Hoxha, Alia deri dhe Berisha, që në emër të kombit, të kolonisë “filoitaliane”, të parullës: “Liri demokraci”, e kanë shndërruar Shqipërinë në tokë koloniale, kanë shkelur një tokë të vjetër dhe famë- madhe (Durrёsi ngrihet mbi themelet e një civilizimi të lashtë 3000-vjeçar) dhe kanë çuar popullin drejt urisë, mjerimit, ikjes dhe vdekjes.
Familja Çalliku është mbajtur fort, është kapur pas normave të saj fetare, myslimane, që nuk i ka mohuar kurrë, edhe kur diktatura e tmerrshme shembi kishat dhe xhamitë për të ndërtuar pastaj pallatet e kulturës të stilit Piacentini apo shtëpitë e shëmtuara të të varfërve. Dikush nga familja ka kapur dhe pushkën kundër armikut, të gjithë kanë krijuar familjet e tyre (mjafton të kujtojmë martesën epike të Lalёs, ku dajë Surja është shkuesi, është për shembull një episod i jashtëzakonshëm humorizmi dhe lumturie krijuese) janë munduar, mes shumë vështirësish, që ta mbajnë familjen të lidhur përreth ca vlerave të tjera. Është dhe një violinë e vjetër që i ka rezistuar kohës dhe shërben si objekt për të kujtuar darkat e festave me valle dhe përralla. Tani e gjithë familja është bashkuar aty, me dhimbjen e humbjes, secili me një pjesë dhimbjeje të përmbajtur, duke evokuar ngjarje, ndërkohë që një orë e madhe muri ndan në pjesë kohën; Lala punon në cepin e tij prej artizani duke u munduar të përfundojë sa më shpejt një unazë me porosi. Në ajër ndjehet akoma prania e Sab-it (cigaret, rakia, aromat), objektet flasin për tё. Asnjë tani nuk ka më frikë nga demonët që bënin shtëpinë lëmsh, as frika brenda katër mureve nuk i bënte të dridheshin nga judi, apo tё qeshnin nga Nastradin Beu i përrallës: krijesë e errët e kohërave. “Tani fjalët e thëna ashtu, pa rregull, ndërthuren në një kor pohimesh, përgjigjesh, emocionesh, falënderimesh, të ftuarit ikin nga kanë ardhur duke u çliruar nga pesha e së shkuarës, duke sistemuar jetën që shkoi në raftet e kujtesës dhe bëhen gati për t’u strukur në një të tashmë plot ikje dhe dinamizëm.”
Histori familjare, kronikë politike, rrëfim intim, përmbledhje e historisë së një populli nën peshën e hekurt të diktaturës, çdo element që përbën këtë roman të bukur, mund të themi se është një lloj “Njëqind vjet vetmi” shqiptare, (titulli është gati një perifrazë) ku Spanjolli, barokut të zjarrtë të Markezit i kundërvë një shkrim të qëllimshëm “popullor” (por pa harruar epikën, fantastikën dhe studimin e një ndërthurjeje që i ngjan, po e përsëris, kinemasë, më vjen ndërmend “Rashomon” edhe pse nuk e ka ambiguitetin ekzistencial të atij filmi të madh, por i përngjan përsa i përket teknikës së flashback-ut, hapësirave kohore). Endofilisë shkatërruese të familjes Buendia, Spanjolli i kundërvë një ekzogami produktive plot me marrëdhënie të mira shoqërore të familjes Çalliku dhe shpërndarjen e pjesëtarëve përtej rrethit familjar, stili mallëngjyes, gati solemn, ndërprerjet e kujtimeve, tensioni i ekuilibruar ndërmjet të përditshmes, epikës dhe fantastikës bëjnë që “Sab-i” të jetë një roman i fortë emocionues: episodet për t’u kujtuar janë aq të shumta saqë është e pamundur t’i përmendësh të gjitha, mjafton të kujtosh forcën e madhe përshkruese kur Lala punon i përqendruar tek unaza që po gdhend. Radhitja trenodike e ngushëllimeve, vdekja që troket në ajër, të kujtojnë faqet plot me dhimbje tё “Ivan Iliçit” tё Tolstoit apo tё “I mituri”; akoma, në një kontekst tjetër, prezantimin e paharrueshëm të të vdekurit të dashur tek filmi “Vëllezër” i Abel Ferrarës, apo “Dhoma e djalit” i Nanni Morettit. Artur Spanjolli ka shkruar një roman të fuqishëm dhe klasik për kohët tona moderne.
* Lorenzo Velle ka qenë për një kohë të gjatë anëtar i këshillit botues të shtëpisë botuese Besa. Tekstin e ka sjellë në shqip autori i romanit, Artur Spanjolli.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.