Më kujtohet një herë një grup miqsh dhe midis tyre një vajzë që studionte në Suedi, në atë kohë me pushime verore pranë familjes në Tiranë. Dikush e pyeti për përshtypjet nga Suedia. Ajo bëri një përshkrim të bukur të vendit ku studionte, por në një moment heshti, dhe vijoi: ”Aty relievi është rrafsh. Kur shtrij vështrimin përreth ndonjëherë më ngjan sikur në sfond diku duhet të ishte mali i Dajtit, gjë që më vjen si diçka nga brenda…, e padashur më rrëshqet një pikë lot!”
Kujtimet midis të cilave rritesh bëhen pjesë e qenësishme e vetes tënde, e asaj që quajmë vendi yt e që mund të jetë një lagje, një qytet apo më gjerë, të cilit i përket dhe të përket. Për veç të tjerash është pjesë e identitetit të banorëve që janë rritur dhe formuar aty. Më pëlqen pa masë që qytetet europiane nuk e ngacmojnë, por e mirëmbajnë me fanatizëm pjesën e vjetër historike. Pi një kafe në një shtëpi kafeje vjeneze dhe ndjen historinë mbi njëqindvjeçare që mbart. Shkon në një Irish Pub ashtu të vjetër me mure dërrase dhe foto të vjetra kudo dhe çdo gjë tjetër që të kujton historinë. Sa do të doja të pija prapë një birrë te Tymi përballë Mapos në Tiranë që tani është vetëm një kujtim i trishtë!
Një mik që kishte mbaruar studimet në Pragë më shpjegoi se, menjëherë pasi u fshi sistemi komunist, arkitektët e bashkisë shkonin shtëpi më shtëpi me fotografitë dhe hartat e qytetit duke urdhëruar që t’i kthenin në formën e tyre historike (nëse nuk kishin para, do ta fillonte shteti). Pa përmendur që Gjermania e shkatërruar nga lufta e tmerrshme botërore hoqi gërmadhat dhe rindërtoi qytetet në imitim maksimal të pamjes së vjetër historike. Shkatërrimi dhe “riformatimi” i Tiranës dikujt mund t’i pëlqejë, bie fjala një arkitekti apo një ndërtuesi, që mbase edhe ka ardhur rishtazi në Tiranë, por një tiranasi të rritur aty i ka “shkatërruar” kujtimet dhe ndjeshmërinë e thellë që i ishte rrënjosur në mendje dhe në shpirt! Është një arsye më shumë që e bën të huaj dhe i dobëson lidhjen me të. Në formë hiperbolike mund të thuhet se tani për të Tirana është një qytet ku flitet jo italisht, gjermanisht apo frëngjisht…, por anglisht, edhe shqip!
…Të paktën mali i Dajtit është ende aty!
* * *
Melodia e një kënge të bukur nuk është ndonjë përpunim i gjerë simfonik, por është më shumë një krijim i shkurtër në mendjen e artistit; kur lidhet me diçka të brendshme, ngjan më shumë një shpërthim shpirtëror. Kompozitori skocez Dougie MacLean thotë se kur ende 20 vjeç në Francë, s’di se si e kapi një mall për Skocinë. I lindi në kokë një melodi dhe e hodhi në letër brenda pak minutash! Kënga u quajt Caledonia, emri i vjetër i hapësirës që përfshinte dikur Skocinë. Katër minuta këngë, por nuk ka këngëtar apo orkestër skoceze që nuk e ka interpretuar dhe kënduar atë këngë qysh prej 1979 që doli në publik.
Kënga përshkruan në mënyrë poetike tre fazat të cilave u nënshtrohet ai që largohet prej vendlindjes. (I) Pasi është burrëruar në vendin e tij, (II) njeriu ka dëshirën e madhe për të njohur botën, edhe pse në rrugëtim le mbrapa shoqërinë, për të njohur vende e njerëz të tjerë, herë i lumtur e herë i zhgënjyer. Por pastaj (III):
Let me tell you that I love you
That I think about you all the time
Caledonia you’re calling me
Now I’m going home
And if I shall become a stranger
It would make me more than sad
Caledonia’s been everything I’ve ever had.
Që lirshëm mund të përkthehej:
Më lerë të të them se të dua
Se për ty gjithë kohën kam menduar
Kaledonia, ti po më thërret mua
Ndaj po kthehem në vendin tim
Nëse do të dukem si i huaj
Kjo do më bënte të trishtuar
Kaledonia ka qenë gjithçka për mua.
Në origjinal thuhet “now I am going home” që është vështirë ta përkthesh në shqip “tashmë po kthehem në shtëpi”! Shtëpia është më shumë një objekt material ku bën jetën, që në anglisht e jep fjala “house”. “Home” në kuptimin e gjerë është vendi që të ka formuar, që të ka dhënë mbresat dhe kujtimet e jetës e që mund të jetë, nga shtëpia ku ke jetuar e deri te vendlindja. “Home” mund t’i shkojë më shumë “vendi im”.
* * *
Në festivalin e fundit në RTSH fitoi kënga “ZJERM” e kompleksit “Shkodra Elektronike”. Mendoj se përveç melodisë së freskët e të pëlqyeshme dhe interpretimit kaq të veçantë, kënga la mbresa te publiku i gjerë shqiptar, i prekur nga emigrimi, për emocionet e veçanta që ajo shpreh:
“Në zemrën time, n’zemrën teme…
Njerëz’t e mirë e njerëz’t pa emër
Kërcejnë valle n’shpirt
Jarnane ti toka ime
Ku kam lindë, s’do të harroj.
Jarnane ti bota ime
Vazhdo me shndritë, shndritë, shndritë, shndritë”
Të dy bashkautorët e këngës, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, lanë vendlindjen për të jetuar në një vend tjetër, por shpirti u mbeti aty ky e shpreh kënga e tyre. Në intervistat e shumta pas festivalit dukej qartë se ishin të habitur, aq sa nuk e kuptonin vlerësimin e jashtëzakonshëm të këngës së tyre: kishin ardhur për të shprehur ndjenjat e tyre dhe më pas të iknin, pa e menduar se çfarë shpërthimi do të kishte kënga në vendin e tyre të lindjes, shkundur nga emigrimi. Ishte thjesht një këngë për tokën e lënë, dhe në një farë mënyre u kthyen, qoftë dhe përkohësisht aty, të tregojnë çfarë kanë në zemër!
* * *
Nëse dikush më ka ndjekur deri këtu, do të ketë pyetur se ku dua të dal?!
Greqia si një shtet fqinj i ka kaluar me kohë fazat “emigracionale” që po veprojnë mbi shoqërinë tonë. Aty gradualisht është krijuar një cikël i natyrshëm te të rinjtë, që (I) mbarojnë shkollën, (II) aventurojnë nëpër botë, dhe pastaj zakonisht (III) kthehen në vendlindje për të krijuar familje e për të jetuar në vendit të tyre. Këtë kulturë e ushqen shoqëria drejtpërsëdrejti, por edhe nëpërmjet letërsisë, arteve e muzikës!
Këtu dua të dal: do të ishte mirë nëse artistët tanë jashtë e brenda do të prodhonin këngë si “Caledonia” dhe “Zjerm” dhe letërsia të pasqyronte shembullin e letërsisë sonë klasike! Të shëtisësh është një gjë e bukur dhe mjaft komode sot, por thellë në zemër mbetet thirrja e vendit tënd, për t’i thënë vetes një herë më në fund: “Now I am going home”!
Ose e pakta , për ta ndier dhe për ta mbajtur gjallë atë emocion!
(c) 2025 Spiro Duka. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Midjourney.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.