Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Emigracion

IDENTITETI HIBRID DHE RACIZMI INSTITUCIONAL

Brezi i dytë i emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe identitetet e të “qenit shqiptar dhe grek”

Më vjen keq që nuk mund t’i bashkohem të njëjtit entuziazëm për identitetin hibrid, shqiptaro-grek apo greko-shqiptar të brezit të dytë, që ka shkaktuar diskutim për dokumentarin e prezantuar në Festivalin e Selanikut. Sigurisht, me një farë rezerve derisa ta shoh.

Identiteti hibrid në rastin e emigrantëve shqiptarë të brezit të dytë nuk është çështje e një konkurrence midis dy identiteteve. As nuk duhet dhe as nuk zgjidhet me një qasje të lehtë, por, përkundrazi, kërkon mirëkuptim dhe ndjeshmëri të thellë për traumat e gjithë këtij brezi.

Rasti i këtij identiteti hibrid nuk është produkt i formimit të lirë, por produkt i shtypjes. Për sa i përket një pjese të tij, shtypja, mohimi, ndrydhja e të qenët shqiptar ka ndodhur ndër dekada. Për sa i përket pjesës së dytë, është mohimi i të qenët grek i fëmijëve të brezit të dytë nga shteti grek dhe shoqëria greke, edhe pse ata luftuan për ta dëshmuar me çdo mënyrë, në kurriz të identitetit të parë, duke ndryshuar emrat, fenë, që të bëhen të pranueshëm.

Politikat armiqësore të viteve 1990, me përcaktimin e emigrantëve shqiptarë nga Parlamenti Grek si “kërcënim për sigurinë kombëtare”, represioni shtetëror dhe dhuna policore që zbatoi kjo doktrinë, racizmi social dhe stigma e shkaktuar nga denigrimi dhe kanibalizmi i imazhit të emigrantit shqiptar nga mediet greke, të cilat vazhduan edhe në dekadën në vijim, kontribuuan veçanërisht në ndjenjën e frikës dhe të pasigurisë, inferioritetit dhe turpit për origjinën, sidomos tek fëmijët tanë.

Edhe pse në fund të viteve 2000 u bënë hapat e parë të një përpjekjeje për integrimin e emigrantëve dhe dhënien e nënshtetësisë fëmijëve të brezit të dytë, hija e dyshimit, e mosbesimit dhe fantazmat e nacionalizmave ballkanikë ekzistonin gjithmonë për fëmijët me origjinë shqiptare, prindërit e të cilëve ndodhte që vinin nga një vend ballkanik dhe që emigruan në një vend fqinj, gjithashtu ballkanik. Këto fantazma dhe dyshime janë diçka që përshkon të gjithë spektrin politik në Greqi kohë pas kohe, me pasoja negative në procesin e dhënies së nënshtetësisë edhe sot.

Nuk është rastësi, që në 2010, në kohën kur po miratohej ligji “Ragushi”[ii] për dhënien e nënshtetësisë brezit të dytë të emigrantëve, është deklaruar publikisht se ka pasur një urdhër verbal për të mos e dhënë shtetësinë për fëmijët shqiptarë. Pas shfuqizimit të tij, gjatë periudhës së konsultimit për projektligjin për dhënien e nënshtetësisë gjeneratës së dytë në 2015, si Kammenos[iii] – asokohe në koalicion me SYRIZA – në një intervistë radiofonike në stacionin “Sto Kokkino”, ashtu edhe ish-presidenti i Institutit të atëhershëm të Politikave të Migracionit, në auditorin e mbushur plot të një konference të organizuar nga programi pasuniversitar “Studimet evropiane dhe ndërkombëtare” të Universitetit të Athinës, deklaronin të njëjtin pozicion: “Është e rrezikshme t’u jepet shtetësia greke fëmijëve të brezit të dytë të emigrantëve shqiptarë, sepse ata do të formojnë minoritet dhe kjo përbën një kërcënim për kombin grek”

Pas vitit 2015, me rastin e refuzimit të kërkesës për nënshtetësi greke Gazmend Kapllanit, në rrjetet sociale pati një reagim dhe denoncim të fortë për racizmin, diskriminimin, dyshimin dhe mosbesimin ndaj emigrantëve shqiptarë dhe mohimin e dhënies së nënshtetësisë greke për ta. Filloi të rritet një presion më i gjerë politik për këto çështje nga emigrantët shqiptarë, pasi këta zëra nuk dëgjoheshin në sferën publike për t’u diskutuar, veçanërisht nga media kryesore private dhe shtetërore, me përjashtime të pakta dhe të shkëputura.

Krijimi në vitin 2018 i Nismës së Emigrantëve Shqiptare dhe Solidarëve vendosi publikisht në tekstin e saj të identitetit çështjet e racizmit, diskriminimit dhe të shtypjes që ishte ushtruar ndaj komunitetit shqiptar, si për brezin e parë, ashtu edhe brezin e dytë, si edhe çështjet e diskriminimit që i bëhej brezit të parë, diskriminim që e kishin krijuar politikat e mëparshme, duke e lënë këtë brez në harresë si pasojë e administrimit të gabuar të emigracionit.

Politika e SYRIZA-s në qeveri, por edhe në të kaluarën si perceptim i përgjithshëm, ndoshta duke llogaritur koston politike nga votuesit konservatorë, përpiqej ta menaxhonte gjithë këtë indinjatë me qasje problematike, siç ishte bërë në të kaluarën, të cilat në vend që të ndihmonin, e kishin përkeqësuar problemin. Kjo politikë konsiston në fokusimin te brezi i dytë, i emigrantëve shqiptarë këtë herë, si një objekt më i “tretshëm”, në vend që të trajtojë në tërësi çështjen e emigrantëve.

Gjithsesi, duhet të pranojmë se kjo qeveri nxori nga sirtarët dosje të harruara për vite të tëra aplikimesh në lidhje me shtetësinë dhe ua dha atë shumë fëmijëve të brezit të 2-të të emigrantëve shqiptarë. Ndoshta kjo lëvizje kishte për qëllim edhe formimin e një vaske votuesish për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2019.

Shumica e tyre, kur më në fund fituan nënshtetësinë greke, edhe për shkak të krizës ekonomike u larguan masivisht jashtë vendit drejt Evropës, ku në mjedisin e ri e perceptuan dimensionin e vërtetë të problemit në Greqi. Kjo periudhë ishte një pikë kyçe për t’i nxitur ata që të flisnin për identitetin e tyre të shtypur, për stigmën shoqërore që kishin pësuar në Greqi për shkak të origjinës së prindërve të tyre, duke shkruar një mori rrëfimesh për traumat me të cilat ishin përballur.

Në vitet në vijim u shkruan libra, poezi dhe u krijuan vepra artistike, qoftë nga të rinj që jetojnë jashtë, ashtu si dhe brenda Greqisë, për përvojat si të tyret, ashtu edhe të prindërve. Pra, nuk mund të flasim për një lulëzim të papritur të identitetit hibrid dhe as nuk bëhet fjalë për konkurrencë brenda tyre. Nuk është një tjetër “histori suksesi”, por një histori dhimbjeje dhe një rrugëtim i dhimbshëm për të shëruar plagët e tyre.[v]

Megjithatë, është një proces i cili ndodhet në fazat e para. Brezi i dytë, si edhe prindërit e tyre, duhet të flasë publikisht për dhimbjen dhe traumën që pësoi. Të flasësh për plagët dhe traumat, është gjithmonë hapi i parë për vetëshërimin dhe dekompresimin e situatave të grumbulluara dhe përvojave të dhimbshme. Është një bisedë e guximshme me shoqërinë vendase dhe secila palë, nga këndvështrimi i saj, duhet të përballet dhe të marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë dhe të nxjerrin mësimet për të ardhmen, për një bashkëjetesë dhe bashkekzistencë të qëndrueshme në dy nivele:

Në nivelin e parë, në botën e brendshme, në identitetin hibrid të të rinjve, të cilët duhet të pranojnë identitetin e tyre shqiptar, të mos kenë turp për të dhe për origjinën e prindërve dhe të luftojnë edhe për identitetin e tyre grek.

Në nivelin e dytë, për bashkëjetesën dhe bashkekzistencën kolektive të komunitetit shqiptar në tërësi me shoqërinë greke, ku askush“me gjak të kulluar” të mos të mundet të shkaktojë asnjë konflikt.

Çështja nuk mund të kurohet me “politika gjithëpërfshirëse”, të izoluara te një grup i vogël të cilit i jepen privilegje, duke krijuar një lëvizshmëri sociale artificiale dhe duke neglizhuar qindra mijëra anonimë, që ende po luftojnë në një përpjekje të dëshpëruar kundër një mijë pengesash.

Nuk mund të ketë zhvillim të lirë të një identiteti hibrid nëse nuk thyhen barrierat institucionale me të cilat shteti grek u mohon të rinjve të qenët grek si identitet të barabartë.

Një identitet hibrid nuk mund të promovohet gëzueshëm në këtë mënyrë, në një kohë kur prindërit jo vetëm që vazhdojnë të vuajnë, por ndodhen në një pozitë akoma më përkeqësuese.

Kjo perspektivë optimiste e identitetit hibrid nuk mund të formohet kur shteti grek, nëpërmjet ligjit “Katrugalos”, u mohon prindërve të tyre të drejtën elementare për pension, në një kohë kur janë rropatur aq shumë nga puna e rëndë me vite të tëra.

Politika me qeverinë e Demokracisë së Re është bërë edhe më agresive. Shteti grek po heq lejet dhjetëvjeçare të qëndrimit për emigrantët me prani 25 deri në 35 vite dhe po kthen një proces tjetër të rinovimit me një kohë shumë të kufizuar, duke rikthyer ndjenjën e pasigurisë dhe të ankthit.

Ata tallen me njerëzit e lodhur të brezit të parë me kriteret e nënshtetësisë, me provime qesharake të gjuhës, kulturës dhe historisë greke, të cilat janë jashtëzakonisht të vështira edhe për vendasit, dhe me kritere të papranueshme të ardhurash që nuk janë të garantuara as për vendasit, me të vetmin qëllim që të paguajnë tarifa të shtrenjta për aplikimin, avokatët dhe për gjithçka tjetër, duke u kërkuar edhe “qimet e kokës”. Sidomos kur, në shumicën e rasteve, rezultat i rraskapitjes financiare, emocionale dhe sociale është refuzimi “madhështor” i nënshtetësisë greke.

Brezi i dytë në këtë situatë përjeton jo vetëm dhimbje, revoltë dhe zemërim, por edhe frikë nga pasojat afatgjata që do të bien mbi supet e tyre nga kjo politikë që po zbatohet.

Në këto rrethana, zhvendosja e gjithë diskutimit në një festë të gëzueshme për identitetin hibrid është, të paktën, e papërshtatshme.

Është e nevojshme që të gjithë ne, brezi i parë dhe i dytë, të flasim sinqerisht dhe me guxim, pa ndërmjetës, me shoqërinë greke, për të flakur rrënojat e dyshimit dhe të mungesës së besimit reciprok. Ky proces, domosdoshmërisht dhe me heqjen e diskriminimit institucional, janë kushtet që fëmijët e brezit të dytë të gëzojnë identitetin hibrid, greko-shqiptar, ashtu siç është në realitet.

 

(c) 2025 Liljana Saliaj & Peizazhe të fjalës për versionin shqip. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Artikulli është botuar greqisht, në: https://x-efimerida.gr/[i] Përkthimi shqip është i autores.

Foto e artikullit: Demonstrata e emigrantëve shqiptarë në Rethimno të Kretës për vrasjen e një 17-vjeçari në Vitin e Ri 2006 (“Eleftherotypia”, e diel 19.3.2006). http://www.iospress.gr/ios2006/ios20060319.htm

 


 

[i]On line magazine u krijua në maj 2024 nga dy gazetarë investigativë, Ada Psarras dhe Dhimitris Psarras, të cilët janë shumë të njohur në Greqi. Dhimitris Psarras është autor i shumë librave, njihet për kërkimet e tij mbi të djathtën ekstreme dhe konsiderohet ekspert i “Agimit të artë”. Mbështetja e tyre në rezistencën tonë kundër racizmit është e paçmueshme.

[ii] Jani Ragushi, ish-ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e Jorgo Papandreut.

[iii] Panos Kammenos, ish-kryetar i partisë “Aneksartiti Elines”, parti konservatore e djathtë me pikëpamje nacionaliste.

[iv] Në këtë konferencë, profesor A. Kondis, organizator i konferencës, kundërshtoi me forcë deklaratën e mësipërme të A. Zavu.

[v] Në një prezantim të librit të autores greke Christina Frangeskaki, përkthyer në shqip nga Eleana Ziaku “Këtu është parajsa”, një vajzë e re e gjeneratës së dytë shpërtheu në lot, duke deklaruar se ndien faj të madh për përvojat e prindërve të saj, për mohimin, refuzimin dhe distancimin nga ana e saj e origjinës së prindërve. Ky libër i veçantë meriton të lexohet gjerësisht si nga publiku shqiptar, ashtu edhe nga ai grek, për të kuptuar më thellë procesin e mërgimit dhe luftën për mbijetesë dhe pranim, në kushte të pafavorshme në mjedisin e ri, dhe traumat që kjo ka lënë si për familjet emigrante shqiptare, ashtu edhe për fëmijët e tyre.

 


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

1 Koment

  1. Gjenden ne pozite te veshtire te varferit .Nga nje ane vendi ne te cilin jane lindur e rritur ku ndodhet gjithshka qe njohin e dine nuk i pranon si te vetet .Vendi nga i cili prinderit e tyre kane ikur nuk do te thote shume per ta e ne njefare menyre i ka hequr nga defteri.Te huaj ketej ,te huaj andej .Ne rreth 2 dekada Shqiperia do te kete te njetin problem nese keta mijera filipinas e bangladeshas te cilet vijne si punetore sezonale iu pelqen Shqiperia e vendosin te hedhin rrenje e rrisin familje ne Shqiperi do te kemi te rinj me pamje aziatike qe flasin shqipe te kulluar dhe e konsiderojne Shqiperine vendin e tyre .Si do pranohen nga shqipot den baba den te cilet krenarine e pastertise se gjakut ilir kane te vetmen gje qe ua mban vete respektin kombetar gjalle?Evgjitet te cilet kane mijera vite mes shqiptave hala konsiderohen si qytetare te dores se dyte.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin