(Pjesa e dytë e një eseje kushtuar tensionit mes shkrimit, leximit dhe ligjërimit të folur në epokën e uebit 2.0.)
Tradita e shkruar, ashtu siç manifestohet në arkiv, konsiston edhe në lidhjet që tekstet vendosin mes tyre, në mënyrë të tillë që çdo tekst të rimarrë tema, simbole dhe struktura nga tekste që i kanë paraprirë. Që të funksionojë, intertekstualiteti kërkon referenca kulturore të përbashkëta, mes përdoruesve të teksteve. Për shembull, një thënie e shkëputur si “të rrosh a të mos rrosh, kjo është çështja”, evokon për lexuesin shqip edhe Hamletin e Shekspirit, edhe përkthimin emblematik të Nolit – me kusht që lexuesi t’i ketë këto dy vepra në “arkiv” (në “enciklopedi” do të thoshte Eco-ja). Në vija të trasha, tekstet lidhen mes tyre përmes fijeve intertekstuale, të cilat mundësojnë kuptimin në nivelin kulturor.
Por ato tekste të shkruara, që janë produkt i angazhimit masiv të përdoruesve në komunikim falë rrjeteve sociale, mediave sociale dhe anonimizimit nuk kanë nevojë për këtë lloj intertekstualiteti dhe nuk i shërbejnë më riprodhimit të kulturës së shkruar. Meqë një pjesë e madhe e teksteve të përftuara në chat-e dhe në kontekste të ngjashme i ruajnë marrëdhëniet me ligjërimin e folur dhe kulturën orale, atje intertekstualiteti do të priret të mishërohet nëpërmjet formulave, struktura të gatshme leksikore, sintaksore, frazeologjike dhe, më gjerë, folklorike – çfarë lidhet edhe me rishfaqjen e dialektit, të përshtatur për shkrim me mënyra rudimentare (transkriptive) dhe përdorimin e përsëritur të pak batutave nga filmat shqiptarë të Realizmit Socialist ose, herë pas here, të vargjeve dhe bejteve. Nëse intertekstualitetin autorë si Bakhtin dhe Kristeva e kanë parë si shprehje parësore të dialogjizmit në ligjërim, përfshi këtu edhe aftësinë e teksteve të shkruara për të dialoguar mes tyre, në kontekstin e ri të Uebit 2.0 dhe të mediave sociale dialogu rrezikon të mos ekzistojë më, sepse edhe replikat në një fill bashkëbisedimi nuk dinë si t’i referohen njëra-tjetrës dhe diskutantët zakonisht mjaftohen të përqasin thëniet e njëri-tjetrit me një kampion tejet të thjeshtuar idesh të gatshme ose truizmash.
Sikur kjo të mos mjaftonte, uebi shqip dhe mediat sociale janë treguar indiferente edhe ndaj disa mundësive ose opsioneve teknike që i ofron komunikimi online, duke filluar nga hipertekstualiteti, ose mundësia praktike për t’i ndërlidhur tekstet mes tyre me hiperlidhje (hyperlinks), të cilat ua mundësojnë përdoruesve navigimin mes teksteve që kanë informacion të ndërlidhur. Si formë e intertekstualitetit specifike për hapësirën digjitale, hipertekstualiteti jo vetëm i tejkalon kufizimet e linearitetit të tekstit të shkruar tradicional, por edhe e nxit lexuesin të krijojë ai vetë një rrjet idesh dhe burimesh të ndërlidhura, duke ndërvepruar me tekstin. Nëse lineariteti imponon një drejtim fiks të leximit ose të konsumit të informacionit të shkruar – nga e majta në të djathtë, e kështu me radhë – hipertekstualiteti e vendos tekstin në një hapësirë tre-përmasore, në marrëdhënie gjithfarësh me tekste të tjera.
Që një tekst i caktuar të pajisjet me hipertekstualitet, kjo kërkon punë editoriale të specializuar. Referenca ndaj një artikulli të botuar online mund të hiper-lidhet me faqen ueb ku është botuar artikulli; një citat mund të hiper-lidhet me origjinalin; emri i një autori ose titulli i një vepre mund të lidhen me faqet përkatëse të enciklopedisë; një deklaratë e një ministri a një funksionari të lartë mund të hiper-lidhet me faqen zyrtare të institucionit përkatës. Hipertekstualiteti është mundësi e shtuar për tekstin, e ngjashme me ilustrimin, fotografinë dhe videon; ose, nga një këndvështrim tjetër, me paraqitjen grafike dinamike të përmbajtjes. Por ju ftoj të hapni një faqe të një medie shqip dhe të numëroni hiper-lidhjet që do të gjeni atje – si rregull, asnjë; ose e shumta, ndonjë video shoqëruese, që i shpie lexuesit në YouTube. Përshtypja ime, si vëzhgues i uebit shqip, është se operatorët e këtyre faqeve nuk e marrin mundimin, që t’i pajisin materialet e tyre me hiper-lidhje, duke e trajtuar median online si të ishte një lloj gazete e formatit tradicional, ku teksti mund të derdhet me kovë.
Nëse hipertekstualiteti, i përdorur mençurisht, i vë lexuesit në dispozicion një bibliotekë të tërë virtuale, me referenca dhe burime enciklopedike, duke e ftuar edhe që të kërkojë më shumë liri dhe ta navigojë vetë hapësirën e informacionit, mungesa e tij – dhe e hiper-lidhjeve që e mishërojnë dora-dorës – e sheshon tekstin e shkruar, duke e afruar, tipologjikisht, me një print-out, një transkriptim online të një teksti tradicional, të zhveshur edhe nga ato tipare që i gjen tek teksti tradicional; nga shënimet në fund të faqes, tek ilustrimet dhe stili tipografik: përdorimi i shkronjave të theksuara (bold) ose të pjerrëta (italics) dhe i teknikave qoftë edhe krejt rudimentare të dizajnit (p.sh. box-et).
Shembull, do të thoja, elokuent i prirjes për të qenë i pranishëm në aktualitet, por jo në perspektivë dhe për të mbetur në sipërfaqe të tekstit, është një funksionalitet që sot e ndesh në Whatsapp, i cili lejon që mesazhet të zhduken nga chat-i pas një farë kohe të cilën e përcakton ti vetë. Zhvilluesit e app-it thonë se synimi kryesor këtij funksionaliteti është rritja e privatësisë, sa kohë që mesazheve nuk u lejohet të lënë gjurmë të përhershme në chat. Pikërisht, kështu thuhet: gjurmë të përhershme, permanent trace në anglishte; dhe këtu të shkon mendja vetvetiu se gjurma permanente është pikërisht arsyeja pse u zhvillua teknika e të shkruarit; çfarë do të thotë edhe se app-i haptazi kërkon që t’i ngjajë më shumë komunikimit të folur, edhe pse përdoruesit e tij shkruajnë.
Dhe, natyrisht, zhdukja e gjurmëve të përhershme ka të bëjë me mbrojtjen e përdoruesit të app-it nga dëmet që mund t’i vijnë, po të vihej nesër para përgjegjësisë nga çfarë ka thënë. Duket si masë në mbrojtje të lirisë së fjalës, edhe pse – në thelb – shërben për ta shkëputur shkruesin nga përgjegjësia për çfarë ka shkruar. Në terma më teknikë, funksionaliteti mundëson de-çiftimin (decoupling) e shkruesit nga produkti i aktit të tij të së shkruarit; dhe kësisoj i përket të njëjtit grup me teknika të tjera anonimizimi në rrjetet dhe në mediat sociale – të tilla si mundësia për të adoptuar një identitet të rremë ose një maskë (nofkë, pseudonim).

Kjo tabelë rrugore e merr autoritetin (dhe forcën për të vepruar) nga mbishkrimi NYC DEPT OF TRANSPORTATION poshtë shigjetës së bardhë.
Tradicionalisht, ligjërimi i folur vjen vetvetiu i çiftuar me subjektin e vet – personin që flet; ndërsa ligjërimit të shkruar ky subjekt i duhet atribuuar me një mënyrë ose një tjetër. Ne sot jemi mësuar me rolin e autorit të një teksti, i cili zakonisht identifikohet që në krye; dhe domethënia, edhe historike, e këtij roli është që ta çiftojë krijuesin e tekstit me përgjegjësinë. Një tekst pa autor, për shembull një mbishkrim në mur (graffiti) vjen jo vetëm me forcë ilokutive zero, por edhe me kuptim shumë të dobësuar. Tekste të tjera pa autor, si emrat e rrugëve ose tabelat në autostradë, e marrin forcën ilokutive nga autoriteti përkatës – bashkia, autoriteti i qarkullimit. Tabela “Ndalohet duhani” në një sallë pritjeje të një stacioni trenash e ushtron funksionin e saj sa kohë që shefit të stacionit i njihet autoriteti, brenda asaj hapësire.
Shumë lehtë mund të kalohet, siç e pamë, nga autori tek autoriteti. Autoritetin e kanë përkufizuar si fuqia ose e drejta për të dhënë urdhra, për të marrë vendime dhe për të imponuar bindje; edhe pse, në dije dhe kulturë, autoriteti është emblemë e besueshmërisë ose e ekspertizës, që frymëzon besim, e kështu me radhë. Në të gjitha këto raste, dhe të tjera të ngjashme, autoriteti kombinon në vetvete pushtetin me legjitimitetin. Në një ese të njohur ( “Qu’est-ce qu’est un auteur”), Foucault-i e përkufizon autorin si funksion të diskursit (fonction auteur) ose si kusht të produksionit dhe të recepsionit të tekstit, apo edhe parim organizativ të një kategorie tekstesh. Ky filozof vë në dukje edhe se, origjinalisht, autori u përftua, si koncept, brenda sistemit juridik – si individi që mbante përgjegjësi për tekstin dhe që do të dënohej, nëse teksti rezultonte subversiv, në gjykimin e autoritetit përkatës.[1]
Pa dalë nga tema që na intereson, le të vëmë në dukje se prania e autorit në një tekst, qoftë edhe thjesht si prani e identifikueshme, i shërben lexuesit a përdoruesit të tekstit për të matur raportet e këtij teksti me të vërtetën, ose si një vlerë e besueshmërisë së këtij teksti; e cila realizohet nëpërmjet besueshmërisë së autorit. Tradicionalisht, besueshmëria e një teksti që lexoj në një revistë varet sa nga autori i identifikuar i tekstit, aq edhe nga reputacioni (autoriteti) i revistës vetë. Vetë procesi tradicional i botimit të tekstit shërbente edhe si procesi i çiftimit të një teksti – si copëz e ligjëruar – me autoritetin, pa të cilin teksti nuk funksionon dot.
(vijon)
© 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.
[1] Vite më parë, kur punoja në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, dhe pasi u botua Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe (1980), më kujtohet se kryeredaktori i fjalorit (A. Kostallari) dhe redaktorët u nderuan me çmim të republikës. Por hartuesit e fjalorit, ose grupi që e kish shkruar shkronjë pas shkronje, nuk morën asnjë çmim.
Ashtu njëri nga hartuesit, Palok Daka, u ngrit dhe e pyeti Kostallarin: “sikur Fjalori të kish rezultuar me gabime të rënda ideologjike, vallë vetëm kryeredaktori dhe redaktorët do të dënoheshin?”
U shfaq ashtu autori, si personi që do të dënohet për tekstin.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.