Të arrish të mbushësh 75 vjet sot do të thotë të kesh gëzuar gati tre dekada kaluar jetëgjatësisë mesatare që njerëzit në Perëndim jetonin një shekull më parë.
Por ti, mam, tashmë treçerek shekulli grua, nuk leve as u rrite në Perëndim, dhe mua më mungojnë statistikat për jetëgjatësisë mesatare në një vend mesdhetar të përkëdhelur nga dielli, por jo nga fatet gjeo-politike. Si vendi ku linde ti, si ai ku më dhé jetë mua, ku trëndafilat bulojnë dy herë në vit dhe mimozat zverdhin për 7 mars. Vendlindja jonë, kohëlindja jonë njohu ngushtësi të mëdha dhe mjaftonte të dinim pak e të imagjinonim shumë rreth mirëqenies në Perëndim për t’i ndjerë mungesat si mohim të nevojave bazë njerëzore. Mam, u bëre nënë në një epokë ushqimesh me racion. Më shumë se gjysmën e jetës e jetove si familjare mes një populli që radhitej në agim para dyqaneve me rafte askurrë të mbushura plot e me banakë, të cilët ia tregonin qartë kufirin blerësve. Raftet mbetën të paprekshëm. Racionet e radhët të bën realiste, ndaj nuk nxore në dritën e botës fëmijë tjetër veç meje. Më janë dashur gati 50 vjet të kuptoj e të përtyp një fraksion të vështirësive që flenë pas këtij vendimi.
Ti jetove 40 vjet në atë regjim, unë 14. U poqe mes përgjimeve, paditjeve, aleancave të bëra e të prishura dhe antenave ilegale, me sytë nga Dallasi e Dinastia me titra serbo-kroatisht; mes plenumeve, sekretarëve dhe anëtarëve të Partisë së Punës (anëtare e saj s’u bëre kurrë). Më ke treguar rreth zborit dhe punës vullnetare – kolektivizëm i pakonceptueshëm për brezin tim (ne arritëm të bëheshim yllka, fatos, e pionierë, jo më shumë). Kur shpërthyen demonstratat e 90-tës, entuziazmi të lexohej në fytyrë dhe më grishte të shkoja pas teje te sheshi, gjë që të pëlqente, sepse idealet duhen ushqyer që hershëm. U pa qartë, në ato vite, se sado ndryshe, përjetimet tona do të puqeshin në një pikë dhe në atë pike tehu i historisë do ta ndante jetën tënde dhe timen në para dhe pas hapjes së Shqipërisë, para dhe pas emigracionit. S’kaluan 10 vjet pas hapjes dhe ti zure të thoshe: “Ky popull po bëhet kashtë e koqe.” Ti e kishte fjalën te shpërhapja jonë në diasporë, ndërsa mua më degëzohet mendimi dhe meditoj se Projekti Demokraci, në thelb, na detyron dita-ditës të dallojmë kashtën prej kokrrës, dordolecët prej njerëzve.
Përballë ngushticave sistemike dhe historive të copëtuara nga mërgata, arrite të më përcjellësh faktin se është e mundur, ndonëse jo e thjeshtë, për njeriun, për gruan, për nënën, të dojë me gjithë shpirt e t’i përkushtohet mish e thua njëherazi vetvetes, familjes e bashkësisë njerëzore me ato dhunti e pasione që zbulon e laton sa kohë merr frymë. Më ke përcjell mësimin e vyer se një jetë që i dedikohet vetëm diçkaje, vetëm dikujt, sado që të motivohet prej qëllimeve të mira, mbetet e cunguar, si polifonia pa contrappunto, jetë që s’ka ditur t’i bëjë caqet e saj poroze, dhe sado në shërbim të një kauze, prapëseprapë, jetë egocentrike. Në këtë prizëm e kundroj brumosjen time, kur them se jam fryti i një nënë feministe, fjalë të cilën ti, më ngjan, nuk e ke përdorur ndonjëherë; kur shpresoj se edhe unë (në formë më dogmatike) u kam përçuar fëmijëve të mi çka mësova prej teje.
Ti ndoshta habitesh tek lexon këto rreshta. (E di që s’ma merr për ters që po përmend moshën.) Mbase të çudit fakti se prej listës së padukshme në kujtesën time ku janë firmosur meritat e sakrificat e tua, sakrifica konkrete, e madhja fare, me siguri, kur vendosët të më nisnit në Perëndim e t’i hapnit derën vetmisë – dimrit tuaj të madh – jam duke veçuar këtë mësim tëndin. Ç’të them? Përzgjedhja ime e ka burimin tek biografia jote. Ajo ka mishëruar respektin për vetveten pa rënë preh e egomanisë, pa e kthyer këtë respekt në alibi për të ndjekur rehatin tënd gjatë netëve të sëmundjeve të mia, të andrallave rreth së ardhmes sime e të fëmijëve të mi. “That’s your problem”, është shprehje që s’e kam ndeshur tek ti. Problemet e mia kanë thithur vëmendjen tënde, aq sa ndonjëherë kam dashur t’i fsheh ato. Përkundrazi, s’kam dyshim, që ti hallet e tua shpesh m’i ke fshehur e zvogëluar. “Sigurisht”, të dëgjoj që thua, “unë jam nënë.” Kjo frazë si fjalëkalim më shpie në përsiatje të panumërta, i gjegjet kushedi sa pyetjeve e përse-ve të mia.
Lejomë t’i shtoj asaj diçka. Për mua, bukuria e jetës tënde rritet kur mendoj se nuk je veç nënë, se kam arritur të të shoh, motër, bashkëshorte, gjyshe, por edhe të bëhem e vetëdijshme se, para se qenia jote të pasurohej me kësi funksionesh shoqërore, ti ke qenë fëmijë, fëmijë e gjyshërve të mi. Fëmijë goxha i lëvizshëm, thonë. E talentuar për muzikë, por pa vullnet për instrumentin. Shpirtmirë, e padjallëzuar, ama, dy gurë bashkë nuk i lije. E përse t’i lije ata gurë ashtu si i gjete? Pse të mos provoje të bëje diçka me to, pse të mos ua ndjeje peshën në duart e tua e të mos provoje t’i flakje me sa të hante krahu e kështu të njihje fuqinë tënde? Forcën e trupit tënd, forcën e bindjeve të tua.
Fjala bindje më kujton përkushtimin tënd që në moshë të brishtë kundrejt atyre aspiratave, të cilat gjyshërve të mi iu dukën dëshira prej të madhi. Veç katërmbëdhjetë vjeç ishe, kur u zotove përballë prindërve të tu se do të bëheshe mjeke – mjeke, e kurrgjë tjetër. “Mjeke? Fiset tona s’kanë nxjerrë mjek?” U betove se do të bëheshe mjekja e parë e dy fiseve jugore. Betim me firmë në fund të fletës, ku prindërit e tu e gjyshërit e mi kishin shkruar zotimet e tua, duke shprehur gatishmëri të të mbështesnin ekonomikisht, mendërisht. Me siguri ajo qe kontrata e parë që firmose në këtë jetë treçerek shekulli të gjatë. Sa do të doja ta shihja sot atë firmë! S’e përfytyroj dot skenën paçka se përpiqem. Arrij të shoh balluket e tua të drejta (drejtësinë e ke pasur gjithnjë për zemër), shoh profilin që kam trashëguar prej teje, bëj të dalloj shikimin tënd ndërsa merr në dorë stilolapsin, dua të lexoj vendosmërinë dhe peshën e asaj firme të mitur, por s’arrij ta shoh dot. S’ka rrugë tjetër veç t’ia lë atë skenë imagjinatës ta ngjyrosi me ngjyra mitike. S’i druhem fort mitit. Rrallë njerëzit frymëzohen prej së mirës pa ruajtur e ormisur, strukur diku në botëkuptim, një njeri a ndodhi për ta mitike.
Secilës e secilit mitin e vet. Imi, me sa duket, je ti.
(c) 2025 Enit Steiner. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Midjourney.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.