Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Teori letrare

HOMER IN FABULA

Për të folur për Homerin, autor të dy poemave themeltare të kulturës perëndimore (laike), Iliadës dhe Odisesë, na duhet të biem më parë dakord për ca gjëra: që poemat, edhe pse i përkasin kulturës orale dhe u shkruan disa shekuj më pas, kanë në fakt autor unik; se ky autor vërtet përmendet gjerësisht në kulturën greke të periudhës klasike dhe helenistike, por në fakt nuk ka ndonjë provë të drejtpërdrejtë – jashtëletrare – se ka ekzistuar; se Homeri për të cilin flasim, për mungesë provash, nuk është veçse tërësia e indicieve në tekstet e dy poemave, që na bëjmë të supozojmë një subjektivitet individual në produksionin e tyre, me fjalë të tjera, një autor implicit; se këtë autor, që e gjejmë si kryefjalë të produksionit të tekstit, nuk do ta ngatërrojmë me Homerin personazh mitik të kulturës greke dhe paraqitjet e këtij personazhi në art dhe në filozofi; se supozimi që Homeri “autor” ka qenë bard (aed) ose rapsod, i verbër ose jo, që i këndonte Iliadën dhe Odisenë vlen në kontekstin që këto poema kanë ekzistuar më parë në formë orale dhe janë përcjellë dora-dorës, duke u interpretuar (recituar) para një audience.

Ideja që poemat “homerike” kishin për autor Homerin lindi në lashtësi – ishte publiku që e krijoi, duke kaluar nga interpretuesi te “krijuesi” i teksteve, në bazë të supozimit, jo shumë të mbështetur, se çdo tekst i strukturuar për konsum artistik, do ta kishte autorin e vet. Studiuesja Barbara Graziosi në veprën e saj Inventing Homer, ku jam mbështetur gjerësisht për këto shënime, vëren madje se dijetarët grekë të periudhave klasike dhe helenistike kujdeseshin të dallonin midis bardëve (aedëve), të cilët i krijonin lirisht versionet e veta të këngëve dhe ftoheshin të performonin në festa dhe tubime të tjera, dhe rapsodëve, të cilët gjithnjë kujdeseshin të shpallin se po interpretonin vepra të krijuara prej një poeti; në kuptimin që rapsodi e parakupton autorin (poetin) e vargjeve që interpreton ndryshe nga bardi. Për të njëjtën arsye, vëren Graziosi, këngët e një bardi dallohen prej temës që kanë, ndërsa ato të rapsodit prej autorit. Një bard mund të këndojë këngët e veta, ose këngë që i përkasin traditës orale, pa qenë nevoja që kjo të specifikohet; teksa rapsodët ishin profesionistë, udhëtonin nga një qytet në tjetrin, dhe merrnin pjesë në “gara” publike mes tyre, se kush do të shkëlqente në performimin e këngëve të aksh poeti. Gjithnjë sipas autores, meqë reputacioni i rapsodëve varej fort nga ai i autorëve të këngëve që interpretonin, ishte në interesin e tyre, si klasë profesionale, që ta promovonin Homerin si të tyrin.

Tani, për t’u kthyer në indiciet e poemave vetë, edhe pse emri i Homerit nuk del gjëkundi në poemat[1], shumë studiues modernë mendojnë se ia kanë gjetur një “imazh” a pasqyrim te figura e aedit Demodok, tek Odiseja. Demodokun e ftojnë shpesh të këndojë në oborrin e mbretit të feakasve Alkino; dhe për nder të Odiseut mysafir ai këndoi tri këngë, prej të cilave e para përshkruan një zënie mes Odiseut dhe Akilit në Trojë; e dyta rrëfen dashurinë mes Ares-it dhe Afërditës; e treta i kushtohet Kalit të Trojës dhe natës kur grekët morën dhe shkatërruan qytetin. Demodoku i Odisesë është i verbër: muza e donte atë mbi të tjerët, por teksa ia kish blatuar dhuratën e këngës së ëmbël, ia kish marrë shikimin.

Ata që e shohin Demodokun si kundërfigurë narrative të Homerit autor të poemave, nisen nga ajo që bardi i feakasve këndon për tema të ngjashme me ato të poemave homerike – marrëdhëniet mes krerëve në kampin grek dhe pastaj rënien e Trojës me dredhi. Veçanërisht historia e kalit, që lidh në mënyrë narrative njërën poemë me tjetrën, sa kohë që Kalin e pat sugjeruar mendja dinake e Odiseut, ofron një pikë nevralgjike për rrëfimin dhe pastaj për krejt mitologjinë që do të trupëzohej rreth historisë së rrethimit të Trojës. Ka pastaj studiues që te verbëria e Demodokut gjejnë një imazh, në mos një provë, të verbërisë së Homerit vetë.[2]

Siç vëren Graziosi, në Greqinë e lashtë i verbri shihej si personazh i dyzuar: nga njëra anë, më i largët me botën e përditshme dhe më i afërt me zotat; nga ana tjetër, si njeri i varfër dhe i këputur. Ishte normale që edhe atëherë të verbrit t’u kushtoheshin profesioneve që kishin të bënin me dëgjimin – duke u specializuar si aedë, muzikantë, këngëtarë. Edhe në poemat homerike, veçanërisht tek Odiseja, verbëria përfaqësonte njëherazi profecinë dhe varfërinë. Odiseun e pat këshilluar Circja që të takohej me Tiresias-in kur të vizionte Dheun e të vdekurve; që ky profet i verbër nga Teba t’i rrëfente të ardhmen. Edhe pse i vdekur, thotë Circja, Tiresias-i e ka ruajtur mendjen. Në këngën 11, rrëfehet si Tiresias-i e njohu menjëherë Odiseun, bisedoi me të dhe ia dha ndihmën që ky kërkonte, duke ia parathënë të ardhmen. Graziosi heq këtu një paralele mes dy të verbërve – Demodokut dhe Tiresias-it: i pari i rrëfeu Odiseut të shkuarën në Trojë, i dyti i tregoi të ardhmen. Graziosi shton këtu edhe se vdekja, në epikën e lashtë por jo vetëm, përshkruhet si “humbje e shikimit” – me formula të tilla standard si “mjegulla iu derdh para syve”, “errësira i mbuloi sytë”, “terri i urrejtshëm e rrëmbeu”, “nata e zezë ia fshehu sytë”. Tiresias, thotë Graziosi, e ruan shikimin e vet të mbinatyrshëm edhe pas vdekjes, dhe asnjë prej të dyve, as Demodokus-i as Tiresias-i, nuk i bashkëndajnë përvojat e vdekatarëve të zakonshëm: Demodokus-i është i vetmi që nuk e “sheh” Odiseun në botën e të gjallëve, ndërsa Tiresias-i është i vetmi që e “sheh” në botën e të vdekurve. Për ta thënë ndryshe, tek i verbri dallimi mes jetës dhe vdekjes vjen i dobësuar.

Demodoku i verbër, që këndon për Alkinoun dhe mysafirët e tij, na ndihmon edhe për të kuptuar më mirë dinamikat mes një aedi dhe audiencës së tij; verbëria në këtë rast jo vetëm ndërmjetëson imagjinatën, duke e ndihmuar bardin të “shohë” në mendjen e vet ato që rrëfen, por edhe ngre një mur ndarës, mes bardit dhe audiencës, duke mos e lejuar bardin që të ndikohet nga reagimet e publikut; dhe pikërisht, të mos e shohë Odiseun që fillon të ngashërehet e të qajë, kur dëgjon këngët e Trojës, dhe as ta kuptojë se cili është ky mysafir.

Në këtë rol, të riprodhimit të miteve dhe të heronjve për audiencat, aedi i përket universit të kulturës orale, ku personazhet – si kategori gramatikore të rrafshit narrativ – kanë nevojë të risillen në vëmendje, për të mbijetuar. Lihet të kuptohet, kësisoj, se janë aedët që e mbajnë gjallë Luftën e Trojës, një një kulturë që ende nuk e përdor shkrimin; duke përftuar një kombinim karakteristik të çfarë ka ndodhur, me nevojat narrative të epikës. Këngët e Demodokut, veçanërisht crescendo-ja në figurën e Odiseut nga kënga e parë tek e treta, janë prezantimi më i mirë që mund t’i bëhet heroit para mikpritësve të tij në Skeri.

 

(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


Bibliografi e shkurtër:

Barbara Graziosi, Inventing Homer, The Early Reception of Epic, Cambridge University Press, 2002.

Clifford Broeniman, Demodocus, Odysseus, and the Trojan War in “Odyssey”, The Classical World, Vol. 90, No. 1

Yoav Rinon, MISE EN ABYME AND TRAGIC SIGNIFICATION IN THE ODYSSEY: THE THREE SONGS OF DEMODOCUS, Mnemosyne Fourth Series, vol. 59, Fasc. 2, 2006

M. Finkelberg, The First Song of Demodocus, Mnemosyne, Fourth Series, Vol. 40, Fasc. 1/2 (1987)

E. L. Harrisson, Odysseus and Demodocus, Hermes, 99, Bd. H. 3 (1971)


Shënim: të gjitha përkthimet më lart, përfshi edhe ato nga vargjet e Iliadës dhe të Odisesë, janë të miat nga anglishtja. Faqet e citimeve në referenca i kam lënë qëllimisht jashtë – duke i qëmtuar, të interesuarit do të kenë mundësi edhe t’i shfletojnë.


[1] Ka vetëm një pasazh, në Iliadë, ku “autori” i vargjeve u flet drejtpërdrejt muzave për t’u thënë: “Më thoni, o muza, që keni shtëpitë në Olimp – sepse ju jeni perëndi dhe jeni të pranishme dhe dini gjithçka, ndërsa ne vetëm dëgjojmë rrëfimet dhe nuk dimë asgjë – më thoni se cilët ishin prijësit dhe sunduesit e Danajve.” (Iliada, 2, 484-7). Këto fjalë, thotë Graziosi, e bëjnë “autorin” e vargjeve të ngjashëm me Demodokun.

[2] Ka arsye për të supozuar se në Greqinë e lashtë ka pasur bardë të verbër, shkruan Graziosi; megjithatë, kur dijetarët klasicistë modernë u takuan për herë të parë me poetët e verbër në Bosnjë-Hercegovinë, reaguan me entuziazëm vetëm ngaqë po kërkonin një “Homer modern” – audiencat lokale, përkundrazi, kishin më pak konsideratë për bardët e tyre të verbër ose gjysmë të verbër, se ç’kishin për bardët me shikim normal (Albert Lord ka vërejtur se poetët e verbër kishin status më të ulët se kolegët e tyre që shihnin). Mbase për këtë arsye disa dijetarë e kanë hedhur poshtë idenë se ‘Homeri’ historik ishte i verbër, për të argumentuar se verbëria e këtij u sajua nga audiencat e lashta, që e modeluan imazhin e tyre mbi atë të bardit të verbër, Demodokut.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin