Një vështrim naiv i autoritetit dhe i performativit të dënimit
Meqë është kohë kodesh penale dhe flitet për lloje dënimesh që i jepen të ziut njeri – me raste edhe fajtor – qëlloi të më kujtohen ca ndëshkime të para 1990-ës, që edhe sot më ndjellin tmerr ekzistencial, prej natyrës së tyre burokratike-abstrakte.
Kur isha ende fëmijë në shkollë, një nga masat që merreshin për ndonjë prej nesh që e tepronte me shejtanllëqe, ishte “thyerja e notës në sjellje.” Mua kjo masë më intrigonte, sepse nuk e dija çfarë ishte “nota në sjellje”, sikurse nuk dija as çfarë ishte “thyerja e notës” – pse thyerja dhe jo ulja? Si mund të thyhej nota? Kush e thyente?
Pavarësisht nga çfarë përfaqësonte mirëfilli, thyerja e notës në sjellje ishte masë goxha e rëndë; edhe ngaqë nuk shoqërohej nga asnjë pasojë e dukshme ose e ndjeshme. Nuk kam parë as kam dëgjuar për njeri, që të ketë vuajtur pasi t’i jetë “thyer” nota; njëlloj edhe nuk kam dëgjuar për njeri që t’ia kenë ngjitur notën e thyer (siç ta ngjit ortopedi parakrahun e thyer).
Masa kishte diçka prej nëme, mallkimi a munxe; një lloj flake zemërimi moral që u lëshohej atyre “që e kishin mbushur kupën”. Mbase me notën të thyer nuk do t’i ngjitnin dot shkallët e virtytit; mbase ndëshkimi i tyre – tejet simbolik – do të na shërbente ne të tjerëve, ende të pathyerve, për t’i ruajtur notat tona të sjelljes si sytë e ballit.
Kjo masë ngjante disi me “shënimin në kartën e regjistrimit”, që jepej ndonjëherë për anëtarët e PPSH-së, që kishin gabuar, por jo aq sa t’u refuzohej shansi për ta larë gabimin. Të dënuarit me siguri e dinin se ç’ishte kjo kartë regjistrimi dhe ç’shënime shtoheshin atje; por unë nuk e dija, edhe pse më ngjante ndonjëherë me “karakteristikën”. Si fëmijë, nuk arrija ta merrja me mend se nga një kartë e regjistrimit mund të klonohej komunisti nga e para, siç klonohet krimbi nga një qelizë e vetme e ruajtur.
Një ndëshkim tjetër që të jepnin në shkollë, ishte përjashtimi. Për ta kuptuar se dikë e kishin përjashtuar, nuk mjaftonte vetëm mungesa enigmatike në klasë; duhej edhe një konfirmim nga rruga. Përndryshe, shkolla nuk kish ndonjë medium ku të lajmëroheshin vendime të tilla të krahasueshme me shkishërimin. Këtu ka dy gjëra: e para, unë fëmija mendoja se përjashtimi nga shkolla nuk ishte dhe aq i rëndë sa ç’e bënin, sidomos kur të jepte mundësinë të rrije lirisht në shtëpi pa pasur nevojë për justifikim tjetër, raport mjeku a letër nga prindi; e dyta, përjashtimi nga shkolla të kujtonte se ti, duke qenë i përjashtueshëm, paskëshe qenë pjesë e një grupi, një komuniteti, një kolektivi; paçka se kjo nuk qenkësh gjë e drejta jote e pajetërsueshme, sa kohë që mund të ta hiqnin.
Për të rriturit, kishte edhe përjashtim nga Partia, për ta vuajtur të cilin duhej të kishe qenë paraprakisht anëtar; dhe pushim nga puna (“largim nga detyra”, për më të respektuarit), i cili – si rregull – të komunikohej. Kush përjashtohej nga “Partia”, herët a vonë do të pushohej edhe nga puna; por kishte edhe raste më të komplikuara, si “qarkullimi” – kur dikush dërgohej të punonte në një zonë të largët, për të mësuar edhe alkoolin; ose “kalimi nga anëtar në kandidat”, që e lejonte komunistin të vazhdonte të hante dynjanë, por njëherazi të aspironte për t’u pranuar prapë anëtar. Për pushimin nga puna, ky mbaj mend që ndodhte edhe në vend; si në shprehjen e pushuan në vend – gjëra që i bënte, si rregull, kryeministri jetëgjatë Mehmet Shehu, kur vizitonte ndonjë qendër pune a prodhimi, pasi kish fjetur keq një natë më parë.
Gjëja e parë që bënte i përjashtuari nga Partia ishte “të dorëzonte teserën”, aty në mbledhje. Çfarë objekti enigmatik paskësh qenë tesera! Ia kam gjetur një herë tim eti, në xhep të një kostumi luksoz që nuk e vishte kurrë – një dokument me pamje të mjeruar, i veshur me shajak të ashpër, por që edhe ashtu më rëndonte në dorë, si ndonjë kobure otomane. M’u duk vetja sikur ia dhunova hapësirën e vet më të fshehtë. Në atë kohë kish komunistë që do të përjashtoheshin nga partia, ose do të merrnin “vërejtje të rëndë me shënim në kartën e regjistrimit” (ja kështu), po t’u humbiste tesera. Se ç’tregohej edhe një histori, për dikë që ish futur në shtëpinë e përpirë nga flakët për të shpëtuar teserën, dhe ashtu kish lënë kokën. Ku ta kish vallë forcën, ajo copë kartoni dhe shajaku, me ca fjalë të shkruara me penë? Kush e kishte bekuar?
Ndëshkimi me përjashtim ishte serioz jo vetëm ngaqë ti nuk do t’i gëzoje më privilegjet e anëtarësisë, por edhe nga për shkak të dhunës simbolike që sillte me vete akti i përjashtimit. Kisha filluar ta përfytyroj si të ngjashëm me veprimin që bëjmë, kur pështyjmë bërthamën e një kumbulle në bahçe. Askush nuk e pyet bërthamën, nëse dëshiron të qëndrojë edhe pak në gojë – madje të pështyrët vë në pah atë që bërthama vetë nuk ka asnjë lloj agjencie, është pasive.
Më kujtohet një herë, kur isha në vit të tretë të studimeve në universitet, “u mblodhëm” si organizatë rinie, për të përjashtuar njërin që i kish vjedhur orën e dorës një marksist-leninisti japonez, në banjat e konviktit të qytetit Studenti (nuk ia kish marrë, por thjesht “e kish gjetur” orën aty, dhe i kishte pëlqyer – kështu tha). Janë gjëra që njeriu nuk i sajon dot, edhe po të dojë.
Na porositën që duhej ta përjashtonim, sepse “vendimi tashmë ishte marrë”. Ngaqë disave prej nesh u erdhi inat me mënyrën si ishte sjellë dekanati me ne duke na kërkuar që të vulosnim ideologjikisht një masë administrative, por edhe për t’i dhënë pak pak gjallëri asaj gjëje aq vdekshëm të mërzitshme, sa ç’ishte mbledhja e organizatës, filluam ta kundërshtojmë propozimin me argumentin kazuistik se “shokut tonë duhet t’ia jepnim edhe një herë dorën”, dhe se “çfarë do të bëhet me të, po të përjashtohet? Ku do ta bëjë jetën e rinisë tash e tutje?” dhe më në fund “po ne, si shokë të tij dhe kolegë, çfarë përgjegjësie mbajmë?” Erdhi pastaj zv. dekani, mishërim i dinjitetit autoritar të lënduar, dhe i dha fund kësaj farse (“meqë do të ikim të gjithë në shtëpi”): përjashtimi i përvetësuesit të orës u miratua me shumicë votash.
Dhe meqë flasim për përjashtime, nuk lë dot pa përmendur diçka që lexova, për disidentin sovjetik Aleksandër Zinoviev, filozof dhe shkrimtar që u akuzua se po “shtrembëronte realitetin sovjetik, me veprën e tij”. Zinovievin e përjashtuan nga Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik, ia hoqën titujt shkencorë që kishte për “veprimtari anti-patriotike të papajtueshme me figurën e shkencëtarit sovjetik” dhe e hoqën nga puna si studiues në Institutin e Filozofisë. Njëlloj ia hoqën edhe të gjitha çmimet dhe medaljet që kish marrë deri atëherë, përfshi edhe gradat shkencore dhe ushtarake. Qershiza mbi tortë do të ishte përjashtimi i zotërisë nga Shoqata e filozofëve, i së cilës ai nuk kish qenë kurrë anëtar.
Kjo masë e fundit, përjashtimi i dikujt nga një organizatë a shoqatë pa pasë qenë ai person anëtar i kësaj organizate a shoqate ndonjëherë, e përfaqëson në mënyrë emblematike dhunën abstrakte në një regjim autoritar; sa kohë që përjashtimi, akt real dhe i formalizuar, implikon njëkohësisht edhe pranimin e viktimës në kolektivin prej nga do të dëbohet – njëlloj si përjashtimi nga shkolla parakupton se ti ke qenë “anëtar” atje; njëlloj si thyerja e notës në sjellje parakupton se ti ke pasur, ose të është vënë, një notë në sjellje, edhe kur ti nuk e ke ditur. Me fjalë të tjera, kur ndëshkimi konsiston në heqjen e një të drejte a privilegji, të cilin ti i ndëshkuari faktikisht nuk e ke pasur, atëherë aktit të ndëshkimit i paraprin, gjithnjë simbolikisht, dhënia e asaj të drejte a privilegji. Për ta thënë me ustallarët e dialektikës: jo vetëm lufta, por edhe identiteti i të kundërtave.
(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.