Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arkitekturë / Urbanistikë

RAT PARK

Nga Gjergj Bakallbashi/ VIZA Architects/ Technical University of Munich

Sot që flasim për zhdukjen e hapësirave ku thjesht mund të socializohemi dhe shpenzojmë kohë me të tjerë njerëz, përfshi dhe teatrin, m’u duk me vend të sillja në vëmendjen tonë një nga eksperimentet e shumta të sociologëve apo psikologëve, në lidhje me çka na ndodh kur habitati ynë reduktohet në thjesht një vend ku rrihet dhe konsumohet. Këto eksperimente u kryen nga psikologu kanadez Bruce K. Alexander dhe kolegu i tij Simon Fraser, të Universitetit të British Columbia-s, Kanada, midis viteve 1970 dhe 1980.

Eksperimenti konkret quhet “Rat Park” (Parku i minjve). “Vendosni një mi në një kafaz dhe jepini 2 shishe ujë. Njëra është vetëm ujë dhe tjetra është ujë i mbushur me heroinë ose kokainë. Miu, pothuajse gjithmonë, do të preferojë ujin e droguar dhe, pothuajse gjithmonë, do të vrasë veten brenda dy javësh. Kjo është teoria jonë e varësisë.”

Bruce erdhi në vitet ‘70 dhe tha: “Epo, prisni. Ne po e vendosim miun në një kafaz bosh. Nuk ka asgjë tjetër se ç’të bëjë. Le ta provojmë këtë pak më ndryshe.”

Kështu, ai ndërtoi Rat Park, një strehë ideale për minjtë. Gjithçka që një mi mund të dëshirojë është e disponueshme në Rat Park: ushqim i shijshëm, mundësi të shumta për çiftëzim, shoqëri me minjtë e tjerë dhe topa shumëngjyrëshe për rekreacion. Është interesante se, në Rat Park, kishte gjithashtu dy shishe ujë, njëra me ujë të rregullt dhe tjetra me ujë të droguar. Ajo që magjeps është se, minjtë tregojnë mosinteresim për ujin e droguar. Ata mezi e konsumojnë atë dhe asnjëri prej tyre nuk i nënshtrohet një mbidoze. Asnjë prej tyre nuk sillet në një mënyrë që duket si detyrim apo varësi.

Ajo që bëri Bruce, tregon se, të dyja teoritë e krahut të djathtë dhe të majtë të varësisë, janë të gabuara. Teoria e krahut të djathtë është se ky është një dështim moral, ju jeni një hedonist dhe ia luni fenë me parties.

Teoria e krahut të majtë është se truri juaj është nën kontrollin e drogës. Bruce thotë se nuk është morali juaj, as truri juaj, por është kafazi juaj fajtori për atë që ndodh. Varësia është kryesisht një përshtatje me mjedisin tuaj. “Po krijojme një shoqëri ku një numër i konsiderueshëm prej nesh nuk mund të durojnë të jenë të pranishëm në jetën tonë pa qenë në një ambjent specifk, duke pirë, duke bërë drogë, pazar… Ne kemi krijuar një botë hiperkonsumatoriste, hiperindividualiste, të izoluar që për shumë prej nesh, është më shumë si kafazi i parë sesa kafazet të lidhur në vazhdim – RatPark – që na duhen. E kundërta e varësisë nuk është maturia. E kundërta e varësisë është lidhja. Dhe e gjithë shoqëria jonë, motori i saj, synon të na bëjë të lidhemi me gjërat, jo me njerëzit.

Ju nuk jeni një qytetar i mirë konsumator nëse e kaloni kohën duke u lidhur me njerëzit përreth jush dhe jo me gjëra. Ne jemi trajnuar që në moshë të re për të përqendruar shpresat, ëndrrat dhe ambiciet tona në gjërat për të blerë dhe konsumuar. Varësia nga droga është një nëngrup i kësaj.”

Besoj se zhdukja e oborreve, e shesheve aksidentale, zëvendësimi i hapësirës me soleta dyqanesh dhe parkimesh, po e bën qytetin një vend qytetarësh të mirë konsumatorë.

Sot në këtë përkujtimore për Teatrin dhe në vakinë e oborrit ngjitur, duhet të kujtojmë edhe 30 e ca fushat sportive të zëna nga ndërtimet, ose që do të zihen nga ndërtimet si kompleksi Dajti dhe aneksi i stadiumit Dinamo.

Ata që do ta vuajnë më shumë këtë janë gjeneratat e fëmijëve të cilët nuk janë të lirë për të vrapuar apo luajtur, por dashje pa dashje janë pre e telefonit dhe rrjeteve dhe ushqimeve të paketuara e, uroj fort, që jo e drogave.

© 2025 Gjergj Bakallbashi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin

Pajtomë