Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kujtime

KUPA ME GJARPËR

Dimrin e kaluar më qëlloi të merrja për herë të parë në Mynih një bar me recetë elektronike, pra thjesht me kartën e sigurimit shëndetësor. Pa atë copëzën e letrës në dorë, e cila në gjermanisht përcjell informacion, jo vetëm përmes kutizave të përcaktuara shumë qartë, por edhe përmes ngjyrës: për shembull roza është për barnat e rimbursueshme. Në renditjen aq të rregullt të kutizave informative të recetës, vetëm nënshkrimi i mjekut në cep të saj më kujtonte gjithmonë recetat në Shqipëri. Çuditërisht, kur mbaja një recetë në dorë, sytë më shkonin gjithmonë atje, duke menduar se mjekët në të gjithë botën e kishin të nevojshëm një kurs bukurshkrimi. Ime më kishte punuar një jetë të tërë si farmaciste dhe receta, bashkë me mundimin për të deshifruar shkrimin e mjekëve, më kishte shoqëruar gjatë gjithë fëmijërisë sime në bisedat rreth tryezës, në vaktin e përbashkët për të gjithë familjen.

Nuk e fsheh, që duke pritur radhën vetëm me kartën e sigurimit, por pa recetë në dorë, kisha ndjesinë e pakëndshme, se kisha harruar diçka. Para meje ishte një zonjë tepër e moshuar me bastun, e cila me shumë mosbesim ia zgjati kartën e sigurimit farmacistes, duke i thënë se receta ishte brenda. Në atë moment e kuptova, se zonja e moshuar i kishte rënë në të ndjesisë së pakëndshme: receta ishte brenda, por unë dhe ajo në pamje të parë ndjeheshim “jashtë”, të përjashtuara nga trioja mjek-farmacist-pacient, brenda së cilës në Gjermani, qysh prej janarit të vitit të kaluar, receta elektronike[1] funksionon ligjërisht si medium digjital. Shndërrimi hap pas hapi i recetës në një medium digjital ose synimi për ta bërë të tillë në kuadrin e digjitalizimit në stil të gjerë, po ndodh në shumë vende të BE-së, varësisht nga specifikat kombëtare të secilit vend, duke sjellë kësisoj ndryshime të ndjeshme në mënyrën e komunikimit për shoqërinë në tërësi, përfshirë këtu dhe trion mjek-farmacist-pacient.

Kjo trio, që sot na ngjan kaq e vetëkuptueshme, në zanafillën e saj është kushtëzuar nga krijimi i sigurimeve shëndetësore (fundi i shekullit të 19-të, fillimi i shekullit të 20-të)[2], kurse lindja e recetës si një medium komunikativ për duon mjek-farmacist[3] i ka fillesat e saj qysh në shekullin e 13-të[4], me ndarjen e detyrueshme të këtyre dy profesioneve.[5] Një digjitalizim i fondit historik të recetave në Muzeun e Barnatores në Heidelberg[6], jep të dhëna shumë interesante lidhur me vijueshmërinë e informacioneve të detyrueshme në recetë, duke lënë të kuptohen përmes tyre ndryshimet e infrastrukturës komunikative dhe informative, konkretisht në shëndetësi dhe më gjerë në shoqëri, për të vendosur kësisoj në një kuadër të kuptueshëm kalimin nga receta analoge në atë elektronike ose synimin drejt kësaj të fundit.

Një ndryshim thelbësor në duon mjek-farmacist sjell vendosja e nënshkrimit të mjekut[7] në recetat e fundit të shekullit të 18-të dhe më tej. Krijimi i sigurimeve shëndetësore, konkretisht marrja përsipër e shpenzimeve të barnave për një person apo për një bashkësi të caktuar, e shndërron duon mjek-farmacist në trion mjek-farmacist-pacient, që sot na duket kaq e natyrshme në marrëdhënien e saj. Nënshkrimi i mjekut në zinxhirin e marrëdhënieve mjek-farmacist-pacient, i jep recetës kësisoj krahas dimensionit mjekësor dhe teknik, edhe atë ligjor dhe ekonomik.

Pikërisht dimensionet ekonomike dhe ligjore, bëjnë që në shekullin e 20-të saktësia dhe plotësimi i të dhënave të pacientit dhe garancia e plotësimit të tyre përmes vulave përkatëse të mjekut dhe farmacistit të marrin rëndësi të dorës së parë, duke nxjerrë në pah elementet e përbashkëta formale të recetës, konkretisht të dhënat për pacientin (emri, mbiemri, ditëlindja), të dhënat për barin (emërtimi gjenerik dhe principi aktiv, forma farmaceutike, përqendrimi i substancës kimike, sasia dhe dozimi), ato për mjekun (emri, mbiemri dhe adresa e klinikës apo spitalit, vula dhe nënshkrimi) si dhe datën e lëshimit të recetës.

Në Gjermani formati i recetave të sigurimit u standardizua në vitin 1963. Përveç elementeve të përmendura më sipër ky format i standardizuar përmban dhe elemente të tjera formale shtesë, si p.sh. emërtimin e sigurimit, statusin e të siguruarit, numrin e sigurimit etj., elemente këto që lehtësojnë procedurën e rimbursimit dhe ofrojnë në të njëjtën kohë mekanizma mbrojtës kundër mashtrimeve dhe falsifikimeve. Recetat e sigurimit janë të standardizuara në nivel kombëtar (varësisht prej sistemit shëndetësor të secilit shtet) dhe jo të unifikuara në nivel europian. Elementet formale shtesë variojnë në këtë mënyrë nga një shtet në tjetrin, kurse elementet e përgjithshme formale, pra të dhënat për pacientin, barin, mjekun dhe datën e lëshimit të recetës janë të detyrueshme. Pikërisht një format të unifikuar të recetës mjekësore për sistemin publik dhe atë privat me të dhëna të detyrueshme synon në Shqipëri ligji i ri[8] që ka hyrë në fuqi prej një gushtit. Përveç elementeve standarde bazë, formati i unifikuar duhet të përmbajë në mënyrë të detyrueshme diagnozën, emërtimin gjenerik të barit, dozën dhe mënyrën e përdorimit, të dhëna mbi frekuencën dhe afatin e përdorimit të tij për të sëmurët kronikë dhe vendosjen e emrit dhe vulës së farmacistit, duke synuar kësisoj përmes transparencës forcimin e mekanizmave mbrojtës kundër mashtrimeve dhe falsifikimeve, sepse mosbesimi i pacientit karshi tregut farmaceutik në Shqipëri ka bërë që ky i fundit sipas mundësive që ka të kërkojë rrugëzgjidhje[9] duke i blerë barnat jashtë Shqipërisë. Dhe ky mosbesim është një dëshmi e qartë që komunikimi në trion mjek-farmacist-pacient çalon, madje dukshëm.

Le t’i kthehemi dhe një herë recetës. Me të gjitha të dhënat që ofron, dhe natyrisht para së gjithash me organizimin e terapisë medikamentoze, forma e ekzistencës së recetës si një artefakt fizik i bazuar në letër kushtëzon tashmë prej tre shekujsh përcjelljen e informacioneve për trion mjek-farmacist-pacient, duke shërbyer si mjeti kryesor i komunikimit mes tyre, thelbi i të cilit mbetet terapia medikamentoze, pra bari. Përmes barit synohet menaxhimi ose në rastin fatlum shërimi i sëmundjes, kështu që si bari, ashtu edhe barnatorja perceptohen konkretisht në raport me sëmundjen dhe shëndetin, koncepte të cilat në sinkroninë dhe diakroninë e tyre kushtëzohen nga përvojat individuale dhe ato të mbarë shoqërisë, duke qenë kësisoj të interpretueshme kulturalisht.

Bari i parë që m’u desh të merrja me recetë elektronike dimrin e kaluar ishte tranexamsäure tillomed 500 mg. Për mua si paciente, ky emërtim farmaceutik, i cili përbëhet zakonisht nga substanca aktive, prodhuesi dhe sasia absolute e substancës aktive, mbetet një konstrukt terminologjik teknik pa vlerë orientuese për kuptimin e funksionit klinik dhe nuk më përcjell asnjë informacion të drejtpërdrejtë lidhur me veprimin terapeutik, mekanizmin e veprimit ose profilin e sigurisë së tij. Informacionet që parashtrohen në fletën shoqëruese të barit në një formë ideale janë paramenduar për dy lloj marrësish, së pari për pacientin dhe së dyti për marrësin e specializuar, konkretisht farmacistin (dhe mjekun). Marrësi i parë, pacienti, edhe pse informacionet janë të përshtatura për një diskurs të kuptueshëm, nuk zotëron dijen specifike, nuk ka kompetencën profesionale dhe as përgjegjësinë ligjore dhe etike që të veprojë në mënyrë të pavarur. Marrësi i specializuar, konkretisht farmacisti (dhe mjeku) zotërojnë dijen shkencore dhe teknike, pra kanë edhe përgjegjësinë ligjore dhe etike për t’ia ndërmjetësuar pacientit barin.

Diskursi i këtij ndërmjetësimi parakupton një distancë dhe kjo distancë e diskursit farmaceutik (në rastin konkret mes pacientit dhe farmacistit) është shumë e madhe, informacionet shkencore dhe teknike në fletën shoqëruese të barit nuk mund të kundërshtohen nga pacienti.

Jo vetëm në rastin e barit të mësipërm tranexamsäure tillomed 500 mg, që ka një përdorim tepër të veçantë, por edhe në rastin e aspirinës, një bari që merret pa recetë dhe e njohin të gjithë, fletën shoqëruese të të cilit me siguri nuk e lexon më askush, në krye të rubrikës se kur nuk duhet të përdoret ky bar shkruhet: “nëse jeni alergjik ndaj acidit acetilsalicilik, salicitateve të tjera, acidit askorbik apo ndonjërit prej përbërësve të tjerë”[10]. Përmes kësaj terminologjie specifike farmacisti identifikohet me barin dhe kjo sjell si pasojë autoritetin e tij. Jo më kot në fund të fletës shoqëruese të çdo bari shkruhet: nëse keni pyetje drejtohuni tek farmacisti (apo mjeku) juaj. E ndodhur me pushime në Shqipëri, pikërisht në gusht, kur hyri në fuqi ligji i ri për formatin e unifikuar të recetës, unë gjeta rastin t’i drejtohem “farmacistes sime” me një pyetje.

Hyra në një nga barnatoret e shumta afër qendrës dhe, pasi e përshëndeta farmacisten, e pyeta për një preparat kalciumi. Ajo më rekomandoi dy të tillë, duke shtuar menjëherë, se njëri ishte turk, tjetri italian. Përpara se të shkoja në barnatore kisha qenë në treg dhe kisha blerë fiq Bradasheshi, sepse më ishin dukur më të mirë në pamje, në krahasim me fiqtë e Zavalinës. Duke dashur ta nxis komunikimin, i thashë farmacistes, se ndërkohë merrja një bar për osteoporozën. Pas heshtjes nga ana e saj, i përmenda emrin e barit që përdorja dhe e pyeta, nëse duhet të bëja kujdes me kalciumin. Përgjigjja ishte se kalciumi italian vepronte më mirë. Unë kisha hyrë në komunikim me farmacisten jo si një paciente e zakonshme, por e armatosur me informacionin e mëposhtëm nga ime më: i shoqëruar me barnat që përdoren për kurimin e osteoporozës, të ashtuquajturat bisfosfonate, kalciumi duhet të merret dy orë pas tyre, sepse, nëse merret direkt, ai e redukton rezorbimin e këtyre të fundit nga organizmi, duke minimizuar ndikimin e dëshiruar.

Pikërisht një informacion i tillë ishte kompetenca profesionale që i jepte barnatores si institucion shëndetësor në komunikimin e trios (mjek)-farmacist-pacient autoritetin dhe besueshmërinë, pa të cilat unë si paciente ndjehesha jo vetëm e pasigurt, por dhe e humbur në çdo radhë të fletave shoqëruese të barnave. Asnjë reformë dhe asnjë mekanizëm mbrojtës nuk e rikthejnë besimin e humbur nga mungesa e kësaj kompetence, e cila në Shqipëri për fat të keq dominohet nga aspekti tregtar. Pa dyshim që barnat kanë një vlerë monetare, e cila ndikon në politikbërjen dhe zgjedhjen individuale, por në fund të ditës ato kurrsesi nuk janë mallra të zakonshme (fiq Bradasheshi apo Zavaline), por lidhen me jetën dhe shëndetin, prandaj tregu farmaceutik duhet ta përçojë shumë qartë interesin publik.

Në barnatoren e dytë pyeta për ibuprofen dhe përsëri u ndodha para zgjedhjes lindje apo perëndim, e cila mbetet me sa duket dilema jonë e përjetshme si shqiptarë, sepse vija e Theodhosit të shfaqet edhe aty ku nuk e pret. Për fat të keq edhe jehona e reformës për unifikimin e recetës mjekësore, një hap shumë i rëndësishëm në forcimin e mekanizmave mbrojtës, në përgjithësi sillej megjithatë rreth përmbytjes së tregut farmaceutik shqiptar nga barna që importohen prej vendeve jashtë BE-së. Gjuha shkon atje ku dhemb dhëmbi. Sipas ndryshimeve ligjore të vitit 2014[11], importet e barnave nga vendet jashtë BE-së (konkretisht Turqia, Maqedonia e Veriut, Serbia) janë lejuar edhe në mungesë të një certifikimi cilësor (p.sh nga EMA apo FDA). Shumica e barnave që hyjnë në tregun shqiptar mbështeten vetëm në kontrollin e dokumentacionit përkatës që dorëzohet nga kompanitë prodhuese, pra pa bërë një verifikim të pavarur laboratorik të tyre nga AKBPM-ja (Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore).[12] Dhe pavarësisht reformës shumë kuptimplotë të unifikimit të recetës, mungesa e besimit e rëndon me një zhvendosje aspak të përshtatshme komunikimin në trion (mjek)-farmacist-pacient, komunikim ky që në kuadrin e digjitalizimit në tërësi gjithsesi është duke u përballur me vështirësi të paparashikueshme. Kjo zhvendosje shpesh është absurde, si në rastin e dilemës sime: kalcium italian apo turk. Për ta banalizuar më tej: fiq nga Bradasheshi apo nga Zavalina. Për nënën time unë ka kohë që i blej “fiqtë në Mynih” dhe si unë ka shumë. Por ndoshta shumë më tepër të tillë, që nuk e kanë këtë mundësi. Në të dyja rastet, kjo mungesë besimi është tepër e trishtueshme.

Përtej përvojës së kësaj here në Shqipëri, mjedisi i një barnatoreje vijon të rrezatojë për mua intimitetin e ditëve të fëmijërisë. Në vitet e para të ardhjes në Gjermani, hyja shpesh me një pretekst në ndonjë barnatore për të ringjallur një përjetim fëmijërie që të më ngrohte për një çast. Edhe tani pas kaq vitesh, simboli ikonik i barnatores në Gjermani, me germën A (Apotheke) dhe kupën me gjarprin e spërdredhur në njërën këmbë të saj (), më bie në sy vetvetiu kur eci nëpër rrugë të panjohura, duke më dhënë një lloj orientimi emocional. Kupa me fron dhe gjarpri që spërdridhet rreth fronit për të hedhur një pikë brenda saj, vizatuar sipër hyrjes së laboratorit në barnatoren ku punonte ime më, ishte një mister për mua. Kupa e Hygesë dhe gjarpri i Eskulapit, bija dhe ati, vinin të lidhur përjetësisht nga mitologjia përmes praktikës, kujdesit, parandalimit nga njëra anë, dhe dijes, shërimit, rigjenerimit nga ana tjetër.

Në fëmijërinë e hershme kupa me fron më sillte ndër mend akulloren që shërbehej në turizmin e Elbasanit, e cila më pëlqente kaq shumë. Më pas, më prekte pa masë historia e mbretit të Tulës, që në variantin e Mjedës para vdekjes dhuroi gjithçka, veç putirit (kupës) që i kishte falur e dashura (Kur pau vedin tuj mbarue / njeh qytetet, e gjithçka / trashgimtarit ia la shkrue / por putirin nuk ia la). Kurse gjarpri[13] që spërdridhej rreth fronit priste me kokën sipër kupës “për të lidhur besë” me të. Sipas një riti shumë të lashtë në Dukagjin “në mâ të parin gjarpën qi ndeshim në ditët e para të pranverës, duhet me lidhë besë me te”[14], me qëllim që të dy palët të mos i bëjnë dëm njëri-tjetrit dhe gjarpri cilësohet si roja e shtëpisë. Me kalimin e viteve iu avita simbolit të kupës me gjarpër nga kënde të ndryshme të dijes dhe emocionit, por misteri mbeti.

Kur më qëllon të jem duke pritur për të marrë barnat në ndonjë barnatore, më parë me recetën në dorë, tani me kartën e sigurimit, gati gjithmonë me mend hyj në kthinën e laboratorit galenik[15] të fëmijërisë. Atje ku tryezat e bardha me sirtarë të etiketuar mbanin sipër rrotullorët trikatësh me vazeritë më të përdorshme të vendosura në akse vertikale, mizurat havanët, spatulat dhe peshoret balancuese. Vazeritë ishin gjithashtu të etiketuara. Emërtimet e etiketave kishin një tingëllim të çuditshëm: acid borik, peroksid hidrogjeni, klorur kalciumi, nafazolinë, kloranfenikol. Shpesh më qëllonte ta shihja time më me përparësen e bardhë borë duke qëndruar para njërës prej vazerive me lëndë të parë kur ishte duke përgatitur diçka. Në kësi rastesh unë e kuptoja shumë qartë që ajo e lexonte etiketën kur e merrte vazon nga rrotullori, e lexonte përsëri kur ishte para peshores dhe e lexonte për herë të tretë kur e kthente aty ku kishte qenë. Ishte një slow motion që nuk e ndeshja askund tjetër në përvojat e së përditshmes.

Dega e farmacisë në Universitetin e Tiranës u hap në vitin 1960. Nëna ime ishte brezi i tretë që hyri në këtë fakultet. Gjithmonë kureshtare kur ishte fjala për libra, nganjëherë më qëllonte të shfletoja dispensat e saj të fakultetit. Emërtimet e lëndëve ishin tepër të thjeshta: kimi organike, kimi inorganike, farmakologji. Pastaj vinin formula pas formulash dhe me shumë fat unë mund të gjeja ndonjë nga emërtimet e etiketave që i kisha parë nëpër vazeritë e laboratorit. Përndryshe ajo çka shtjellohej në ato dispensa ishte për mua një dije e mbyllur me shtatë palë kyçe. Një dije që përmblidhej në pikën e lëshuar nga gjarpri i spërdredhur në kupën me fron sipër hyrjes së laboratorit. Ishte pika e barit apo e helmit? Sola dosis facit venenum![16] Lëshimi i asaj pike mëtonte të lehtësonte një dhimbje, të menaxhonte një sëmundje. Në atë pikë ishin të gjitha formulat që kishte mësuar ime më dhe shumë më tepër se kaq. Ishte përvoja e mundimshme e dijes nën peshën e përgjegjësisë dhe etikës profesionale, sepse kufiri mes barit dhe helmit kalonte në teh të thikës: “Spicer besnik, të shpejtë e paske helmin.”[17] Sheksipiri (Shakespeare) im i hershëm më kishte ndërmjetësuar përpos dijes dhe emocionin.

Unë i njihja pothuajse të gjitha koleget e saj të shumta dhe kolegët e paktë. Të parat çuditërisht i shpërndaja nëpër të gjithë Shqipërinë sipas të folurës së tyre karakteristike. Sepse përveç atyre që vinin nga Elbasani, kishte shumë dhe nga qytete të tjera, teta Klemi nga Korça, teta Tasha nga Gjirokastra, teta Ditoja nga Lushnja …

Kurse nga kolegët e saj meshkuj kisha fiksuar dy. I pari Petraq Qano[18], më ishte ngulitur në mendje vetëm si emër nga respekti me të cilin nëna ime fliste për të, duke mos harruar asnjëherë të shtonte, se si vajzë e re e sapodalë nga universiteti kishte mësuar kaq shumë prej tij. Ai bënte pjesë në brezin e farmacistëve të shkolluar jashtë Shqipërisë para shtetëzimit të farmacive. I dyti, Kiço Shqau[19], kishte studiuar në Hungari pas çlirimit dhe punonte si farmacist në spital. Xhaxhi Kiçoja ishte mik familjeje dhe për mua mishërimi i njeriut të ditur, dija dhe humanizmi i të cilit shkonin absolutisht përtej barnave, dozimeve, ndikimeve anësore dhe atyre të ndërsjella, sepse me të njëjtën lehtësi dhe përkushtim që fliste për to, ai mund të fliste dhe për Petëfin (Sándor Petőfi 1823-1849) apo Listin (Franz Liszt 1811-1886).

Më vonë u ndërgjegjësova, që për nënën time, këta kolegë me dijen dhe përvojën e tyre ofronin pikëtakime të një komunikimi me botën e madhe, i cili realisht nuk ekzistonte në Shqipërinë e vogël dhe aq më tepër në Elbasanin provincial. Shumë vite më vonë, duke lexuar kujtimet e Aleks Budës[20]  për barnatoren “Shëndeti” të babait të tij Taq Budës[21] në Elbasan, me naivitetin e një fëmije që gëzohet kur plotëson një puzzle, e vendosa atë në rend përpara kolegut të sime mëje, Petraq Qanos, i cili gjithashtu kishte studiuar në Greqi, duke kuptuar pas këtij veprimi, se me mend kisha plotësuar një historik të vogël emocional, i cili e vendoste në një kornizë më të qartë kujtimin e barnatores sime të fëmijërisë.

© 2025 Jonida Xhyra-Entorf. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


[1]https://www.bundesgesundheitsministerium.de/fileadmin/Dateien/3_Downloads/Gesetze_und_Verordnungen/GuV/P/Referentenentwurf_Patientendaten-Schutzgesetz__PDSG.pdf (01.10.25, 10:13)

[2] Rrënjët e sigurimit shëndetësor në Europë e kanë zanafillën te ligji i vitit 1883 (Bismarck) për sigurimin shëndetësor në Gjermani. Deri në mesin e shekullit të 20-të, pjesa më e madhe e Europës kishte ndërkohë një sistem sigurimi shëndetësor.

[3] Për të qenë political correct, dëshiroj të shtoj këtu, që shenjuesi farmacist apo mjek në këtë rast nënkupton profesionin që mund të ushtrohet nga një person i gjinisë femërore, mashkullore apo diverse (!).

[4] Krahas dhënies së udhëzimeve gojarisht nga mjeku për përgatitjen e barnave, informacionet e marra prej tij gjatë mesjetës filluan të shkruheshin dhe në një libër recetash, që vihej në dispozicion nga barnatorja. Qysh nga shekulli i 16-të, sqarimi me shkrim i barnave u bë një praktikë gjithnjë e më e përhapur, praktikë e cila kushtëzoi përdorimin e latinishtes farmaceutike, duke e kufizuar kësisoj rrethin e praktikuesve që merreshin me përgatitjen e barnave, të cilët filluan të përdorin shkurtimet dhe simbolet për të kursyer kohën dhe letrën.

[5] Ndarja e profesioneve të farmacistit dhe mjekut zë fill në shekullin e 13-të (edikti i Salerno-s 1240), fillimisht në Itali dhe Spanjë, për të vijuar në shekujt e 14-të dhe 15-të në pjesën më të madhe të Europës, ndërkohë që në shekujt e 17-të dhe 18-të diferencohet dhe arsimimi për këto profesione. Urdhëresa e lëshuar në vitin 1725 nga Friedrich Wilhelm I rregullon ligjërisht arsimimin e farmacistëve në dy kategori, të atyre që merrnin arsimim shkencor me mundësitë që ofronte koha dhe të atyre që e mësonin këtë profesion si zeje dhe e ushtronin aktivitetin e tyre nëpër provinca. Përmes rregullores gjithëpërfshirëse për shëndetësinë në vitin 1770 nga Maria Theresia, e cila përvijon ndër të tjera dhe përgjegjësitë ligjore të mjekut dhe farmacistit, recetat mjekësore fituan elementet e para me vlerë juridike.

[6] https://www.deutsches-apotheken-museum.de/aktuell/aktuelle-themen/archiv/news-archiv/forschungsprojekt  (01.10.25, 10:16)

[7] Duke qenë se komunikimi mes farmacistit dhe mjekut vijonte në mënyrë paralele edhe gojarisht, nënshkrimi i këtij të fundit nuk konsiderohej i nevojshëm, pasi farmacisti e dinte se e kujt mjeku ishte receta. Recetat e shekullit të 18-të përmbajnë datën, por jo nënshkrimin e mjekut. Rritja e popullsisë dhe zhvillimi i teknikës në shekullin e 19-të sjellin elemente shtesë me karakter formulari në recetë (emri, adresa, orari, telefoni i mjekut), duke lehtësuar kështu kontaktin mes farmacistit dhe mjekut në rast sqarimesh.

[8] https://shendetesia.gov.al/kociu-nga-1-gushti-recete-e-re-mjekesore-e-unifikuar-ne-gjithe-sistemin-shendetesor-publik-dhe-privat/?utm_source=chatgpt.com (01.10.25, 10:24)

[9] https://www.voxnews.al/english/aktualitet/ndryshimi-si-nata-me-diten-shqiptaret-kerkojne-ti-blejne-ilacet-jasht-i92874?utm_source=chatgpt.com (01.10.25, 10:29)

[10] https://pharmawest.al/products/bayer-aspirin-acid-acetilsalicilik-500mg-tb-kt-20 (01.10.25, 10:32)

[11] https://shendetesia.gov.al/wp-content/uploads/2019/02/LIGJ-Nr.105-2014-PER-BARNAT-DHE-SHERBIMIN-FARMACEUTIK.pdf?utm_source=chatgpt.com (01.10.25, 10:41)

[12] https://euronews.al/shqiperia-0-kontroll-mbi-barnat-pecnikaj-ne-besojme-dosjet-shoqeruese-te-barnave/?utm_source=chatgpt.com (01.10.25, 10:48)

[13] Në studimin e tij Gjarpri si mbrojtës i varrit Stipčević nënvizon, që tek ilirët gjarpri nuk mbron vetëm shtëpinë, por edhe varrin (Stipčević, A. (1994), f. 57.

[14] Palaj, Bernardin (1943) Bota shqiptare (Botues: Koliqi, Ernest; Xhuvani, Aleksandër; Gurakuqi, Karl; Kamsi, Kolë; Çabej, Eqrem) Libër leximi. Për kursin e naltë të Shkollavet të Mesme. Botim i Ministris s’Arsimit. Tiranë, f. 32.

[15] Termi vjen nga emri i Galenit (Galenos), një mjek greko-romak i shekullit II pas Krishtit. Ai përshkroi metoda për përgatitjen e ilaçeve nga bimët, mineralet dhe substanca shtazore, të cilat më pas u quajtën forma galenike.

[16] Sola dosis facit venenum është një citat nga Paracelsus (1493-1541), i cili përmbledh një parim bazë të toksikologjisë, sipas të cilit çdo substancë, varësisht prej sasisë në të cilën përdoret, mund të jetë e dëmshme ose e dobishme.

[17] Shekspir, Uiliam (2006) Romeo dhe Zhuljeta. Tragjedi. Përktheu nga origjinali Alqi Kristo. Onufri, Tiranë, f. 182.

[18] Petraq Qano: 1912-1988.

[19] Kiço Shaqu: 1930-2003.

[20] Haxhimihali, Tatjana (2005) Aleks Buda, kujtime. Tiranë, f. 224-225.

[21] Dhimitër (Taq) Buda: 1869-1941. Shih më gjerë shkrimin e botuar nga Gjini, Roland dhe Haxhimihali, Marin: https://gazetadielli.com/taq-buda-farmacisti-patriot-e-politikan-i-elbasanit/ (01.10.25, 10:54)


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin