Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Antikitet

RRETH VENDBANIMIT SKELË NË TRIPORT

Edhe pse Instituti i Arkeologjisë në veprimtarinë e tij shumëvjeçare kishte një numër të konsiderueshëm bashkëpunëtorësh në rrethin e Vlorës, Vasil Bereti është i vetmi punonjës që ky institucion ka patur në bërthamën arkeologjike të qytetit bregdetar. Asokohe, kjo bërthamë, krahas kërkimeve arkeologjike herë pas here merrej edhe me dokumentimin e gjetjeve rastësore, si dhe gërmimeve të shpëtimit, edhe pse duhet thënë, se një pjesë të mirë të këtyre funksioneve i kryenin edhe punonjësit e Muzeut Historik të Vlorës. Megjithatë, Vasil Bereti spikati si student i historisë dhe më pas arkeologjisë, duke marrë pjesë që në mesin e viteve 1960 në gërmimet arkeologjike në Apolloni dhe në Antigonë, ku në bashkëautorësi me drejtuesin e gërmimeve arkeologun Dhimosten Budina, botojnë një artikull për sistemin fortifikues të Antigonesë. Pas përfundimit të studimeve, në Burrel bashkëdrejton gërmimin arkeologjik të një tume prehistorike. Në vitet 1970, tashmë si drejtues i bërthamës arkeologjike nis gërmimet e rregullta arkeologjike në vendbanimin e Triportit, kryen një sërë gërmimesh arkeologjike shpëtimi në territorin e rrethit të Vlorës, madje ai realizon edhe sondazhet e para në murin e kastrumit romak në qendër të qytetit të Vlorës. Po ashtu, në vitet 1980 do të kryejë edhe gërmime arkeologjike në nekropolin e Amantias, do të nisë gërmimet arkeologjike në qytetin antik të Orikumit, si dhe pas viteve 1990 do të jetë bashkëdrejtuesi i parë shqiptar i projektit kërkimor shkencor shqiptaro-zviceran të Orikumit dhe më vonë deri në vitin 2015, do të vijojë kontributin si anëtar i ekipit. Në këtë projekt në vitin 2013, si anëtar i ri i ekipit pata rastin ta njoh Vasilin nga afër. Në vitet e para të postkomunizmit ai ka qenë edhe anëtar i ekipit shqiptaro-francez të Apollonisë, ku ka dhënë kontributin e tij me botime mbi qeramikën arkaike të kësaj qendre. Gjatë fundit të viteve 1990 dhe fillimet e viteve 2000, Bereti u angazhua edhe në gërmimet arkeologjike të shpëtimit që shteti grek realizoi gjatë ndërtimit të metrosë së Athinës. Pjesa më e madhe e rezultateve të kërkimeve të tij është botuar në revistën Iliria, si dhe në aktet e konferencave të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Duhet theksuar, se Vasili ishte një njohës i mirë i qeramikës antike, kështu që një pjesë e mirë e artikujve të tij lidhen me studimin e enëve të qeramikës të zbuluara në gërmime të ndryshme. Gjithashtu, me mjaft interes janë edhe botimet e tij në shtypin e kohës, si për shembull, shënimet mbi muret rrethuese të kalasë tetkëndore të skelës në Vlorë apo raportimet mbi gjetjet arkeologjike në fshatin Kropisht.

Nga të gjitha punët e rëndësishme arkeologjike të kryera nga Vasil Bereti në Vlorë dhe rrethina, kontributi i tij kryesor mbeten gërmimet arkeologjike në vendbanimin antik të Triportit, i cili ndodhet në pjesën veriore të Gjirit të Vlorës. Me rezultatet e gërmimeve mbrojti tezën e doktoratës në vitin 1989 me titullin: “Vendbanimi skelë në Triport”, me udhëheqës shkencor Prof. Neritan Cekën. Edhe pse teza u mbrojt shumë vite më parë, ajo gjeti dritën e botimit këtë vit nga shtëpia botuese “Neraida” me logon institucionale të Institutit të Arkeologjisë si pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si dhe me kontributin e deputetit Vullnet Sinaj, ish nxënës i autorit. Deri më tani, punën e tij arkeologjike në Triport e njihnim pjesërisht nga disa artikuj dhe raporte të botuar në revistën Iliria dhe aktet e pakta të konferencave ndërkombëtare. Me botimin e këtij libri, tashmë e kemi të plotë panoramën e kërkimeve arkeologjike shumëvjeçare së bashku me rezultatet e tyre.

Studimi bazohet mbi katër fushata gërmimesh arkeologjike të nisura në vitin 1975, në bashkëpunim fillimisht me arkeologun vlonjat Perlat Kulla, dhe më pas të vazhduara prej tij në vitet 1976, 1984, 1986. Krahas gërmimeve u realizua edhe një fushatë survey gjeofizik në pjesën fushore të vendbanimit. Materiali dhe rezultatet e gërmimeve arkeologjike janë strukturuar në tre kapituj:

Kapitulli i parë është organizuar në tre pika kryesore, ku trajtohen aspekte të gjeografisë, konteksti arkeologjik me sitet e tjera të identifikuara në gjirin e Vlorës, si dhe pika e fundit, ku trajtohet historia e kërkimeve arkeologjike në këtë qendër, si dhe metodologjia e vetë gërmimeve të Beretit.

Në kapitullin e dytë, prezantohet materiali arkeologjik i asaj që nga autori konsiderohet si “Periudha Paraqytetare” e qendrës antike, ku vendin më të rëndësishëm e zë studimi i qeramikës. Bëhet fjalë për periudhat e Bronzit të Vonë (XV-XII p.Kr) dhe periudhën Arkaike (VII-V p.Kr), të cilat karakterizohen si dy fazat e para të okupimit dhe aktivitetit njerëzor në kodrën e Triportit. Në këtë fazë bën pjesë dhe faza e parë e fortifikimit të kodrës, që datohet në fundin e shek. VI p.Kr.

Në kapitullin e tretë, ku trajtohet periudha qytetare, autori e ndan atë në dy faza, në fazën e parë të kësaj periudhe që shkon në shek. V -IV p.Kr dhe në një fazë tjetër që fillon me shek. III p.Kr dhe vijon deri në shek. I m.Kr. Nga pikëpamja e zhvillimit të qytetit, ai në shek. V p.Kr dallon fazën e dytë të fortifikimit të tij, në një sipërfaqe më të madhe, dokumenton disa banesa të ndërtuara në këtë periudhë, si dhe trajton me hollësi materialin arkeologjik, ku bën pjesë kryesisht qeramika. Në fazën e dytë të periudhës qytetare ai sugjeron fazën e zhvillimit të qytetit në pjesën fushore, ndërtimin e fortifikimit fushor, që tashmë ndodhet brenda në det, ndërtimin e një Nymfeu (Çezme apo burimi monumental) publik me arkitekturë monumentale, si dhe ndërtimin e një faze tjetër banesash në akropol me konstruksion prej tulle. Nga sondazhet dhe gjeofizika e realizuar në pjesën fushore të vendbanimit, identifikon struktura të ngjashme me ato të akropolit, si dhe shtresa arkeologjike me materiale të shek. III p.Kr e vijimësi deri në shek. I m.Kr. Ai gjithashtu, identifikon dhe bankinën e portit në pjesën jugperëndimore të kurrizit shkëmbor. Krahas materialit të pasur qeramik, raporton dhe trajton gjetjen e monedhave antike me prejardhje nga Apolonia, Amantia, Orikumi, Durrësi, si dhe monedha të kohës së Augustit. Trajton edhe disa objekte metalike të jetës së përditshme, si dhe gjetjen e fragmenteve të dy shtatoreve, njëra prej guri gëlqeror e tjetra prej bronxi. Ai trajton me detaje edhe tjegullat, kryesisht ato me vula epigrafike, ku identifikon prodhime të punishteve apolloniate, por edhe të punishteve lokale publike, ku në një prej tyre, identifikon edhe emrin e një prytani (magjistrati kryesor i qytetit), duke supozuar kështu, se qyteti kishte edhe një strukturë shtetërore të mirëorganizuar, të ngjashme me atë të Amantias, Bylisit apo Apolonisë.

Duke e përmbledhur në mënyrë të përgjithshme (pasi ia lemë lexuesit të interesuar të lexojë librin për të mësuar detajet), qyteti antik i Triportit është një vendbanim portual, me fillesa në periudhën prehistorike, por i cili merr një rëndësi e zhvillim të veçantë si vendbanim dhe port, duke nisur nga fundi i shek. VII p.Kr, duke vazhduar të banohet pandërprerje deri në shek. II m.Kr. Bereti lindjen e vendbanimit e sheh tek kushtet e mira natyrore, si dhe pozicioni i përshtatshëm gjeografik për kontrollin e rrugëve detare, ndërsa si shkak për fundin e jetës dhe braktisjen e tij në shek. II m.Kr, sugjeron një lëvizje të fortë tektonike që ka ndodhur në Gjirin e Vlorës në këtë periudhë. Sipas tij, vendbanimi ka luajtur rolin e një porti të rëndësishëm për fisin e Amantinëve me qendër Amantian, dhe ka shërbyer për shkëmbimet tregtare me qendra të rëndësishme të rajonit dhe Mesdheut në periudha të ndryshme. Në këtë libër, Bereti, duke u nisur nga vëzhgimet sipërfaqësore, kërkimet gjeofizike dhe sondazhet e kryera, jep argumente se fortifikimi i poshtëm i qytetit nuk është bankinë porti, siç ishte supozuar, por mur fortifikues i qytetit të poshtëm i pajisur me hyrje e kulla. Ai sugjeron për praninë e murit në anën jugore, lindore e veriore, i cili për shkak të depozitimeve ranore dhe në mungesë të gërmimeve është vështirë të gjurmohet. Gjithsesi, edhe nga sondazhet e kryera në pjesën fushore, nëpërmjet materialit arkeologjik, ai provon se pjesa fushore ka qenë e ndërtuar dhe e banuar. Për sa i përket emrit të lashtë të vendbanimit merr në shqyrtim emrin e Aulonës, sipas të cilit përjashtohet që të ketë qenë vendbanimi i Triportit, pasi duhet kërkuar në qendër të qytetit të Vlorës, aty ku ndodhen sot muret e kastrumit romak. Ai lë të hapur identifikimin e Triportit me Thronionin antik të Amantinëve, i cili u pushtua dhe u plaçkit nga Apoloniatët në mesin e shek. V p.Kr.

Siç dhe vetë Bereti e vë në dukje në parathënien dhe pasthënien e librit, botimin e doktoratës nuk e ka azhornuar me informacione të reja të dala nga kërkimet nënujore të projektit “Liburna” në Triport, por as me zbulimet e reja arkeologjike në zonën përreth vendbanimit. Me siguri, nëse do të integroheshin dhe merreshin në analizë të dhënat e dala nga kërkimet e viteve të fundit në qytetin antik të Orikumit, do të ridimensionoheshin konkluzionet rreth arsyeve të braktisjes së Triportit. Në studim bie në sy mungesa e identifikimit të varrezës antike të vendbanimit, por edhe mungesa e një trajtimi të hollësishëm historik të faktit se si një ndër qytetet më të mëdha të Ilirisë së Jugut, siç ishte Triporti, është pothuajse i papërmendur në burimet historike. Për më tepër, duhet nënvizuar, se të dhënat e pakta arkeologjike që vijnë nga qendra e qytetit të Vlorës, nuk mbështesin idenë e ekzistencës së një qyteti të rëndësishëm pararomak në “Sheshin e Flamurit”, por më tepër praninë e një vendbanimi rural. Në këtë kuptim, Aulona antike e përmendur si qytet dhe skelë nga Ptolemeu, duhet identifikuar me Triportin. Pra, Aulona deri në shek. II m.Kr ndodhet në Triport, ndërsa gradualisht, për arsye ende të pashpjeguara me argumente shkencore, në shek. III dhe IV m.Kr zhvendoset në qendër të qytetit të Vlorës, në “Sheshin e Flamurit”, duke shërbyer si bërthama fillestare e lindjes dhe zhvillimit të qytetit të Vlorës në mesjetë dhe në shekujt në vijim. Por pavarësisht këtyre diskutimeve, të cilat autori siç e vë në dukje vetë nuk i ka azhornuar për arsye objektive, libri i Vasil Beretit “Vendbanimi skelë në Triport” mbetet një gur themeli dhe vepra më e rëndësishme për njohjen e kësaj qendre arkeologjike me rëndësi shumë të madhe, jo vetëm për historinë dhe trashëgiminë arkeologjike të Gjirit të Vlorës, por pa më të voglin dyshim, për mbarë rajonin. Botimi i këtij libri na bën të reflektojmë, se sa e rëndësishme është që puna arkeologjike të rifillojë edhe një herë në Triport, aty ku e ka lënë Vasil Bereti, dhe kërkimi të vijojë me metodologji dhe teknologji bashkëkohore. Kjo, jo vetëm që do t’i shtonte njohuritë tona mbi të e do t’u jepte përgjigje pikëpyetjeve të shumta, por në të njëjtën kohë vlerësoj se është e vetmja mënyrë për ta shpëtuar atë nga rreziku i madh që po i kanoset në kuadrin e zhvillimit të vrullshëm urban, si pasojë e zhvillimit të turizmit. Nga ana tjetër, do t’i jepte Vlorës një qendër të jashtëzakonshme turistike, impaktin e së cilës në zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit, nuk e konkurron dot asnjë kompleks apo resort turistik sado luksoz dhe i sofistikuar qoftë ai.

(c) 2025 Kriledjan Çipa. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin