Kartoteka e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë përmban dëshmi edhe të vendit ku është regjistruar fjala, sidomos kur kemi të bëjmë me fjalë të rralla, që “janë mbledhur në terren” nga ekspeditat apo nga mbledhësit individualë; por fakti që një fjalë përdoret në aksh të folme të gegërishtes nuk do të thotë, automatikisht, se fjala është “e gegërishtes”; sa kohë që mungojnë studime krahasuese të leksikut krahinor dhe dialektor midis veriut dhe jugut. Mungesa e perceptuar në dialektet mund të jetë thjesht artifakt, ose pasojë e asaj që leksiku i të folmeve të njërit dialekt është studiuar më mirë se leksiku i të folmeve të dialektit tjetër.
Për shembull, duke shfletuar kuturu vëllimin III të Studimeve Etimologjike të Çabejt lexoj se “cung në Shqipëri sot është fjalë e gegërishtes, po është për të vënë re që e kanë dhe ligjërimet jugore”; mëshel “mbyll” nuk është vetëm e gegërishtes, po i mbarë gjuhës, në Pogradec mbërçél “mbyll”, në Kolonjë u mçela “m’u lidh goja”; datë “frikë” është “fjalë e toskërishtes, veçse si fjalë jo e panjohur dhe për gegërishten”, për druaj, “[t]rajtës droe të gegërishtes i përgjigjet prej toskërishtes drē dreja e labërishtes së anëve të Vlorës dhe e dialekteve arbëreshe të Italisë”; çap është “fjalë e mbarë gjuhës. Përndarja dialektore e dy emrave çap edhe hap është e tillë, që e para i përket në thelb më fort toskërishtes, e dyta më fort gegërishtes”; e kështu me radhë.
Vërejtje të tilla i ndesh shpesh në studimet e Çabejt; ato më tregojnë se, sipas këtij autori, dallimet në shpërndarjen gjeografike të fjalëve shqipe janë më shumë sipërfaqësore se të thella, dhe se qëmtimi më i kujdesshëm në leksikun e të folmeve shqipe, anembanë trojeve ku flitet gjuha, do të përgënjeshtronte shumë nga ato bindjet që sot i marrim për të mirëqena, përfshi edhe ato për përkatësinë dialektore të kësaj apo të asaj fjale.
Natyrisht, Çabej ia përshtat këto konjektura kornizimit teorik të gjeografisë gjuhësore, që ai e kish bërë të vetin prej kohësh; e cila qasje – dashur pa dashur – e çon lexuesin te hipoteza që dialektet e sotme të shqipes janë rezultat procesesh gjuhësore divergjente me origjinë në qendër të hapësirës së shtrirjes, dhe se në të kaluarën, këto dialekte kanë qenë më të afërta mes tyre se ç’paraqiten sot; një hipotezë që mund ta çojmë edhe më tej dhe ta shohim variacionin e sotëm dialektor të shqipes si të nisur nga një periudhë kohore të supozuar, kur dialektet e shqipes, në trajtën që kanë sot, nuk ekzistonin fare. Për ta bërë të pranueshme këtë hipotezë të skajshme na duhet ose të pranojmë që shtrirja e sotme gjeografike e shqipes është rezultat i një ekspansioni të një popullsie të vogël në zanafillë, e cila është diferencuar gjuhësisht dora-dorës (që është mutatis mutandis edhe teza e Stadtmüller-it); ose të pranojmë që, para se të adoptonte strukturën dialektore që ka sot, shqipja (protoshqipja) ka pasur një strukturë dialektore tjetër. Asnjë nga këto hipoteza të mëtejshme nuk mbështetet, me gjendjen e sotme të dijes.
Në një artikull të botuar më parë gjermanisht[1] dhe pastaj edhe shqip, pasi vëren se “emri toskë në krye të herës ka shënuar vetëm pjesën më veriore të shqiptarëve të jugut dhe emri gegë pjesën më jugore të shqiptarëve të veriut,” Çabej arsyeton se “shtrirja sot më e hapët e këtyre emrave, edhe etnografikisht, shihet se është përfundim i një zgjerimi të kryer shkallë-shkallë e pak nga pak. Në këtë vështrim merr rëndësi dhe kjo rrethanë, që nëpër dokumentet mesjetare, na dalin të tjera emra fisesh, por nuk na dalin bash këto të dyja që sot janë kryesore. Kështu pra gjithçka na mëson që vërtet nuk ka pasur ndonjëherë një shqipe të njësishme e pa dialekte, por që struktura dialektore e sotmja nëpër një farë shpërngulje të rrethanave ka rrjedhur prej një strukture të ndërtuar disi ndryshe, ku dy grupe kryesore, të quajtura gegërisht e toskërisht, me kuptimin e sotëm, ende nuk ekzistonin. Struktura e sotme, me dallimet e saj më të vjetrat rrjedh pas gjase prej formimesh mesjetare e me të rejat prej formimesh të kohës së re. Në këtë mes një problem shkencor përbën gjithashtu edhe çështja nëse ka pasur shpërngulje edhe në shtresimin gjeografik të dialekteve, në mënyrë që, si mendojnë disa dijetarë, toskërishtja të ketë qenë në lindje, jo në jug të gegërishtes (nënvizimi im, A.V.].” Më shumë se kaq Çabej i atyre viteve nuk thoshte dot.
Tani, po të mbajmë parasysh edhe se po flasim për dialekte gjeografike, të cilat mund të kenë kontakt me gjuhë të tjera (dialekte gjuhësh të tjera) dhe të “shkëmbejnë” fjalë me to, atëherë rrjedh që huazimi leksikor, në vetvete, shndërrohet në faktor për diferencimin leksikor të këtyre dialekteve, sa kohë që këto kanë kontakt me dialekte gjuhësh të tjera. Për shembull, gegërishtja historikisht ka dhënë e ka marrë me të folmet dialektore të serbishtes, ndërsa toskërishtja me të folmet dialektore të greqishtes; çfarë ka bërë që gegërishtja të ketë më shumë huazime krahinore nga serbishtja, ndërsa toskërishtja më shumë huazime krahinore nga greqishtja dhe sot të dy (krye)dialektet e shqipes të dallojnë mes tyre, për nga leksiku, ngaqë njëri ka më shumë huazime nga serbishtja, ndërsa tjetri më shumë huazime nga greqishtja. Këto lloj huazimesh periferike, horizontale, të kontaktit, ndryshojnë nga huazime të tjera, si ato të shqipes nga turqishtja osmane, sepse këto të fundit kanë hyrë me rrugë tjetër dhe në mënyrë të tillë që, në vija të përgjithshme, të mos kenë krijuar diferencime mes njërit dialekt dhe tjetrit, madje të kenë shërbyer si faktor që i ka afruar dialektet në rrjedhë të kohës.
Në çdo rast, dialektologëve dhe historianëve të gjuhës u intereson më shumë të hulumtojnë nëse diferencat leksikore, mes dialekteve të shqipes, shkojnë përtej fjalëve që kanë hyrë në këto dialekte nëpërmjet kontakteve horizontale me gjuhët fqinje; kjo edhe ngaqë huazime të tilla, të anëve, janë të pashmangshme dhe nuk pritet të kontribuojnë në identitetin e njërit dialekt përballë tjetrit.
Po si t’i identifikosh ato fjalë dialektore, që gjenden në njërin dialekt, por jo në tjetrin? Që një fjalë e caktuar shfaqet në një këngë popullore, në një përrallë, në një fjalor fjalësh të rralla e krahinore, në tekstin e një autori me origjinë nga një trevë specifike, ose në një skedë të kartotekës leksikore, të mbledhur në një zonë ku flitet një dialekt specifik, kjo përbën provë pozitive se ajo fjalë përdoret në atë dialekt, por nuk përbën provë se e njëjta fjalë nuk përdoret në dialektin tjetër. Për shembull, po t’i besojmë Çabejt, fjala djerr me kuptimin “arë mbetur për do kohë pa punuar, tokë e papunuar, vend qersë” ishte mbajtur si fjalë e gegërishtes, derisa doli edhe në Mallakastër si djer, me kuptimin “lëndinë”; njëlloj edhe cung, për të cilën Çabej thotë se “në Shqipëri sot është fjalë e gegërishtes, po është për të vënë re që e kanë dhe ligjërimet jugore” (shembujt nga SE III). Atëherë?
(vijon)
© 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Midjourney.
[1] Në “Zeitschrift für Mundartforschung, Beihefte. Neue Folge” nr. 3 und 4. Verhandlungen des zweiten internationalen Dialektologen-kongresses, Marburg 1967, ss. 136-145, dhe pastaj të rimarrë shqip në Dialektologjia shqiptare, Tiranë 1974, ff. 229-238.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
Mendoj se duhet qartesuar disi per ne lexuesit, meqense perdoret fjala shqip, nese fjala dialektore eshte e fondit I.E, e gurres popullore paradialektore, huazim qe ka hyre ne nje dialekt, por jo ne tjetrin, huazim qe ka mbijetuar te njeri por jo tjetri apo e gurres popullore dialektore.
Se ne psh i themi shqip fjales akoma, qe eshte greqizem i toskerishtes, por jo hala qe eshte turqizem i gegerishtes, ne nje kohe qe as njera e as tjetra nuk jane shqip ( keshtu merremi me thanat e Zeqos dhe grarine e fisit te tij),
E kam fjalen qe kur perdorim termin shqip duhet te tregojme nikoqirllek, pasi rendom dallimet jane ne thelb huazime apo te gurres popullore dialektore, cka i ben pak ose aspak shqipe,; huazimet aspak per arsye te mirekuptueshme kurse gurra dialektore pak, se s’ka miratim nderdialektor.
Ka nje arsye pse kur flitet per gjeografine flitet edhe per historine ( perndryshe duhet ti quajme te lajthitur ata qe krijuan fakultetin e histori-gjeografise) dhe kjo arsye eshte e forte kur shohin sa lehte thuren hipoteza gjeo-historike per dialektet.
Per sa me takon, teoria e mbijeteses se nje fisi ilir dhe diaektit qe fliste i cili u nda ne toskerisht e gegerisht me duket si perralle nga e kaluara , dhe spo them antikombetare; packa se dyshoj fuqimisht, pasi asnje gjuhe historike ne bote nuk buron nga dicka e tille. Gjuhet historike jane nje lemsh dialektesh qe perzien e ndryshojne me menyra ende te pakuptuara mire shkencerisht, aq sa mund te thuhet qe dialektet ekzistojne si te tilla, kurse gjuha jo. Gjuha ekziston vetem ne perballje diturore me nje gjuhe tjeter, dialekti pavaresisht.