(Pjesa e tretë e një eseje kushtuar tensionit mes shkrimit, leximit dhe ligjërimit të folur në epokën e uebit 2.0.)
Uebi 2.0 dhe pastaj rrjetet sociale që në krye u dhanë përdoruesve mundësinë për ta shkëputur (de-çiftuar) tekstin nga autoriteti, nëpërmjet anonimizimit; nëse edhe më parë ishte e mundshme që të përftoheshin dhe të shpërndaheshin tekste pa autor të identifikuar, tani përftimi dhe shpërndarja e teksteve të tilla filluan të garantohen në masë, sërish falë anonimizimit. Një komentues mund të linte një shënim poshtë një artikulli, te një gazetë online, dhe ta nënshkruante këtë me emër të rremë ose me një nofkë çfarëdo. U normalizua kështu, në komunikimin publik, një lloj teksti me autor të fshehur. Tipologjikisht, tekste të tilla kanë qarkulluar edhe më herët, për shembull në letrat dhe denoncimet anonime, ku fshehja e identitetit (e subjektit) pritej ta mbronte autorin e tekstit nga ndonjë lloj ndëshkimi ose shpagimi, prej autoritetit ose viktimës së denoncuar; e reja ishte vetëm te shkalla e masivizimit. Me kalimin e viteve, aftësia për të përftuar dhe shpërndarë tekste me autor të rremë erdhi dhe u shndërrua në një faktor konstitutiv të rrjeteve sociale, duke përfunduar në armë në duar sa të kundërshtarëve të rendit politik dhe kulturor, aq edhe të forcave politike, shërbimeve të fshehta dhe çdo agjencie tjetër që synon manipulimin e opinionit publik.
Disa nga efektet e Uebit 2.0 në komunikimin publik nuk kanë pasur lidhje mes tyre në origjinë – dobësimi i aftësive të përdoruesve, për t’u përqendruar në leximin dhe përvetësimin e teksteve relativisht të gjata duket se ka ndodhur në mënyrë të pavarur nga de-çiftimi i teksteve prej subjekteve të përftimit të tyre (përgjegjësia e autorit); jeta e shkurtër e mesazheve në chat-et duket edhe ajo se është adoptuar në mënyrë të pavarur nga imponimi i diktaturës të së tashmes, në marrëdhëniet mes Internetit dhe kohës (kronologjisë). Megjithatë, këto efekte sot ndërveprojnë mes tyre, për të krijuar një ekologji të tillë të komunikimit online, që ia shtron qilimin e kuq chatbotëve të inteligjencës artificiale.
Edhe tekstet e prodhuara nga këta chatbot-ë, si ChatGPT-ja ose Gemini, janë të de-çiftuara nga subjekti autor, meqë një chatbot nuk ka autorësi dhe as autoritet; nuk mund t’i nënshkruajë gjërat që thotë dhe as të japë urdhra a të marrë vendime që sjellin me vete detyrimin për t’u zbatuar. Distanca tipologjike mes tyre dhe komenteve a mesazheve anonime në një bulletin board është e papërfillshme, paçka se një chatbot mund të japë “zgjidhje” problemesh me kompleksitet të jashtëzakonshëm dhe të përkthejë një libër të tërë nga japonishtja në anglisht, brenda pak minutash. Vlera dhe besueshmëria e prurjeve të një chatbot-i mund të verifikohet dhe shpesh rezulton e cilësisë më të lartë; por kjo nuk u jep teksteve përkatëse as autor as autoritet, sa kohë që ato tekste vijnë të de-çiftuara nga përgjegjësia dhe forca ilokutive. (Akti ligjërimor ilokutiv na lejon të kryejmë një veprim, kur themi diçka – për shembull, të premtojmë, të urdhërojmë ose të bëjmë një pyetje. Forca ilokutive e një thënieje ka të bëjë drejtpërdrejt me çfarë synon të arrijë folësi, kur e shqipton atë thënie.)
Nga pikëpamja e pragmatikës gjuhësore, inteligjenca artificiale në komunikim me përdoruesin mund vetëm të simulojë një akt ilokutiv, sepse asaj përndryshe i mungon statusi institucional ose moral për ta bërë aktin të detyrueshëm për ndërfolësin ose të adresuarin – nuk ka as agjenci, as qëllim, as autoritet institucional. E shumta, një AI mund të japë një shfaqje teatrale apo inskenim (performance) të një akti ligjërimor; duke ndërmjetësuar autoritetin e burimeve të tjera. Vetë ChatGPT 5, kur e pyeta për këtë punë, m’u përgjigj kështu: “mendo sikur unë të jem bibliotekar, jo shkencëtar” dhe pastaj: “garancia e së vërtetës mbetet me autorët, studiuesit dhe institucionet, veprën e të cilëve unë e përcjell.” Kjo do të thotë se, edhe për akte të thjeshta lokutive, të njohura si “assertives” (“Toka rrotullohet rreth Diellit”) inteligjenca artificiale ia delegon vërtetësinë një autoriteti të jashtëm, të verifikueshëm, përfshi këtu edhe konsensus-in.
Duke mundësuar një distancë kohore mes momentit të kodimit (prodhimit të ligjërimit) dhe momentit të dekodimit (leximit, interpretimit), teksti i shkruar vetvetiu e problematizon autorin, cili edhe fizikisht nuk është më i pranishëm. Një graffiti në mur krijon iluzionin se autori nuk është më i nevojshëm, që teksti i shkruar të funksionojë. Që këtej kalohet lehtë sa te pozicioni post-modern, për “vdekjen” e autorit, aq edhe te përpjekjet për rindërtimin e tij si kategori tekstuale (auctor in fabula).
Zbehja – ose zbythja – e autorit, në ligjërimin gjysmë-anonim të rrjeteve sociale i ka disa pika takimi me oralitetin; por shumë “tekste” që qarkullojnë në këto rrjete dhe media mbeten pa autor edhe sikur të jenë të nënshkruara, sepse autorët nuk ua njeh dhe as ua verifikon kush; dhe ka një nivel ku diferenca midis pseudonimit dhe emrit “real” nuk ngre më peshë. Paradoksalisht, rrjetet dhe mediat sociale ua heqin disave mundësinë që të shfaqen si autorë, edhe po të duan; është konteksti që e imponon anonimizimin.
Hyrja në skenë e AI-ve, në formën e chatbot-ëve që angazhohen në biseda dhe dialogë me përdoruesit, përfaqëson një lloj krejt tjetër të vdekjes së autorit. Tekstet e prodhuara nga këto AI nuk kanë më asnjë lidhje, as edhe virtuale, me ligjërimin e folur; AI-ve u mungon agjencia, nuk kryejnë dot akte ligjërimore dhe, e shumta, mund të simulojnë një lloj iluzioni të teatrit kognitiv, ku gjuha e shkruar vihet në funksion të “inteligjencës”, duke e performuar.
Ironikisht, AI-të i afron me oralitetin mënyra e funksionimit (modus operandi) – edhe ato mbështeten në modele probabilitare që i lejojnë të parashikojnë, në një varg shenjash (tokenësh) çfarë vjen më pas, në bazë të materialit që kanë akumuluar gjatë trajnimit. Mbështeten edhe ato në klishetë, si ligjërimi i rapsodit. E vetmja siguri që mund të kenë, kur i ngjitin fjalët së bashku për të gjeneruar thënie, ka të bëjë me gjasat relativisht më të larta, që këto fjalë të jenë bashkë; një mekanizëm që mbështetet tashmë në masën ekzistuese të teksteve të shkruara (arkivit).
Sot për sot, ligjërimi online vjen i polarizuar – nga njëra anë, pseudo-oraliteti i mediave sociale, gjithnjë e më i paaftë për të artikuluar tekste të arsyeshme; nga ana tjetër, ligjërimi i shkruar prej AI-ve, pa lidhje me ligjërimin e folur dhe agjencinë humane. Të dyja këto ligjërime nuk duan t’ia dinë për përmasën kohore të teksteve – ChatGPT-ja që bisedon me mua për Lacan-in nuk e di se çfarë ka biseduar ChatGPT-ja për Lacan-in me një përdorues tjetër, dhe as u referohet dot gjërave që ka thënë më parë.
Në veprën e vet seminale Orality dhe Literacy, Ong-u – duke iu referuar një studimi nga Goody dhe Watt – i karakterizon shoqëritë orale si homeostatike, në kuptimin që ato jetojnë shumë fort të ngulitura në një të tashme, e cila e mban veten në ekuilibër ose homeostazë duke i eliminuar ato kujtime që nuk kanë më relevancë të tashme. Për ilustrim, Ong-u përmend fjalorët, si shpikje e kulturave të shkruara, ku ruhen jo vetëm fjalët, por edhe kuptimet e ndryshme që këto kanë pasur në kohë. Kulturat orale, nga ana e tyre, nuk kanë fjalorë dhe kuptimi i secilës fjalë kontrollohet nga situata në jetën reale, ku përdoret fjala.
Homeostaza del më qartë në pah në ekosistemet pseudo-orale të rrjeteve dhe të mediave sociale, ku e kaluara nuk është më tepër se një token, kur nuk është katandisur në një meme; dhe ku traditat janë reduktuar në funksione të thjeshta gramatikore, duke u zhveshur nga çdo relevancë kulturore, që nuk ka lidhje me të tashmen e pandërmjetësuar. Tek e fundit, Interneti sot po rrezikon seriozisht të kthehet në një opium den, ku përdoruesit trullosen me harresën totale. Por të njëjtën homeostazë mund ta gjesh edhe në ligjërimin – tekstin – e gjeneruar nga AI-të, të themeluar tashmë jo në harresën totale, por në kujtesën totale.
*
Kjo ese u nis të diskutonte tensionin mes gjuhës së shkruar dhe gjuhës së folur, tekstit dhe oralitetit, në një epokë si e sotmja, ku Interneti ka mundësuar shfaqjen e një aktori të tretë në teatrin e ligjërimit: përtej subjektit dhe masës anonime, tani na duhet të kemi të bëjmë edhe me chatbotët e Inteligjencës Artificiale. Këta të fundit janë vërtet produkte të kulluara të tekstit të shkruar, të tilla që e marrin oksigjenin nga vetë përmasa e tretë, arkivale, e kësaj forme të ligjërimit; por, paradoksalisht, produktet e tyre e ka të vështirë njeriu t’i përfytyrojë në trajtë libri, artikulli shkencor, eseje a të çdo forme tjetër, të cilën jemi mësuar tashmë ta bashkëlidhim me tekstin. Ndonëse me siguri janë shtypur e qarkullojnë tashmë materiale të hartuara me AI, sërish e kemi të vështirë të pranojmë, që një chatbot ose LLM “të shkruajë” një libër a të dalë me një opinion në mediat; sepse e dimë dhe, edhe kur nuk e dimë e ndiejmë, që një AI mund të prodhojë një varg të pafund fjalësh të lidhura korrektësisht mes tyre, por asaj i mungon, megjithatë, agjencia e autorit; ajo agjenci, e cila i nënvendoset një libri a një artikulli në revistë. Disa dukuri gjysmë folklorike, që i ndesh sot në mediat sociale, me përdorues që i drejtohen ChatGPT-së si të ishte orakull ose i kërkojnë vleftësim (validim) të ideve të tyre ndonjëherë thjesht të çartura, provojmë që ne, si kulturë, ende nuk arrijmë dot të mësohemi me praninë e ligjërimit me subjekt zero, që nuk është veçse një ekskreshencë e masës ekzistuese të teksteve të shkruara; dhe, në përpjekje për t’i bërë vend në botën tonë, u drejtohemi modeleve të vjetruara, si ai i autoritetit spiritual, simbolik dhe magjik; çfarë më kujton Belul Gjonomadhin, e “Dimrit” të Kadaresë, që i thuri këngë radarit. Sidoqë fantashkenca prej kohësh e ka bërë të vetin tropin e anijes kozmike inteligjente, pa folur për robotët e Asimovit dhe androidët e Philip Dick-ut, sërish e kemi të vështirë të pranojmë që edhe arkivi – si depozitë e organizuar e dijes në trajtë tekstesh të shkruara – mund të zgjohet dhe të zhvillojë agjencinë e vet; dhe kjo, ngaqë na vjen më lehtë ta gjejmë këtë agjenci te një mekanizëm a makineri që lëviz dhe bën diçka, se ta pranojmë te strukturat “gjeologjike” të gjuhës. Interneti të paktën ka meritën që e aktualizon këtë problem dhe sfidë për të gjithë ne, përtej fiksionit fantashkencor.
© 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.