Një atraksion i ri rrugëve të Tiranës janë vizitorët italianë, që vijnë për shërbime dentare dhe të kirurgjisë plastike: turistë nuk u thua dot, sepse nuk ka asgjë turistike në sjelljet, fjalët dhe pamjen e tyre. E shumta mund t’u thuash hallexhinj. Vijnë rrotull me grupe, pyesin për drejtime të çuditshme, flasin me zë kumbues siç bëjnë zakonisht italianët, bien në sy për nëndialektet e forta meridionale që përdorin dhe veshjen agresive.
Meqë shërbimet dentare Tiranës ia gëzoj edhe unë, i ndesh këta njerëz në sallën e pritjes të dentistit: gratë janë të urta, sikur ndajnë të njëjtat djersitje, pudra dhe halle me tonat, aq sa edhe flokët i mbajnë njëlloj, të shkurtra dhe të sheshta; burrat ekspozojnë tatuazhe trash, veshin kanatiere dhe flasin në celular, me shkronja të mëdha shtypi dhe zhargon të pakuptueshëm. Ankohen për pezmatim, ënjtje dhe temperaturë, duke treguar me gjeste teatrale zonën e nofullës që i mundon. Të lënë përshtypjen se konsumohen së brendshmi nga infeksione banale por kronike, për shkak dekadash tolerance ndaj streptokokëve.
Me ata të kirurgjisë plastike, kontaktin e parë e mora para disa vjetësh, kur ndesha në rrugë me dikë që, edhe pse haptazi italian, kish një garzë të trashë ngjitur mbi hundë dhe të siguruar me adeziv. Kujtova se mos e kishin rrahur gjëkundi në ndonjë cep dhe më erdhi keq – siç i vjen keq vendësit, kur ia keqtrajtojnë mysafirin. Pastaj kaluan edhe nja dy ditë, dhe pashë afër shtëpisë sime një vajzë, edhe ajo haptazi italiane, me të njëjtin lloj bandazhi alarmant rreth hundës. Ore, ç’bëhet kështu, i thashë një shokut tim; pse po i rrahin italianët? Nuk i rreh njeri, më tha; ajo vajza që pe thjesht “ka bërë hundën.”
Ngaqë jam rritur me ndikimin kulturor të RAI-t dhe pastaj kam jetuar me vite në Itali, më ka mbetur një si dobësi a dhemshuri për italianët që shoh anembanë botës, madje edhe kur i dëgjon të deklamojnë gjuhën e tyre, në publik, në rrugët e Barcelonës, të Vjenës a të Parisit; sa më të pasigurt të ndihen, aq më shkoqur bërtasin. Një herë – do të ketë qenë viti 1997 – pata hipur në një nga ato barkat e hapura, si autobusë, që shëtisin turistët në kanalet e Amsterdamit, dhe atje shoqëruesja na tregonte, në disa gjuhë (por jo në italisht) për historinë e shtëpive dhe të monumenteve anash kanaleve. Në të majtë është shtëpia e Anna Frankut, thoshte ajo, dhe të gjithë ne kthenim kokën majtas, me përjashtim të një çifti italianësh të moshuar, që e kthenin kokën djathtas. Sepse nuk kuptonin asnjërën nga gjuhët.
Prandaj më duhet ta kontrolloj dëshirën për t’i ndihmuar italianët e Tiranës. Edhe kur i shoh të ulen, tre breza të një familjeje, në restorantet e qofteve te rruga e Kavajës; edhe kur i dëgjoj të pyesin në rrugë se ku është sheshi Skënderbej (“piazza ScanderbeRg”). Sepse në Tiranë ke shqiptarë, ke të huaj, ke edhe italianë – një kategori që meriton të trajtohet sociologjikisht më vete. Shumë prej këtyre nuk e konsiderojnë Shqipërinë vend “të huaj”, sikurse shumë prej nesh po mësohen tani me italianët si popullsi me më shumë të drejta (por edhe më pak privilegje) se të ardhurit e tjerë. Ndonjëherë më duket sikur indiferenca jonë ndërlikohet me një lloj përçmimi, për italianin që vjen në Shqipëri që të shërbehet; sikurse më duket sikur indiferenca e tyre ndërlikohet me një lloj përçmimi, për Shqipërinë që dikur e shihnin si vrima e fundit e kavallit, por së cilës tani i falen.
Lexoja këto ditë, në një gazetë britanike, se kaq shumë është popullarizuar në atë vend zakoni për t’i rregulluar dhëmbët (“për të rregulluar gojën”) në Turqi, sa disa lloj strukturash dhëmbore të mëdha, kaba dhe tejet të bardha po fillojnë të njihen me emrin “Turkey teeth” (ose “Turkish teeth”); me shumë që po fillojnë të besojnë se qëllimi i procedurave dentare në Turqi nuk është të riparojnë dhëmbët, por “buzëqeshjen”. Ka një dozë snobizmi në këtë reagim, nga ana e atyre që kanë aq të ardhura sa mund t’i përballojnë procedurat dentare në UK a në vende të tjera ku këto kushtojnë shumë (si në SHBA) dhe nuk duan që të homologohen me britanikët e tjerë, që shkojnë ta rregullojnë gojën dhe buzëqeshjen gjetiu.
Ironikisht, kjo dëshirë për ta rregulluar gojën, buzëqeshjen dhe “kafazin” e dhëmbëve nuk është dhe aq e ndryshme nga dëshira tjetër për ndërhyrje plastike në fytyrë, përfshi këtu edhe rregullimin e hundës – aq më tepër që shumë prej nesh janë gati t’i shkatërrojnë edhe ata dhëmbë të shëndetshëm që kanë në gojë, për dentatura perfekte, fotozhenike, televizive. Dhe sa më shumë njerëz anembanë botës mund ta realizojnë këtë, qoftë edhe duke shfrytëzuar mundësitë që ofron Meksika, Turqia ose Shqipëria, aq më shumë degradohet kuptimi dhe shkëlqimi i perfeksionit dentar. Me fjalë të tjera, “Turkey teeth” po u shoqërohen shtresave të ulëta, të paktën po t’u besosh tabloidëve – edhe pse kjo mund të jetë thjesht një lojë djallëzore e dentistëve të luksit, në vendet e zhvilluara, për të diskredituar joshjen dhe cilësinë e punës së kolegëve të tyre gjetiu.
E hapa këtë parantezë, ngaqë edhe unë bëhem kurioz për të kuptuar se cili lloj italiani vjen t’i gëzojë shërbimet dentare dhe kozmetike në Shqipëri; ai i Jugut, natyrisht, për shkak të afërsisë gjeografike, por edhe të integrimit të pamjaftueshëm në strukturat e shërbimeve publike të shtetit italian; por edhe ai që u beson rekomandimeve të kushërinjve të vet, miqve dhe kolegëve, dhe që jeton në një botë ku fare pak mjafton për të kaluar nga paranoja totale, te besimi i plotë dhe i pajustifikuar. Si dikush që i ka provuar dhe përjetuar shërbimet dentare në Napoli, edhe unë e konfirmoj se këto të Tiranës janë të nivelit shumë më të lartë; edhe pse disa klinikave në Napoli unë nuk u afrohesha dot, për shkak të çmimeve.
Për t’u habitur si krejt muhabeti identitar për kulturën dhe fenë dhe për shqiptarët që ose “parlano italiano meglio di noi” ose nuk lidhin dot më dy fjalë në italisht (këta të dytët po shtohen frikshëm), krejt ky muhabet pra vjen e thjeshtohet, në kontekstin e shërbimeve dentare dhe kozmetike – si shërbime për trupin – në analiza thjesht klasore, të tipit “të kesh e të mos kesh”. Disa kanë aq të ardhura sa t’i bëjnë dhëmbët ku të duan në Itali; disa nuk mund të përballojnë veçse Tiranën dhe pastaj të ndriçojnë rrugët e qytezave të pjerrëta të Italisë së Jugut me buzëqeshjet e përtërira; dhe disa të tjerë, bashkatdhetarë të mi në lagje dhe me siguri edhe bashkatdhetarë të italianëve në Tiranë, te dentisti nuk shkojnë dot fare.
Madje tani që i shkruaj këto radhë, mendoj edhe se, përtej lidhjeve të mia me Italinë dhe simpatisë sime për kulturën italiane dhe italianët vetë, me “turistët dentarë” (shprehje e pasaktë) te ne më bashkon edhe fakti elementar, por kuptimplotë, që frekuentojmë të njëjtët dentistë në Tiranë dhe prandaj po i përkasim të njëjtit grup social; paçka se nuk hamë në të njëjtat vende dhe se unë ende preferoj të kafshoj e të përtyp “Italian food” sa herë që mundem, pavarësisht nga dhëmbët që përdor.
(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Midjourney.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.