Kur Tjetri të jep një pasqyrë: një udhëtim në Tunizi, Palestinë dhe Shqipëri
Dita e parë në Tunizi
“Nuk ndiheshim kaq gjallë që prej Pranverës Arabe” – më thotë – me sytë që i ndriçojnë me një shkëndijë që ndoshta e kam parë vetëm te shqiptarët e viteve ’90, trup i lidhur që lëviz i papërmbajtshëm dhe zë shpërthyes që thërret si nga fundi i zemrës: “Free free Palestine, free free Palestine”. Është një nga protestuesit e hasur rastësisht në port. Një fat i çuditshëm më solli në Tunizi për punë pikërisht në ditët që Global Sumud Flotilla, misioni i të rinjve aktivistë nga e gjithë bota për të thyer bllokadën izraelite në Gaza, kishte zbarkuar në portin e kryeqytetit Tuniz përpara nisjes drejt Gazës.
Natën e parafundit të nisjes së Flotillës, rreth 2 orë pasi kisha vizituar portin për të marrë pjesë në protestën e përnatshme aty, një dron i dyshuar izraelit godet njërën nga varkat e ankoruara, duke shkaktuar dëme materiale. Një mesazh i qartë, i përsëritur dy herë për të ndaluar nisjen e flotës, i cili, në fakt, duket se i inkurajoi më shumë aktivistët dhe mbështetësit të vazhdonin rrugën e nisur. Qeveria tuniziane deklaron se incidenti ka ardhur si pasojë e një cigareje, me sa duket e trembur nga pasojat e hapjes së një konflikti me Izraelin, deklaratë e cila shkakton hilaritet dhe të qeshura tallëse ndër qytetarët e Tunizisë. Tunizianët kanë një sens humori dhe sarkazëm të spikatur; ata kanë filluar të shpikin barsoleta me historinë absurde të cigares, e cila rezulton e pabesueshme për këdo.
Ne nuk e shpëtojmë dot Palestinën, por Palestina po na shpëton ne. Duke na hapur sytë. Nuk ka më asnjë justifikim, asnjë shfajësim; nuk themi dot më që nuk e dinim, ose që s’kishim si ta dinim. Që sistemi botëror ku jetojmë është i mbrapshtë, i bërë për interesat e multimiliarderëve, në kurriz të njerëzve. Kjo është rrënja e përbashkët e problemeve, në dukje të largëta: që nga ndryshimet klimatike deri te luftërat dhe pastrimet etnike, e shumë të tjera. Gjithçka rreth e rrotull po shkundet nga themelet… se ku do të na çojë kjo, akoma nuk jam në gjendje ta përfytyroj.
“E gjithë bota arabe është e mbushur me mllef aty ku nuk mban më, sa i përket reagimeve të qeverive tona në lidhje me gjenocidin në Gaza” – më thotë një koleg – “plaga e hapur bëhet përherë e më e madhe; na kanë goditur në zemrën e identitetit tonë“. Qeveritë e kanë shumë të qartë që kjo pakënaqësi mund të shpërthejë nga momenti në moment, dhe mundohen të luajnë “tërhiq e mos e këput” me sentimentin e përhapur popullor. Nëse hedhim shikimin në historinë e viteve të fundit, ishte një gjest i vogël në dukje, pjesë e kronikës së përditshme, që provokoi shpërthimin e Pranverës Arabe, e cila më vonë mori përmasa gjigante në shumë vende të Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme: vetëflijimi i shitësit ambulant Mohamed Bouazizi, në Sidi Bouzid, Tunizi. Më 17 dhjetor 2010, Bouazizi u vetëdogj pasi policia konfiskoi karrocën e tij me pak mallra dhe e poshtëroi atë. Akti i tij u perceptua si simbol i dëshpërimit për shkak të shtypjes dhe varfërisë së gjatë ku ndodhej vendi. Protestat shpërthyen në Tunizi, duke u përhapur shpejt falë mediave sociale, televizionit dhe zemërimit të publikut. Pas valës së parë, ajo që erdhi më pas nuk ishte e lehtë për Libinë, Sirinë, Jemenin dhe Egjiptin, pasi prishja e ekuilibrave të mëparshëm solli situata akoma më të vështira për këto vende — luftë, destabilitet, diktatura të ashpra, kriza refugjatësh etj. Rezulton se vetëm Tunizia pati efekte më pozitive pas Pranverës Arabe, edhe pse vazhdon të ketë akoma një sistem mjaft të brishtë.
Dita e fundit në Tunizi
Ditët këtu më kanë bërë të kuptoj se Tunizia më ngjan me Shqipërinë e viteve ’90 jo vetëm për energjinë që më përcjellin njerëzit, por edhe sepse është në vitet e para të tranzicionit pas rënies së diktaturës në vitin 2011. Shumë gjëra janë kaq të përafërta sa duket sikur vendet vërtet kalojnë përmes një ruli njësues që u lë shenja të ngjashme në lidhje me të gjithë “treguesit”: demokracia, marrëdhënia me pushtetin, korrupsioni, infrastruktura, shteti social, zbatimi i ligjit, etj. Ditën e fundit, në një nga baret e qytetit me një kolege, në bisedë e sipër më pyet se si është përballur Shqipëria me të shkuarën diktatoriale. Ndiej një lloj përgjegjësie, sikur i detyrohem disa mësime të nxjerra sepse supozohet të kemi kaluar nëpër atë proces pak më parë. Vras mendjen se nga duhet t’ia filloj dhe në imagjinatë më ndizet ish-vila e Enver Hoxhës. I përgjigjem me sinqeritet, duke i thënë se në asnjë moment nuk kemi bërë një përballje të qenësishme me diktaturën. Aq cekët i jemi qasur, sa ka nga ata që thonë me lehtësinë më të madhe se diktatura i përket të shkuarës tashmë, dhe se duhet të shohim drejt së ardhmes. Më kujtohet një koncept i kozmologjisë së popujve indigjenë të Amerikës Latine, se koha lëviz pas-para, njëlloj si një njeri i cili, duke parë përpara, ecën mbrapsht: me pak fjalë, ilustron idenë se nuk mund të ndërtojmë një të ardhme nëse nuk jemi përballur sa duhet me të shkuarën. Lidhja e tyre është e pandashme. Pasi fluturova për disa sekonda ndër këto mendime që i bluaj prej një kohe të gjatë, i tregoj shembullin e ish-vilës së diktatorit, ku sot ndodhet Art Explora. I them se gjithë konceptimi i saj u bë me një të rënë të lapsit të kryeministrit aktual, pa një proces gjithëpërfshirës, pa u konsultuar dhe pa lënë hapësirë për shumë aktorë të shoqërisë, ndër të cilët më të rëndësishmit ata që kanë vuajtur pasojat e regjimit. Kësisoj, trajtimi i të shkuarës u kthye sërish në një çështje që i përket ngushtësisht impulseve dhe ideve të kryeministrit, jo gjithë shoqërisë shqiptare. Kjo formë e të vepruarit vetë-dëshmon ironikisht se Shqipëria nuk e ka trajtuar marrëdhënien e sëmurë me autoritetin, ku çdo ide dhe çdo vendim që i përket gjithë shoqërisë vazhdon të mbetet në duart e një personi të vetëm. Në këtë mënyrë, ai vend simbolik që duhet të ishte emblemë e një shoqërie të vetëdijshme, të sinqertë dhe të çliruar nga e shkuara, në fakt rrezikon të kthehet në objektin që i bën art-washing demokracisë problematike që Shqipëria ka aktualisht.
E mbyllim bisedën pas një rrahjeje të gjatë mendimesh, sepse pas disa orësh më duhet të shkoj drejt aeroportit “La Carthage” për të marrë avionin e kthimit. Ndiej se udhëtimi ka kaluar sa hap e mbyll sytë.
Nga avioni shoh përsëri Kartagjenën dhe përshkoj me mendje historinë e saj sa të mrekullueshme aq edhe tragjike, që nga ngulimet fenikase, lulëzimi, luftërat punike dhe pushtimi përfundimtar romak. Pasi kemi arritur kuotën e qëndrueshme mbi re, stjuardi i linjës ajrore fillon shërbimin në kabinë me kafe, ujë, çaj etj. Unë kërkoj çaj, ai më pyet nëse dua pak qumësht dhe unë pohoj me kokë. Më jep gotën e çajit dhe një bustinë të vogël. Hap bustinën dhe kuptoj që nuk është sheqer. E nuhas dhe kuptoj që është qumësht pluhur! E hedh direkt në gojë… sa vite kisha pa provuar qumësht pluhur! Më ngjitet nëpër dhëmbë topa-topa, dhe filloj qesh me vete… papritur shqisat kanë provokuar një udhëtim marramendës në fëmijëri. Në fillim të viteve ’90 pati një kohë që varfëria arriti deri aty sa nuk kishte më qumësht, dhe nëpërmjet ndihmave të huaja që vinin asokohe në Shqipëri, shpërndahej qumësht pluhur me kuti. Mami e fshihte nëpër çdo cep të mundshëm të shtëpisë që unë, motra dhe vëllai të mos e hanim me lugë fshehurazi. Megjithatë ne prapë e gjenim dhe i futeshim! Sakaq sytë më mbushen me lot; qumështi pluhur shkrihet akoma në gojë… si një shkulm ere nga fëmijëria. E pabesueshme, Tunizia ia doli përsëri të ishte një zhytje në kujtimet e Shqipërisë së kaluar.
Mendimet vazhdojnë në vorbullën e tyre njëlloj si retë që pluskojnë jashtë dritares së avionit. Duke riparë atë që lashë mbrapa në Tunizi, pa e romantizuar, konstatoj si gjithmonë se në vendet që janë akoma shumë të varfra, njerëzit qeshin më shumë, kërcejnë më shumë, qajnë më shumë, shprehen më shumë — shkurt, janë më të gjallë. Fati i premtuar shqiptarëve që me rritjen e shkëmbimeve ekonomike dhe futjen në katrorët e sistemit jeta do të ishte më e mirë, doli një lloj karikature. Vrapi drejt materializmit, mesa duket, shoqërohet krahasimisht me çmagjepsjen dhe zbrazjen e shpirtit. Të kuptohemi, nuk jam aq cinike sa të them se njerëzit duhet të qëndrojnë të varfër dhe të vuajnë që të jenë të lumtur. Përkundrazi. Por mendoj se nëse i vetmi qëllim që na ka mbetur është të jetojmë të pasur dhe të sigurt, siç na orienton sistemi kapitalist, me gjasë e kemi humbur kuptimin e jetës.
(c) Rea Nepravishta. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar kryesisht me Midjourney.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.