Mozaiku i Tiranës dhe kupola mbrojtëse
nga Ani Muraku
Në një qytet ku historia shpesh mbulohet nga ndërtimet e reja pa një ndjeshmëri të vërtetë ndaj së shkuarës, ndërhyrja mbi Mozaikun e Tiranës të vendos përballë një pyetje të vështirë:
A projektojmë mbrojtje në këtë mënyrë apo “pushtime urbane”?
Mozaiku i Tiranës, një nga dëshmitë më të hershme të jetës urbane në territorin e sotëm shqiptar, i përket një vile romake rustike të zbuluar rastësisht në vitin 1972. Ky mozaik, i krijuar mes shek. I dhe V pas Krishtit, tregon fazat e transformimit të një vile nga një rezidencë private në një hapësirë për komunitetin e hershëm të krishterë, të njohur si domus ecclesiae. Me elemente të pasura gjeometrike, harqe dhe simbolikë fetare, si peshqit e krishterë, mozaiku është një dëshmi e rëndësishme e mënyrës sesi arti mund të shërbente si medium tranzicioni midis periudhave historike.
Arkitektura e rëndë mbi një art delikat
Projektuesit e strukturës mbrojtëse të re, e përshkruar si një “shtresë e re e historisë”, kanë propozuar një kupolë betoni që qëndron pezull mbi mozaikun, duke krijuar një efekt vizual të fuqishëm. Sipas konceptit të tyre, kjo strukturë është frymëzuar nga motivi i lules së jetës, një simbol i vetë mozaikut. Megjithatë, në praktikë, ajo krijon një kontrast të “dhunshëm” mes brishtësisë së një arti të ndërtuar nga gurë të vegjël gëlqerorë dhe masivitetit të një mbivendosjeje betoni që dominon çdo perspektivë vizuale.
Krahasuar me strukturën e dikurshme, një godinë e vogël tipike e Shqipërisë së Mesme, kjo ndërhyrje ngre pikëpyetje mbi qasjen ndaj trashëgimisë historike dhe mënyrën se si ndërhyrjet moderne mund të ndikojnë në identitetin vizual dhe kulturor të një vepre arti.
Një Paralele e nevojshme: Si do të sillej Italia?
Një shembull për një qasje më të kujdesshme mund të shihet në projektet e ReUse Italy, një organizatë e cila fokusohet në restaurimin dhe ripërdorimin e trashëgimisë historike përmes ndërhyrjeve minimale dhe të ndjeshme.
Siç thekson një nga arkitektët fitues të konkurseve të tyre:
“The notion of reuse we promote is strictly related to the concept of life inside space. Martin Heidegger, in Building, Dwelling, Thinking, explained in a phenomenological way how the main purpose of a building is dwelling, and how a building acquires meaning through the act of dwelling. A building can be considered alive when someone dwells in it. We propose a notion of reuse that continues this idea, especially in terms of architecture ecology, which is, in our opinion, one of the main themes of our time.”
(“Koncepti i ripërdorimit që ne promovojmë lidhet ngushtë me idenë e jetës brenda një hapësire. Martin Heidegger, në Building, Dwelling, Thinking, shpjegon se qëllimi kryesor i një ndërtese është banimi dhe se një ndërtesë fiton kuptim përmes aktit të banimit. Një ndërtesë mund të konsiderohet e gjallë vetëm kur dikush banon në të. Ne propozojmë një qasje të ripërdorimit që e vazhdon këtë ide, veçanërisht në kontekstin e ekologjisë arkitekturore, e cila, sipas mendimit tonë, është një nga temat kryesore të kohës sonë.”)
Ky parim përfaqëson një filozofi ndryshe nga ajo e përdorur në Mozaikun e Tiranës. Ndërsa ReUse Italy promovon ndërhyrje që i japin një jetë të re ndërtesave historike duke ruajtur autenticitetin e tyre, kupola mbi mozaikun e Tiranës e veçon atë nga qyteti, duke e izoluar më shumë sesa ta përfshijë në hapësirën urbane.
Nëse do të kishin ndjekur një qasje të ngjashme me atë të ReUse Italy në Tiranë, a do të kishim sot një strukturë më të harmonizuar me mozaikun? A mund të ishte krijuar një mbrojtje që e thekson vlerën e saj historike për të siguruar që ajo të mbetet e gjallë dhe e lidhur organikisht me qytetin që e rrethon, në vend që ta zvogëlojë atë vizualisht?
Peizazhi që rikthen kohën
Në një qytet të mbingarkuar si Tirana, ku hapësirat publike janë të pakta dhe ritmi urban nëhet gjithnjë e më i shpejtë, një ndërhyrje mbi një monument historik nuk duhet të krijojë një barrierë të re, por një hapësirë për reflektim dhe përjetim. Mozaiku i Tiranës, një dëshmi e rrallë e jetës romake, nuk ka nevojë për një kupolë të rëndë që e izolon nga konteksti i tij. Ajo që i mungon është një kornizë natyrore që e lë hapur ndaj kohës dhe kujtesës.
Megjithatë, një dorë peizazhisti mund të kishte ofruar alternativë tjetër. Në vend të një strukture masive betoni, një hapësirë peizazhi e integruar do të mundësonte një ndërhyrje më të butë dhe më të qëndrueshme. Një park i vogël arkeologjik, me pemë dhe ulëse të vendosura natyrshëm, do të krijonte një vend pushimi ku vizitorët mund të ndaleshin dhe të udhëtonin me mendje nëpër historinë e këtij mozaiku.
Më tej, një mbulesë e lehtë, e ndërtuar me një strukturë transparente ose organike, do të kishte mjaftuar për ta mbrojtur nga reshjet, pa krijuar ndjesinë e një strehe betoni që dominon mbi të. E vërteta është se ky mozaik nuk ka nevojë të fshihet nën një “pëlhurë arkitekturore” të imponuar, por të marrë frymë si pjesë e një peizazhi të rigjallëruar, të kthyer në një pikë qetësie mes kaosit urban.
Në fund të fundit, historia nuk kërkon të jetë e mbyllur në një kuti, por të ndjehet, të shihet dhe të jetohet. Nëse do të ishte trajtuar si një pjesë e një peizazhi natyror, Mozaiku i Tiranës nuk do të ishte thjesht një sit i mbrojtur, por një hapësirë ku qyteti dhe historia mund të bashkëjetojnë me ndjeshmëri dhe respekt.
© 2025 Ark. Suada Ani Muraku, Co-Founder & Architectural Designer murakustudio. Të gjitha të drejtat janë të autores. Kopertina dhe fotot e tjera © Suada Ani Muraku.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.