Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Fe / Histori / Totalitarizëm

VAKTI I FUNDIT I DERVISHIT

Nëse shohim me kujdes karakteristikat me të cilat mbruhet tipologjia e klerikut në propagandën antifetare gjatë regjimit komunist në Shqipëri, mund ta përmbledhim me fjalën “batakçi”. Sigurisht mund të përzgjedhim edhe fjalë me semantikë të ngjashme si “mashtrues”, “përfitues” apo “hileqar”, por “batakçi” sikur përmbledh edhe vogëlsinë dhe cektësinë karakteriale, kur kleriku ndërmerr aktet e liga në dobi të interesit të tij banal. Ka dhe nuanca të tjera përshkruese që i përgjigjen situatave të ndryshme ku propaganda përpiqet të hedhë dritë si, “pabesia”, “epshi” apo “lakmia”, por këto sa e pasurojnë më tej figurën e “batakçiut”, që rropatet përditë për të mashuar dhe për të përfituar nga injoranca e njerëzve. Një mashtrim që zgjat me shekuj, pa të cilin zor se do të “ndriçohej” shpirtërisht njeriu i prapambetur.

Si një prej organizatorëve të ekspozitës “Ikonat e opiumit: grafika antifetare në komunizëm”, duke punuar me materialin e përzgjedhur, jam befasuar nga sasia dhe intensiteti i teksteve, gjithashtu dhe i grafikave propagandistike antifetare. Janë dekada të tëra ku në mënyrë të sinkronizuar goditet pa mëshirë imazhi i klerikut, si personi që mishëron ideologjinë fetare. Pa këta njerëz që propagandojnë mesazhet fetare, referencë publike e kësaj ideologjie mbeten vetëm objektet ku ushtrohet praktika e tyre. Për të mbërritur te dhuna shkatërrimtare ndaj objekteve fetare dhe trashëgimisë shpirtërore që mbartej nga besimtarët, që shënoi dhe kulmin e aksionit antifetar komunist, duhej degraduar dhe kriminalizuar përmes disa stereotipizimeve figura e klerikut, hoxha, prifti apo dervishi. Përveç imazheve grafike me përmbajtje qesharake, situatat e teksteve dhe narrativat që i shoqërojnë këto imazhe janë krejtësisht të sforcuara dhe të zhbalancuara nga normat e standardizuara të sjelljes njerëzore.

Ndër “ikonat” e para që shënojnë babëzinë klerikale kemi një grafikë shpotitëse ku në një sofër janë ulur katër dervishë e hoxhallarë duke ngrënë në disa pjata, e disa pjata të tjera ndërkaq janë përdhè të përlara. Diçitura e kësaj grafike nga “Hosteni” i datës 5 dhjetor 1946, na thotë: “Shpallje: “Kryegjyshata e përbotshme këtë vit lajmëron gjithë besnikët se ashurja nuk do të ndahet për popullin!” Nuk dihet konteksti i plotë i kësaj ngjarje, por lajmi dukshëm hiperbolik, përpiqet të vendosë një raport dikotomik mes besimtarëve “popull”, dhe hierarkisë së bektashinjve, gllabërues të pafytyrë deri dhe të ushqimit ritualistik të kalendarit të tarikatit.

Propaganda antifetare shkon dhe përtej skemave tradicionale drejt groteskut. Në një grafikë të “Hostenit”, e shkurtit 1959 (e papërfshirë në koleksionin e ekspozitës), ilustrohet një hoxhë me çallmë, i cili rend i gëzuar pas një dose. Grafika shoqërohet me këto vargje:

Paska mbajt hoxha një dosë;
fshati tha- E vraftë kurani!
Dhe e vrau hoxhën e gjorë,
dymbëdhjet gica dosa i bani.

Rendja pas fitimit material e ka pozicionuar hoxhën të dalë edhe kundër parimeve fetare që ai përfaqëson. Në këtë satirë të sforcuar, hoxha del në një dritë më “përparimtare” se fshati ku ai predikon, besimtarët e të cilit sipas zakonit e mallkojnë. Por mallkimi nuk ekziston, kjo qasje pragmatike e hoxhës është bekimi i vërtetë, që nuk vjen si burim nga metafizika, por drejtpërdrejtë nga pjellshmëria e një kafshe tradicionalisht të përbuzur.

Në “Vatra e Kulturës”, prill 1967 gjejmë një tregim për një person dembel, që për të përfituar nga besimtarët, vishet si dervish dhe troket për darkë në një shtëpi fshatari. “Dervishi”, përveç se shtrohet mirë në sofër, “parashikon” dhe një gjëmë për nusen e shtëpisë, dhe nëse nuk kryhet një fall për ta shmangur, ajo do të ketë pasoja në shëndet për një kohë të gjatë. Për këtë shërbim sigurisht kërkon ushqime dhe para. Si në çdo tregim propagandistik me “happy end”, pseudo-dervishi diskreditohet nga djali i shtëpisë, i cili zbuloi se, kur lexonte parashikimet, librin e tij të shenjtë “dervishi” e mbante përsëprapthi.

Në një rast tjetër diskreditues, (“Hosteni”, korrik 1967) në shtëpinë e një shehu vjen për derman një besimtare, e cila është sfilitur nga seancat e shpeshta të konsultave me shehun. Halli i plakës është keqtrajtimi i vajzës së saj nga dhëndri, dhe për të evituar një ndarje eventuale, plaka furnizohet me hajmali dhe nuska duke i sjellë shehut si shpërblim para dhe ushqime. Por kësaj radhe është vizita e fundit, siç lajmëron dhe titulli i skicës: “Bazybeni (hajmalia) i fundit”. Në mes të vizitës ndërhyn e shoqja e shehut që jep haberin për divorcin e vajzës së tyre, që ngjashëm si rasti i plakës, kishte të njëjtin hall më bashkëshortin e saj. Atëherë vjen dhe ndërgjegjësimi, plakës vizitore i kujtohen fjalët e djalit të saj që i sugjeronte t’i shkruanin në këshillin popullor një fletërrufe shehut për aktivitetin e tij zhvatës.[i] Bashkë me lekët që sapo i kishte nxjerrë për të shpërblyer shërbimin, vizitorja e ndërgjegjësuar rrëmben dhe qesen e sheqerit që i kishtë lënë shehut në prehër. Interesant është reagimi i shehut, që i drejtohet të shoqes me këto fjalë: Hajvane, na le pa hallvë sonte! Shqetësimi i shehut nuk është ekzistencial, pra që pas këtij diskreditimi, t’i druhet fatit të tij në të ardhme. Halli i tij është banal, i atypëratyshëm, ai nuk ka me çfarë përmbush grykësinë e tij momentale.

Do të ndalesha pikërisht te ky konstrukt tipologjik i përshkrimit të sjelljes së një kleriku sipas kësaj propagande. Ajo e grykësisë dhe e tamhut për të ngrënë. Edhe pse është gjithëpërfshirëse, përgjithësisht janë klerikët myslimanë që e pasurojnë galerinë e narrativave antifetare me këtë karakteristikë. Ndërsa me nuska dhe me falle mashtrojnë besimtarët injorantë, gjoja për t’i shëruar apo që t’iu prijë fati, qëllimi i tyre përfundimtar, përtej përfitimit material, është nginja dhe fryrja me ushqim. Duke qenë se e përbashkta e propagandës antifetare është krijimi i një “maske fetare”, siç e përkufizon Doan Dani në esenë e tij kuratoriale, qëllimisht kjo propagandë lë mënjanë realitete dhe aspekte që nuk e ndihmojnë meganarrativën antifetare. Pikërisht e kundërta e grykësisë është përmbajtja dhe solidariteti shoqëror i besimtarëve që demostrohet më së shumti në kontekstin shqiptar me agjërimin tridhjetëditor të Ramazanit. Në asnjë rast, propaganda antifetare nuk e parodizon këtë ritual islamik përderisa shkon në kah të kundërt me qëllimin propagandistik të regjimit. Rrallë e tek agjërimi përkufizohet si një praktikë që ul rendimentin e punëtorëve, një urdhëresë për besimtarët që vjen nga klerikët, të cilët nuk e kryejnë vetë, sipas parimit: “bëj si them unë, mos bëj si bëj unë”! Është i pashpjegueshëm ky hendek kuptimor mes veprimeve të klerikëve të shndërruar në simbol të babëzisë dhe parazitizmit, dhe masës së madhe të besimtarëve që praktikon urdhëresat e tyre, dhe mban mbi shpatulla një klasë të tillë “fatlume” shehlerësh dhe hoxhallarësh.

Në një tregim të vargëzuar dhe të shoqëruar me ilustrime në seri të tipit “fumetti” publikuar në revistën për fëmijë “Fatosi” (tetor 1967), kemi dhe kulmin epik të kësaj grykësie fetare. Ngjarja quhet “Tregim për mjekërborën” ku sipas skemës, personazh është një hoxhë që ofron shërime dhe dermane për besimtarët. Ofertat e besimtarëve janë pata, rosa, mishra dhe hallva. Përmes një asosacioni fonetik mes identitetit të tij si hafiz dhe tepsisë me oriz, asosacion që gjithashtu harmonizohet si imazh mes enës me gatimin e bardhe dhe mjekrës si borë të hafizit, përftojmë të plotë ikonën e përbindëshit të paralizuar. Nuk ka si të ndodhë ndryshe në këtë segment të propagandës me kaq shumë gatime dhe receta, ku hafizi mjekërbardhë bllokohet nga ngrënia e sasive të shumta të ushqimit. Gjendur në këtë situatë shpresëvogël, ndërhyn e shoqja e hafizit, dhe kemi këto vargje:

O bubuuu… vdiq e mbaroi…
Po i jap një lugë voj—
—Cuk cuk cuk—foli hafizi
Dhe me zor kokën lëvizi:

“Po t’kish vend për një lug’ voj
Un’ ha hallvën që teproi…
S’kam derman pra…grue shpejto,
Mjekun në spital lajm’ro!”

Dhunimi i vetes nga kleriku është total, paradoksalisht surreal dhe gjithashtu racional. Në veprimin e tij shkatërrimtar ai është plotësisht i ndërgjegjshëm. Nga përgjigjja që i jep të shoqes, ai tregon identitetin e tij të pandryshueshëm, nuk mund të dalë nga natyra e tij autodestruktive. Hafizi do ta përsërisë ritualistikën e tij grykëse deri sa t’i vijë fundi. Por me rrëfimin e kësaj ndodhie ndaj fëmijëve të socializmit, ciklin e kësaj dhune, faturën e së cilës e paguajnë besimtarët injorantë, e ndërpret partia përmes propagandës antifetare dhe përmes ndalimit të fesë.

Në këtë propagandë skematike që e barazon sjelljen dhe identitetin e klerikut me grykësinë e derrit, dëshmohet dhe niveli ekonomik i masës popullore ku ushtrohet kjo propagandë. Loja me gatimet dhe sasitë e ushqimeve që përlajnë klerikët, godet në subkonshjencën e publikut. Përsëritja e shpeshtë e kësaj propagande në një shoqëri të varfër që rropatet mes triskave ushqimore dhe racionimeve të ndryshme, do të arrijë të përmbushë imagjinarin popullor me këtë imazh të klerikut, edhe pse klerikët e vërtetë janë mes tyre, shpesh në gjendje të mjerueshme ekonomike.

Ndërkohë që propaganda antifetare në Shqipërinë komuniste në mënyrë progresive ndërtonte këtë perceptim popullor për klerikët dhe atë që ata përfaqësonin, në ShBA, hidhte themelet një institucion fetar mjaft i dobishëm në nivel komunitar si Teqja Bektashie e Detroit-it. Mbërritur në SHBA nga Egjipti, Baba Rexhepi do të gjente në mesin e shqiptarëve njerëz të ndershëm dhe punëtorë që e ndihmuan të ndërtonte këtë institucion fetar. Falë personalitetit të tij, dijeve fetare dhe aftësive shpirtërore, në pak kohë Teqja e Detroit-it u kthye në një referencë për komunitetin e gjerë të shqiptaro-amerikanëve. Ndërsa në Shqipërinë komuniste librat dhe objektet fetare sekuestroheshin dhe shkatërroheshin, Baba Rexhepi në ShBA shkroi (u botua në 1970) tekstin më të rëndësishëm shqip mbi sufizmin, “Misticizma Islame dhe Bektashizma”, tekst që është ende më referenciali mbi këtë temë.

Pas një aktiviteti të gjatë fetar dhe komunitar, edhe në moshë të thyer, mistiku i dobët e i kthjellët përmbushi me sukses misionin e tij fetar. Sipas Frances Trix, që e shoqëroi babain bektashi për rreth njëzet vjet, deri në kalimin në amshim, kohëve të fundit, kur shtrohej dreka dhe babai bënte lutjen, për shkak të moshës së thyer, të pranishmit e shumtë me të cilët ndante bukën, rrinin me ankth nëse do të hanin sërisht drekën e radhës në prani të babait. Në fund, kur u sëmur, pas një qëndrimi disa javor në spital, babai kërkoi që “të vishte këpucët”, shenjë kjo që do të thoshte se kërkonte të kthehej e të lëshonte frymën e fundit në teqen e tij. Doktori që e vizitonte, i ndodhur aty së bashku me disa studentë, këtë kërkesë të një plaku të vjetër e të sfilitur e konsideroi si një lajthitje, që “familiarët” e tij duhet ta refuzonin. Doktori duke vendosur gishtin e tij në tëmthin e plakut nëntëdhjetë e ca vjeçar pyeti Trix – “a është këtu”, pra a është i ndërgjegjshëm i moshuari?! Baba Rexhepi, që kuptonte mirë gjuhën angleze, drejtoi ngadalë sytë nga ithtarja e tij, dhe recitoi lehtë dy strofa nga Nesimi, poeti turk i shekullit të XIV:

Dünyayı istemem,                            virseler dahi
Cenneti istemem,                            göster Cemali.

[Këtë jetë nuk e dua,              sado që të më shtohej
Parajsën nuk e dua,              drit’n e Tij veç të shikoja]

(c) 2025 Elton Hatibi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[i] Sipas kësaj skeme, në bisedë me Besnik Sinanin, fletërrufeja në publik ka efektet e hajmalisë, dhe “këshilli popullor” që e komisionon, merr atributet dhe pushtetin e shehut.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

2 Komente

  1. shume interesant trajtimi. Ai elementi gastronomik duhet analizuar me tej. Ne ende sot percmojme ose cmojme sipas dietes: Murrizi ha fasule me kaviar. Edhe pse fasulja te Mrizi i Zanave eshte ndryshe nga ajo e gjelltores.

    Vec mesazhit – perdorimit te elementeve tradicionale e modern (shtresezimi klasor sipas dietes), apo receptuesve (barkthatet), interesant me duket vjershetori apo karikaturisti. A mund te rikonstruktohet procesi? Ishte nga populli, ndonje i ngeshem apo i zellshem ne uzine a ndermarrje bujqesore? Sa perputhet me fushatat me moderne antifetare (iluminuese shkencore, filmat e te tjera fushata) qe gjasme ishin bottom-up. Pra ne cilin kontekst mediatik-kulturor vendosen keto karikatura? Pastaj mund te rezultoj strategjia klishe stereoptipike e marketingut anti-fetar: prifterinjte si te zgjuar e dinak, hoxhallaret orientale te babzitur e te qejfit, papi si dic e ndermjetme, mes babezise orientale dhe dinakerise bizantine.

  2. Shkrimi vuan prej paqartësive kontekstuale, mungesë të backgroundit historik dhe poleticizmit ideologjik. Si gjithmonë komunizmi paraqitet si perversitet errësor dhe tmerrues i imponuar nga një grusht i vogël të sëmurësh mendor dhe sadistë, një përceptim fëmjinor dhe injorant jo larg filmave të Kinostudiosë së Rë që zhvesh shrimin prej çdo lloj faktualiteti.

    Mungon backroundi historik, lufta kundër fesë në Shqipëri paraqitet si një fletërrufe e partisë, pa marr parasysh mbështetjen e gjerë që gëzonte fushata antifetare midis rinisë si dhe shoqërisë së gjerë shqiptare. Fushat antifetare në Shqipëri nuk hasi pothuajse fate qendresë popullore, kjo vetë tregon sa moralisht e falimentuar ka qenë në ndërgjegjen kolektive.

    Duhet shtuar së për shumë shekuj feja ka qenë mjetë autoritarizmi, ka shërbuer jo më shumë së një vegël autoritare, ka shtypur e nënshtruar dhe ka nxitur dhunë dhe përçarje. Perandoria osmane ka qenë një shtet rracist e i segreguar, ku jo muslimanët gëzonin vetëm të drejtën e jetës dhe kjo vetëm në rast së paguanin taksat, por ëdhë atëherë asgjë s’ishte e sigurt, historia e abuzimeve nuk ka fund e krye.
    Feja në shumë raste ka përdorur retorikën e saj polemike dhe tmerruese për të shfrytëzuar dhe bastisur shoqërinë. Shqiptarët nuk u ngrysën një ditë me diell dhe thanë skëmi ça të bëjmë sot lë të shëmbim xhamitë e kishat!

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin