Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art / Kulturë

PSE ARTI NUK KA NEVOJË (VEÇ) PËR GODINA?

Kisha muaj që po prisja të ndiqja një shfaqje teatri, dramë me nuanca politike, e ndërkohë kisha dëgjuar që do të shfaqej, por kurrë nuk u publikua asnjë poster për eventin. Papritur, rastësisht, gjej një postim të shpërndarë në rrjete sociale nga regjisori, për aktivitetin që do të mbahet sot. Po, sot, pikërisht sot. Habitem e me vrap kërkoj postimin. Posteri ka vetëm 2 orë që është publikuar. Veç 2 orë.

Si supozohet ta organizoj kohën rreth pasioneve, ndjekjes së eventeve të ndryshme kulturore, kur organizatorët e postojnë njoftimin pikërisht në ditën që do të mbahet si aktivitet? Nuk e di a mundet vallë të arrijnë të vijnë njerëz me një njoftim kaq të beftë. Teksa teknologjia në botë ka ecur me hapa të frikshëm, në Shqipëri ende promovimi bëhet gojarisht, madje duket sikur shkruhet në ndonjë nga gurët e themelit të godinave, siç e kemi zakon, që me gjasa duket pagan. Mbase nuk duan as artistët/regjisorët/producentët, ose janë kaq të zënë me procesin krijues, saqë e harrojnë kontekstin ku jetojnë.

Sa për dijeni të përgjithshme, të mbështetur mbi sjelljen e publikut, tashmë frekuentuesit e aktiviteteve kulturore duan të dinë që në fillim të javës apo të muajit, se ku dhe si do të shpenzojnë kohën e lirë rreth aktiviteteve të ndryshme artistike, duke mos pritur sekondën e fundit për të ndarë mendjen ku të shkojnë. Dhe këta janë segmenti i publikut që e konsideron të rëndësishëm artin, për mesazhet, punën artistike, vlerat, jo thjesht për qeshjen e radhës. Këtë konstatim e bëj në pozitën e një personi, që nisur nga ky hall personal, është përpjekur të krijojë një mjet informues për të ngjashmit, që e konsiderojnë artin si një mjet edukues dhe kontribuues në mirëqenien e shqiptarëve.

Publiku dhe zëra nga fusha e gazetarisë kulturore kanë kohë që e kërkojnë këtë përmirësim që mund të ishte zgjidhur me programet vjetore të aktiviteteve, por aktorët kulturorë vazhdojnë kryesisht të patrazuar. Tashmë ekzistojnë vetëm eventet e programuara në bazë mujore. E nga ana tjetër, përballë indiferencës së treguar ndaj publikut, dëgjohet shpesh fjalia “nuk na vjen kush”. Përgatitja për kalendarët do të tregonte vërtet seriozitet për punën që kryejnë institucionet publike. Ekzistenca e kalendarëve vjetorë artistikë tregon respektin minimal për publikun që i ndjek dhe kërkon të dijë më shumë për programin kulturor në kryeqytet.

Nga ana tjetër, nuk mbaja mend herën e fundit kur kishte pasur një aktivitet me këtë rëndësi për repertorin e atij teatri, ku dominonte prej kohësh komedia thjesht komerciale, as me nuanca a ngjyrime intelektuale, thjesht ku gajasesh me banalitete e humor vulgu. Dramat duan “stomak e tru” pak më të thellë, që nuk i pëlqen dhe aq as artistëve vetë.

Sa herë je menduar përpara se të shkosh në një shfaqje teatri a koncert, teksa jeton goxha larg qendrës së qytetit? Kur është orari i autobusit të fundit, sa mund të kushtojë taksia etj. duhet të kenë qenë disa nga gjërat e para që të kanë ardhur në mendje, teksa kam pritur gjatë t’i shihja.

Edhe mua. Jetoj në një lagje jo dhe aq periferike të qytetit, por që më kushtëzon goxha për të marrë pjesë në aktivitete kulturore. Sepse transporti rrugor në Shqipëri nuk është kaq praktik sa në shtete të tjera evropiane. Për një shfaqje teatri në orën 20:00 , duhet menduar e planifikuar qartë koha që duhet për të arritur në orar, pa e gjetur derën e mbyllur. Nëse do të duhet të shkoj në këmbë, më duhen të paktën 45 minuta. Mbase po aq, apo më shumë dhe me transport publik. Aq më keq, kur të jetë orari i kthimit. Në orën 22:00 a më vonë, do të jetë e pamundur të gjej një autobus, duke e bërë goxha më angazhues të ndjekurit e eventeve kulturore. Për të mos folur për evente jashtë Tirane, si në Kamëz apo në rrethinat e Tiranës. Ku bëhet e pamundur pjesëmarrja, nëse nuk ke mjet personal apo nuk je me miqtë e tu.

Ndërkohë m’u kujtua eksperienca me 2 koncerte në 2 qytete evropiane. Të dy organizoheshin në periferi të qyteteve, pranë stadiumeve përkatëse, ku mund të shkoje brenda 20 minutash, nga pika më e largët e hartës së metrosë apo e autobusit. E teksa koncertet nisnin shumë vonë, transporti publik ishte i disponueshëm, si një e drejtë thjesht e marrë e mirëqenë në këto qytete, krahasuar me nevojat më bazike të kryeqytetit larg-evropian. Atje kultura konsiderohet si pjesë e të drejtave themelore të qytetarëve dhe mbizotëron qasja e një qyteti në funksion të artit.

Gjithsesi vendos të shkoj pa menduar më gjatë, sepse kurioziteti është më i fortë se pengesat. Nisem dhe arrij brenda orarit. E çfarë shoh? Vetëm 20 persona, që kishin qenë mjaftueshëm entuziastë për të ardhur në një event të papromovuar. Ndërkohë që ishte një shfaqje teatri shumë e suksesshme në vendin nga vinte. Por qartazi organizatorët kishin qenë më të shqetësuar për thelbin sesa formën. Mbase kështu po justifikoja këtë qasje që e kisha ndjerë shpesh, teksa ndihesha pjesë e “rrethit të snobëve të artit”, me evente gati private, që thjesht raportohen te donatorët, por pa vlerësuar as kontekstin e veprës artistike, as rëndësinë e promovimit për të pasur publik të pranishëm në eventet e tyre, as potencialin për të pasur një kritikë të mirëfilltë artistike, objektive në subjektivitet.

S’e di si u ndjenë aktorët e regjisori teksa panë një sallë thuajse bosh, dhe më e hidhur, ishte se hyrja ishte e lirë, pa pagesë, pa kundërvleftë financiare. Paradoksi është më i pranishëm se normaliteti në Shqipëri, ndaj nuk u habita. Por mungesa e promovimit nuk dëmton vetëm publikun, por edhe vetë artistët që humbin audiencë, ndikim dhe të ardhura.

Nga ana tjetër, për evente që janë në orare më të përshtatshme, bëhet e vështirë të qëndrosh ulur. Ironike apo jo? E kam fjalën për sallat ku duhet të jesh ose shumë trupvogël ose elegant që të kalosh drejt vendit që ke arritur të gjesh. E pamundur të rrish ulur, sepse hapësirat janë kaq të pakta, sa duket sikur po të përzënë. Këmbët të ngjeshen pas karriges para teje, nuk mbështet dot krahun pa e penguar personin që ke ngjitur e kur ka mbaruar aktiviteti, me gjasa je duke mallkuar veten apo ndjerë dhimbje të ndryshme muskulore. Hera e fundit në një koncert të muzikës klasike, më copëtoi gjunjët, sepse ishte llogaritur për persona të shkurtër e gjithashtu elegant, e kundërta ime.

E në rastet kur salla është realizuar e plotë, me hapësira të përshtatshme, “ndodh” që nuk arrin të dëgjosh apo shohësh skenën, sepse për fatin e keq, je ulur në karriget e fundit të plateve, ku koka të arrin “tavanin” apo dritat e skenës. Dhe ti trishtohesh që nuk arrin dot të shijosh një event që mezi e ke pritur, me gjithë peripecitë e hequra. Arti nuk është luks, por ka ndikim në mirëqenie, edukimin e publikut dhe jetën shoqërore.

Sërish situata absurde. E nga ana tjetër, teksa sheh shfaqjen që kishe muaj që e prisje, ngushëllohesh duke thënë se “të paktën ekziston ende godina”. Por vallë a ka më arti nevojë veç për godina? Mbase. Mbase ka nevojë për që arti të mendohet për njerëzit, jo njerëzit për godinat. Mbase tashmë qytetet duhet të integrojnë qasjet pro-kulturë, duke funksionuar në shërbim të rrjetit artistik, të gjallë e të ngurtë. Uroj të mos duhet shumë kohë për ta ndryshuar kontekstin e mbijetesës në godina, por të rishihet rëndësia që ka vërtet kultura në historinë e një shteti.

 

© 2025 Gjyljana Bakalli. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me Ideogram.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin