Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Letërsi / Narratologji

SFIDA AUTOBIOGRAFIKE

Si çdo letërsi kombëtare, edhe jona ka qenë e detyruar të negociojë midis rrëfimit si N (narratio) dhe rrëfimit si C (confessio); por pa e arritur ndonjëherë ekuilibrin mes këtyre dy formave dhe pa e mbushur dot mangësinë në ligjërime të llojit autobiografik, të tilla që të synojnë jo përshkrimin e ngjarjeve dhe të botës, por transformimin shpirtëror të subjektit. Vetë-njohja nuk ka arritur të vendoset në qendër të gjakimit letrar dhe as t’ia zërë vendin vetë-mburrjes; dhe as rrëfimi (C) të admirohet për performimin e së vërtetës së brendshme (narratologët flasin këtu për një regjim auto-diegjetik-performativ, të vetes që përftohet përmes enoncimit).

Ashtu, jo vetëm burrat e shtetit dhe figurat e njohura publike e kanë pasur zor që të lënë pas tekste të llojit autobiografik konfesional, ku të kenë synuar jo korrigjime ose konfirmime të historisë zyrtare, por ndërtimin etik të vetes para publikut; por edhe shkrimtarë të njohur, nga Martin Camaj te Dritero Agolli, Kasem Trebeshina dhe Ismail Kadareja dhe Rexhep Qosja, nuk e kanë parë të arsyeshme ta rrëfejnë në mënyrë konfesionale jetën e tyre – megjithë natyrën apologjike  të ndonjë vepre si Pesha e kryqit, e Kadaresë, së cilës i mungon, megjithatë, dialogjizmi; dhe autori vërtet flet në vetën e parë, por është qartazi në zotërim të së vërtetës që pa e vënë penën në letër, dhe nuk synon gjë ta arrijë nëpërmjet ndërtimit të tekstit (siç e kërkon zhanri i konfesionit).[1]

Edhe më qartë shfaqet kjo në kujtimet e Enver Hoxhës, pavarësisht nga shkalla e sanitizimit të tyre prej një kolektivi të rreptë kujdestarësh; sepse ato tekste kanë natyrë ekzemplare, didaktike, konfirmojnë çfarë autori i tyre tashmë e di, i përcjellin lexuesit të vërteta të kristalizuara; atje mungon krejt dyshimi i vetes rrëfimtare (C), sikurse mungon dëshira për të ndërtuar një subjekt nëpërmjet rrëfimit (C). Hoxha flet në vetë të parë dhe kujton gjithfarë ngjarjesh e personazhesh nga e kaluara e vet, por kaq nuk mjafton për t’u dhënë kujtimeve të tij natyrë rrëfimtare (C); si shumë autorë të tjerë që i paraprinë dhe që i erdhën pas, ai rrëfen por nuk rrëfehet (as që i shkon mendja të rrëfehet).

Besoj se studiuesi këtu duhet të shkojë më tej konstatimit se ky kontroll absolut ndaj ideologjisë dhe etikës së tekstit i detyrohet vetë rregullave të produksionit të teksteve publike në një regjim totalitar si ai në Tiranë; dhe të shohë mos kjo mangësi, kjo imbalancë mes ekstroversionit dhe introversionit, kjo asimetri mes narrativitetit (N) dhe performativitetit (C) ka të bëjë edhe me një bindje më të vjetër, më të rrënjosur, më tradicionale, për funksionin edukativ didaktik që duhet të kenë tekstet publicistike dhe letrare; se letërsia, fiction dhe non-fiction, duhet të jetë gjithnjë e aplikuar, në funksion të një qëllimi tjetër, si edukimi patriotik, edukimi ideologjik, edukimi moral, por jo vetëm. Ky lloj teksti “autobiografik” mbetet i drejtuar nga tjetri, i treti si synim i një transformimi etik; duke mbetur po aq ekstrovert sa edhe teksti narrativ i zakonshëm. Nevoja ndonjëherë thjesht instinktive për t’iu konformuar këtij imperativi (për të shkruar tekste “me kuptim”) i ka bërë autorët e kujtimeve, duke filluar me Hoxhën vetë, e duke vazhduar pastaj me R. Alinë dhe të tjerët, që ta shpërfillin krejt aspektin konfesional të këtyre teksteve dhe të përzgjedhin, mes gjërave që kanë në mendje, vetëm ato që zënë vend mirë në narrativë, duke konfirmuar atë imazh të subjektit, që autori kërkon të konfigurojë në tekst.

Por nëse ti, si autor, thua se po rrëfen jetën tënde, dhe pastaj zgjedh të vendosësh në rrëfim vetëm ato ngjarje që i shërbejnë “predikimit” tënd si ideolog, ose që konfirmojnë imazhin që ti e ke tashmë për veten, atëherë këtij teksti – qoftë ky në trajtë kujtimesh, memoriesh ose autobiografie – i mungon një element thelbësor, për të qenë autentik: rrëfimi (si confessio). Edhe sikur gjithçka që ti rrëfen atje të jetë faktike, ose e tillë që ti beson se ka ndodhur vërtet, teksti yt mbetet narrativ dhe fiksional, në atë masë që i ofrohet lexuesit si koleksion shembujsh. Subjekti që u nënvendoset teksteve të tilla i vjen lexuesit në trajtë granitike, si monument, dhe pa atë vulnerabilitet që do të kishte rrëfimi (C), si kërkim i së vërtetës vetjake.

Unë prirem që ta marr këtë karakteristikë të teksteve memuaristike, autobiografike dhe të tjera të ngjashme, në letrat shqipe, si dëshmi dhe provë se ne, si kulturë, ende nuk e kemi arritur atë fazë kur të fillojmë ta çmojmë, si pasuri autentike madje edhe identitare, të vërtetën e shpalosur nga një vetëdije që rrëfen vetveten; dhe vazhdojmë ta konsiderojmë si dobësi që duhet shmangur krizën narrative që sjell me vete rrëfimi (N), madje vetë introspeksionin. Në mënyrë tentative, do ta shpjegoja këtë me përvetësimin dhe metabolizimin e pamjaftueshëm të botëvështrimit kulturor të krishterë dhe të konceptit kulturor të krishterë dhe më pas Perëndimor për subjektin, nga ana e elitave që kanë krijuar dhe përpunuar diskursin kulturor shqip deri më sot, përfshi këtu edhe ato elita që i përkasin fesë së krishterë. Dimë të rrëfejmë, por ende nuk dimë të rrëfehemi. Subjektin e aktit ligjërimor – unin – duam ta kqyrim me këmbëngulje si autoritet, në mos si Perëndi, dhe nuk e ndiejmë nevojën që t’i rrëfehemi një pale të tretë. Zbrazjen e vetes dhe riderdhjen në trajtë narrative e përfytyrojmë me ngulm si pranim faji, jo si teknologji për ta marrë këtë vete në kontroll.

Analiza moderne e autobiografisë zë fill me veprën Le pacte autobiographique të Philippe Lejeune (1975, rishikuar në 2015), ku autori, në kapitullin e parë hyrës dhe teorik, e paraqet autobiografinë si marrëdhënie identiteti mes autorit, rrëfimtarit (si kategori tekstuale) dhe protagonistit: “uni” që shkruan, “uni” që në rrëfen dhe “uni” për të cilin është fjala janë i njëjti person. Nocioni i paktit autobiografik ka të bëjë, në thelb, me një kontratë a marrëveshje implicite që lidh autori i tekstit, që përdor vetën e parë njëjës dhe nënshkruan me emër; sipas kësaj kontrate, autori premton që të thotë të vërtetën, në mirëbesim, për jetën e vet. Sipas Lejeune, është kjo kontratë që e dallon autobiografinë nga fiksioni – meqë, për shembull, në një roman lexuesi supozon se rrëfimtari është konstrukt fiksional, ndërsa në një autobiografi se rrëfimtari është i njëjtë me autorin.

Kjo e bën autobiografinë një akt ligjërimor të identitetit dhe të sinqeritetit.

Rolin kyç në këtë mes e luan emri i përveçëm me të cilin është nënshkruar teksti dhe që figuron në kopertinë: nëse ky emër përkon me “unin” e përdorur në tekst, lexuesi ftohet që ta interpretojë rrëfimin si diçka që i referohet botës reale.

Por nuk janë marrëdhëniet me të vërtetën empirike që e vendosin nëse teksti është apo jo autobiografik; sipas Lejeune-it, mjafton që lexuesi ta shohë tekstin si një regjim ligjërimor të sunduar nga sinqeriteti. Autori dhe lexuesi e lidhin kontratën mes tyre në bazë të një premtimi për autenticitet, jo të ndonjë verifikimi të jashtëm; dhe kjo kontratë mbahet në këmbë nga mirëbesimi.

Identiteti mes autorit, rrëfimtarit dhe protagonistit, i postuluar nga Lejeune, u fut në krizë nga tekste që eksperimentuan me caqet e këtyre kategorive; që me botimin, në 1977, të veprës Fils nga Serge Doubrovsky, të pagëzuar si “autofiction” – ku emri i përveçëm i autorit bashkëjeton me sajimin fiksional. Vetë Lejeune më pas do të pranonte se kontrata, për të cilin kish folur, ishte një kontratë ambivalence jo vërtetësie – teksa lexuesi ftohej të përballonte luhatjen mes mirëbesimit dhe lojës.

Në përgjithësi, post-modernizmi ndikoi në shkrimtarinë autobiografike duke lejuar fokusin të zhvendosej nga rrëfimi i së vërtetës te rrëfimi i aktit të rrëfimit, dhe – ngjashëm me sa vumë në dukje për rrëfimin (confessio) – tekstet autobiografike post-moderne (Annie Ernaux, Karl Ove Knausgard) e kërkojnë të vërtetën te një proces rrëfimi i vijueshëm, jo tek ajo çfarë thuhet. Për ta thënë me kritikun Christian Lorentzen, “ka në autofiction një emfazë ndaj statusit të rrëfimtarit, protagonistit ose alter egos autoriale si shkrimtar ose artist, dhe krijimi i librit është i përfshirë në vetë librin.” (Vulture, New York, maj 2018).

Një ese nga Olga Litvak, botuar në The Hedgehog Review tani së fundi (Untranslated – Good translations? Bad translations? It’s complicated.) pyet nëse autobiografia – si zhanër tekstual ose letrar – është e përkthyeshme në gjuhën kulturore hebraike (Jewishness). Autorja vëren se lexuesi në Perëndim është mësuar tashmë, nëpërmjet një tradite të ngulitur mirë, që t’i marrë si të vërteta fjalët e një teksti të shkruar në vetën e parë njëjës, duke e identifikuar zërin e rrëfimtarit me atë të autorit; dhe duke e pranuar vërtetësinë si pjesë të paktit të mirëbesimit mes lexuesit dhe autorit të tekstit.

Litvak vëren se Lejeune-i duhet të kish shtuar se edhe mirëbesimi i shumë lexuesve, edhe keqbesimi i disa autorëve, i përkasin lojës gjuhësore të krishterë, që e trajton rrëfimin (confessio) si sakrament dhe e privilegjon dëshminë në vetë të parë si veçanërisht provuese (probative). Për këtë arsye, thotë ajo, lexuesit reagojnë ndaj ekspozimit të një autobiografie si fiction me indinjatë dhe një sens dhunimi. Supozimi ynë i përgjithshëm, se deklaratat “konfesionale” në vetën e parë mund dhe duhet të jenë të vërteta (truthful), ka të bëjë me rolin që ka praktika e të rrëfyerit (confessing) në Krishterim. Aq më tepër, emfaza moderne në autenticitetin, që privilegjon zërin në vetën e parë, i ka rrënjët në konvencionet e “autobiografisë spirituale”, një zhanër që u zhvillua brenda kornizës devocionale të puritanizmit të shekullit XVII. Që këtej, pak na ndan nga pesha e jashtëzakonshme që iu atribuua rrëfimeve, në jurisprudencën perëndimore – aq sa vetë statusi sakramental, që Krishterimi i pat dhënë rrëfimit (confessio) ndihmoi për ta mbajtur në jetë praktikën hetimore të torturës. Përkundrazi, vëren Litvak, rrëfimi (confessio) nuk gëzon ndonjë status të privilegjuar në ligjin judaik.

Përsiatjet e Litvak-ut më ndihmojnë të besoj edhe më fort, se ligjërimi autobiografik në kulturën Perëndimore, duke qenë i lidhur ngushtë – për nga origjina dhe nga pritjet e publikut – me sakramentin e krishterë të Rrëfimit (confessio), nuk është as mund të jetë formë tekstuale universale dhe e vetvetishme; por është kushtëzuar fort nga praktika dhe rituale që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me letërsinë. Nëse qëndron kjo që them, mund të ndihmojë për të ftilluar statusin ende të pakonsoliduar të tekstit autobiografik në kulturën shqiptare bashkëkohore dhe kontradiktat që lindin në ato zona ku një tekst i tillë vjen në kontakt me ndjeshmëritë perëndimore; zona ku kritika letrare ka nevojë për antropologjinë, për të shmangur gabime ndonjëherë foshnjore.

 

(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney. Pjesa e parë e kësaj eseje, me titullin RRËFEJMË DHE RRËFEHEMI, është botuar te kjo revistë më 6 nëntor 2025.


[1] Këto janë thjesht përshtypje; tema kërkon analizë që unë nuk e kam bërë. Nga sa kam lexuar dhe parë, besoj se Zef Pllumi nga njëra anë me trilogjinë Rrno vetëm për me tregue, Edi Rama nga ana tjetër me Kurban, i janë afruar më shumë modelit konfesional.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin