Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art / Fe / Totalitarizëm

IKONAT E OPIUMIT

Grafika antifetare në komunizëm

 

Përmes një përzgjedhje ilustrimesh të publikuara në shtypin e përditshëm dhe periodik, ekspozita “Ikonat e opiumit: Grafika antifetare në komunizëm” organizuar nga Instituti Konak në Galerinë Kalo nga 4-11 prill paraqet një perspektivë të funksionit, të përdorimit dhe të komunikimit të grafikës antifetare, por edhe sakralizuese, të regjimit komunist shqiptar në tri dekadat e shtrira ndërmjet sanksionimit të laicitetit (1946) dhe ateizmin shtetëror (1976). Emëruesi i përbashkët i kësaj grafike është krijimi i maskave fetare, kryesisht nëpërmjet parodisë e karikaturës, dhe standardizimi i një perceptimi kolektiv nëpërmjet mesazheve të semantikës vizuale. Qarkullimi konstant në shtyp dhe në pedagogjinë e organizatave masive, monopoli i fjalës, thjeshtësia dhe karakteri i drejtpërdrejtë i mesazhit kanë bërë të mundur shndërrimin e këtyre maskave në imazhe ikonike, deri në atë masë sa të dominojnë mes kategorive interpretuese edhe pas rënies së regjimit.  

Parë nga tematika, ilustrimet vënë në pah dy faza të ndara në fillim të viteve Gjashtëdhjetë. E para, e cila përkon me aplikimin e politikave sekularizuese dhe me strategjinë e kontrollit të masës, karakterizohet nga një grafikë që mëton denoncimin e praktikave, autoriteteve dhe traditave fetare. Ndërsa burimi i tyre, domethënë feja, shndërrohet në shënjestrën e preferuar të fazës së dytë, atëherë kur ateizmi militant aktivizohet si mjet antifetar dhe pushteti investohet për kontrollin e individit. Për rrjedhojë, të gjitha maskat e krijuara më herët, nga perversioni, dhuna, obskurantizmi, parazitizmi, oportunizmi, injoranca, manipulimi, deri te përplasjet gjeopolitike e gjeokulturore, tani e tutje identifikojnë qartësisht fenë, e bashkë me të edhe shtresëzimet e saj te fjalori, veshja, ushqimi, zakonet, shijet e natyrisht tek antroponimia.  

 

Meqenëse në natyrë nuk ka vend për boshësinë, tkurrja publike e feve tradicionale kompensohet me izotopet e rendit socialist, e kësisoj grafika zhvillohet me trajta dialektike. Prandaj përmbajtja e këtyre ilustrimeve tejkalon regjistrin antifetar dhe shoqërohet me maskat e regjimit, mes tyre emancipimi, shëlbimi, progresi, botëkuptimi materialist, shkenca apo njeriu i ri, të cilat i kundërvihen metafizikes, triumfojnë mbi të dhe krijojnë një gjuhë dhe imagjinatë kolektive. Edhe nëse mungojnë si imazhe konkrete, ato manifestohen ndër slogane, komente, anekdota, parodi e shtjellime me ambicie akademike, ose edhe thjesht në kontekstin e mediumit, në mënyrë që publiku të shquajë lehtësisht mishërimin e të Mirës apo e të Vërtetës tek autoritetet e regjimit.

Sigurisht, funksioni dhe përdorimi i grafikës nuancohen edhe nga raporti medium-publik. E krijuar si «fletë satirike» më 1945 nga Ministria e shtypit, propagandës dhe kulturës popullore, revista Hosteni veçohet për cilësi dhe vijimësi të grafikës antifetare, por lexuesi është më shumë individual dhe i filtruar. Përkundër, Vatra e Kulturës, me gjithë tirazhin e kalibruar, e shumëfishon grafikën më tepër se çdo revistë tjetër, duke e shpërndarë në qoshet rurale të vendit, pasi shërben si manual i propagandës në rrjetin kapilar të qendrave të kulturës, ku, për më tepër, ofron skenarë dhe krijon publik. Ndërsa shtypi i organizatave të rinisë (Zëri i Rinisë, Pionieri dhe Fatosi), duke iu adresuar brezit të mbrujtur tërësisht nën inxhinierinë sociale të regjimit, e projekton mesazhin në të ardhmen. E pikërisht nga ky brez i çmagjepsur dolën elitat që përudhën tranzicionin e Shqipërisë.      

© 2025 Doan Dani. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin