Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
AI

KUTIA E DIELLËS

Historia fillon kështu. Kur Prometeu vodhi zjarrin nga Olimpi për t’ua dhënë njerëzve, Zeusi u tremb. Rreziqet që i vinin njerëzimit nga zjarri ishin të mëdha, jo vetëm sepse Prometeu u dhuroi njerëzve falas diçka që ata as e kishin merituar apo kërkuar, por edhe sepse ai ua dha atë pa asnjë përgatitje, pa u shpjeguar asgjë më parë për shërbimin zjarrfikës, e për më tepër, pa i paralajmëruar që të mos luanin kurrë me të. I hedhur në veprim për të ulur dëmet dhe duke e ditur që burrat kanë gjithmonë brenda vetes vesin e keq të rebelimit dhe përvetësimit të gjësë së tjetrit, Zeusi mendoi të krijonte një grua që ta shpëtonte botën. Kështu u krijua Pandora, një grua e thjeshtë greke me veshjen e bardhë popullore të kohës, së cilës ai i dha për të ruajtur si sytë e ballit një kuti të mbyllur, në të cilën kishte vulosur të gjitha të këqijat e botës për të shpëtuar njerëzimin prej tyre, me udhëzime shumë të qarta që të mos e hapte kurrë atë kuti.

Por ja që Zeusi kishte harruar të llogariste kuriozitetin e gruas. Kështu, një natë vjeshte, ndërsa jashtë binte shi pa pushim dhe në lagje kishin ikur edhe dritat, Pandora, e mërzitur sepse s’kishte ç’të bënte, e hapi kutinë nga kureshtja. Dhe ja, nga kutia u derdhën jashtë, sa hap e mbyll sytë, të gjitha të këqijat e dheut, sëmundjet, dhe madje vetë vdekja. E tmerruar, ajo e mbylli atë sërish, po sa para bën? Dëmi ishte bërë dhe e keqja kishte marrë dhenë.

Kalojnë tani ca mijëvjeçarë dhe duket se një variant modern dhe i digjitalizuar i Kutisë së Pandorës po rilind në vendin fqinj të Greqisë antike, ku anti-Prometejtë e sotëm vjedhin zjarrin nga shtëpitë e popullit për të ngrohur xhepat e tyre. Kësaj radhe, Kryeministri i vendit krijon Diellën dhe i jep asaj një kuti me të gjitha prokurimet publike të shtetit, duke i thënë që ta ruajë si sytë e ballit dhe të mos lejojë që aty brenda të hyjë korrupsioni.

Bukuri! Në shikim të parë, s’ka asgjë të keqe. Diella, me veshjen e saj popullore, duket si katunarja tipike e padjallëzuar që u përkulet me respekt miqve, duke u ofruar tabakanë me gotat e rakisë dhe reçelin e qershisë që e kanë merituar. Por le t’i lëmë alegoritë mënjanë.

Pyetja e parë që çdo qytetar shqiptar duhet t’i bëjë vetes është: A ka hyrë vërtet korrupsioni kaq thellë në trupin e shoqërisë shqiptare, saqë është e pamundur sot të gjesh qoftë edhe një burrë apo grua të vetme për t’i besuar një tender qeveritar në Shqipëri? Ç’u bë pastaj me gjithë Rilindasit që dalin çdo dy vjet nëpër lagje e fshatra anembanë Shqipërisë për t’u mbushur mendjen votuesve se zgjedhja e tyre do t’u sjellë begatinë, kur ata vetë, si njerëz, nuk i qëndrojnë dot tundimit të korrupsionit dhe duhen zëvendësuar nga avatarë digjitalë? Dhe kush na garanton që ky program, Diellmadh, nuk mund të bjerë pre e hakerëve, apo se trajnimi i tij nuk është bazuar mbi dekada të tëra të dhënash të korruptuara, që do ta bëjnë edhe atë të vazhdojë të punojë në të njëjtën mënyrë?

Nga ana tjetër, ministrat prej mishi e kocke supozohet të jenë përgjegjës për detyrat e marra përsipër dhe, në të njëjtën kohë, duhet të japin llogari para publikut për mbarëvajtjen dhe përfundimin e tyre. Një zyrtar i korruptuar mund të arrestohet, gjykohet, dënohet, etj., por nëse Diella gabon dhe i jep tenderin një kompanie që falimenton pas gjashtë muajsh, ose ku pronari zhduket me gjithë fondet e përvetësuara, atëherë kush do të përgjigjet për këtë: Kryeministri, Qeveria, Diella, apo ai tipi që bëri programimin e Diellës?

E po në rast se dikush nuk është i bindur për drejtësinë e vendimeve të saj, a ka mundësi që ai ta apelojë këtë vendim? Dhe si? Dhe ku?

Problemi i zëvendësimit të të ashtuquajturave blue collar jobs tashmë duket i vjetruar, ndërsa problemi social i zëvendësimit të white collar jobs si avokatë, llogaritarë, mësues, etj., është shtruar për zgjidhje. Por ideja që të qeverisemi nga inteligjenca artificiale nuk ishte hedhur akoma. Dhe kjo sepse algoritmet nuk bëjnë fushata elektorale, nuk japin shpjegime dhe nuk kërkojnë falje, pasi nuk kanë frikë se mos humbasin vendin e punës apo karrigen e qeverisjes.

Dhe nëse nesër fiton një parti opozitare në zgjedhje, ç’do të bëhet me Diellën? A do të rrijë ajo e ulur në të njëjtin kompjuter qeveritar, e pandryshuar nga zgjedhjet, apo do të zëvendësohet nga një AI tjetër, i quajtur kësaj radhe Zef apo Marika?

Dhe larg, po shumë larg qoftë, sikur modeli të funksionojë për mrekulli, cila do të jetë e ardhmja e kësaj nisme? Zëvendësimi i gjithë qeveritarëve me Diej, Hëna dhe Yje? E më pas i policisë me Robokopë dhe gjykatësve me Dalekë?

Dhe po pastaj, në fund fare, tamam atëherë kur ti nuk e pret hiç, në mes të një nate me shi, kur kanë ikur dritat në lagje dhe njeriu mërzitet kot se nuk di ç’të bëjë; po sikur, tamam atëherë, në mes të një nate të tillë, Diella …ngadalë ngadalë… thjesht ashtu nga kurioziteti… të fillojë e ta hapë nga pak e nga pak kutinë?

(c) 2025 Spiro Ilo. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Midjourney & Nano Banana.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin